Albspirit

Media/News/Publishing

Alket Veliu: Çamëria, kryefjala e bisedës që pata sot me Helena dhe Ismail Kadarenë

Të shumtë janë ata studiues, shqiptarë dhe të huaj, që e cilësojnë Ismail Kadarenë “Gjeniu i letrave shqipe”, me një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shpirtërore të njerëzimit, i cili ka ditur të shpalosë e të ngrejë lart gjeninë e popullit që e ka lindur.
Jehona e veprës së tij i kapërceu shumë shpejt caqet kombëtare, duke fituar vlera të përbotshme. Dihet që shkrimtarët nuk i japin llogari askujt, përveç vetes së tyre. Por nëse flitet për principe identiteti, Kadare i ktheu kombit shqiptar krenarinë e qënies së vet të papërsëritshme, deri në përmasat e amshimit, duke mos rënë kurrë në mëkatin e krenarisë.
Dhe padyshim fusha ku zhvillohet veprimtaria shpirtërore e krijuesit është fryma e Kombit, të cilit i përket, ose ndryshe ajo që quhet gjenia kombëtare. Ismail Kadare, padyshim, nuk do të ishte ai që është, nëse nuk do të bënte betejat e veta për çështjen kombëtare shqiptare, si diçka sa njerëzore, aq dhe hyjnore, të lënë brutalisht mënjanë. Shprehja “letërsi kombëtare” mund të tingëllonte thjesht folklorike, nëse shkrimtari ynë i shquar nuk do ta përkundëte gjeninë e vet në djepin kombëtar, duke artikuluar fort për një identitet kolektiv të shqiptarëve, me kordinata të qarta euroatlantike. Kur është fjala për Kombin, Kadare nuk ka heshtur kurrë me idetë dhe ndjeshmërinë e vet. Të gjithëve na kujtohen momentet historike kur Ismail Kadare, si rrallë kush, loboi fort për çështjen e Kosovës dhe ishte njeriu më aktiv në Rambuje, duke pohuar në mënyrë radikale të drejtën legjitime për mëvetësinë e saj. Po ashtu shqiptarët nuk harrojnë fillimin e viteve ’80 kur, në emër të arsyes kombëtare, vuajtjes dhe tragjizmit të popullsisë çame, të shpërngulur me dhunë nga trojet e saj, Kadare u bë përkrahësi dhe mbështetësi kryesor i librit testament të Fatos Mero Rrapajt “Këngë popullore nga Çamëria”, duke garantuar botimin e tij, me parathënien që shkroi ekskluzivisht për këtë libër, duke e cilësuar si pjesë të trashëgimisë kombëtare shqiptare. Ky ishte një akt i lartë atdhetarizmi dhe trimërie, në kohën e apokalipsit komunist, kur ështja çame ishte harruar dhe mohuar totalisht. Në vitin 1991 Kadareja përshëndeti, që në ditët e para, krijimin e Shoqatës Çamëria dhe botimin e gazetës Çamëria.
Çamëria ishte kryefjala e bisedës që pata sot me shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare dhe me zonjën e tij Helena Kadare, po ashtu shkrimtare e mirënjohur. Në emër të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” e falenderova zotin Kadare për mbështetjen dhe ndjeshmërinë ndaj çështjes çame dhe kauzave kombëtare, për gurët e rëndë që ka vënë në themelin e letërsisë dhe të kombësisë, duke i uruaj shëndet të plotë e jetë sa më të gjatë.
Please follow and like us: