Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: PROF. SPIRO KONDA – FILOLOGU UNIVERSAL SHQIPTAR

1866-1967
Ka lindur në Dardhë. Babai i tij ishte sharrëxhi e, si gjithë burrat dardharë me këtë profesion, punoi në vise të ndryshme shqiptare dhe në vende të tjera të huaja. Pas shkollës elementare të Dardhës, Spiro Konda kreu shkollën e mesme në Korfuz dhe si nxënëss i shkëlqyer përfitoi një bursë universitare nga fondacioni i filantropit korçar Jovan Banka në Universitetin e Athinës në degën Filologji të fakultetit Filozofi.
Pas përfundimit të studimeve, sipas rregullit të shtetit grek, shkon të punojë disa vite në Turqi në një provincë me pakica greke për hulumtime historike e filologjike. Studimet dhe shkrimet e hartuara aty ia mbajti universiteti. Rreth viteve 1893-94 kthehet në Korçë ku punon së pari si professor në Gjimnazin grek dhe më pas në Liceun Francez të Korçës ku jepte lëndët e gjuhëve greke e latine.
Luante mirë në disa instrumente muzikore, ishte drejtues i korit të kishës në Korçë dhe kishte një podium nderi në Mitropoli.
Qysh kur ishte student u përfshi në studimin e historisë dhe filologjisë së lashtë të popujve autoktonë të Mesdheut, apo siç njihet ndryshe “Problem pellazgjik”, angazhim madhor i cili i mori thuajse gjithë jetën e tij shekullore.
Si poliglot (glosolog), filolog helenist, latinist, indolog, historian, albanolog dhe etimolog universal, ai pati të gjitha predispozitat shkencore që të hartonte një vepër madhore me përmbajtje dhe teza të reja krejtësisht të palançuara më parë, aq sa edhe qarqet akademike shqiptare e ndërkombëtare nuk u treguan dashamirës, më shumë nga inkopetenca, madje duke aluduar edhe karakterin kontraversal të tij, ndaj edhe për shumë dekada kjo vepër enciklopedike, pra “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” të mos merrej në konsideratë, apo të mos botohej me logon universitare. Madje emri i S. Kondës nuk zinte vend as në ndonjë enciklopedi shqiptare.
Libri voluminoz u botua, së fundi, më 1964 nga vetë autori në shqip dhe greqisht, pas Konferencës së Parë Albanologjike të vitit 1962, ku Konda 95 vjeçar mbajti ligjeratën e shkurtër “Albanët, Shqiptarët dhe Problem Pellazgjik”, ku shpalli ekstraktin e punës së vet . Sipas tij “Gjuha shqipe, shpjegon teorinë kozmologjike të Pellazgëve, është vazhdim i gjuhës pellazgjke dhe shqiptarët, të cilët e flasin këtë gjuhë të stërlashtë, janë pasardhës të pellazgëve parahënorë”.
Libri i tij është ribotuar në vitin 2011 nga Shtëpia Botuese “Uegen”, me 512 faqe dhe ka filluar të bëhet një pikë reference e konvergjence e studiuesve mbarëshqiptarë në raport me problemin e vijimësisë pellazgo-ilire- shqiptare.
Për nder të Prof. Spiro Kondës dhe Prof. Zef Krispit më 14-15 Nëntor 2014 është zhvilluar në Tiranë Simpoziumi III Ndërkombëtar “10.000 Vjet Histori – Pellazgë-Shqiptarë” nga Shoqata “Qendra e Studimeve Pellazgjike”, Kosovë dhe Muzeu Historik Kombëtar Tiranë.
Spiro Konda jetoi 102 vjet.
Please follow and like us: