Albspirit

Media/News/Publishing

Mihallaq Qilleri: Humnerat e sinqeritetit femëror

– Dy letra të rralla por të ngjajshme për poetin –
– tregime të fshehta-
1.
I dashuri poeti im! Unë përherë kam folur hapur me ty thuajse me mall, ndonëse si pa lidhje, kam folur hapur duke menduar se tej dobësive njerëzore, tej pjesës sonë prej mishi e gjaku, përballë meje është poeti dhe vetëm ai, poeti pra e gjysmën e botës si e di vetëm ai. Besoj se nuk më shikon thjesht si grua. Nuk më shikon si lakuriqësi e bardhë dhe e butë që shpaloset netëve. Dhe pikërisht unë tek ty e kam bindjen se kjo ndodh, jam unë që kam guxuar të flas e flas me ty.
Po dhe në këto çaste që flas, – por ndoshta nuk do flas më,- por kjo nuk do të thotë se unë nuk do të lexoj ty. Do të lexoj duke e pranuar edhe pafajësinë tënde prej mishi e gjaku, që në një çast, në një natë, mund të më shikoj edhe mua si prej mishi e gjaku dhe të mendoj…., si të duash ti, poeti im. Dua të jem e sinqertë me ty dhe të të them se kjo më bënë të ndihem mirë. Më bënë të ndihem mirë sepse mendoj se ndonjë moment, një grua mund të shformohet në poezi. Po ajo që dua të them është fakti, se kjo nuk lëvizë asgjë tek bindja që unë kam se vetëm poeti e kupton një grua dhe e respekton atë si gruaja e një burri, po kaq dinjitoz, por që as do t’ia dijë se në botë ka edhe poezi. Që e shikon si një grua e cila ka botën e vetë, ka ndjesitë e veta, ka dobësitë e veta, ka pafajësinë e vet që edhe mund ta shikoj një çast një burrë të huaj si objekt adhurimi dhe kaq. Vetëm kaq!
I dashuri poet, nuk shtoj ndonjë gjë të re në se them se ti je tek unë si poeti, por je njëherësh tek unë edhe si burri ndryshe, të cilin unë guxoj ta shikoj veç jo prej mishi e gjaku, po prej fryme poetike. Por edhe prej mishi e gjaku, pse jo! Unë lexoj pa fund poezi, lexoj dhe këtu në facebook, dhe jam e lumtur të të them se poezia jote është më e ëmbël. Nuk është si shumica e poezive që janë ofshama tërësisht sentimentale grash bosh, pa asnjë vlerë. Poezia jote i dashur është shumë burrërore, që guxon ta shikoj femrën në sy, jo duke qarë për të, po duke e ftuar ti jepet atij, me guxim, me guxim deri në pore. Femra jote poetike nuk është qaramane, femra jote është lëndina ku ti shtrihesh butësisht, është pika jote e Anteut ku ti merr guxim, nëse do ta lidhja me mitologjinë e lashtë, e cila, nuk di nëse është shumë thellë atje në Jug, apo nis që tek vendlindja jote.
Dua të them dhe një sekret i cili edhe mund të mos jetë kështu, apo të paktën unë e mendoj kështu. Të isha unë grua e një poeti, jotja ndoshta, nuk do të të shikoja kurrë si burrin tim real, por do ta shikoja si një krijesë e cila ka dhuntinë që të bëjë më shumë se një burrë tjetër dhe që i lejohen shumë më tepër vese a vlera se sa një burri të zakonshëm. Unë jam e bindur se bashkëshortja jote fisnike, tani është mësuar më këtë tip burri që ka në shtrat, të cilit mund t”i dalë një grua tjetër si unë dhe të flas e të flas me të, madje duke menduar atë edhe si burrë në një shtrat, por që në fakt asgjë nuk i merr asaj gruaje. Dhe ja, unë e shikoj thellë në sy bashkëshorten tënde, dhe pastaj shikoj ty dhe një mendjeshkurtër, do të thoshte se unë po u hyj në mes, gjë që as mund të mendohet, sepse nuk mundet të hyj në atë pjesë të shtratit tënd ku nuk ka mundur të hyj askush. Unë, apo gjithë adhurueset e tua, prek dhe pushtoj atë pjesë burri që nuk e ka prek askush, unë pushtoj poetin. Kjo mua më pëlqen poeti im, sepse nuk ka asnjë lidhje me burrin…asnjë lidhje me gruan, kjo ka lidhje vetëm me frymën.
Respekt për bashkëshorten tënde sy bukur, e cila të ka dhuruar atë qetësi, madje dhe atë dallgë që ti e hedh kaq bukur në art.
I dashuri poeti im! Gratë janë vërtet të çuditshme, ndoshta. Më është dashur të jetoj kohë të gjatë larg bashkëshortit tim dhe nuk e kam kaluar as në mendje se mund të ekzistoj një burrë tjetër që të jetë në shtratin tim. Më është dashur, si të gjitha grate, të ndaj netët me të, madje ti jepem ndoshta më e zjarrtë se tërë gratë e botës dhe mendja mund të me ketë ikur nuk di se ku. Kjo është ajo që ndodhë tek çdo grua, edhe tek gruaja jote. E lumtur është ajo grua që në një çast të tillë diku në horizont shikon një poet dhe shkon drejt tij, sepse vetëm kështu ajo është e mbrojtur. Faleminderit që ekziston poeti im! Mos u mërzit nëse nuk të shkruaj shpesh a ndoshta nuk të shkruaj më. Më duhet të jem dhe ajo gruaja e zakonshme, ajo pra, gruaja jote, pra gruaja e burrit tim, apo gruaja jote, siç është gruaja jote, dhe të harrohem në këtë mision që mua më pëlqen shumë. Në këto çast unë jam shumë e lumtur sepse me gjithë këtë çmenduri, unë e dua burrin tim deri në absurd. Shikoje gruan tënde në sy jam e bindur se edhe ajo ndihet si unë. Edhe kur nuk do të shkruaj, unë do të lexoj poeti im.
Të përqafoj -M.
2.
I dashuri poeti im! Unë të lexoj ty, të lexoj në çdo germë edhe kur merr nga koha jote e tejmbushur dhe më shkruan mua. Nuk mërzitesh poeti im nëse unë të them, se më shumë lexoj poezitë e tua që do të thotë se lexoj poetin, dhe më pak letrat që do të thotë burrin. Po kjo nuk do të thotë se unë nuk i lexoj të dyja këto imazhe të tuat, të dyja të bukura, të dyja magjike. Ajo që shpallë hapur, ajo për të cilin mburrem se të lexoj ty, është poezia jote, dhe nëse ndodh se ndonjëherë unë lexoj dhe pjesën tënde prej burri nuk dua të më keqkuptosh dhe nuk dua ta marrësh këtë si dobësi. Kjo është në fakt edhe dobësi gruaje që duhet trajtuar në mënyrë kavaliereske nga një burrë, sepse kjo dobësi çdo grua e bënë të skuqet. Nëse para vetes ke një burrë, një burrë që imazhin e tij prej mashkulli e ka parësore, ky për mua nuk do të ishte ai me të cilin do flisja. Sepse ky mashkull limitin e tij e ka në shtrat. Një burrë të tillë unë e dua pa fund, është babai i fëmijëve të tij, i cili më mbushë deri në misteret e një gruaje. Po unë flas me ty, jo me burrin, unë flas me poetin kjo të bënë ty në sytë e mi ndryshe nga të tjerët, ndryshe nuk do të kisha shkruar kurrë. Unë vallëzoj para teje, vallëzoj me ty dhe atë tjetrin, duke krijuar imazhin se vallëzoj në krahët e dy burrave, tëndin si poet dhe po tëndin si burrë. Unë tani e kam bërë zgjedhjen time se në krahët e kujt dua të digjem deri në flakët e mia të fundit. Poetin!
Ti i dashur poeti im, më thua se ke studiuar për të njohur thellësinë e tokës, po ajo që të bënë të veçantë nuk është kjo gjë. Ajo që më bënë të të dua si poet, është si ti me magjinë tende mundesh të njohësh thellësinë e një gruaje dhe këtu nuk e kam fjalën për veten time. Një grua e vetme mund të njihet nga një burrë i zakonshëm. Por ti je ndryshe. Ti nuk jeh vetëm një grua, por tërë ato imazhe poetike grash që lëvizin bukur në poezitë e tua. Një nga këto jam dhe unë. Në thellësinë e një gruaje nuk shkon gjeologu, por në thellësinë e një gruaje shkon vetëm poeti. Të falënderoj për këtë poeti im. Të falënderoj poeti im, që plugu yt poetik, lëron thellësisht luginat e shpirtit tim. Ti më thua se…” Ti shkruan se mua më do si poet, se tek unë zbret vetëm në qiellin e mendimeve të mia, por në mbrëmje, natën me yje, ti kthehesh në shtratin bashkëshortor. Ti thua se ky shtrat është gjithçka mund të ketë një grua..”…po kjo është kaq e vërtetë dhe ju e keni pikasur kaq bukur këtë gjë dhe kjo më bën të ndihem mirë.
I dashur poeti im, po nëse dhe ty do të përfytyroja vetëm kështu, komunikimi mes meje dhe teje nuk do të kishte asnjë të ardhme, por do këputej që në rreshtat e parë. Nuk është sekret të të them se unë jam shumë grua, por unë jam dhe shumë nënë dhe bashkëshorte me shumicë jam. Askujt në botë veç burrit tim, nuk do t’i pohoja se një grua ndihet bukur, ndihet grua poshtë trupit të një burri, i cili është pjesa e jetës së saj. Po unë këtë gjë ta them edhe ty, sepse ti i dashur poeti im di të dallosh tek unë çfarë është ajo që unë e kam për dikë tjetër dhe çfarë është ajo që unë e kam fshehur thellë në veten time. Çfarë është ajo e fshehur tek unë dhe mbase duke ëndërruar që një ditë t’ia jap dikujt. Ji i sigurt se kjo, që po flas tani, nuk është ajo që unë e kthej në zjarr çdo natë me burrin tim. Kjo është një gjë më shumë se kaq, më femërore se kaq, dhe ky është besimi që mund të krijoj një grua për të folur me ty. I dashur poeti im, mos ma prish këtë magji. Po ajo që unë mund të kem të fshehur diku poeti im, nuk është kurrsesi “merimangë”, si thua ti i dashur poet, po është një gjë më e bukur, më e ëmbël, më joshëse, por jo, jo merimangë. Unë i kam hapur kanalet e mia më shumë se të gjithë molusqet të marra së bashku, sepse unë jam grua dhe një grua gjithçka mund të jetë por kurrsesi nuk mund të jetë një vijë e hollë uji e cila diku mbyllet. Një grua është dallgë që përplaset diku. Nuk ka asnjë dyshim se unë e dua pa fund burrin tim, sepse ka vite, shumë vite që ai bënë burrin tek unë dhe unë gruan për të, dhe ai është bërë si pjesa ime e bukur. Por kjo nuk do të thotë se një burrë e plotëson deri në pore një grua. Jo kurrsesi jo! Një grua e plotësuar është një grua kufomë. Gruaja është si toka poeti im! Ditën që ti si gjeolog, do më deklarosh mua se i njohe gjithë të fshehtat e tokës, unë do të them, po tani ke njohur dhe thellësinë e një gruaje. Dua të flas hapur me ty. Më pëlqen të flas me ty, të jem me ty, të ëndërroj me ty, (zot na ruaj!), mos ndoshta ka dhe ndonjë çast që dua të jem edhe atje, në atë pozicion shtrati, poshtë teje, ku është gruaja jote…(zot më fal!)…të digjem me ty, të ndihem e mbushur me ty, të ndihem me faj me ty, me faj dhe para gruas tende… …e pastaj? Kjo nuk do ndodhë kurrë! Nëse do ndodhte kjo, kjo do ta prishte magjinë e komunikimit tim me ty dhe ti poeti im, nuk do ishe më poeti im i dashur, po thjesht një burrë që në shtrat more prej meje çfarë deshe, që më bëre gruan tënde për pak çaste, që u ndjeve burrë dhe mashkull me mua, që harrove gruan tënde dhe më the mua se me dashuron… …e pastaj? A thua ia vlen që vetëm për këto çaste unë të prish magjinë e komunikimit me një poet? A ia vlen që vetëm për kaq pak çaste unë të vras bashkëshorten tek vetja? A ia vlen që vetëm për natë si grua me një burrë, unë në vijim të të shikoj thjesht si tërë burrat e botës? A ia vlen që të digjesh pak çaste me mua dhe pastaj të më shikosh në sy plotë mëshirë duke më kërkuar falje dhe unë duke i kërkuar falje gruas tende? A ia vlen pra që ti të më shikosh si grua? Unë them kurrsesi JO! I dashur poeti im! Ka pas në jetën time që kur ish studente, rrugëve të Prishtinës sime, fytyra dhe imazhe burrash që kanë goditur në qenien time si grua dhe më kanë ngelur në kujtesë Në ato vite ishte kaq e lehtë që unë të fluturoja në krahët e ndonjërit, apo të disa prej tyre. Kjo mund të ndodhte se ne si studentë në ato vite mendoj se ishim dhe më të lirë se në Shqipëri. Por kjo nuk ndodhi. Jam lumtur që nuk ndodhi. Nëse do kishte ndodhur, vite më vonë, ndërsa do ti jepesha babait të fëmijëve të mi, unë do ndjeja tërë jetën krahas tij dhe një peshën e një burri që do më bënte të skuqesha dhe të mos ndihesha mirë. E pra nëse më kupton, jam e lumtur që të adhuroj si poet! Kjo nuk përjashton pafajësinë mes meje dhe teje, nuk përjashton që ti të më shikosh në mendime dhe si grua, si grua që ikën nga Amerika e largët dhe vjen një natë aty, në kryeqytetin tonë, pak çaste e ndoshta një natë të tërë, duke i marr lejes gruas tende të më bëj pak vend! A mos ndoshta të më marrësh e të çosh lart në malin e…si i thonë malit të Tiranës, dhe aty, dhe aty ti ta nxjerrësh mallin për një grua, si burrë dhe klithma e një gruaje të mbytet brënda buzëve të një burri.
E shikon çfarë fantazie mund të ketë një grua, që thuajse e mposht guximin e një poeti!? O zot, si po flas!? Oh, u bëra si ty! Mos e beso këtë që sapo thash! Është thjesht fantazi poetësh dhe poetesh, pra dhe veten time që po të ngjasoj ty. Im shoq më ka premtuar se do më çoj një natë atje mbi malin mbi Tiranë dhe unë e pres me padurim atë natë. Faleminderit që më bëre të flas me pak poezi brënda vetes.
E lexova me shumë vëmendje poezinë që sapo ke hedhur, “Erdhe vonë”. E lexova disa herë thuajse përpiva dhe ajo që dua të them është fakti se askush nuk vjen vonë. Secili vjen atëherë kur duhet të vijë, secili vjen në çastin kur thuajse në çastin kur buza na thahet nga etja.
Faleminderit poeti im! Nuk di sa më kupton, ne jemi prej mishi e gjaku, që do të thotë se ëndërrojmë, deri në pafajësi, por në të njëjtën kohë, duke ecur me këmbë tokë drejt njerëzve tanë të shtrenjtë.
Të përqafoj -M.
Please follow and like us: