Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Iris Halili: Lidershipi dhe forca e pamat e ndjekësve!

Dr. Iris Halili
“Liderët mendojnë dhe flasin rreth zgjidhjeve. Ndjekësit mendojnë dhe flasin rreth problemeve”, Brian Tracery.
Lidershipi është marrëdhënie njerëzore në shkallë të gjerë. Më shumë se profesion, lidershipi duhet të jetë mision. Lidershipi i mirë është forma më e lartë të cilën mund të realizojë një individ në marrëdhëniet njerëzore. Gjithkush është një lider nëse është në gjendje të frymëzojë njerëzit që ka rreth e qark, nëse është në gjendje të jetë gjithmonë udhërrëfyes për ta, nëse u imponohet atyre dhe nëse është në gjendje t’i motivojë ndjekësit deri në atë pike sa t’i bëjë bashkudhëtarë të denjë në rrugën e tij, duke e kthyer atë në të njëjtën kohë edhe në rrugën e tyre. Kur ky grup nuk është më vetëm rrethi i ngushtë shoqëror por zgjerohet në komunitet, organizatë, krahinë, komb apo në shkallë botërore, atëherë ky lider e ka shtrirë marrëdhënien njerëzore përtej krahëve normalë dhe ai cilësohet me shumë influencë dhe automatikisht ndikimi i tij te ndjekësit është vendimtar po aq sa ka qenë edhe frymëzimi që ai ka krijuar tek ata. Në përgjithësi forca e ndikimit të një lideri është e barabartë me masën e frymëzimit që ai krijon te ndjekësit. Kjo është edhe arsyeja pse liderët e mirë sjellin përparim kudo ku shkelin, ndërsa liderët negativë sjellin regres. Çështja e lidershipit nuk përfundon në çka është lideri në vetvete, por sa është në gjendje që kjo ‘vetvete’ të influencojë te ndjekësit. Ndjekësit imitojnë liderin në më të shumtën e rasteve kur gjejnë tek ai atë çka do të donin ta gjenin te vetja. Ata falin pushtetin e tyre, dhe mes procesit të adhurimit apo frymëzimit e ndjekin liderin të sigurt dhe shumë herë në verbëri. Jo rastësisht formula baze e çdo lidershipi është: “Lideri formëson mjedisin ku drejton”. Ndaj sa më i arrirë në vlera, sa më etik dhe sa më efektiv lideri, aq më të arrirë ndjekësit dhe si rezultat aq më i përsosur mjedisi ku ato veprojnë së bashku. Procesi më kyç për një lider është ai i fillimit, pasi nëse ai është në gjendje të rrisë numrin e frymëzuesve, ai është njëkohësisht në gjendje të rrisë me të njëjtën masë numrin e mbështetësve. Procesi më i vështirë i ndjekësve fillon pasi i ka dhënë besimin liderit; pas këtij momenti ata nuk duhet të ndjekin verbërisht liderin por duhet të jenë vigjilent, skeptik dhe të akull në çdo analizë që i bëjnë veprimeve të tij dhe në çdo mbështetje të mëtejshme që i bëjnë atij. Menaxhimi i fitores ka qenë dhe mbetet në fakt pika vendimtare e marrëdhënieve lider-ndjekës. Ka qenë pika vendimtare që ka bërë historinë dhe ka nënshkruar përcaktimin e liderëve si të mirë apo negativ. Asnjë lider nuk vjen dot në pushtet pa ndihmën e ndjekësve, dhe asnjë lider nuk rri dot në pushtet pa mbështetjen e tyre. Ndaj ka shumë rëndësi që, tek flasim për liderët, të mos harrojmë kurrë forcën e pashterueshme të ndjekësve “Nuk ka lider të mirë me ndjekës të këqij dhe anasjelltas”! Para do ditësh vizitova muzeun e Holokaustit në Washington DC. Mes të tjerave, ciceroni përmendi një fakt të njohur nga historia por që ndoshta nuk është veçuar aq dhe sa duhet: “Hitleri e pati shumë të thjeshtë të persekutojë hebrenjtë e Gjermanisë pasi te populli gjerman ndër vite ishte kultivuar vetvetiu antisemitizmi”. Liderët, në më të shumtën e herëve përdorin ndjenjat sociale kolektive duke i kthyer ato më pas në kauza personale. Efekti pasqyrë është shumë aktiv në marrëdhënien lider-ndjekës. Te kjo marrëdhënie reciproke mbështetur në ndjenja dhe mendime reciproke fillon ngritja e liderit, por edhe pushteti i vërtetë i ndjekësve. Pas këtij momenti lideri përdor të gjitha mjetet të fuqizojë vetveten. Edhe për ndjekësit është pikërisht momenti kur duhet të fillojnë fuqizimin e tyre. Fatkeqësisht shumë herë ndjekësit e nënvleftësojnë këtë moment kyç që në fakt kurorëzon apo ndërton gjithë marrëdhënien midis tyre dhe liderit dhe që në fund nënshkruan ecurinë apo fatet e të dyja palëve dhe jo vetëm. Fatkeqësisht të verbuar nga forca sugjestionuese e liderit dhe pushteti natyral që i japin atij, ndjekësit në përgjithësi nuk e njohin forcën e vërtetë që kanë apo që mund të fitojnë. Që nga çasti që lideri fillon fuqizimin e tij duhet të fillojë paralelisht fuqizimi që ndjekësit duhet t’i bëjnë vetes. Për ndjekësit ky proces nuk është i lehtë sikur është për liderin, pasi kjo ka të bëjë me natyrat e tyre të ndryshme. Në teori kush zgjedh të jetë ndjekës nuk është ambicioz për pushtet dhe pikërisht kjo është arsyeja që ata e dhurojnë pushtetin e tyre natyrshëm te lideri që kanë zgjedhur t’i përfaqësojë. Lideri nga ana tjetër, ka lindur me ambicien për pushtet dhe në çdo moment, edhe lideri më i mirë, mendon si ta shtojë pushtetin personal. Ndaj dhe ndërgjegjësimi i ndjekësve për t’u fuqizuar është një proces më i vështirë. Megjithatë, e vërteta është që në shoqëritë e civilizuara dhe të emancipuara fort, shkalla e ndërgjegjësimit të ndjekësve vjen natyrshëm nga vetë formimi i tyre. Fakti është që çdo ndjekës ka mundësi të fuqizojë vetveten dhe mund të bëjë këtë në shumë forma. Së pari, më i rëndësishmi dhe më i vështiri si proces, është çlirimi i vetvetes nga marrëdhënia emocionale me liderin dhe nga ideja fikse e konsiderimit të liderit si pushtet suprem. Kjo arrihet duke qenë gjithmonë në kontakt me mendimet e kundërta dhe opozitare për të mësuar të vërtetën e thënë nga shumë burime. Ndjekësit duhet të mbajnë shënime, që do të thotë të shënojnë çfarë është premtuar dhe çfarë është arritur. Sa i vërtetë dhe i ndershëm është lideri në veprimet e tij, si i argumenton ai humbjet, si dhe sa punon ai për të arritur objektivat dhe cilat janë mjetet që përdor në arritje të tyre. Mbi të gjitha, ndjekësit duhet të mbajnë shënime nëse lideri është njeri i akteve apo fjalëve. Çdo ndjekës duhet të arrijë në pikën e vetedukimit dhe vlerësimin e çdo lideri duhet ta mbështesë në arritjet dhe jo në fjalimet apo propagandën. Në kohën që jetojmë, apo siç quhet ndryshe edhe koha e informimit, asnjë lider nuk mund të ushtrojë propagandën deri në atë shkallë sa të verbërojë ndjekësit, pasi gjithkush sot merr informim nga shumë burime profesionale apo jo profesionale dhe gjithkush vetedukohet në formë të pandërprerë. Të manipulosh ndjekësit në ditët e sotme është gati e pamundur dhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha të shekullit të 21. Kjo shumëllojshmëri informacioni e ardhur në çdo minutë nga burime të specializuara për lajm apo jo dhe të shoqëruara me komente gjithfarëllojshme kanë krijuar informimin alternativ të ndjekësve.
Kohët tona i kanë fuqizuar ndjekësit në atë shkallë sa ata edhe kur nuk veprojnë, nuk veprojnë me dashje dhe jo se i mungon analiza apo informacioni i mjaftueshëm. Fatkeqësisht, në ditët e sotme edhe në shoqëritë botërore vihet re një apati në veprim dhe duket sikur edhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim. Përpos shumë vlerave që ka bota e informimit, internetit dhe e lajmit të lirë që merret menjëherë nga rrjetet sociale dhe jo vetëm, kjo ka shpënë edhe në një fenomen tjetër që unë do ta quaja jo pozitiv. Individi i kohëve të informimit, pra njeriu i kohës sonë, shpenzon më shumë kohë në mjedise të mbyllura përpara kompjuterit apo nën ndikimin e telefonit. Atje në mjedisin e mbyllur pasi gjen informimin fillon e shkruan mendimet, komenton, kritikon apo lavdëron si t’i vijë e pa drojë. Deri këtu mirë, pasi gjithkush është sot i hapur të bëjë gazetarin apo analistin dhe mes këtij procesi njerëzit zhvillohen dhe kultivohen, por kjo natyrshëm ka sjellë njëfarë apatie në veprim. Dr. Frojdi do na ndihmonte edhe më shumë ta sqaronim këtë fenomen duke sjellë teorinë e tij të sublimimit. Ndjekësit tek ulen e shkruajnë çfarë t’u vijë në mendje pas çdo lajmi që lexojnë apo revolte që ndiejnë dhe duke e bërë këtë në mënyrë publike, ata në fakt sublimojnë aktet e veprimit, d.m.th. kompensojnë në njëfarë mase veprimet që duhet të kryenin. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që sot të gjithë e shohin të keqen, e argumentojnë atë deri në detaj, por shumë pak e luftojnë atë dhe shumë herë çdo revolte arrin deri te fjala e thënë. Askush nuk e parashikon sa e si do të shkojë kjo apati bashkëkohore e ndjekësve, dhe sa e deri ku do të ndikojë te lidershipi. Megjithatë një gjë është e sigurt: binomi lider-ndjekës do të mbetet përherë i pandarë. Liderët drejtojnë bashkë me ndjekësit dhe çdo impakt te një palë do të ndikojë natyrshëm te pala tjetër.
Please follow and like us: