Cikël poetik nga Rudina Muharremi Beja
VENDI IM
Shkova larg teje, o vendi im i hyjtë
një copë zemër atje ende me Ty rreh
Ti madhështor shfaqesh përballë detit
udhëve e kalave historinë e fsheh!
O vend i begatë erërash përkëdhelur
O djep që përkunde ëndrra pa fund
detit plot valë sa hapa kam hedhur
parfumin të ndjej që më ndjek gjithkund.
Bujtin në Ty zbrazdësi e psherëtima
fytyra të vuajtura lodhur pagjumësive
trumbetojnë mburrje, ankthi lemeria
mpihet buza nënës, në gji thinjet fëmija!
Mbi kurmin tënd shkëlqen historia
shi meteorësh e lumenj të përshkojnë
emrin pa cënuar ta ruajnë kalatë
e kodrat në ethe, dhimbjesh drithërojnë.
O tokë e shkelur, e vjelur, e vjedhur
O etër, gjyshër, që përkëdhelët flokët e mi
O qiell që ylberë sërish di të dhurosh
Bëmëni një vend në Tuajin gji.
NË KËRKIM
Me majë të gishtërinjsh shkel mbi livadhin e ëndrrave
mbrujtur dëshirave të heshtura
udhëtimit mes krahëve të muzave,
pa busull,
vorbullës së fuqishme të ndjesive,
që nganjëherë më përhumb thellësive
shtjellave gri
e nganjëherë zbardhëllimit të vesuar të agimeve,
herë horizonteve në perëndime
e herë përtej vezullimave
territ të përflakur të yjeve
ku labirintet dhe meridianët e ngurtë
fshehin udhëkryqe,
vetvetes gjithmonë në kërkim!
PA NDALIM
Ja, deti atje tej
zhurmën ia ndjej ende dallgëve,
ja rëra me gjurmët e mia
ndjej ende kumbimin e hapave.
Të njëjtat gjurmë,
që mbart.
dhe qyteti i ndriçuar me fenerë të zbehtë
përhumbur përshtjellimit të njerëzve,
ndërsa zemra
ah, zemra,
ajo gjallërohet vetëm atëherë
kur sy mbyllur të mendoj
tek qëndron ulur aty ku qielli puth tokën
me flokët e zbardhur e fytyrën e lodhur
përballë horizontit të paskaj,
tek më pret nënë,
ndërsa orët vrapojnë pa ndalim!
ORFE
Orfe
Ndiehen ende tingujt e lirës që të fali Apollo
e që muzat të mësuan si t’i biesh,
dëgjohen këngët që qajnë
ujërave plot zhurmë,
tek zbresin rrëmbyer për t’u përhumbur fyellit
e me sytë e brishtë sjell pranverat.
Orfe
Prekja e magjishme e atyre gishtërinjve
fijeve shtuar nga duart e tua
për të krijuar magjinë e melodive
e të fjalëve shndërruar më pas në këngë,
që të mahnisje të gjitha krijesat përqark
e muzat që përcillnin korin e stinëve
teksa frymën, derdhje në vargje
e symbyllur këndoje për Euridikën.
Orfe
Ti s’mund ta dije se sfondeve matanë
fati do të rrokullisej kundër
dhe se kafshimi i helmët fshehur barit të gjatë
atë do ta humbiste,
e se një qyqe
që atëherë do këndonte përditë
qenien për të ta mbushur me mungesë
trishtimit vizatuar përgjithmonë në shpirt.
Orfe
dashuria jote s’u venit për asnjë çast
e guxove të zbrisnje deri portave të Hadit
territ të mijëvjeçarëve,
me dëshpërimin e një brenge që brente,
përmes klithjes së shpirtit
e lotit, që s’dinte të ndalte.
Orfe
Dhimbja jote do t’i shkrinte edhe akullnajat më të thella
do të zbuste tërë gurëzimin e zemrave
do të ndizte sërish shpresën e shpirtrave,
që të ceknin përsëri ato dyert memece
për të udhëtuar drejt një pranvere
që tretet mjegullave e agimeve.
Orfe
Me lirën tënde do ta bindje edhe Hadin
për madhështinë e asaj ndjenje,
që pranoi të ta kthejë Euridikën
së bashku për të prekur ngrohtësinë e rrezeve,
zërave të ndritshëm,
për të kënduar sërish meloditë e zemrave
larg hijeve,
…, sikur gjer në fundin e ditëve
ndezur tek mbaje kandilin e shpirtit!
PENGU IM
M’ u duk sikur humba diellin çmendurak,
kur humba shtëpinë që pata në atdhe,
hënën që përherë më vështronte nga larg
dhe dëshirën për t’u kthyer prapë atje.
Mërzitur, bëj gati dhe një herë valixhet
pengut të mbetur, trishtimit si kujtim
dhe zhytem sërish mjegullës së reve
psherëtimash, lamtumirën t’i le vendit tim.
Më kumbojnë ende zëra në kujtesë
rënkimi i erës, angushtimi i mbledhur
përqafimi i nënës, i të afërmve gjithashtu,
dhe lotët, kaherë, vetmive derdhur.
Më kot mërzitem kur veten pyes,
ku do të vete kur të kthehem pas?!
Kudo do të gjej të ëmblën dashuri
atë të përjetshmen që rritet veç atje…
Dhe heshtur vrapoj përmes shëllunga resh
magjisë së netëve varur në muzg
lëndinave të mekura zgjuar në pranverë,
për të mbërritur shenjtërisë në më të thellin shpirt!
SHKALLËT
Unë nuk mund t’i kapërdij të djeshmet, pa zbritur më parë nëpër ato shkallë,
thërrimet pa ua mbledhur të gjitha melankolive,
notat të tëra melodive,
dhimbjet pa i bërë edhe një herë gërshet,
pa u arratisur edhe një herë heshtjeve të bekuara,
rebusit të mijëra labirinteve,
e thepajave të lodhura darovitjes së reve
që me vete, sjellin përherë rrufe…
Më pas mund të ngjitem shkallëve të shpirtit,
të fluturoj sërish lartësive,
atje ku korbat dot nuk venë
qiejve të kaltër,
dhe me fije shprese në sqep, e me të sotmet,
mbi pemën e së ardhmes të ndërtoj folenë…
NGANJËHERË
Ndoshta ti je një mendim i parrëfyer
apo një regëtimë që trazon
kur troket dritares vetmitare
mbrëmjeve të ftohta.
Nganjëherë më ngjan me një zbulim të ri
ardhur karvanëve që shkojnë,
e nganjëherë si një diell i fshehur
mjegullave që verbojnë…
Nganjëherë zbret me hapin e ngadaltë
qytetit rënë në letargji
ndërsa nganjëherë vjen si një mungesë
që asgjë s’është tjetër veçse prani…
PO SHKOJ
Po shkoj me hënën
muzgut të vonë që merr frymë thellë
andej nga zbehen ëndrrat,
andej nga plaken fjalët
e ku kujtimet thinjen në heshtje…
Po shkoj si një dallëndyshe me trishtimin mbi pendë
e në sy shkëlqimin e humbur të vjeshtave
gërmadhave që memoriet mbartin të gjalla
që dimri mbulon me borë kaherë.
Po shkoj nënkateve të shpirtit
larg reflektimeve me rreze të rrema
larg nga fantazmat që ngrejnë kështjella
të rrëmoj mes rrëmujës time
e të vesh sërish një buzëqeshje…
KËRKOJE NJË PRANVERË
Ti më the se po kërkoje një pranverë
dhe se ndiheshe kaq shumë i vetmuar
unë ta ndieva dhembjen,shpirtin vrer
tek çapitej arës me shkronja shtruar.
Ta ndieva trishtimin tek zbriste mbi vetull
lotin e mërzisë befas rrokullisur
fjalët përhumbura në një vorbull ere
dhe zemrën prej mallit krisur.
E trembur kërkova veten për një çast
atje ku flejnë dhimbjet nën një psherëtimë
me një frymë zhvendosa gërmadhat e fatit
aty kaherë fshehej shpirti im…
EJA PRANVERË
Eja Pranverë,
eja me hapin tënd të ngadaltë
e me sytë prej drite,
udhës së pikëlluar të heshtjeve
pas një dimri që qiellin zbrazi
e tashmë kafshon ditët e fundit.
Eja bashkë me lulet çele buzëqeshjen time,
e parvazet e shpirtit
mbështillmi me kristalin e agimeve,
Eja, kam shumë për të të thënë…
Mbi mua do të vizatosh një tjetër qark,
por s’të mbaj mëri,
kohën s’e ndalim dot.
Mezi pres të flas me zogjtë e marsit për trishtimin e yjeve,
ata e kuptojnë gjuhën time
hungërimën e thellë të heshtjeve,
e unë, cicërimat e tyre.
Dua të flas dhe me dallëndyshet
që mallin mbartin mbi flatra nostalgjie
tek kthehen sërish në vendlindje
me kujtimet në sqep të vjeshtës së fundit.
Po edhe me mimozat që qajnë
e luledelet me magjinë e tyre
pemët që këmbët ngulin thellë në dhé
e çelin sythe të pafajshme
dhe trëndafilët e vesuar që fshehin gjembat
e hedhin rrënjët tokës së mirë,
ëndrrat për t’i endur rrezes së vagëlluar.
HIJE
Uturijnë mendimet e bëhen lëmsh
brenda botës gjithnjë e më të murrme,
monologëve pafund
stepjes në të të dëshirave,
psherëtimave të nënzëshme,
thurimës së një dritareje,
ku ecejaket e hijeve
bujtin botën e të gjallëve…
E VDEKSHME
Pulëbardhat pushtonin qiejt pa kufi
e zhyteshin liqenit të kërkonin jetën,
u zhyt dhe ajo në shpirtin e saj
të zbulojë vetveten,
dhe u bë e vdekshme…