Laura Olldashi: Dy fjalë mbi librin tim të ri “Dy gratë e një burri”
Laura Olldashi
Ndoshta ky libër nuk do të ishte e nevojshme të prezantohej, sepse ju do të shihni kopertinën, titullin dhe do bëni historinë.
Të rrish me prozën time nuk është siç duket.
Të gjithë kemi zëra brenda nesh, pjesë që identifikohen me emrat e gruas, të burrit. Kujtojmë që janë jashtë, larg, të ndara nga njëra-tjetra, por janë të bashkuara dhe që na identifikojnë. Nuk ka asnjë grua dhe asnjë burrë të jetë ndryshe. Janë pjesët tona, të cilat kanë dalë për t’u kthyer në forma dhe fytyra të tjera.
Edhe unë që jam përpara jush jam ju!
“Dy gratë e një burri” është titulli i një prej tregimeve të librit. Të gjithë prisni historinë e joshjesh, të tradhtisë, por ky tregim është historia jonë e dashurisë.
E djeshmja dhe e sotshmja, të ulura me kurriz bëjnë rrëfimin e jetës. Dhe jo vetëm kaq…
Zëri brenda zërit, gruaja brenda gruas, gruaja brenda burrit, burri brenda burrit, ne brenda vetes, bota brenda botës; konfliktet që bëjnë pjesët tona, deri në pritjen e gjatë të përqafimit.
Në fund fare qepim dhe shqepim të njëjtën histori: atë të dashurisë.
Pa emra, pa fytyra.
Ndoshta ky është edhe motivi që jemi këtu. Ajo sjell ndryshimin e kësaj ekzistence të pakuptimtë. Na vjen e fshehtë, misterioze, herë është, herë ikën…, pastaj kthehet për të qenë përsëri me ne. Është kjo fotografi bardhë e zi, e historisë së përjetshme, herë e re dhe herë e vjetër. E kemi grisur, e kemi flakur, e kemi shkelur dhe përsëri e kemi marr për ta ringjitur, duke i bërë bashkë copat. Nuk kemi ditur ta qëndisim me fije mëndafshi, as të artë. Jo gjithmonë e kemi bashkuar ëmbëlsisht, por me çfarë na është gjetur në atë çast. E kemi bërë me inat, me dhimbje, me fjalë që të thyejnë, me xhamat që krisen nga lotët, kemi mundur ta qepim edhe me fije thesi, sepse nuk kemi ditur të rrimë dot larg, pa të.
Edhe kjo është dashuria: e parë si ikje dhe si kthim i përjetshëm.
Libri “Dy gratë e një burri” është një përmbledhje tregimesh të zgjedhura nga librat “Ātman”, “Asgjëja ime” dhe me tregime të reja, të pabotuara më parë.
Është ajo ndalesë, në të cilën më duhet të kuptoj rrugën ku kam shkelur dhe ku po shkoj…
Dy fjalë mirënjohjeje:
Në fillim për zotin Rexhep Shahu, botuesi im i parë.
Falënderimi tjetër i shkon botuesit të ri, stafit të Shtëpisë Botuese “Toena” dhe zonjës Irena Toci.
Pastaj, prof. Behar Gjoka që është edhe redaktori letrar i librit. Aty do të gjeni analizën e tij, të detajuar mbi veçoritë e prozës sime.
Do të jetë edhe prof. Ardian Ndreca, me përshtypjet e tij. Gjithashtu, edhe prof. Durim Çaça, ndër kritikët e parë që ka analizuar nënshtresat e prozës time.
Falënderoj redaktorin tim, zotin Besnik Rrapi. Një falënderim ka piktori Fatos Bylykbashi që punoi për të realizuar kopertinën e librit dhe prezantimin e sotshëm. Ndërsa fotografia e kopertinës është vepër e artistit italian Franco Anselmi në art: @frrrankkky_art.
Falënderoj të gjithë lexuesit e mi edhe artdashësit, duke ju thënë që shumë shpejtë do të jem në Tiranë, për promovimin e librit “Dy gratë e një burri”!
Please follow and like us: