Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Qemal Stafa dhe dëshmorët

 

Rinia në luftë për çlirim

Më 5 Maj 1942 në Tiranë u vra nga fashistët italianë udhëheqësi i rinisë Qemal Stafa. Ky vit është 80 vjetori i Çlirimit të Atdheut dhe përkon me 82 vjetorin e rënies heroke të këtij të riu revolucionar që në moshë të re dha gjakun për lirinë e vendit të tij. Ishte Qemal Stafa dhe plot të rinj të tjerë shqiptarë kur atdheu lëngonte nën pushtimin fashist, ngriti zërin e fuqishëm dhe u bashkua në lëvizjen e madhe të kohës, që quhej antifashizëm, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën e civilizuar.Ishte Lëvizja Antifashiste që bëri bashkimin e forcave përparimtare të botës, pavarësisht regjimeve të tyre komunist apo borgjez, për t’u bashkuar në Koalicionin e Madh Botërore, për luftë kundër të keqes së madhe që po përparonte me shpejtësi në zemër të Europës, siç ishte nazi-fashizmi.

Këtë lëvizje më shumë se kushdo e përkrahu edhe rinia shqiptare, e cila u vendos në ballë të lëvizjes, në ballë të luftës, duke filluar që nga njësitet guerile, për të mbushur më të rinj radhët e njësive të Ushtrisë partizane. Rinia e të gjitha profesioneve, punëtorë dhe fshatarë, nxënës dhe student, intelegjienca përparimtare e kohës e përkrahu fuqishëm këtë lëvizje të madhe, e përkrahu dhe populli i vuajtur shqiptar, po thuaj se shumica e shqiptarëve. Populli së bashku me të rinjtë dhe organizatat politike që u krijuan në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ishin në luftë, por në këndvështrime të ndryshme. Lufta nisi dhe bitisi me fitoren e madhe të popullit, pasi ai ju qep nga pas bijëve më të mirë, ata që veten e quanin partizanë, antifashistë dhe komunistë.Ranë në këtë luftë, jo pak por shumë, shumë 28.000 mijë dëshmorë vaditë tokën shqiptare, por dhe tokën e Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë, si ndihmë e lëvizjes dhe të kontributit në aleancën e madhe të drejtuar nga SHBA-Angli-BS.

Vlerësimi për dëshmorët në kohën e socializmit…

Kontributi dhe gjaku i dëshmorëve të derdhur në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pas çlirimit të vendit u nderuar dhe u vlerësua. Shteti nxorri ligje dhe sanksionoi vendin dhe figurën e Dëshmorit të Atdheut. Kudo, në të gjithë vendin figura e dëshmorit u vlerësua, u ngritën simbole të tyre, si vendprehjet e dëshmorëve në 36 grupvorrezash në të gjithë Shqipërinë. U bënë përmendore dhe lapitarë, ku luftëtarët dhe partizanët shkruan faqe heroizmi dhe derdhën gjakun për lirinë e vendit. U vendosën pllaka përkujtimore në nderim të kësaj lufte dhe të njerëzve që u gjendën në ballë të saj. U ngritën dhe buste për heronj dhe dëshmorë, u bënë shtëpi muze dhe muzeume të kësaj lufte të madhe. Shumë institucione, shkolla, rrugë dhe fshatra morë emrin e dëshmorëve, për t’i nderuar dhe përkujtuar për veprën e tyre heroike.

Nderim për të rënët në luftë, por dhe për sakrificat e patriotëve, atdhetarëve, rilindasve dhe kapedanëve të çetave patriotike, u bënë vlerësime dhe u shpallën dëshmorë. Nderimi për ta mori vulën e një populli të tërë dhe figura e tyre u lartësua e nuk u hodh një njollë mbi veprën e tyre heroike. Vlerësimi dhe qëndrimi ndaj dëshmorëve, ndaj simboleve të tyre ishte për t’u admiruar.Për të gjitha këto simbole të ngritura nga populli shqiptar, midis tërë halleve dhe problemeve të shumta shoqërore dhe ekonomike të kohës, u tregua kujdes dhe vëmëndje nga organet e pushtetit për t’i ruajtur dhe mirëmbajtur, për t’u lënë brezave historinë e tyre dhe të luftës së bërë për liri dhe çlirim të vendit.

Qemali, një simbol me përmasa historike

Prof. Nasho Jorgaqi ka shkruar një monografi të gjerë për Qemal Stafën. Në këtë libër përshkruhet bota e madhe e Qemal Stafës, autori thekson se ai që ka provuar të hyjë në jetën e Qemal Stafës, sado mirë ta njohë, përsëri e ka të vështirë t’i qaset personalitetit të tij pa një lloj mahnitjeje. Një jetë e shkurtër dhe me një refleks të fuqishëm në historinë e Shqipërisë. Jeta e tij është e mbushur plot e përplot me hove lufte e qëllime të mëdha, me një dëndësi ngjarjesh e përpjekjesh heroike, e frymëzuar përherë nga ideali i shenjtë i revolucionit.

Jeta dhe vepra e Qemal Stafës u bënë shembull frymëzimi në rrugën e rinjve antifashist, ku me vlera e cilësi të mrekullueshme qëndron figura e tij. Në këtë libër gjejmë njeriun, militantin revolucionar dhe artistin, personalitetin e të riut që ra në hovet e para të lëvizjes antifashiste. Kështu cilësitë e mëdha njerëzore u shfaqën menjëherë tek djaloshi revolucionar dhe ato nuk njohën moshë. Qemali që fëmijë dukej djalë, e që djalë dukej burrë i rritur. Tek ai u shpreh pjekuria e parakohëshme, natyra liridashëse dhe humane. Shpirti i tij ishte kërkues, ai kishte ishte guxim dhe synonte për të parë më larg.Qemali ishte pjellë e kohës së tij, e një kohe të rëndë për fatin e popullit e të kombit shqiptar. Brezi i tij u revoltua nga padrejtësitë e kohës dhe u vu në kërkim të drejtësisë. Nga kjo padrejtësi zë fill serioziteti dhe vendosmëria e tyre, besimi dhe guximi, një larmi me vlera shpirtërore dhe intelektuale që u shpalosen me shpejtësi në jetën e shkurtër të Qemal Stafës dhe e mjaft të rinjve shqiptarë në ato vite të zjarrta lufte.

Përkushtim dhe besnikëri ndaj një ideali

Qëllimi i Qemalit ishte dhe mbeti përpjekja fisnike për të përhapur të vërtetën. Kësaj lufte, ai i kushtoi kohën më të mirë, me mençuri dhe me urtësi, me shpirt human, me talent dhe kulturë, që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, shkroi se “edhe ne shqiptarët do ta rrënojmë të vjetrën …”. Kështu, në emër të saj ra heroikisht, duke u shndërruar në flamur lufte për rininë dhe popullin e tij. Qemali bëri në një të vetme fjalën revolucionare me aksionin revolucionar. Dhe në këtë kohë të shkurtër revolucioni, kurrë nuk e vuri veten në rolin e drejtuesit. Idetë tek Qemali buronin dhe rrezatonin natyrshëm. Idetë e tij përbënin thelbin e debateve, të bisedave, të shkrimeve dhe të qëndrimeve, sepse në në çdo rrethanë kishte vetëdijen prej një revolucionari. E vërteta për Qemali ishte filozofia dhe ideologjia e klasës punëtore, që historia i kish ngarkuar misionin e madh të ndërtimit të botës së re. Mendimet dhe përpjekjet e Qemalit kishin një logjikë që rridhte nga vetë jeta e përditshme, sepse ai kurrë se foli me parrulla e sllogane, por fjala e tij kishte karakter human, si dhe bindës. Shokëve u thoshte shpesh se ata që kanë kuptuar një thërrime të vërtetë, ata që kanë parë një rreze drite, e kanë për detyrë, detyrë historike, ta përhapin dhe ta zgjerojnë. Qemali ishte dhe përhapës dhe luftëtar i ideve revolucionare, ai kishte intuitë dhe takt, logjikë dhe gojtari, të gjitha këto të arritura me punë e njohje të thellë, duke qenë një studiues i apasionuar dhe një punëtor intelektual i palodhur.

Qemalin në lartësinë e një udhëheqësi militant

Idetë revolucionare të tij gjetën shprehje në krijimet letrare që shkroi dhe botoi. Në të gjitha shkrimet ndihet jehona e mendimit revolucionar, revolta, pakënaqësia, thirrja për ndryshime. Kështu apeli për luftë e nis frymëmarrjen në vjershat “Hijes së tim vëllai” dhe “Shokut të prangave”. Poeti shkrihet me luftëtarin. Veprimtaria prej agjitatori e Qemalit, kishte të bënte me masën e gjerë të popullit e të rinisë dhe kjo, së bashku me programin e qartë të luftës. Kjo veprimtari i dha krah dhe e ngjiti në lartësinë e udhëheqësit militant.Në muajt e parë të vitit 1942 Qemali shkoi kudo në Shqipëri, në Shkodër, në Sarandë, në Delvinë, në Vlorë, në Elbasan, në Fier, në Gjirokastër dhe në Durrës, duke ngritur zemrat e njerëzve dhe të rinisë për luftë. Vlerat e tij prej agjitatori revolucionar shpërthyen me forcë e një bukuri si në kohë të stuhishme. Idealet e tij besimplotë ishin “ta jetojmë shokë, të ardhmen që sot!”

Qemali e shfaqte dashurinë e madhe që ai kishte për njerëzit, duke vendosur lidhje me rininë dhe kishte aftësi të rrallë komunikimi me masën e gjërë të popullit. Çdo gjë ishte njerëzore dhe buronte nga humanizmi i tij i thellë, që frymëzohej nga idealet revolucionare. Ai shqetësohej për fatin e njerëzve të thjeshtë, ku gjente dhe kuptimin e jetës për t’u angazhura në luftë.

Kultura përQemalin militant

Qemali kishte një kuptim tepër të gjerë e thellësisht demokratik. Ishte Qemali që shkoi në Pezë dhe drejtoi kursin e parë të luftës kundër analfabetizmit me partizanët e çetës. Ai u bë kështu pionier i parë i kësaj kulture emancipuese të popullit. Puna si drejtues dhe udhëheqës i rinisë shqiptare u karakterizua nga pjekuria e lartë politike e ideologjike, si dhe nga horizonti i gjerë kulturor. Qemali luftoi me konceptet anarkiste që kërkonin të largonin rininë nga shkolla dhe kultura. Sepse për Qemalin lufta për liri dhe qytetërim s’mund të kuptohej pa njera-tjetrën, se rinia do luftonte dhe do mësonte.

Për Qemalin letërsia dhe arti ishin pjesë e pandarë e botës së madhe shpirtërore të të rinjve. Ai kishte lexuar dhe studiuar sistematikisht kryevepra artistike. Ai kishte një natyrë të ndjeshme dhe një shpirt artisti, dhe kishte shfaqur talentin e një letrari të kompletuar, duke e ndjeër thellë artin dhe çmuar atë. Qemali ka shkruar vjersha, proza poetike, artikuj, trakte etj. Ai organizoi dhe drejtoi organet “Shkëndija” dhe “Kushtrimi i lirisë”, dy organe që ngritën për luftë peshë zemrat e të rinjve. Qemali kishte mësuar mandolinën dhe violinën, ai këndonte dhe vizatonte, bisedat për artin ishin temat e preferuara të tij. Prof. Nasho Jorgaqi shprehet se tek Qemali “rrinin së toku ideali revolucionar me artin revolucionar”.

Qemal Stafa u bë kështu personalitet dhe fitoi me punën dhe veprën e tij duke u bërë dimension historike dhe me këtë dimension qëndron dhe në kohën tonë. Largësia kohore e 82 viteve nga dita e rënies heroike e nxjerr akoma më mirë madhështinë dhe thjeshtësinë njerëzore të figurës së tij.

Please follow and like us: