Albspirit

Media/News/Publishing

Silvana Begaj: Vetes sime!

Çdo ditë e jetës duhet të jetë një leksion i ri ku njeriu mëson…
Jeta kujdeset vetë për këtë duke na dhënë çdo ditë një provim të ri ku shpesh ne jemi të papërgatitur..
Por, Unë…
Unë, kam mësuar se jeta është e shkurtër edhe pse ditët duken kaq shumë të gjata, pambarim…
Kam mësuar se në jetë takojmë njerëz të mirë, por situatat i nxjerrin keq dhe njerëz të këqinj që situatat mund t’i nxjerrin mirë.
Kam mësuar se ato gjëra që i kam dashur me këmbëngulje deri në vetshkatërrim deri sa të më plotësoheshin do ishte më mirë mos të kishin ndodhur kurrë.
Kam mësuar të mos mërzitem me ata që largohen nga unë edhe pse më kanë premtuar se kurrë s’do më braktisnin. Kush na përket nuk ikën asnjëherë dhe zemra është çështje ndjesish dhe jo fjalësh!
Kam mësuar se sado që unë të përpiqem me thonj për të ndihmuar e ndryshuar dikë, nuk ia arrij dot nëse ai/ajo nuk do të ndihmohet apo të ndryshojë.
Kam mësuar se lumturinë nuk na i sjellin as individë dhe as arritje, por e krijojmë vetë ne, në rutinën tonë, me hallet e ditës, me grimcat e gëzimit që na sjell jeta.
Kam mësuar të jap dashuri dhe atje ku nuk marr e ku ka zbrazëti sepse edhe kafsha më e egër rri atje ku gjen ngrohtësi e mirësi.
Kam mësuar se ambiciet e mia janë asgjë përpara kënaqësisë që ndjej kur shkoj në vendin ku jam rritur e ku ëndrra ime më e madhe ishte të shikoja yjet që shkëputeshin nga qielli.
Kam mësuar se shëndeti, ai dreq shëndet që është kaq i parëndësishëm në sytë tanë, qenka definitivi për hapjen e syve çdo mëngjes.
Kam mësuar se të duash është bukur dhe nuk duhet domosdoshmërisht të të duan.
Kam mësuar se njerëzit të cilët shprehin urrejtje ndaj meje e kujtdo, e mbi të gjitha pa më njohur, nuk është diçka që duhet të më shqetësojë mua.
Është ekzaktësisht pasqyrimi i shpirtit të tyre dhe vjellin me inat mendime që në fakt ia drejtojnë vetes.
Të jesh e bukur është mëkat për sytë e atyre që shikojnë veç shëmti!
Kam mësuar se të jesh një njeri i mirë, i drejtë është një sfidë e vështirë të arrihet, për të mos thënë e pamundur, por njeriu duhet patjetër të përpiqet çdo ditë me gjithë fuqinë e tij.
Kam mësuar të ëndërroj më larg se më parë… Më larg dhe më lart… Askush nuk më ndalon dot të ëndërrojë!
Kam mësuar kaq shumë gjëra, vetëm të jem emigrante, në emigrim e në vendin tim nuk e mësova kurrë…
Kam mësuar se mendimi se çdo gjë mund ta bëj nesër nuk ka vlerë.
Nuk ka nesër, çdo gjë ka kuptim sot…
Kam mësuar se njeriu në fund të fundit ka nevojë për një fjalë të mirë që të ngroh shpirtin dhe ditët e jetës!
Prandaj Gëzuar vetja ime!
Post Sscriptum:
Faleminderit për urimet tuaja të panumërta! E vlerësoj dhe ju falenderoj përzemërsisht!
Në pamundësi për t’iu kthyer përgjigje të gjithëve po ju them: Përulësisht faleminderit!
Please follow and like us: