Albspirit

Media/News/Publishing

Xi Jinping në Evropë: një udhëtim strategjik mbi dialog dhe rrugë dalje nga tensionet globale

Nga Artur Nura

Udhëtimi i Xi Jinping në Evropë nisi jo rastësisht në Paris, ku ai u kthye pas 5 vitesh. Komisionerja Ursula von der Leyen mori pjesë gjithashtu jo rastësisht në bisedimet franceze, sigurisht e ftuar nga Macron për të shfaqur unitetin evropian për çështjet më të mprehta, siç është tregtia dhe lufta në Ukrainë e në Lindjen e Mesme.

Presidenti kinez Xi Jinping e ka nisur këtë udhëtim strategjik drejt Evropës, duke filluar nga Franca. Ai mbërriti në pallatin Elysée për fillimin zyrtar të vizitës së tij shtetërore dyditore në Francë, për të festuar 60 vjet marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve. Ai u prit nga homologu i tij francez Emmanuel Macron në oborrin kryesor të pallatit presidencial ku ishte vendosur Garda Republikane. Më pas, të dy patën një takim të parë zyrtar në prani të presidentes së Komisionit Evropian…

Strategjia e politikës së Jashtme të Xi Jinping ndaj Europës, kriza Ukrainase dhe e Lindjes së Mesme

Nga pikëpamja diplomatike, Xi Jinping, presidenti kinez, është gati të përjetojë një turne të vërtetë force diplomatike. Duke filluar me udhëtimin e parë në Evropë në pesë vjet, në një skenar krejtësisht të ndryshëm gjeopolitik nga ai që mirëpriti Xi në vitin 2019.

Në fakt, që nga lufta në Ukrainë, politika e jashtme e Pekinit ka kaluar nëpër sfida të reja. Dhe siç ndodh shpesh, Pekini është përpjekur t’i kthejë disa vështirësi në mundësi të reja si me afërsinë me Rusinë, e cila rrezikon marrëdhëniet me Evropën dhe tensionet e reja globale, nga Azia në Paqësor.

Gjatë vitit 2023, Kina ka mbajtur një pozicion që shkon në një drejtim që do ta shihte Kinën si garant më të madh të stabilitetit dhe të përgjegjshmërisë globale.

Në këtë kuptim, dokumentet e pozicionimit mbi luftën në Ukrainë, propozimet për të zgjidhur çështjen palestineze, manifestet mbi sigurinë globale dhe njerëzimin me një të ardhme të përbashkët, një strategji që nga nisja e Iniciativës së Rrugës së Re të Mëndafshit në vitin 2013.

Mesazhet politike te Xi Jinping nga Parisi për Europën dhe Kinën

Xi Jinping i ka bërë thirrje vendit të tij dhe Bashkimit Evropian që të forcojnë “koordinimin strategjik” të tyre dhe të mbeten “partnerë”, në një kontekst mosmarrëveshjesh të shumta duke filluar nga tregtia e deri te të drejtat e njeriut.

“Si dy fuqi të mëdha botërore, Kina dhe BE duhet të mbeten partnerë, të ndjekin dialogun dhe bashkëpunimin, të thellohet komunikimi strategjik, të forcohet besimi reciprok strategjik, të konsolidohet konsensusi strategjik dhe të angazhohet në koordinimin strategjik”, tha ai në fillim të takimit në Pallatin Elysée me Macron dhe Ursula von der Leyen.

Kina, Franca dhe BE “të gjithë duan një armëpushim të shpejtë dhe kthimin e paqes në Evropë dhe mbështesin një zgjidhje politike të krizës” në Ukrainë. Partitë, tha Presidenti Xi Jinping, “duhet të kundërshtojnë së bashku zgjatjen dhe përshkallëzimin e luftimeve, të krijojnë kushte për bisedime paqeje, të mbrojnë energjinë ndërkombëtare dhe sigurinë ushqimore dhe të mbajnë zinxhirët industrialë dhe të furnizimit të qëndrueshëm,” – sipas një raporti të publikuar nga diplomacia e Pekinit.

Mesazhet e Van der Lyen dhe të Emmanuel Macronit në takimin me Xi Jinping

BE-ja dhe Kina “bien dakord” për interesin e përbashkët për paqen dhe sigurinë dhe “mbështeten” në ndikimin që Pekini mund të ketë mbi Rusinë lidhur me luftën në Ukrainë, tha Ursula von der Leyen pas takimit trepalësh me Macron dhe Xi Jinping.

“Presidenti Xi ka luajtur një rol të rëndësishëm në reduktimin e kërcënimeve bërthamore të papërgjegjshme të Moskës dhe unë kam besim se ai do të vazhdojë ta bëjë këtë, gjithashtu në dritën e zhvillimeve të fundit,” shtoi ajo.

Presidenti francez, gjatë takimit me Xi Jinping, tha se “koordinimi” me Kinën mbi Ukrainën dhe Lindjen e Mesme është “vendimtar”. Duke folur me Xi, Macron bëri thirrje për “rregulla të drejta për të gjithë” në tregtinë midis Evropës dhe Kinës. Presidenti francez përsërit kështu urgjencën që Bashkimi Evropian të ketë reciprocitet më të fortë tregtar me Pekinin.

“E ardhmja e kontinentit tonë do të varet qartë edhe nga aftësia jonë për të vazhduar të zhvillojmë marrëdhëniet tona me Kinën në mënyrë të ekuilibruar”, theksoi Macron.

Rezultatet e takimit Xi Jinping – Emmanuel Macron

Xi Jinping u shpreh shumë i gëzuar nga ftesa e Presidentit Macron, për të zhvilluar një vizitë shtetërore në Francë, në kuadrin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Kam pasur një takim frytdhënës me Presidentin Macron. Jemi të mendimit se marrëdhëniet Kinë-Francë kanë histori të çmuar, vlerë unike dhe mision të rëndësishëm. Të dyja palët duhet ta trashëgojnë këtë traditë, t’i përmbahen frymës së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke e pasuruar me përmbajtje të reja të kohës dhe duke çelur një rrugë të re për 60 vjetorin e ardhshëm të këtyre marrëdhënieve” – shtoi kreu i shtetit i Kinës sipas Radios se Jashtme te Kinës.

Sipas Xi Jinping, ai dhe homologu francez vendosën të bëjnë më shumë në konsolidimin e qëndrueshmërisë strategjike të marrëdhënieve dypalëshe; në shfrytëzimin e mundësive të mëdha të bashkëpunimit me përfitime reciproke. Të dyja palët do të promovojnë një ekuilibër në rritje në tregtinë dypalëshe, do të zgjerojnë bashkëpunimin në bujqësi, ushqim, financa dhe fusha të tjera. Do të nxisin kërkimet e përbashkëta dhe risitë në hapësirën ajrore dhe kozmike, energjinë bërthamore për qëllime civile etj.

Gjatë kësaj vizite, të dy palët nënshkruan 18 marrëveshje bashkëpunimi ndër-sektoriale, që mbulojnë fushat si aviacioni, bujqësia, shkëmbimet njerëzore e kulturore, zhvillimin e gjelbër, bashkëpunimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme etj…

Kultura si mjet i diplomacisë moderne

Në përshpejtimin e shkëmbimeve njerëzore dhe kulturore duket është vendosur qe te shfrytëzohet Viti i Kulturës dhe Turizmit Kinë – Francë si një rast për të promovuar bashkëpunimin në arsim, sport, kinematografi, televizion, rini dhe zonat lokale.

“Kina mbështet Francën në organizimin e suksesshëm të Lojërave Olimpike të Parisit dhe mikpret më shumë miq francezë të vijnë në Kinë. Kina ka vendosur të zgjasë politikën pa viza për vizitat afatshkurtra në Kinë për qytetarët e 12 vendeve, përfshirë Francën, deri në fund të vitit 2025. Mbështet hapjen e fluturimeve direkte midis Shangait dhe Marsejës.

Aspektet e krizave ndërkombëtare

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron, Xi Jinping tha se Kina do të mbështesë mbajtjen e një konference ndërkombëtare të paqes të njohur si nga Rusia, ashtu edhe nga Ukraina.

“Ne do të mbështesim një konferencë ndërkombëtare paqeje që do të njihet nga Rusia dhe Ukraina, që do të mbahet me kushte të barabarta dhe që do të bëjë të mundur diskutime të balancuara,” tha Xi./CRI.CN

https://perqasje.com/2024/05/xi-jinping-ne-evrope-nje-udhetim-strategjik-mbi-dialog-dhe-rruge-dalje-nga-tensionet-globale/

Please follow and like us: