Albspirit

Media/News/Publishing

Oo, mirë se erdhe, o mësues Vasili i  Gjirokastrës!

Vlerësimi kritik nga Znj. Toninë Hido

Thirrja e përzemërt e malësorëve “Oo mirë se erdhe, shtëpia jonë e Zotit dhe e shtegtarit” krijon në libër, kurorën e bukur, tipike të zonave veriore të Shqipërisë, të cilat sipas Kanunite traditës, me bukë e kripë e zemër kanë hapur dyert e konakëve të tyre për çdo udhëtar e shtegtar.

Në këtë rast, përcaktimi i thirrorit, o mësues Vasili, shkon me origjinën e tij, të Gjirokastrës, merr një kuptim aq të ngrohtë, aq domethënës, sa të duket se ke hapur flatrat e zemrave të familjeve të Mëziut në Pukë, ke hapur flatra e krahë të shqiponjave që presin e përcjellin si bijtë e tyre, të gjakut, gjithë shqiptarët, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, nga Ballkani në Itali, Amerikë dhe Gjermani, kudo që ndodhen e jetojnë me  punë e djersë të ndershme shqiptare.

Këtë na e mundëson bindshëm autori i këtij libri “unik” për nga materialet, kompozimi, qëllimi, përfundimet  që nxjerr çdo lexues, edhe i pashkollë po të jetë sepse në shkollën e Mëziut të Pukës, fshat i thellë mes maleve të veriut, ku mësues i parë ka qenë Ded Mark Çuni, me shkollën në shtëpinë e tij për të mësuar fëmijtë e bashkëfshatarëve të tij, deri sa u arrit në shkollën e rregullt, fëmijtë ishin të urritur për dije.

Autori i nderuar i këtij libri vjen për lexuesit pas një botimi të një monografie mbresëlënëse për origjinën  e familjes së tij, titulluar “Mukajt dhe Papavangjelajt”. Fisnikëria e trashëguar gjenetikisht nga familja e kanë shtyrë Vasil Mukën të nderojë, të çmojë, të bëjë publike vlerat e spikatura  të  “familjes së tij, të dytë”, njerëzve të mirë,  seriozë, të ndershëm, punëtorë, besnikë të fesë dhe  fjalës së dhënë. Gjithë fshatrat e Pukës, bashkë me Mëziun e tij, tanimë janë familja e re, e dytë në rrjedhën e kohës, por me çmim të dyfishtë.

Ndërsa në librin e parë, autorika thënë çfarë ka parë, jetuar, fituar, vuajtur, e mësuar njëkohësisht nga gjyshërit e prindërit e tij fisnikë, në këtë libër përcaktues i dretjtpërdrejtë i vlerave të fituara ndësjelltas, personazhi kryesor është vetë mësuesi i dashur për të gjithë banorët e fshatit Mëzi e të Pukës, Vasil Muka  i Gjirokastrës.

Përcaktori i “Gjirokastrës” e shoqëron mençurisht gjithë përmbajtjen e librit të birit të ri në familjet e Mëziut, sepse mësuesi, tanimë, s’është një profesionist i thjeshtë, caktuar me shokë e shoqe të tjera plot 62 kolegë nga Gjirokastra, për të shërbyer si mësues edhe në zonat e thella, befasuese në historitë, traditat dhe piketimin e së ardhmes.

Gjatë librit “bisedon” me vehten “për të tjerët”, autori, Vasil Muka, sipas meje,  shpreh, zbraz “bollëkun e të korrave të mbara”, kur  njeriu mbjell  me “përgjegjësi dhe ndërgjegje qëndrimin ndaj detyrës”,’ sidomos në lidhjen njerëzore me të gjithë, mëse miqësore, do të thosha bindshëm çdo çast, detyrës së lartë fisnike  të mësuesit misionar.

Nuk synoj të them aspak që jam lexuesja më e zellshme e botimeve për shkollën e mësuesit, jo fare, por nuk kam dëgjuar deri më sot të diskutohen libra të tillë që në vehte përmbajnë të ngërthyera si në një prizëm magjik shumëdimensional faqe të tilla, të sakta, të prekshme, nga jeta e një mësuesi.

Libri është së pari sipas meje “biografi” e shkëlqyer për atë që ka vendosur të zgjedhë misionarin e detyrës. Është rrugëtim aspak i lehtë, i skajshëm do të thoja në tërësi që çmon shkollën si vendin e mendimit e veprimit, bindjes e punës që i paraprijnë zhvillimeve pozitive në vend e në tërë rruzullin tokësor. Ka modele të ndritura dhe për mësuesin. Autori si një yll polar shfaqet, duket si frymëzues e frymëdhënës  i kraharorit  të sëmurë që vuan, të Migjenit të madh, që shfaqet për t’u  thënë se “Kënga e rinisë” që pati shkruar e kënduar dhe pas vdekjes fizike është edhe për këtë 22 vjeçar të sapodiplomuar, ardhur nga zona dhe familje me nivel e kulturë jetese më të lartë se familjet e Mëziut, por që kanë tregues të tjerë më të fisëm që mbushin tradicionalisht boshllëqet e lexuesve. Që në ditën, çastin e parë të ardhjes, “indiferentizëm”. Me siguri e thotë për mos lënduar sedrën e mëziasve, u vinte zor t’i prisnin miqtë e shtrenjtë që do të bëheshin djemtë e tyre për punët e mira në një dhomë pa dysheme, të pashtrueme, pa dritare të rregullta me kanate, klasa me banga që veç të tilla s’quheshin, pa drita se mungonin për të gjithë shpesh. Këto, në vitin 1975, kur do t’i mirë seardhnin, siç na provuan më pas miqësive të reja që lidhën edhe me familjarët e mësuesve të sapoardhur qe fyerje e madhe për ta.

Ç’faj kishin ata që partia në pushtet shkruante në mal parrulla të lyera me gëlqere dhe mësuesve nuk iu siguronte dot një dhomë të thjeshtë e modeste? S’po kërkonin ndonjë luks të mirët, të bukurit dhe të bukurat e nënës për t’u dhënë dritën fëmijve, zhvillim dhe zbukurim jetës së çdo familjeje!

Autori tregon liston notat e një nxënëseje të shkëlqyer që veçohej “pse qe me biografi të keqe” ditën e provimeve dhe punën vullnetare që bëhej në kohën e të korrave etj. Ç’trishtim po që dikush nuk e vëren… I vëmendshëm për gjithçka ndodhi në formimin e kooperativës, kolektivizimin, bashkimim i bujshëm i pronave private, thellimi i luftës së klasave ndaj të shpallurve kulakë ata që kundërshtuan bashkimin e “tufëzimin” njerëzor, të tokave, bagëtive. Kalvari në ferrin e internimeve komuniste të familjeve disidente, kundërshtare të komunizmit, qëndrimi heroik i grave, vizitat e mbështetja fshehurazi, lënë të kuptosh besën e patriotizmin, burrërinë e traditat e malësorëve. Libri është  me tingëllim aktual për luftën e klasave, për të sotmen e të nesërmen. Vetë ligjet e kohës para ’90 mbollën “emigracionin e detyruar” dhe në zonat e thella. Në fshatin Mëzi kishte shumë të “arratisur” 16 veta, familje të tëra me të moshuar e fëmijë u detyruan të ikin në Jugosllavi e më tej duke marrë me vete e ruajtur dashurinë për vendlindjen.

Autori është objektiv, i drejtë, i çiltër në gjykymin e tij për ç’ka ndodh, pjestar aktiv i zhvillimeve të ditës. Çmohet në libër vlera e ndërtimit të veprave të mëdha në të mirën e të gjithëve, sic janë rrugët, vadat, minierat, sharrat, në veçanti ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës. Kapitulli i këtyre mirësive nuk jepet më vete, qëllimisht me sa duket, por shtrihet gjatë trajtimit të të gjithë “inventarit” jetësor të zonës dhe më gjerë. Paannshmëria për t’i ndarë veprat e mira, që sollën ndyshime të gëzuara për jetën, e nderon autorin. Kjo vlen në të çmuarit e ngjarjeve, del bukur në ndërtimin e shkollës së re ku ndjehet si përçues të ndjenjës, punës së palodhur dhe perfeksionin e së ardhmes përmes dijes, kulturimit, emancipimit të shoqërisë.

Kësaj ideje besoj i shërben aq bukur, ndjerë thellësisht në shkrimin “Komisari Memo” ku me dhëmbshurinë e mbajtjes së Memo Metos mbartnim me kujdes në vig televizorin e parë që solli hapjen e një dritareje të njohjes së jetës, por edhe bëri dhomën e mësuesve një dhomë kulture e mikpritjeje për të gjithë fshatarët që rehatoheshin si në shtëpinë e tyre, shkujdesshëm. Ishin njësh me banorët  vendas. Rëndësi ka “statusi” njerëzor, nënkuptohet përmes jetës 7 vjeçare në Mëzi, por që vazhdon në kujtimin, mbresat e përjetimet, përmes një praktike të përditëshme të jetës së autorit.

Libri është një studim serioz i të drejtës zakonore të zonës, fqinjësia, lidhjet e krushqive brenda fshatit e zonës rreth saj, roli i kryetarëve të fiseve, respektimi i kanunit pa rënë ndesh me ligjet e çdo lloj qeverie, nëse punon për të mirën e tyre, ose zgjidheshin përmes kuvendeve të gjera popullore. Kjo vlerë e zonës spjegon faktin pse pronat pas viteve ’90 u ndanë pa sherre, pa  krime, pa hajdutëri.

Në këtë trevë etnokulturore që prezantohet plot dashuri, thjeshtësi, vërtetësi nga autori V. Muka, nënvizohet roli i grave e vajzave jo vetëm në veshjen e tyre, pornë nderimin e merituar që fitonin përmes mendimeve, sjelljes, kujdesit e përgjegjësisë që kanë krahë burrave të ikur në punë. Autori vuan me vështirësitë e kohës për të cilat u qan hallet lokeve burrnesha, të cilat duhet të administronin me nikoqirllëk mbresëlënës gjendjen. Shembulli i Davës, brigadieres, flet qartë për figurën plot me vlera të grave e vajzave në Mëzi, e ndershme, punëtore, e thjeshtë e palodhur, organizatore gjer në hollësi, familjare dhe serioze, shëmbull i shkëlqyer i një nane zonjë. Po ashtu gratë e hekurta, Loke Suta e Loke Palina, modele heroizmi e epizmi.

Jo pa qëllim shkruan për evolimin e emrave, pasi bën traditë në të folmen e zakonshme  të emrit, atësisë, mbiemrit, p.sh Jak Binak Marku i Mark… Kjo është vlerë e shtuar për autorin, i cili e shpjegon që “çdo njeri” në përditshmërinë e jetës së tij, nderon e turpëron veten dhe prindërit. Del njëkohësisht përdorimi i mbiemrave myslimanë krah emrit katolik si rrjedhojë e pushtimit 500-vjeçar otoman që i detyroi të ndrronin fenë-emrin, por jo shpirtin kristian. Në këtë “rregjistër” civil autori jep bukur dhe evoluimin, civilizimin, emancipimin e  të rinjve, kalendarin fetar katolik, festat etj.

Lexon secili me interes në këtë libër se puna e parë e mësuesve të rinj ishte të kthenin dhomën minimalisht të banueshme duke e shtruar me çimento, për fat mësuesi i ri kish mësuar suvatimin në Gjirokastër e dinte nga pak zeje nga të gjitha e tash i duhej të bënte “ustain” në dhomën e tij, në shkollë e në shtëpitë e fsahtarëve. Ne që e njohim vetë autorin Vasil Muka, çmojmë, se shpirti i madh njerëzor, thjeshtësia në sjellje dhe komunikim, nisiativa e punës duke qenë dhe në krye të vështirësive kanë bërë “mrekullinë” që të lëvizte nga plogështia duke rrezatuar përmes shembullit personal, ndjenjën e punës, të përgjegjësisë për punë, duke sakrifikuar së pari nga vetja e tij.

Libri është një “pjesëz” muzeu etnografik për veshjet, për pajisjet e orenditë e domosdoshme të jetës, në çdo vatër sipas gjendjes ekonomike e shoqërore. Këtu Vasili, kujdeset të vëjë në dukje në një vitrinë të nderuar faktin se gjendja “pasurore” nuk rrit autoritetin më shumë se sjellja dhe karakteri i secilës familje. Aq madhërishëm shkëlqen ky vlerësim, krah pozicionit të njerëzve me pushtet lokal apo partiak, se mendoj do t’i bënte të skuqeshin servilët e sotëm në çdo rang.

Për qëndrimin “atëror” kur ndodhi tragjedia e dy “engjëjve” të mbytur në lumë, e cila siç kuptohet është vragë e thellë në zemrën e autorit, që s’mbyllet dot në kirurgjinë e sofistikuar të tatuazheve moderne të kohës sonë.

Të qënët nxënës i mirë, e çon autorin në familjet e mëziasve t’i vizitojë, ku të mirëpritur si birin e shtrenjtë që u gjindet kurdoherë më pranë, tregon shumë më tepër se vëllime të tëra. Po vizitat në familjet e zbritura nga Mëziu në Tiranë e rrethina, në Durrës e gjer në Amerikën e largët, që ndërthuren me vizitat e nxënësve të tij në Gjirokastrën e largët, bujtës në shtëpinë e tij mbasi iku nga Mëziu. Sa e sa shembuj që dalin plot freski jetësore në këtë libër “unik” për nga vlerat njerëzore që përcjell, siç thotë vetë Vasil Muka  “janë bashkëautorë” me të e të dhënat e regjistrit: Familjes, mjedisit  shoqëror, origjinës e lidhjeve të miqësive, janë buka  e përditshme, por unë si lexuese, që njoh rrugëtimin personal të autorit, mendoj kënaqshëm që vlerat e thëna, të përcjella nga vetë mësuesit janë të mëdha. Lexon librin  e beson se Shqipëria  mund dhe duhet të bëhet.

Libri është një leksion interesant për florën e faunën, për mënyrën e jetesës që mbështetet në pasurinë që Zoti u fali këtyre zonave. Pasuria me pemë frutore, pyje, pisha e lisa, që përcaktojnë jo vetëm gjeografikisht mjedisin, por edhe burimin e jetesës së çdo familjeje. Këndej del mjeshtëria e kulinarisë që mbështetet në punët e njerëzve për rritjen e kafshëve shtëpiake, të përgatitjes së “tharjes” së mishit të derrit për dimër, të verës e rakisë, etj që lidhen me mundin e frutin e punës së tyre.

Gjithëçka thuhet në libër mban dashuri të çiltër njerëzore, ngre piedestalin e shërbimit që mund të të japë secili në detyrën e profesionin e tij. Është madhështia e njerëzve, shoqërisë, miqësive mbështetur në traditat e familjes shqiptare.  Kjo fe mban bekimin mes njerëzve që lidhen besa-besë me njeri-tjetrin për tërë jetën në të mirë e në të keq, bile edhe “pas vdekjes” Si? Si? Edhe pas vdekjes? Kjo vjen kur ndjehesh i lidhur përjetësisht me njerëzirt që ndërsjetllas i ke dashur, e të duan, pa mburrje si vëllai me vëllain. Kjo lidhje kuptohet kaq me ndjeshmëri, jo vetëm në kohën e shërbimit në Mëzi, por sidomos s’andejmi. Në dasmën e vet të ftuar krejt fshati. Autori  vë në krye  përfaqësuesin  e banorëve.  Në zhurmën e përgatitjeve të ditës së madhe, zëri i djaloshit me trup e sjellje fisnike si në legjenda shtoi gëzimin e harenë duke thirrur: – A don miq o Nako Cile Muka? – Bujrum, mirë se të pruri Zoti o fisnik! – qe përgjigjia. Fjalët e përfaqësonin korin e madh të zërave që këndonin me çifteli nga Mëziu dhe me orkestrën e polifonisë labe. Bekimi ushtoi në trojet tona është diçitura e kësaj lidhjeje.

Pa dashur protogonizmin, autori natyrshëm, çiltër siç është dhe karakteri i tij, përmes lidhjeve që vazhdon të mbajë në miqësinë me mëziasit, edhe pas largimit të tij, tregon se “ndjehet” si dikur bir i tij, vëlla, mik, shok i atyre anëve ku si mësues ndjehet më tepër si nxënës i tyre që me dashurinë dhe besnikërinë që i falën, për bukën  e dhimbshurinë e lokeve, për fjalën e urtë të tyre.

Le t’i marrim me radhë vlerat e shumta të këtij libri:

Me vetë hyrjen e bukur, autori Vasil Muka, na fut në një mjegull, përmes malesh të larta dhe të largëta për të na paralajmëruar, se do të jetë rrugëtim si në ëndrra të këndshme të së papriturës, kur si fëmijë mund të zgjohesh mes borës që shkëlqen e bredhave me degë të varura mbushur nga bora, apo mes luleve të lëndinave, buzë Drinit plak apo liqenit kaltërosh, duke thirrur në gjysmë kllapi: mama, mama!… Por tani zgjimin, duhet ta përballojë vetëm mësuesi i ri, vetë autori. Shfaqet një mentor i ndritur prindërimi dhe arsimimi si Migjeni. Dhe mësuesit nuk janë kurrë vetëm…

Libri shërben, që në fillim si një hartë topografike për vend ndodhjen, kufijtë, sipërfaqen, pronarët, vendbanimet, jo vetëm kaq, por si një hartograf i zoti, autori na jep vendosjen e çdo familjeje, me banesat e tyre me kufijtë, oborret, pemët e krojet, kufizimet fqinjësore, me tokën në pronësi, etj, etj, sepse siç thuhet shpesh, tri  janë të shenjta për jetën: Zoti-Liria-Prona. Mësuesit tonë ia ka mësuar familja e tij, prandaj ka menduar e ndjerë t’i japë dhe këto për Mëziun, ku çdo familje do të jetë një familje e dytë për të, po kaq e dashur, mentorë shekujsh e dashamirëse… Ja ka mësuar Feja e Krishti më parë aty në lagjen “Pazar i Vjetër” ku ndjeu rrahjet e para të zemrës, të besimit  dhe praktikonte që fëmijë Meshën e Shenjtë. Prandaj autori ka interes dhe për rregullat e besimit katolik aty dhe bindet që  këtyre anëve feja e besimi janë të shenjta e ndjen pas thirrjes: – Shtëpia e malsorit a e Zotit dhe e mikut dhe… O mirë se të ka pru Zoti oo mësues Vasili i Gjirokastrës, apo kjoftë bekuar Jezu Krishti!

Bashkëndjesia e forcës së besimit e shoqëron në çdo hap dhe i jep forcë atij vetë,  me Ladin e mësuesit e tjerë për t’ia dalë misionit të vështirë, porshumë fisnik të mësuestit. Bëhet pjesëtar i kremtimeve në çdo familje. Pastaj në këtë besim të vërtetë jo të shtirur njeh çdo guidë jetësore si banorë, bij të vërtetë të fshatit

Autori jeton me çdo ngjarje, bashkon rrahjet e zemrës së tij me të mëziasve, çdo gëzim, sukses, lindje fëmije, festë, këtu i jep frymëmarrjen e gjerë, plot freski të maleve dhe pyjeve përreth, çdo lot i tyre kthehet në dhimbje që rëndon ndjenjat e tij. Tanimë vetë autori, siç kuptohet në libër, ndjhet pjesë e çdo familjeje.

Në çdo hap, në çdo ndjeshmëri kësi vizioni, shenjtërinë e Migjenit dhe Lulërit e vocërr e sheh në shiun e ftohtë që i lag nxënësit dhe ky i çon te furra të thahen, të ngrohen, pastaj disa prej tyre dhe i përcjell në shtëpi, kur duhet.

Mbledh zakonet e këngët, fjalët e rralla të shqipes i përdor dhe vetë, duke u bërë “institucion” i Folkloristikës me mision si një drejtues ekspeditash gjuhësore që mëson nga profesorët e nderuar që kish në Universitetin e Shkodrës: Kol Ashta, Tomor Osmani, Simon Pepa, Jup Kastrati, Fadil Kraja e Podgorica.

Mëziu ku filloi si mësues i vocerrakëve, i kujton me dashuri e dhimbje çka përjetoi me ta e familjet e tyre. Gjysma e tij mbeti  atje, u mbush plotëria e tij me takimet, komunikimet me nxënësit, të cilët janë personazhe të librit, si dëshmitarë që e burrëroi e denjësoi dhe në përjetimet krah mëziasve të tij të dashur.

Si lexuese më lindi një imazh i parapëlqyer: Në Festivalin e ardhshëm Folklorik Kombëtar, një grup nga Mëziu përshëndet mësuesit gjirokastritë që punuan në Pukë. Por sot në Mëzi jetojnë veç 23 familje… Çudia është se me grupin e Mëziut, me çifteli, është dhe një fytyrë e njohur, mësuesi Vasil Muka i Gjirokastrës, që ia marrin shrtuar me:

– Oo, do të them një këngë unë vetë,

ma besoni me të vërtetë,

po këndoj me dashuri,

gjysma ime është  në Mëzi,

se Shqipnia fund e majë,

a një dhe e pandame..

-Oo mirësevini o njerëz

se shpija jonë është shqiptaria,

më dhatë shumë, si djemt tuej,

unë s’ndjehem si i huaj,

gjysma ime a’pjesë e Juaj.

Gjirokastër, prill 2024.

 

 

 

Please follow and like us: