Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Xh. Duka: Kuq e zi në Greqi shkon thellë në histori!

 

 

 

Filli kuq e zi

Më 12 maj Rama do të takojë shqiptarët në Athinë, gjë për të cilën ai thotë që mezi po e pret duke qënë krenar për të gjithë shqiptarët e Greqisë që në fakt janë shumë, vërtet shumë se datojnë para viteve 90. Matanë kufirit, prej qindra e mijra vitesh, edhe atëhere kur nuk kishte Greqi, ka patur gjithnjë kuq e zi dhe prej 1912, presin edhe ata të dëgjojnë një fjalë prej shtetit amë.

Vizita e Presidentit në komunitetet arbëreshe në Kalabri, Ramës në Greqi e Europë, politikanëve të tjerë me shqiptarët emigrantë apo historik kudo kanë vërtet vlerë për kohezionin mbarëkombëtar. Nuk jemi shumë të harrojmë njëri-tjetrin të shpërndarë kudo në botë e kemi nevojë për njëri-tjetrin jo vetëm të ndjehemi po aq të mëdhenj në numra sa kemi edhe histori por edhe se përmes vetëdijes e fillit kuq e zi ndër breza në botë, bota na vjen më pranë.

Kombe emigrantësh si Irlanda, Italia etj, e kanë krijuar këtë trashëgimi e kohezion mbarëkombëtar dhe ruajtja, mëkimi e festimi i identitetit dhe origjinës e bën speciale lidhjen mes vëndeve në fjalë (psh. SHBA e Irlanda etj), deri edhe presidentët kujtojnë e janë krenar nga vinë!

Dy fqinjë, dy BE!

Në Italinë mike arbëreshët respektohen gjithnjë për atë që i dhanë Italisë e Europës dhe ruajtja, prania e forcimi i identitetit arbëresh flet vetë. Një vlerësim e mirënjohje ky që ngjiz dhe ushqen vetvetiu mirënjohje reciproke duke i bërë popujt bashkë, pavarësisht politikave të mbrapshta në histori. Nga strehimi i ushtarëve italianë pas kapitullimit, mikpritja e emigrantëve shqiptarë në vitet 90, Pelikani, solidariteti gjatë Covid etj, atmosferë solidariteti kjo që ndonjëherë shpërdorohet politikisht sikurse me kampin e refugjatëve afrikanë që na vesh imazhin e “gogolit” njëlloj si Ruanda në Afrikë.

Ndryshe nga qëndrimi italian ndaj shqiptarëve të sotëm e historik atje, Greqia, një vënd që fitoi pavarësinë dhe krijoi shtetin modern falë pasuesve kuq e zi të Kastriotit, ku rrënjët arvanitase e autoktone çame janë sheshit e historikisht, mban qëndrim krejt të kundërt ndaj Shqipërisë e shqiptarëve atje. Dy standarte të ndryshme nga dy vënde të BE që flamur të saj ka të drejtat e individit e komuniteteve pa dallim! Dy fqinjë aq pranë dhe aq larg!

Vizë vetes!

Mozaiku kuq e zi është gjysmak pa botën arvanitase e Çamëri. Bëjnë shumë mirë nga Presidenti, Kryeministri, politikanët, intelektualët, artistët etj, që dalin nga arbëreshët në Itali tek emigrantët e shqiptarët në rajon (Kosova, Mali Zi, Maqedonia e Veriut, Lugina etj) e kudo në botë por, të thyejnë akullin e të dalin e flasin edhe nga viset arvanitase dhe vatrat çame në Greqi!

Interesi mbarëkombëtar ka nevojë edhe për takime me “çunat e Londrës”, edhe retorika presidenciale “mbajtja fjalën dhe erdha prapë sikur u premtova”, edhe inagurime bustesh tek arbëreshët etj por takimet në Kalabri, emigrantët në Europë, busti i Skënderbeut deri në Paris etj, janë më e pakta që pret bota shqiptare sot. Vëmëndja duhet të jetë atje ku gjërat janë harruar aq gjatë sa politika padashur lë përshtypjen se nuk ka asgjë për të përkujtuar atje!

Arbëreshët nuk kanë nevojë për ne më shumë se kemi ne nevojë për ta. Ata e treguan veten e tyre dhe falë mikpritjes italiane, e ruajtën më së miri rrënjën kuq e zi ndaj nëse vëndi amë dëshiron të bëjë protagonistin e frymëzuesin, t’a bëjë atje ku bota shqiptare ka më shumë nevojë për të nga Lugina, Sanxhaku në Serbi dhe arvanitasit e çështja Çame në Greqi. Vizitat, bustet, prerjet e shiritave, shpallja qytetar nderi etj kanë vlerë më shumë atje ku bota kuq e zi po pret të rilindë.

“Tabutë” kuq e zi

Sfidë mbarëshqiptare e meritë e politikës shqiptare nuk është të kremtojë vetëm ato që tashmë janë arritur por të krijojë preçedentin e rradhës në forcimin e botës kuq e zi nga Lugina, Sanxhaku tek shqiptarët historik në Greqi.

Një vizitë e Ramës në Athinë e takimi me bashkëkombasit atje nuk ka përse të reklamohet si guxim dhe kurajo e Ramës ndaj politikës greke në kontekstin e zgjedhjeve për Parlamentin Europian atje (sa për politikanët grekë, vetë Micotaqi, duken këndej sa herë u teket, edhe kur zgjedhje kemi ne).

Kurajo e dinjitet për Ramën do të jetë nëse ai takon arvanitasit, shoqatat e tyre, nderon Aristidh Kolën, veprën e Marko Boçarit me shokë që nderuan kujtimin e Kastriotit, komunitetin e mbetur çam, viziton trevat çame, flet për median dhe ngre probleme si Ligji i Luftës me politikën e shtetin grek etj. Një bust i Skënderbeut do të ishte i udhës kudo në trevat çame apo banime arvanitasish në Greqi, vetë fjalimet, shiritat e shpalljet qytetar nderi do të tingëllonin vërtet lajm nëse do të ndodhnin në Greqi!

Je që je në Athinë!

Rrugës për në Athinë apo pas takimit atje, Rama, bashkë me gazetarë, bën mirë t’i bjerë nga Çamëria e viset arvanitase andej. Do të ishte kryelajm! Fundja Greqia është BE dhe çdokush, pale kryeministri, është i lirë të lëvizë lirisht atje, ndryshe Brukseli, para se t’u kërkojë sheshim mosmarrëveshjesh vëndesh kandidate, të vërë ca rregull në shtëpinë e tij! Aq më tepër që edhe vetë kryeministri gjysëm-arvanitas deklaron se me vizitën e tij Rama është në të drejtën e tij dhe ata as nuk e pengojnë e as e ndihmojnë!

Një qokë nga viset arvanitase e Çamëri, sikurse Luginë e Sanxhak në veri, do të ishte kontribut real prej Presidentit, kryeministrit e politikës shqiptare. Shqiptarët, gjaku kuq e zi atje, ka kohë që pret prej shtetit amë dhe ajo që Greqia e Serbia mohon, duhet përgënjeshtruar e bërë lajm.

Rama beson tek ballafaqimi i së vërtetave dhe deklaron se e ka të pamundur të mos thotë atë që mendon ndaj si çdo shqiptar që mendon për Luginën, shqiptarët në Sanxhak, arvanitasit e Çamëri, Ligjin e Luftës të Greqisë ndaj një fqinji në NATO etj, t’a thotë fjalën e tij.

Kuq e zinjtë në Greqi nuk u gjendën atje vetëm pas viteve ’90. Kanë qënë historikisht atje, vetë Greqia ka rrënjë kuq e zi, ndaj je që je në Athinë z. Rama, iki politikës së votës e fol në emër të të gjithëve këtej për të gjithë kuq e zinjtë andej! Ke edhe botën arbëreshe në Itali pas.

Shqiptarët e viteve ’90 nuk kanë nevojë për ftesa për t’u kthyer se kanë sy e shikojnë e të mirën e tyre e dinë vetë. Shqipëria është mirë kur shqiptarët janë mirë, pavarësisht ku janë ata ndaj dhe takimi në Athinë është një shans historik për të falenderuar jo vetëm shqiptarët e 90 por edhe ata historikë çamë e arvanitas që mbetën krenar për të shkuarën kuq e zi edhe kur shteti amë nuk ishte atje për ta. Shko dhe hap udhën z. Rama për të tjerë politikanë e qeveritarë më pas, vetë Presidentin, që të respektojnë, falenderojnë e inkurajojnë kuq e zinjtë në Greqi pa dallim. Lidheni fillin kuq e zi të këputur gjatë atje.

Please follow and like us: