Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Në anijen tënde…

Hipa në anijen tënde e pafaj, pa e ditur se dallgët e fuqishme të ujrave herë do të më frikësonin, e herë do të më përkundnin me ëmbëlsinë e tyre. Frika ishte sinjal i së panjohurës, e ëmbëlsia nektar i ushqimit të mëngjeseve të dritës. Tokën nuk e shihja askund, as gjelbërimin, përveç kaltërsisë së qiellit ku udhëtonin me dallgët e shpirtit qindra e mijra mendime të ndjenjave.
E dimë ku do mbërrijmë, por edhe nuk dimë. Dija nuk vjen prej vetvetes. Shkolla është teori, jeta është praktika e saj. Cdo dallgë është rresht i shkruar që me fillimin e kohërave. Cdo valë është një shprehje e vargut që na dhurohet çdo ditë nëpërmjet veprës që kryejmë.
Anija nuk mund të mbërrijë në breg pa u ndeshur me dallgët e fuqisë së deteve e oqeaneve. Ujrat të fundosin, por edhe të mbajnë në sipërfaqen e tyre. Dora e njeriut nuk është dora e Zotit. Kush mendon në këtë jetë se mund të përdorë dorën e tij për të shpëtuar, nuk i ka hipur asnjëherë anijes së jetës. Mendja nuk është ushqim për peshqit apo pulëbardhat, e sytë nuk mund të mbyllen në kohën e stuhisë.
Timoni i jetës nuk qëndron në duart e njeriut. Njeriu friket e trembet, e natyrshëm,timoni të shket nga duart e anija fundoset në thellësinë e ujrave.
Anija e jetës kalon ditë, muaj e vite në udhëtim. Rinohemi e plakemi. Bregun e shohim, e nëse duam të zbresim pa u ankoruar kjo anije në brigjet e jetës, jemi të destinuar të notojmë me krahët tanë në ujrat e deteve apo oqeaneve. Afërsia me bregun mund të na gënjejë. Mund të notojmë me ditë e netë, e bregu nuk afrohet. Lodhja na këput e gjumi mund të na terë mendimet, e për pasojë fundosemi ose qëndrojmë mbi sipërfaqe të pafuqi. Toka quhet shpëtimi, por edhe misteri i saj nuk mund të quhet shpëtim!
Të udhëtosh i sigurt në detin e jetës, duhet t’i besohesh Dorës dhe Mendjes që drejton timonin e anijes ku kemi hipur, ndryshe jemi të humbur që në fillimin e udhëtimit tonë. Amen!
17 shkurt 2019.
Please follow and like us: