Agim Xh. Dëshnica: POETI I NDRITUR, VEXHI BUHARAJA
Tashmë emri dhe vepra e poetit e dijetarit të ndritur Vexhi Buharaja njihen e lexohen me ëndje kudo, ku flitet shqip.
Në qytetin me tërë ato vlera, Berat, ku jetuan e krijuan Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Hasan Zyko Kamberi dhe poeti mbëtar Naimi, në familjen e Ibrahim Buharasë më 12 maj 1920, lindi një fëmi, një djalë, që do të mbante emrin e bukur Vexhi. Një djalë, i cili do të nderonte fisin e Buharasë. Një njeri, që do të shquhej për sjelljen fisnike. Dijetari i ardhshëm që do të ngrinte lart vlerat e atdheut dhe të Beratit. Një fetar i kulturuar i besimit ndaj Zotit. Një poet i dashurisë për njeriun e bukuritë e natyrës shqiptare. Bota letrare do ta njihte qysh në moshën 19 vjeç. me poezitë , “Përpara Tomorit”, fituese e çmimit të parë. “Poeti”, “Zemrës”, “Shiu”, “Çudit’ e fshatit tim”, “Dua të jem flutur”, “Manushaqja”, etj. me nivel artistik dhe frymëzim poetik, të cilat u sjellin ndër mend lexuesve Lasgush Poradecin, të krijuara sipas traditës rilindase, me ndjenjat e pastra të një njeriu të mirë. Vargjet me gjuhë të kulluar shqipe, rrjedhin ëmbël e natyrshëm. Pseudonimet “Valater Çokdari” e “Lulëzari” në atë kohë u njohën kudo. Vlerësimet për Buharanë, u botuan në shtypin e kohës, nga Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Nexhat Hakiu etj..
Drama e jetës së tij…
Vexhi Buharaja pas mësimeve të para në Berat, në vitin 1940 u vendos në Tiranë. Atje kreu me përfundime të shkëlqyera Medresenë e Lartë. Më pas dha mësim po në atë shkollë dhe drejtoi revistën “Kultura Islame”. Viteve 1940 -1944, u përkasin shkrimet e një krijimtarie të pasur me poezi e prozë, studime për ngjarje historike, përkthime e redaktime punimesh për revistën. Në këto vite bashkëpunoi edhe me organet e shtypit të kulturës si, “Njeriu”, “Tomori i Vogël” etj.
Ernest Koliqi miratoi për të një bursë të veçantë për vijimin e studimeve më lartë, në orientalistikë. Por këtë fat të rrallë nuk mundi ta gëzonte, madje për shkaqe familjare në fillim të vitit 1944, kthehet në Berat. Në ditët e premte, i ftuar në xhamitë kryesore të qytetit, tek jepte vas në shqip për çështje fetare e shoqërore, dëgjohej zëri i tij i ngrohtë me një oratori e filozofi të përkryer. Deri në vitin 1947 jep mësim në shkollat e qytetit. Në atë vit të zi për njerëzit e kulturës, Vexhi Buharaja si shumë të tjerë u arrestua!…Gjyqi komunist me akuzën për “agjitacion e propagandë”, e dënoi me 8 vjet burg. Biblioteka e vet e pasur u shtetëzua. Librat u mbartën me një kamion ndërtimi. Shkruesi i këtyre rradheve asokohe i ri, pa me dhimbje librat e dëmturar grumbull në karroceri.
Nga burgu e dërguan në kampin e Maliqit. Emrat: kënetë, kanal, Maliq, Roskoveç, Tërbuf, Çermë, na kujtojnë martirët atdhetarë, dijetarët e shquar, profesorët, inxhinerët e aftë, shkrimtarë, njerëzit e shërbesave fetare etj. Pas burgut, Vexhi Buharaja për të siguruar jetesèn e familjes, iu nënshtrua një pune sfilitëse me duart e pafuqishme përdori sërish kazmën! Megjithatë penën dhe librat i mbajti pranë si mjetet e tij më të shtrenjta.
Frymëmarrje në krijimtari
Kur diktatura do të ndalte përkohësisht hovin vrastar, lejohet të kthehet në arsim. Në shkollat e mesme jep lëndën e gjuhës ruse, të mësuar në burg. E shohim të punojë për Muzeun e Beratit. Kur institucionet shkencore, patën mjaft nevojë për dijet e tij, në vitin 1965, pranohet të bshkëponojë me studime shkencore në Institutin e Historisë, Gjuhës e Letërsisë të UT, më vonë të Akademisë së Shkencave. Për Vexhi Buharanë nisi një punë e pashterur hulumtuese dhe krijuese. Shquhet për punë cilësore për historinë e Shqipërisë.Kjo u pa në shkrimet e shkëlqyera, ndërmjet tyre kumtesa për Gjergj Kastrotin- Skënderbe, me rastin e 500 vjetorit të lindjes, mbajtur në një sesionshhkencor, në Berat. Të një rëndësie të veçantë janë përkthimet e tij. Siç dihet në vitet e diktaturës shumë poetë e shkrimtarë të paraluftës, u burgosën ose u lanë mënjanë. Mundësia e vetme për të mbijetuar e për të shprehur aftësitë e tyre, ishin përkthimet e shkrimeve politike, e poezive dhe romaneve të letërsisë së huaj. Të tillë qenë, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli. Vedat Kokona, Sotir Caci etj. Këtë fat pati dhe Vexhi Buharaja. Në Instituni e Historisë, përktheu qindra dokumente arkivore turke që hedhin dritë mbi kohën e pushtimit osman. Me vlera kombëtare janë përkthimet e Defterëve (regjistrave) të administratës turke. Përkthimi i shkrimeve dhe letrave nga turqishtja në shqip e rilindësve tanë, si Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Dervish Hima etj. Ndihmesa e tij, shkëlqeu sidomos në studimet shkencore, për toponimet, transkriptimin e përkthimin e mbishkrimeve në gjuhën osmanisht, në shkrimeve në shumë rrethe të vendit, në ndërtesat fetare, në kështjella, në kulla sahatesh, në ura, në shtëpitë e lashta etj. Një nga veprat e tij me titullin, „Monumente të kulturës turko-arabe“ përmban rreth 300 mbishkrime, e një kohe që nis nga shekulli XV deri në shekullin XX. Shumë studjues për temat e tyre përdornin punimet e tij. Kur përmendnin burimin e lëndës, shënonin shkurt formulën, sipasarkivit të Institutit tëhistorisë. Pra, e gjithë kjo veprimtari e Vexhi Buharasë, kaloi në heshtje. Shpesh në konferenca kombëtare këto arritje, i përfaqësuan të tjerët, të cilët ishin nën nivelin e tij kulturor. Megjithatë ato u vlerësuan nga dijetarët vendas e të huaj si, gjuhëtari i madh Prof. Eqrem Çabej, orientalisti Myqerem Janina, orientalisti gjerman Prof. Franc Babinger etj.
Në lëmin e letërsisë, përveç poezive e shkrimeve të Vexhi Buharasë, njihen përkthimet në shqip, si drama „Besa“ e Sami Frashërit, krijimet e poetëve persë e turq. Me një interes të veçantë u prit nga lexuesit, botimi në shqip i veprës së Saadiut „Gjylistanit dhe Bostani“, perlë e poezisë botërore. Po nga kjo gjuhë ai shqipëron dhe një kryevepër tjetër, „Shahname-në“ e Firdusiut. Përgatiti dhe një antologji me poezi të zgjedhura të poetëve persianë.
Për letërsinë tonë e një rëndësie të veçantë, është dhe përkthimi shkëlqyeshëm në shqip nga Vexhi Buharaja i dy vëllimeve me poezi në gjuhën persishte të Naimit, „Endërrimet“ (Tahajjulat) dhe „Katër Stinët.“ Sipas një letre të publçistit N. Jorgaqi, i njohur si hartues antologjish me shkrime autorësh shqiptarë, kërkoi prej tij ndihmë për një kumtesë rreth këtyre dy librave. Lasgush Poradeci për ato punë arti, shkruante:“ Për mua dy janë të mëdhenj në fushën e përkthimeve nga gjuha perse, i madhi Noli në Amerikë dhe i madhi Buharaja këtu.“ Prof. Eqrem Çabej pas leximit të „Gjylistanit“ u shpreh: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimetsqaruese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte gradë shkencore.“
Siç del nga letrat, i dashur dhe bujar shpesh punimet e veta të pabotuara ua jepte të tjerëve si burim për temat që kishin në program. Si shpërblim pas kërkesash të lodhëshme, disa ktheheshin e disa humbisnin.
Largimi nga puna shkencore
Kur diktatura me luftën e klasave u zgjua më e tërbuar në vitin 1975, Vexhi Buharaja, u pushua nga puna. Ky veprim i mbrapsht u prit me pakënqësi të thellë nga intelektualët e ndershëm. Në letrën e dijetarit të njohur Samim Visoka, dërguar Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave, ku sekretari shkencor L. Omari mbulonte kuadrin, midis të tjerave lexojmë: „S’ka dyshimse elementë si Vexhi Buharaja nuk duhen pushuar nga puna, po duhet të ruhen e të mbrohen si diçka shumë e vlefshme, sepse siç e dini ju vetë, jeta, mosha, po i rrallon këta specialistë me vlera të mëdha në fushën e orientalistikës. Elementë të tillë si Vexhi Buharaja janë perlë…“
Vexhi Buharaja, i prekur, por aspak i thyer, sado i larguar nga punët shkencore të Institutit, vijoi të merrej me letërsi e shkencë. Pushtetarët pa shkollën e duhur në Berat për ta fyer më tej këtë njeri të madh, e caktojnë arkëtar . Megjithatë populli i Beratit si përherë e nderonte dhe mburrej me të. ashtu si më parë, Të gjithë ata që patën fatin të takonin Vexhi Buharanë, njohën njeriun idealist e gojëmbël, poetin e hijshëm të lirisë, dijetarin serioz e bujar, profesorin e vërtetë shqiptar. Kuptimplotë ishte sjellja fisnike e kryetari të Akademisë së Shkencave prof. Aleks Budës, i cili sa herë vinte në Berat takonte poetin e dijetarin Buharaja dhe duke biseduar, ecte tok me të, në shetitoren e qytetit. Megjithatë penën dhe librat nuk i la kurrë pas dore.
I dashur me të gjitha moshat, miq apo shokë takohej me mesuesit e rinj si Muhamer Telegrafciu apo Ramiz Haznedari. Herë pas here atdhetarë të shquar në histori si Xhevdet Dëshnica, apo historiani Ahmet Kondo sapo ktheheshin të përmalluar në qytetin e lindjes, Vexhiu u shkonte në shtëpi dhe bisedonte gjatë me ta, për ngjarje historike e kulturore në Berat.
Aty nga vitet 70, shtëpia e Ibrahim Buharasë, Sulejman Deshnicës dhe atdhetarëve të tjerë, do të shembeshin barbarisht nga pushteti komunist.
U shkatërrua, zona më e bukur e më e lashtë e lagjes Murat Çelepi. Ajo, dikur ishte me ndërtesa monumentale, rrugica të pastra,gjallëronte prane lumit Osum me blerimin e kopshteve me fryta e perime, gjithfarësh.
Tashme Vexhi Buharaja, me krijimtarinë e pasur njihet kudo, si poet, publicist, fetar-filozof, orientalist, historian, përkthyes, njohës e zotërues i 10 gjuhëve, më s’pari, gjuhët klasike të Lindjes: persisht, arabisht, osmanisht turqishten e re e rusisht. Pas tyre, nga gjuhët e perëndimit: anglisht, gjermanisht, frengjisht dhe italisht.
Shuarja e kriimtarisë
Në prag te ndryshimeve të mëdha historike, pas një sëmundje të rëndë dhe në një gjendje ekonomike të vështirë, Vexhi Buharaja do të ndahej nga jeta, para kohe më 6 korrik 1987. Erdhi pra në jetë në muajin maj të poetëve, dhe iku i pafat, kur po ndihej era e lirisë… Mykerem Janina, viktimë dhe ky i regjimit komunist, shkruante me dhimbje: “U mbuluame atë bashkë një thesar, një dritë dijesh…një burrë karakteri e virtutesh të rralla…”.
Vexhi Buharaja: PËRPARA TOMORIT
Bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,
Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie,
Si shkëndi, si rreze dielli, po afrohet valë -valë,
Ndënëqesh me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë,
Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:
Gjer në fund të natës sime.
Dhe kjo dritë dhe kjo flakë që po ndez një qiell floriri,
Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhirë,
Gaz’ i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu
Edhe gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu
Nga dy buz’ si trëndafili edhe ra në ëmbëlsime:
Gjer në fund të natës sime.
Zog’ i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!
Shpuzë’ e mallit po valëvitet, trete helmin, ligjëro!
Thuaja si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit
Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,
Qesh si qesh një shtizë hëne përmbi faqen e dëborës,
Ndrin si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës
Dhe këndo posi bilbili me aq mall e drithërime
Gjer në fund të ditës sime.
Dhe pasi të kesh marrë, frym’ e shpirt nga bukuria
Dhe pasi të kesh parë, ca shkëndi nga dashuria,
Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pendëshkruar,
Sesi nga Osum’ i jetës, buçet këng’ e amëshuar.
Si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e ëmbël mençurie,
Si buçet nga buzë e Muzës fjal’ e ëmbël bukurie,
Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…
Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit,
Dhe përhapet anembanë sa na zgjon nga nat’e gjumit
Pastaj ngjitet lartë -lartë ku ndez jeta në shkëlqime:
Gjer në fron të ditës sime.