MERSIN GJOÇA, BURRË I SHQUAR I ZHULATIT DHE I GJITHË LABËRISË
(Në nderim të burrit të shquar nga Zhulati, Mersin Gjoça (1860-1939) etalonin e burrërisë, trimërisë dhe mençurisë në breza, në homazh të njeriut të mençur dhe personalitetit të shquar të krahinës së Kardhiqit dhe të mbarë Labërisë që jepte zgjidhje problemeve më shumë se një deputet, organizatorit të luftës antiandartëve të vitit 1913-1914, por edhe në komisionin organizator të Luftës së Vlorës të 1920-ës për krahinën e Kardhiqit, si dhe burrit të fjalës dhe besës së kuvendeve të zhvilluara në Labëri dhe më gjerë)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Vlerësimi i figurës së Mersin Gjoçës, edhe pse i vonuar është i domosdoshëm. Pluhuri i harresës nuk mund të mbulojë dhe as të fshijë një histori të ndritur të burrërisë e krenarisë së Zhulatit historik dhe mbarë krahinës së Kardhiqit, e më tej gjithë Labërinë tonë. Historia e Zhulatit, mbarë krahina e Kardhiqit, por dhe më gjerë ka njohur, parë, dëgjuar e shkruar bëma nga më të larmishmet në zhvillimet shoqërore krahinore. Por kryefjala e kësaj zone ka qenë karakteri dhe qëndresa përballë pushtimeve, besa dhe nderi që na lanë trashëgim të parët si dhe mjaft veti e viryte që i bëjnë burrat e gratë e trevës lave të nderuar e respektuar në fshat, në Labëri dhe në mbarë kombin shqiptar.
Është përgjegjësi e madhe për të folur e shkruar për figura që kanë ndriçuar në një periudhë sa komplekse aq edhe nga më të vështirat e kombit shqiptar. Pulsi i labit gjithmonë ka rrahur me pulsin e kombit, prandaj edhe ardhja në dritë e figurës së Mersin Gjoçës është detyrim brezash, detyrim i kohës sonë. Mirënjohja natyrshëm shkon për inisiatorët e monografisë, “Epikë e familjes Gjoça”, autorin Fitim Çaushi dhe stafi mbështetës i librit.
Natyrisht që parathënia e Profesor Bardhosh Gaçes, “Zhulati në themele guri dhe traditash zakonore” i jep një dimension më të plotë librit, pasi një kullë dhe një kala me themele guri nuk zhduket kurrë, ku referencë thelbësore është një personazh sa historik, aq edhe emblematik. Epika e trimërisë së Zhulatit, është një gjetje e spikatur që në titull pasi është hulumtuar gjerësisht në arkiva dhe në popull që në betimet e hershme të formës, “për atë diell”, edhe në burimet e publikimeve të Eqrem Çabej, Ami Bue, Marin Barletit, Fan Nolit, Eqerem Bej Vlorës, e shumë të tjerë.
Ndër këngët që binjakëzohet Zhulati dhe burrëria e kësaj trevë është, “Lum, o bir, Petro Zhulati,/ Kal i kuq sa gjysëm shpati,/Me Bizant të zu inati,/Ç’i bëre gjithë ata trima,/Me kuaj si vetëtima, Jataganët vringëllimai?/Zhulat me Kosta Zhulatin,/Ju malësorët e Zhulatit,/Bindjuni sulltan Muratit,/U pikoje dhjami dashit,/Shtati djemve si lis shpati,/Trima si Kostë Zhulati… Por trashëgimia e një fshati me rrënjë me burra të rëndë nuk mund të kuptohet pa luftrat, trimëritë, gjakun e derdhur, pa këngët: “Qani malet e Zhulatit,/Se Kostë Zhulati vajti,/Vajti në një stan pas darke,/Me kobure me patllake,/Kosta dhe trimat me pallë,/Ai stan ish stan laneti,/Atje na u be qameti,/Asnjë turk i gjallë s’mbeti,/Edhe Kostë trimëria,/Gjallë i mbeti lavdia,/Qani qani o male…(që është refreni pas vargjeve të këngës).
Janë këngë që Rakip Gjoça dhe i biri i kishin krenari dhe frymëzim. Në kujtesën mbarëpopullore Mersin Gjoça ka hyrë me karakteristikat e një labi me rrënjë që diti të vepronte si kanunlli, si parlamentar, kur nuk kishte parlamet shqipëria, pasi si udhërrëfyes kishte Kanunin e Papa Zhulit dhe shartet e atit të kuvendeve të madhit Idriz Sulli, udhëheqës e udhërrëfyes në dy kuvende në atë të Besës ose të Palcimit/pajtimit në Senicë më 10 prill 1770 si dhe tek Rrepet e Agait tre vite më vonë, më 1773.
Në historikun e fshatit dhe krahinës ka me qindra këngë që përjetësojnë vepërën e të parëve të shek XVIII dhe që shprehin trimëri e lavdi, përballje burrërore përballë të huajve:
“Deti mbushur me gjemi,/në istikam djalëri,/seç lufton për Shqipëri..”., si dhe “Qaj Zhulati në gropë,/Për disa trima të fortë,/Për Rakip Aganë (Gjoçën) me kokë, /Me këllëç që vin gjashtë okë”. Fakt është se këngët e popullit kanë përjetësuar historinë e ditëve të vështira të shqiptarëve. Kështu flet kënga edhe për qëndresën antiosmane të Rakip Gjoçës: “Në Buç dhe në Kamenicë,/Dhe në brigjet e Fushvërrisë,/Luftojnë grykë më grykë,Me askerët e Turqisë,/Flet Mehmeti me Rakipnë,/Të shkretat gjyle na mbytnë”. Por kënga nuk ndalet dhe ja si i bënte bekimet: “Mu bëfsh trim si Idriz Sulli,/M’u bëfsh trim e pallëlarë,/Të dalç me Gjolek labnë,/Çobon) Golemi) dhe Çelo Picarë,/Rakip Gjoçën e Mehmet Zhulanë,/Hodon që mbante kalanë”. Në kujtesën popullore është i përmendur edhe Asllan Gjoça atiosman rrebel që ka qenë burgosur edhe në kalanë e Gjirokastrës.
Një sfond historik e shoqëror që dukshëm vjen në libër me kontraste të spikatur, e mbushur me vargëzim këngësh, me folklor brilant. Mersin Gjoça erdhi në jetë rreth viteve 1860 (jo e dokumentuar plotësisht), në kohë të vështirë pushtimi dhe iku nga kjo jetë sipas të dhënave në hotel Sopoti në vitin 1939. Mënyra e humbjes së jetës së tij është e mistershme.
Mersin Gjoça, edhe pse kishte shumë miq në Gjirokastër rehatin e kishte në hotel “Sopoti”, dikur nga më luksozët dhe me mjaft shkëlqim në Shqipëri. Në vitin që u shua Mersini rreth moshës 80 vjeçare (të paktën kështu mendohet), hoteli mbante emrin “Royal” (deri më 1940), hotel që pasi fjeti në të Viktor Emanueli III, (1869-1947) ishte monark i Italisë në vitet 1900-1946, që asokohe njihej edhe si sovran i kurorëzuar edhe me kurorën e mbretërisë shqiptare, duhet të ketë qëndruar në Gjirokastër para datës 14 maj 1941. Mandej mbas këtij momenti, për nder të “perandorit” hotelit i ndryshon edhe emri, në Hotel “Impero”. Në hotelin ku flinte Mersin Gjoca përveç Viktor Emanuelit, kanë fjetur edhe ish-liderin komunist bullgar Gjergj Dimitrov, Myfit Bej Libohova, motrat e Mbretit Zog, delegacione të huaja të ftuara nga ish-Mbreti Zog dhe Enver Hoxha, ushtarakë madhorë në vitet e pushtimit, tregëtarë, politikanë, diplomatë etj., vizitorë në Gjirokastër. Por e rëndësishme është se Mersin Gjoça jetoi një jetë plot dinjitet dhe krenari. Nga të dhënat dokumentare Mersin Gjoça nuk u ngjit në statusin e deputetit të zonës, por populli e njihte për deputet si dhe miqtë dhe kundërshtarët e njihnin në formatin e njeriut të mençur që jepte zgjidhje më shumë se një deputet.
Sikurse dëshmonte Bajo Topulli kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës më 18.5.1927, Mersin Gjoça kandidon për zgjedhës i dytë: “E shkëlqyeshmja kryesi e Republikës urdhron zgjedhjen e një deputeti në vendin e zotit Vasil Bamiha, që u rrëzua nga deputetësia për shkak se ka munguar në mbledhjet e dhomës së deputetëve për dy muaj rrjesht. Votimi do të bëhet më datën 25 qershor 1927. Ini të lutur të paraqiteni në këtë bashki para komisionit përkatës ditën e shtunë më 25 qershor 1927…”.
Edhe pse nuk u zgjodh Mersini respektohej në nivelin maksimal në krahinë. Kishte edhe rate të frymës kundërshtuese e rebeluese, që Mersini dite t’i përballonte me sukses edhe përballë grykës së dyfekut. Mersinit nuk ju drodh qerpiku edhe përballë ndonjë kërcënimi sikurse ishte një rast në Taroninë, në vitet ’30-të, kur mori një plagë në gjoks dhe që fakt është se e shpëtoi letra e duhanit që e kishte blerë në Gjirokastër dhe ishte bërë tampon zbutës për plumbin që vetëm sa mundi ta gërvishte. Qënkish e vërtetë maksima proverbiale popullore, “trimat nuk i vret plumbi”. Por Mersin Gjoça ishte jo vetëm trim por edhe burrë kuvendi dhe që dinte t’u jepte zgjidhjeve edhe halleve të fshatit e krahinës, por edhe halleve të rënda të pushtimit të trojeve arbërore.
Ka raste të shumta që kanë ngelur si “postulat drejtësie”, vecanërisht kur kishte të bënte me ndarjet e kufijve e sinoreve dhe sigomos kullotave, Zëri i Mersin Gjoçës ishte zëri i drejtësisë. Në një rast bëhej fjalë për kufirin e gropave të malit të Lucës, kur nën rregjimin zogollian me xhandar i dhanë padrejtësisht kullotën Tatzatit dhe Kalasës. Por ndërhyrja e Mersin Gjoçës ishte energjike, Mobilizoi rreth njëzet vetë djemuri të Fushëbardhë se Zhulatit dhe shkuan tek “shtegu i Mollëkuqit” dhe hapën zjarr në ajër, për të friksuar dhe jo dëmtuar. Fshati T….t, me ndikime dhe mbështetje deri në qeverinë e kohës, nga gëzimi që kishin ndjekur tufat e dhënve të Fushëbardhës e Zhulatit nga kullota kishin vënë në hell dhe piqnin tre mishra. Kur panë djemtë e Zhulatit të Tejmë dhe Zhulatit të këtejmë (Fushëbardhës) të dërguar nga Mersin Gjoça, që shkuan të armatosur lanë edhe mishrat në zjarr dhe u larguan me vrap, duke u rivendosur kështu në sinorët e e drejtësisë që jua kishin lënë stërgjyshërit denbabaden.
Që prej asaj kohe në gati një shekull kufijtë e kullotave mbetën ku me të drejtë i përkiste si kullotë malore e fshatit Fushëbardhë. Këtë ngjarje rapsodi popullor e përjetësoi në këngë: “Një xhandar i …lasjot,/I mbushi poturet plotë,/një xhandar i T….t,/hidhu posht e hidhu lart..”, që më vonë u kthye edhe në objekt i humorit të hollë nga pleqësitë e gjithë fshatrave, pasi vëllezëria ishte dhe mbeti midis Zhulatit, Fushëbardhës, T….t dhe ….lasës, ku fqinjësia ishte dhe mbeti vëllazërore, falë edhe peshës së rëndë të fjalës së Mersinit. Mersin Gjoça kishte aq shumë pushtet dhe njohje sa që shkonte deri tek mbreti A. Zogolli me ministrat e fshatrave fqinjë dhe në prezencë të qëndrimit burrëror Mersin Gjoça, me ballafaqim zgjidhjet i kërkonte drejtësisht.
Fryma e drejtësisë, por dhe e rrebelimit në fshat u ndie edhe pasi kishte ndërruar jetë Mersini. Edhe kur Mersini nuk ishte më ishte gjallë drejtësia dhe kundërshtia që i bënte pushtetarëve Zhulati që nuk nënshtrohej me lehtësi. Ka mjaft raste kur xhandarmëria shkonte në Zhulat, si fshat i rrebeluar, ndërkohë që nuk kanë qenë të rralla rastet kur xhandarmëria zogolljane e qëmotit “shkonte për lesh në fshatin Zhulat dhe kthehej e qethur”.
Zhulati me shumë burra që shkruan historinë
Mersin Gjoça është një ndër njerëzit e njohur të fshatit Zhulat, ose sikurse thirret në zhargonin vendali të Zhulatit të përtejmë. Zhulati është një emër i njohur në historinë shqiptare, një fshat në jug të Shqipërisë në krahinën e Kardhiqit, 12 km nga Ura e Kardhiqit. Njësia adrimistative e Cepos përfshin Zhulatin, Fushëbardhën, Kardhiqin, Prongjinë, Taroninën/Kakodhiqin, Plesatin, Qafa e Zenele, Çepunë, Mashkullorë etj. Fshatra që ishin dhe janë, të njohur dhe më pak të njohur edhe kur historia kishte pak fshatra.
Fshati Zhulat është shquar për një qëndrim të shquar patriotik shqiptar. Janë të shumta kronikat e vjetra për Zhulatin, që dikur njihej me emrin Julius, ndonjëherë Julat, Zhus, edhe ndryshe. Bizantinët e më vonë venedikasit, interesoheshinmë shumë për pronat e banorëve të Zhulatit përgjatë bregdetit Jonian, për fushat e luginës së Rrëzomës, e në gjithë pellgun e begatë të Delvinës deri në Lëkurës.
Historiani dhe udhëtari osman, Evlija Çelebi (i quajtur Dervish Mehmet Zilli 25.3.1611 në Unkapani Turkiye-1682 Cairo Egypt, por i njohur si Evliya Çelebi) ka shkruar para tre shekuj se, “…Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, ka dyqind shtëpi të vendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës. Shpatet e maleve dhe kodrave përreth tij ishin të mbuluara me vreshta. Kështjellën e Zhulatit e ka themeluar mbreti i Spanjës, kur këta banorë ishin aleatë me të. Më vonë, me dredhi e shtiu në dorë Duka i Venedikut e më pas në shekullin e Bajazitit të shenjtë, e zaptoi Qedik Ahmet Pasha… ngrihet drejt qiellit në mënyrë madhështore.. Kështjellë e pashembullt në bukuri, që mund t‘i përngjasë ajo e Kordusit ose e Benefshës në Peloponez”.. nuk ishin të paktë të krishterët shqiptarë që braktisnin fenë e tyre dhe përqafonin islamin, që të përfgshiheshin në spektrin ushtarak e administrativ.
Rasti i mbrojtësve shqiptarë të kështjellës së Zhulatit, të cilët ndërruan fenë pasi vetëm kështu mund të mbeteshin në shërbimin e lartpërmendur, është fakt domethënës..”. Por nëpër breza burra dhe gra që erdhën në jetë e lexuan dhe e mbrojtën historinë e të parëve me dinjitet dhe një ndër ta ishte padyshim Mersin Gjoça. Zhulati dhe fshatrat përreth tij janë të shquar në luftën kundër të gjithë pushtuesve. Kështu Mersini kishte dëgjuar nga tregimet e të parëve për historikun e tretur në kohra por që është një histori e ndritur dhe që meriton studime të thelluara.
Petro Zhulatit, që mendohet se është Papa Zhuli i parë, për luftën pa kompromis kundër bizantinëve edhe pse ishin në kulmin e fuqisë së tyre, i këndohet këngë, një këngë që është gati dhjetë shekullore, të sjellë me sqimë nga studjuesi i apasionuar Fitim Çaushi: “Lum, o bir, Petro Zhulati,/Kal i kuq sa gjysëm shpati,/Me Bizant të zu inati,/Ç’i bëre gjithë ata trima,/Me kuaj si vetëtima,/Jataganët vringëllimai?..”, apo kënga tjetër: “Tek rrapi në Taroninë”,/ Që është pranë Zhulatit,/ Seç e mblodhi miqësinë,/ Të lidhin ligat e fatit,/ Gjithë krahinat i ftuan,/ Delegatët të dërgojnë,/ Kishin për të biseduar,/ Nga të gjitha anët rrodhën..”.
Histriografia shqiptare ka mësuar rreth të drejtës zakonore të Labërisë, me origjinë që nga lashtësia, gojëdhëna popullore ia atribuon Kanunin Papa Zhulit, në shek.XI, i cili, flitet se ka qenë prift edhe si prijës i Kurveleshit i njohur nga normanët gjatë pushtimit të tyre të vitit 1081. Gojëdhëna tregon se në kohët bizantine pikërisht në këtë zonë Zhulat-Fushëbardhë, jetonte një prijës i shquar i quajtur Papa Zhuli, i cili “nga mosha ish plak’i thinjur, por nga mëndja e nga krahu ishte djal’i ri”.
Figura e Papa Zhulit i takon kohës së Bizantit dhe për këtë legjendë ka shkruar edhe Eqrem Vlora në revistën Shejzat të vitit 1957, që publikohej nga Ernest Koliqi. Të lexuarit e Zhulatit edhe kur nuk kishte shkollë shqipe por mejtep e rruzhdije, e transpentonin diturinë përmes gojëdhënës dhe që kurrë nuk rreshti së treguari dhe as u harrua asnjëherë
Mersin Gjoça dhe bashkëfshatarët e tij e lidhën jetën me këtë fshat të lashtë dhe të dashur, me zakonet, traditat e doket, me këngët e vallet, me gjithçka të mirë që ofronte tradita. Zhulati ka aktualisht rrënojat e një kalaje që i ka fillimet që prej shekulllt III para Krishtit. Në Zhulatin historik të përfshirë në një nga “100 fshatrat”, zhvillohen aktivitete tipike të kulturës e traditës, të këngës dhe të mjeshtërisë popullore në gdhendje.
Në muajin Gusht në Zhulat, në mënyrë të përvitshme mbahet festa e takimit të brezave në mënyrë fshatçe, e cila shoqërohet me vlerën e padiskutueshme të traditës në këngë labe, bejte, kostumet tipike labe nga më të moçmet e kontinentit. Ajo shoqërohet me gatime tipike të mishit në hell e kukurecit në banesat e traditës, ndërkohë që i rrethuar nga male dhe është mjaft i përshtatshëm për turizmin malor. Vendi i burrave të shquar si Mersin Gjoça, por dhe Gjoçajt e tjerë të mendjes, të trimërisë e jataganit të Zhulatit historik, është në vetvete histori e lashtë me njerëz të mëdhenj, me mençurinë e jetës të kultivuar, që edhe pas shumë shekujsh krenaria e brezave qëndron në madhështinë e vendlindjes, në Baltëzën e embël dhe të mirësisë së çdo biri dhe bije të Zhulatit.
Nëpër kuvende, me mençuri dhe burrëri labe, sepse “ua hiqte dera”
Duke përkujtuar figurën e mençur dhe burrërore të Mersin Gjoçës sjellim në kujtesë gjithë përpjekjet fshaçe për një jetë më të mirë, sjellim në vëmëndje një epokë, një të shkuar sa komplekse aq edhe të vështirë, përballë dhjetra halleve të kohës, ku veç halleve të mbijetesës për të siguruar jetesën, Zhulatit, Fushëbardhës, mbarë krahinës, Labërisë e më gjerë nuk ju ndanë edhe hallet e mbijetesës përmes pushtimeve të shumtë si dhe lakmive nga lindja e perëndime nga fqinjët tanë lakmiqarë.
Qëndrimet burrërore të Mersin Gjoçës kanë hyrë në histori, për ndihmën dhe mbështetjen për komunitetin zhulaqot dhe jo vetëm, për ndërhyrjen tek pushteti i kohës për të zgjidhur disa nga hallet më imediate, pasi mençurinë dhe burrërinë labe, sepse “u’a hiqte dera”. Kështu edhe për problemin e ndarjen e drejtë dhe të matur të kufijve të tokave dhe të kullotave, për shuarjen e mërive dhe sherreve të ndryshme, që çonin edhe deri në gjakderdhje, sidomos në marrëdhëniet ndërmjet fshatrave Zhulat e Golem dhe me fshatra të tjerë fqinj.
Figura e Mersin Gjoçës për burrëri dhe besueshmëri ishte e njohur edhe në raste kushtrimi e lufte për t’ju dalë zot vatanit, kufijve dhe sinoreve. Në rastet kur ishte fjala për t’u përbashkuar në kuvende Mersin Gjoça ishte burrë me peshë, që në Labëri i thonë burrë qosheje, që fjala i peshonte rëndë.
Kështu natyrshëm Mersin Gjoça mori pjesë në Kuvendin e Cepos të 21 korrikut 1911, që u mblodh pranë Manastirit me përfaqësuar nga Labëria, Çamëria, Delvina, Himara, Filati etj., ku morën pjesë më shumë se 800 luftëtarë. Në këtë kuvend u miratua një memorandum i nënshkruar nga 43 delegatë, që ju dërgua qeverisë xhonturke, ose turqëve të rinj, që në thelb këronitë autonominë territoriale dhe administrativge të Shqipërisë njësoj si Kuvendi i Greçës. Ndërgjegjia politike shqiptare kërkonte unifikim të shqiptarëve në një njësi të vetme administrative, me theks autonominë shqiptare. Mersin Gjoça jetoi në një periudhë të shumëpritur të shqiptarëve, pasi në Vlorë më 28 Nëntor 1912 u shpall pavarësia.
Megjithatë nuk ishte e thënë që Zhulati dhe trojet përreth të jetonin të lirë në trojet e tyre, pasi greku kërkonte me ngulm që të zinte vendin e pushtuesve osmanë. Kështu Mersin Gjoça u bë krah kapedanëve të tjerë të Labërisë në kuvendin antiandart të datës 10 prill 1914, që u mbajt në Shtëpëz në ballkonin e gjithë luginës së Drinos nga pritjej të vinin andartët grekë por edhe nga porta e parë e Labërisë nga qafa e Skërficës.
Në Shtëpëz kapedanët Mersin Gjoça, Çerçiz Topulli, Selam Musa Salaria, Halil Huto Sullo, Sulo Beqiri (Sulo Beqir Bedaj), Sali Murati Vranishti, Hasan Xhiku, Bajram Ligu e shumë kapedanë të tjerë nënshkruan besën për të mbrojtur me gjak trojet arbërore, por edhe ndanë edhe sektorët përkatës së ku do të mbronin çetat e të gjithë fshatrave, për të mos lejuar dëbimin e popullatës shqiptare nga trojet amëtare.
Në mbështetje të veprimeve të shqiptarëve në Kuvendin e Shtëpëzit ishin një pjesë e ekipit të xhandarmërisë hollandeze, dhe më konkretisht kapiteni hollandez De Val (De Waal), lejtnanti Juljus Sonne si dhe ekipi mjekësor i përbërë nga ushtarakët Tido Reddinguis, Van Vliet dhe civili De Groot. Kuvendi i Shtëpëzit u mbështet edhe nga një batalion i xhandarmërisë shqiptare, por jo nga dredhitë e Tomsonit, që vetëm sabotonte çështjen shqiptare dhe kjo vërtetohet edhe nga firma e paautorizuar e Tomsonit në Protokollin e dështuar të Korfuzit të 17 majit 1914, që kërkonte që Korça, Gjirokastra dhe shumë treva shqiptare t’i kalonin Greqisë. Një absurditet i madh dhe që Mersin Gjoça dhe kapedanët e tjerë i dolën për zot truallit të shqiptarëve në jug të Shqipërisë.
Mersin Gjoça, promotor i unitet luftarak ndërkrahinor
Nëse depërtojmë në analet dokumentare shikojmë që Zhulati, në mesin e shekullit të shkuar, kishte rreth 150 shtëpi, edhe pse dikur ka qenë më i madhi në Krahinën e Kardhiqit, këtej e matanë lumit, për të thënë atë që dikur pleqtë e vjerë thoshin se, “Zhulat i thonë që në Urë të Kardhiqit e deri në qafë të Breshërit, pranë Sarandës”, që janë sinoret e vjetra të Krahinës së Kardhiqit dhe rrëzomës bashkë, kur Delvina ishte Kaza e Sanxhak. Në numërimin e vitit 1923 Zhulati kishte 137 shtëpi, me rreth 450 banorë, 95% myslimanë dhe 5 orthodoksë. Kushdo që shkon në Zhulat ndjen dyert të hapura, me të gjithë të mëdhenj e të vegjël, tregojnë bujari e shpirtbardhësi, kanë zemër të madhe sikurse ka qenë dhe ka ngelur në histori biri i Zhulatit historik Mersin Gjoça. Ai vijonte të ecte në truallin e shtruar në mirësi, burrëri, pushkë e besë të të parëve të tij të oxhakut të madh “Gjoça”.
Nëse i hedhim një vështrim edhe periudhës epope të luftës së Vlorës, për zonën e krahinës së Kardhiqit ka një personalitet që i bën nder vendit, Mersin Gjoça, promotor i përgatitjes së çetës së Zhulatit, por në unitet dhe me çetat e tjera luftarake të Fushëbardhës, Kolonjës, Picarit, Golemit etj. Rreshtimi i trupave është bërë në fushën e Luzatit pranë Tepelenës, dhe kontigjientet prej rreth 4000 luftëtarë në fillim të luftës u shndruan në uragan popullor që siguruan fitoren dhe bashkimin e të gjithë zonave të pushtuara me trungun mëmë me “Shqipërinë londineze”, ke morën jesë në total më shumë se 10 mijë luftëtarë me 89 çeta gjithësej, përfshi edhe me një formacion luftarak të shqiptarëve të Amerikës si dhe dy banda muzikore, banda “Vatra” dhe banda muzikore “Afërdita” e Elbasanit.
Aktiviteti i Mersin Gjoçës do të ishte sinjifikativ në vitet e funskionimit të Regjencës së parë shqiptare të viteve 1920-1924, kur qeveristë ngriheshin dhe rrëzoheshin si “gjethe fiku”, por edhe në periudhën e Republikës dhe Mbretërisë, pasi i pari i Zhulatit, Mersin Gjoça ishte një zë i njohur krahinor dhe më gjerë. Figura e tij atdhetare spikat veçanërisht në proceset e zhvillimeve shqiptare të viteve 1920, kur bëhet edhe pjesë e shoqërisë “Bashkimi”, në takimet me ajkën e mençurisë shqiptare të kohës si me Fan Nolin, Avni Rustemin, Petro Pogën, Halim Xhelo Tërbaçin si dhe shumë patriotë e atdhetarë të tjerë.
Si për çdo libër latinët kanë lënë një shprehje të pakontestueshme nëpër shekuj se, “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”. Libri është shkruar me shumë dashuri dhe me një rrjedhshmëri të spikatur, sikur autori ka veshur lëkurën e një djali të këtij fshati, merakli dhe zakonlli, që kushdo që e lexon gjen emocione të prekshme të një jete të jetur krenarisht, të një mbijetese përmes rregjimesh ekstreme, që pushtetin e shikonin si “çairin e babës”.
Publikimi i librit është nder për Zhulatin, Gjoçajt dhe mbarë krahinën e Kardhiqit, për më tepër që ka një aparat burimor mjaft të pasur dhe mbi 330 referenca. Po t’i referohemi viteve kur erdhi Zogolli në pushtet Zhulati e Fushëbardha ishin në “thep e shqegëz” prandaj periudha e rrebelimit këndohet në këngë: “Qaj Zhulat e Fushëbardhë,/ Çe pësuat këtë radhë,/ Për gjashtë muaj koshadhë,/ Rovole e dyfeqe vanë,/ Vanë rovole e dyfeqe, / Çu shkelën vulat e pleqe”.
Këgët dhe tregimet për këtë periudhë janë të shumta, që ja ngrenë vlerat jo vetëm fshatit por mbarë krahinës, por dhe që mbushin një boshllëk real për fshatrat tona të Labërisë.
Mersin Gjoçën nuk është vetëm një amanet, pasi vepra e tij është e gjallë dhe e transmetueshme në breza. Nderimi i veprës së tij do të vijojë nga shoqëria dhe nga institucionet e shtetit. Jeta e Mersin Gjoçës në se do të përmblidhej në një postulat të shkurtër do të përcaktonim, burrë zakonlli, zgjuarësi, ndershmëri, dinjitet dhe krenari.
Fakt është se bashkëshorten e kishte nga Çarçanajt e Fushëbardhës dhe lidhja e Zhulatit të përtejmë dhe Zhulatit të këtejmë ishte e natyrshme. Besohet se, së shpejti Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës si dhe qarku i Gjirokastrës, do ta nderojë birin e vet duke e nderuar një figurë popullore, që Zhulati, Fushëbardha, Labëria nuk do ta harrojë por nga ana tjetër edhe do të kthejë vështrimin, mbi etalonin e burrërisë dhe mençurisë në breza, për Mersin Gjoçën e Zhulatit.
–