Gjergj Kola: Për librin “Mëziu i Pukës i malësorëve bujarë”
Ditën e shtunë, datë 18.05.2024,ora 12, prezantohet libri në ambientet e lokalit”Shpresa -Al” në Kamëz mes respektit e dashamirësisë së mëziasve.
Duke lexuar këtë libër të autorit Vasil Muka, të shfaqet para syve si në ekran Mëziu, një fshat i bukur në veri të Shqipërisë, me pamje piktoreske, me ara, livadhe, me pemë frutore të të gjitha llojeve, me shtëpi e kulla guri të ndërtuara nga dora mjeshtërore e mëziasve, e atyre banorëve që për qindra vjet, brez pas brezi, kanë ndërtuar jetën në këtë trevë të malësisë. Autori Vasil Muka na jep një panoramë të gjërë e të plotë të fshatit Mëzi të rrethit të Pukës. Ajo çfarë shkruhet në libër tregon që autori e ka njohur me detaje këtë fshat, ka njohur mirë jetën e banorëve të tij, ka njohur njerëzit, burra, gra e fëmijë, me psikologjinë e tyre, me traditat e zakonet, me hallet dhe vështirësitë e jetës, me gëzimet e hidhërimet e tyre, me përpjekjet e jashtzakonshme që ata bënin për të përballuar atë jetë të vështirë.
Vasil Muka u emërua arsimtar në fshatin Mëzi në vitin 1975, kur ishte 22 vjeç dhe u largua prej andej rreth moshës 30 vjeç. Pra, i ka takuar që rininë, moshën më të bukur, ta kalojë në këtë fshat, me kolegët e tij arsimtarë, me fëmijët çamarrokë të etur për dije e arsim dhe me fshatarët aq të mirë të atij katundi; zemërbardhë, mikpritës, bujar, të zgjuar, trima e patriotë. Vitet që kaloi autori në Mëzi ishin të mjaftueshme që ai të njohë mirë Mëziun dhe banorët e tij. Por kur hyn në brendësi të “monografisë së Mëziut”, e kupton që autori Vasil Muka është edhe një vlerësues i hollë dhe njohës i thellë i jetës së asaj treve, mund të themi si një psikolog social, profesionist.
Në libër analizohet me hollësi lindja dhe vijimësia e arsimit në këtë fshat, që nga viti 1946 kur u hapën kurset e para kundër analfebetizmit e derisa këtu u arrit të ndërtohej edhe shkolla e mesme me profil bujqësor. Dija, arsimi, shkolla mori një zhvillim të paparë në Mëzi ku, nga kurset që i hapi mësuesi i parë i këtij fshati, i paharruari Ded Çuni, u arrit që këtu ndër vite, të krijohej armata e madhe e intelektualëve mëzias, duke filluar nga Marash Zef Lazri si djali i parë nga ai fshat me arsim të lartë dhe duke arritur që djem e vajza, të rinj e të reja nga Mëziu, të arsimohen në shkolla të larta dhe universitete, të shëbejnë e kontribuojnë në të gjitha fushat e jetës, arsim, kulturë, ekonomi, mjekësi, drejtësi, ushtri, etj. Autori shpreh me shpirt gëzimin e tij për këtë panoramë të shkëlqyer që u arrit në fushën e dijes e të shkencës. Intelektualët, kuadrot, djem e vajza që u arsimuan, sollën në shumë fusha jo vetëm dije e kulturë, por edhe vlerat e larta njerëzore të mziasve, të atyre burrave e grave të përmendur e të njohur në të gjithë krahinën e më gjërë.
Ata e mbajtën me dinjitet dhe ngritën më lart emrin e mirë të vendlindjes së tyre, Mëziut.
Autori përshkruan në këtë libër jetën e vështirë të banorëve të Mëziut, hallet e peripecitë që ata kanë kaluar ndër breza edhe në periudhën e kolektivizimit, sidomos mbas tufëzimit. Gjithçka në jetën e banorëve, toka, bagëtitë, pemët prodhimet, u futën në një rreth vicioz ku fshatari nuk e gjente dot vetveten, nuk dinte si ta përballonte jetën, si të ushqente e rriste fëmijët. Ai humbi shpresën për jetën, rropatej ditë e natë në punë, pa e ditur se cila do të ishte e ardhmja e tij. Kjo gjendje përshkruhet në libër me hollësi, me emra të përveçëm, me familje, me situata dhe peripeci të mëdha. Autori Vasil Muka shpreh edhe keqardhjen e dhimbjen e thellë që ai ndjen kur shikonte që banori i Mëziut u varfërua në ekstrem, dilte në punë në brigadë dhe për të përballuar urinë e lodhjen, kishte me vete “një cope bukë misri dhe një kavanoz me ujë e sheqer”. Ky ishte ushqimi ditor i tij.
Mësuesi Vasil Muka dëshprohej thellë kur nxënësit e tij çamarrokë vinin në shkollë të uritur, të veshur keq, në shi e borë, nëpër rrugë të gjata e të rrezikshme prej borës dhe prej kafshëve të egra. Por mësues Vasili shpreh edhe entuziazmin e tij të madh kur sot, mbas dekadash, shikon që “ata çamarrokë të uritur e të paveshur”, erdhi një ditë që u bënë kuadro e drejtues të lartë, specialistë dhe sipërmarrës të suksesshëm, në Shqipëri e nëpër botë. Në këtë libër me kujtime e përjetime, ai vlerëson që mëziasi nuk është përkulur kurrë para vështirësive, ka punuar e luftuar me mish e me shpirt për ta përballuar me dinjitet jetën dhe si i thonë një fjale: “e ka nxjerrë bukën edhe në rrasën e gurit”.
Vend të rëndësishëm, ndoshta kryesor, zë në libër përshkrimi me realizëm i cilësive të larta të burrave e grave, djemve e vajzave të këtij fshati, traditat, zakonet, vlerat njerëzore si bujaria, mikpritja, besa e burrnia, trimëria e patriotizmi. Edhe pse në skamje e varfëri, këto vlera ishin ruajtur e trashëguar nga njëri brez në tjetrin. Ato ishin në genin e tyre.
Autori i librit përshkruan rast pas rasti dhe konkretisht, si ai dhe kolegët e tij arsimtarë, thirreshin për të bujtur në familjet e mëziasve, në raste dasmash, festash, në gëzime e sebepe të ndryshme edhe në “konakun e thiut”. Por edhe në dimrat e egër kur kish raste që mbeteshin pa ngrënë në dhomën e tyre ku banonin, për shkak të borës së madhe e kushteve të këqia atmosferike, gjenin mikpritjen e ngrohtë në familjet malësore të Mëziut. Dhe kudo shkonim – thotë autori – gjenim “sofrën shtruar me ibrikun e rakisë e gjithë të mirat”.
Çdo familje kur i thërrisje në derë “A do miq o filani”? të përgjigjej: “Bujrum e mirë se të pruni Zoti. Shpia asht e Zotit dhe e mikut”.
Kjo ishte sentenca e malësorit, e rrënjosur thellë në shpirtin dhe ndërgjegjen e çdo mëziasi. Këto vlera e tradita përshkruhen në libër konkretisht, rast pas rasti, edhe në pjesën ku autori flet për çdo familje të Mëziut me radhë, për të zotët e shtëpive, burrat, pse jo, edhe për gratë, ndaj të cilave z. Vasil shpreh respekt e nderim të veçantë, veneracion të lartë, që pasqyrohet në shprehjen e bukur që përsëritet herë pas here “… u puth duart e arta e të ngrohta lokeve të Mëziut që na ushqyen e na mbajtën gjallë në ditë të vështira”.
Shumë i lidhur mësuesi gjirokastrit i Mëziut, Vasil Muka, me fshatin ku jetoi e punoi për vite me radhë. Gjithçka pozitive në atë fshat e gëzonte Vasilin. Nga ana tjetër, ngjarjet e rënda që nuk qenë të pakta, e trondisnin thellë. Me shumë dhimbje i përshkruan në libër ngjarjet tronditëse që ndodhën në atë fshat, sidomos rastin kur dy fëmijë, nxënës të klasës së tetë, në ditët e provimeve, u mbytën aksidentalisht në Drin. Sapo u përhap lajmi i kobshëm, i gjithë fshati vërshoi në breg dhe u futën në ujë duke i kërkuar. Por ata i kishte marrë rrjedha dhe u gjetën mbas një dhe dy javësh shumë larg nga Mëziu. Situatë tepër e rëndë për ato dy familje, për fshatin, por edhe për mësuesit dhe vetë Vasilin. Tronditja e rëndë dhe trauma psikologjike e kanë ndjekur mësues Vasilin për vite me radhë edhe pasi ishte transferuar në Gjirokastër. “Edhe sot kur e kujtoj, tronditem në shpirt si atëherë” – thotë autori i librit, Vasil Muka.
Së fundi, lexuesi do ta shohë e kuptojë se sa i lidhur ka qenë autori i këtij libri me fshatin Mëzi, me ata banorë të mirë me shpirt qelibar, me dashurinë dhe respektin e tyre. Të gjithë kuadrot jabanxhinj që kanë shërbyer në zonat tona, në Mëzi, Iballe, Dardhë, Arst-Miliska, Berishë, Mertur e kudo, janë respektuar nga vendasit për punën që kanë bërë, kontributin që kanë dhënë, për kulturën dhe sjelljen e tyre. Por një lidhje të tillë kaq të thellë shpirtërore siç është ajo e mësues Vasilit me fshatin Mëzi dhe me banorët e tij, është vështirë ta gjesh. Ato lidhje vazhdojnë edhe sot, mbas 40 e ca vitesh. Përmes takimeve “për një bisedë të thjeshtë ose për një kafe”, përmes telefonit apo rrjeteve sociale, Vasilin e gjen duke komunikuar me ish nxënësit e tij, me mëzias të niveleve e moshave të ndryshme, të njohur ose më pak të njohur nga ajo krahinë. Shumë nga banorët e Mëziut shprehin në rrjetet sociale respektin dhe mirënjohjen për punën e madhe e të palodhur që mësuesi Vasil Muka ka bërë në ato vite për edukimin dhe arsimimin e djemve e vajzave të Mëziut, për sjelljen dhe kulturën që manifestoi, për lidhjet me banorët e atij fshati dhe mirënjohjen që ka treguar ndaj respektit që ka gjetur në atë fshat ku e trajtuan si të ishte djali i tyre.
“Zoti dhe fati e solli që ti mësues Vasili, të shërbesh në fshatin tonë dhe të japësh kontribut me aq vlerë për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë. Askush si ti, nuk ka treguar atë respekt e mirënjohje të thellë ndaj bujarisë dhe mikpritjes që ke gjetur në Mëzi”- thonë në f.b. shumë mzias dhe shumë ish nxënës të tij, me të cilët komunikon pandërprerë autori i këtij libri.
Libër shumë interesant, me vlera njohëse e didaktike, me ngjarje prekëse e të dhimbshme, me aspekte sociale dhe ekonomike, por edhe me raste të bukura dëfrimi e humoristike fshati. I uroj autorit Vasil Muka, jetë të gjatë e shëndet, aftësi e vullnet për shkrime e libra të tjerë në të ardhmen!
Tiranë, prill 2024.
Please follow and like us: