Albspirit

Media/News/Publishing

Indiferenca vret, ndërkohë që historia ndërton mure të reja të dhimbjes dhe shkatërrimit

Ambra Hysa
Edhe pse jetojmë në një botë ku ngjarjet dhe konfliktet e luftrave janë të përditshme, nuk mund të mbyllim më sytë për tragjedinë që po ndodh në Gaza. Është si një shpërthim i dhimbshëm që shkakton plagë të pashërueshme, plagë që vijojnë të thellohen edhe kur ne flemë gjumë, kur gëzojmë, kur festojmë dhe jemi ngrohtë në familjet tona. Pikërisht në ato momente, në Gaza nuk i kursejnë as fëmijët, ata humbin jetën duke provuar dhimbjen që ne nuk duam ta imagjinojmë as me sytë e mendjes. Por sytë e pafajshëm të fëmijëve kur lotojnë janë padrejtësia e botës, nëse ne i mbyllim sytë edhe përpara atyre pamjeve, kemi humbur ndjeshmërinë, empatinë, kemi heshtur përballë padrejtësive, kemi humbur misionin tonë si njerëz.
Nuk ka rëndësi sa të angazhuar jemi, sa emocionalë apo racionalë, nuk duhet të jemi muslimanë për të njohur dimensionin e kësaj dhimbje, duhet të jemi thjesht njerëz! Idealistë dhe emocionalë? Shumë më mirë se indiferentë ndaj vuajtjes së shpirtit njerëzor, ndaj historive të familjeve të shkatërruara nga kjo lufte, ku ëndrrat dhe shpresat janë zhytur në lot dhe tmerr.
Imagjinoni një nënë që rri ngjitur me foshnjën e saj, duke i kënduar në heshtje këngën e fundit, kur një raketë pa mëshirë, thyen qetësinë e tyre. Ajo vështron rrënimin e shtëpisë, vajin e fëmijës së vogël. Dhe nuk mundet ta mbrojë, nuk mund të bëjë asgjë. Çdo copë plas nga shtëpia ndërsa ndjen dhimbjen e pafund të plasjes së shpirtit për së gjalli, humbjes së dashurisë më të madhe, fëmijës.
Nëpër rrugët e Gaza-s, familje të tëra janë shkatërruar nga bombardimet.
Fëmijët janë bërë të huaj në atë që ishte njëherë shtëpia e tyre.
Në qytetin e rrafshuar, zërat e fëmijëve të zënë nën rrënoja, gjenden nën hijet e dhimbjes.
Me sytë e zmadhuar nga e qara, historitë e humbjeve përshkruhen si dëshmitarë të një tragjedie që nuk njeh as kufij as përjashtime.
 Është një alarm që duhet dëgjuar në të gjithë botën, me çdo fjalë, me çdo veprim sado i vogël qoftë, është më i mirë se heshtja.
Duhet të dëshmojmë solidaritetin tonë me ata që vuajnë të padurueshmen. Duhet të drejtojmë sytë tanë nga Gaza, të jemi të ndjeshëm ndaj tragjedisë së tyre duke bërë thirrje për një botë ku vetëm paqja dhe bashkëjetesa janë themeli i përparimit tonë.
Nëse nis prej secilit prej nesh nuk është pak.
 Indiferenca vret ndërkohë që historia po ndërton mure të reja të dhimbjes dhe shkatërrimit.
E parë në sytë e një nëne, e cila, përballë zjarrit të luftës gjen vajzën e saj duke qarë nën rrënojat e shtëpisë, një babai që nuk ka ushqim për ti dhënë fëmijëve, një njeriu që ka humbur çdo gjë dhe jeton një realitet, po e theksoj, REALITET më të tmerrshëm se MANKTHET tona më sfilitëse.
Është një pamje që zemëron zemrën tonë dhe na bën të pyesim: Për çfarë po përpiqemi? Ku po shkon kjo botë?
Ndërkohë që në rrugët e Gaza-s, një djalë i vogël mbledh copat e dorës së tij, ndërsa sytë i ndjekin hijet e së kaluarës ku jetonte i lumtur me mamin dhe babin që nuk janë më, me motrën dhe vëllain që kanë humbur…
Ai është vetëm një nga shembujt e vuajtjes së pafundme, të cilët përballen me gjendjen e pamundur, duke mbajtur gjallë shpresën për një të nesërme më të mirë.
Historia e tragjedisë në Gaza na detyron të ndryshojmë mendësitë tona, ankesat e përditshme dhe të shohim përtej egos.
Nëse një pjesë e vogël e empatisë tonë mund të adresohet dhe të prekë në mënyrë pozitive jetën e qoftë edhe një personi në Gaza, atëherë çdo përpjekje themi se ia ka vlejtur!
Please follow and like us: