Albspirit

Media/News/Publishing

Milazim Krasniqi: Veçoritë e rimës në poezinë e Ndre Mjedës

Milazim Krasniqi

 

  1. Përkufizimi teorik dhe historiko-letrar i rimës

 

 

Rima si dukuri poetike apo procedurë e zbatuar nga poetët gjatë krijimit poetik, u shfaq në gji të poezisë mesjetare. Roli i saj në kuadër të shprehjes poetike u shtua pastaj në poezinë e Renesansës dhe në atë klasiciste. Ai u ruajt edhe në poezinë romantike edhe pse ky formacion stilistik është i njohur për prirje të theksuar drejt mohimit dhe tejkalimit të modeleve të ngurosura të të gjitha niveleve, pra prej atyre ideore, tematike, motivore e deri te ato stilistike dhe metrike. Mund të thuhet veçse se pikërisht mbi praktikën krijuese romantike u krijuan premisat për tejkalimin e rimës gjë që u përurua në poezinë e Uitmanit, në Amerikë dhe në prozat poetike të Bodlerit, në Europë.

Për këtë dukuri poetike, e cila në formacionet e përmendura stilistike, poezinë e përshkoi me intensitete të ndryshme, sikundër do të ndodhë edhe me formacionet e mëvonshme, në shkencën për letërsinë u zhvilluan diskutime të shumta teorike e historiko-letrare. Do të duhej hapësirë e gjerë për t’i paraqitur dhe për t’i komentuar mendimet e shumta që janë shfaqur mbi këtë çështje, por ky s’është qëllim yni në këtë studim, që pretendon të jetë monografik për strukturën e vargut të një poeti të caktuar.

Do t’i përvijojmë, prandaj, kryesisht mendimet që na shërbejnë si pikënisje metodologjike për këtë analizë. Kështu, J. Lotmani, duke u bërë një vështrim qëndrimeve teorike të B. Tomashevskit dhe V. Zhirmunskit, përkatësisht duke i diskutuar formulimet teorike të tyre për rimën, jep këtë definicion: “Rima është pëlqim tingullor dhe mospëlqim kuptimor i fjalëve ose pjesëve të tyre në pozicion që, duke pasur parasysh njësinë ritmike, është shenjuar”. Ky teoricien, për ndryshim nga formalistët rusë, e pohon rolin semantik të rimës duke sjellë si argument të dhënën se kombinimi i fjalëve të rimuara varet nga kuptimi i vet vargjeve që rimohen. Si një dimension tjetër të rolit semantik të rimës ai e sheh kthimin në vargun e mëparshëm si rezultat i ndërlidhjes së fjalëve të rimuara.

Në shkencën tonë të letërsisë, është me vlerë mendimi i Dh. Shuteriqit, i cili para katër deceniesh, shkruante: “Rimat nuk vlejnë vetëm për të pasuruar muzikalitetin e vjershës, por edhe për ta fuqizuar kuptimin. Kur duam ta theksojmë një kuptim më shumë se një tjetër, kur duam një fjalë ta vëmë në dukje përmbi gjithë fjalët e tjera të një vargu, e hedhim në rimë.”

Ky metricien dhe historian i letërsisë, sikundër shihet dhe nga ky citat, rimën nuk e sheh si ornament tingullor të vargut po përkundrazi, si përbërës të kuptimit të tij, madje edhe më shumë, si pikë ku vjen e përqendrohet më tepër kuptimi poetik i vargut.

Vështrimi, analiza dhe interpretimi i kësaj dukurie apo i këtij përbërësi të strukturës së poezisë, në vijë të formulimit të këtillë, shtrohet pothuajse domosdoshmërisht në rastin e poezisë së Ndre Mjedjes. Themi kështu kur kemi parasysh faktin se ky autor në gjithë krijimtarinë poetike të tij shfaqi prirjen e kujdesin e madh drejt krijimit të një konstanteje të gjuhës poetike duke mos lënë mënjanë as figuracionin as strukturën ritmiko-metrike të vargut, aq më pak rimën si element të rëndësishëm të kësaj strukture.

  1. Kombinimet e rimave

Mund të thuhet, pra, se edhe kombinimet e rimave në kuadër të strofës, strofave apo edhe gjithë vjershës dhe njësisë poetike të poemës, në rastin e poezisë së Ndre Mjedjes, janë procedura të zbatuara me synime të caktuara eufonike, ritmike, semantike e estetike. Larmia e tyre është në pajtim me parimin krijues të poetit e i cili konsiston në përsosmëri sa më të madhe. Kështu, në poemën e parë të tij, Vaji i bylbylit, hasen këto kombinime rimash: në njësinë e parë të poemës, vargu i parë dhe vargu i tretë nuk rimojnë, kurse vargu i dytë dhe i katërt, japin rimë të alternuar. Sikundër dihet, kjo njësi e poemës është e shkruar në pesërrokësh, pra në një lloj vargu ku gjen shprehje një ritëm më i shpejtë, prandaj dhe një transponim më emotiv i preokupimeve dhe shqetësimeve krijuese. Duket që ky ritëm i shpejtuar ka bërë që të eliminohet rima eventuale midis vargut të parë më të tretin, e cila do të mund ta ngadalësonte atë në një masë të dukshme.

Në njësinë e dytë të poemës, ku prapë strofat janë katërshe, vargu i parë mbetet i pa rimuar, i dyti e i treti japin rimë të puthur, kurse vargu i katërt rimon me vargun përkatës të strofës që pason. Duket që vargu shtatërrokësh i kësaj njësie vjen më i shtruar nga pesërrokëshi, prandaj edhe një rregullsi më e madhe sa i përket rimës është e pranishme. Lidhja e strofave përmes rimave të vargjeve të fundit të tyre, e bën më tërësore gjithë strukturën e njësisë së poemës, e kjo është në pajtim me intonimin pothuaj elegjiak të ligjërimit. Pas shenjëzimit të gjendjes së bylbylit të vështruar në relacion opozicional me ndërimet në natyrë e ku dominon përshkrimi i të dytës, në njësinë e dytë bëhet shenjëzimi i gjendjes së bylbylit, kurse natyra tashti del vetëm në funksion thjesht  ilustrativ. Nga përshkrimi i peizazhit natyror pra, kalohet në përshkrimin e peizazhit shpirtëror e me këtë rritet shkalla e intonimit elegjiak ligjërimor, e cila realizohet edhe me lidhjen e strofave përmes rimës, d.m.th. përjetimit më intensiv fal kthimit në tekstin paraprak.

Në njësinë e tretë, të shkruar në tetërrokësh, shfaqet rima e alternuar. Këtu haset një pozicion më aktiv i subjektit poetik në tekst aq sa mund të thuhet se bëhet identifikimi i tij me heroin lirik të poemës. Rritja e muzikalitetit të vargut si rezultat i rimës, që tashmë përthekon të gjitha vargjet, është në pajtim me disponimin e tillë të subjektit poetik, i cili tashti më qartë shqipton fatin dhe perspektivën e vet morale e ekzistenciale.

Njësia e katërt e poemës Vaji i bylbylit, sa i përket rimës, paraqet, prapë, një mundësi të re. Kështu shfaqet rima e puthur, edhe pse vargu i katërt i secilës strofë është refren në pesërrokësh, për ndryshim nga vargjet e tjera që janë në dhjetërrokësh. Poetit i është dashur durim e mjeshtri e madhe krijuese për të gjetur fjalë përkatësisht të ndryshme semantike e përkatësie të njëjtë gramatikore, që t’i rimojë me vargun-refren, që është edhe lajtmotiv i gjithë njësisë dhe i poemës në tërësi. Rima e vargjeve tre e katër, këtu, e ngritur mbi fonemën u, duke u përsëritur përgjatë gjithë njësisë së poemës, vjen e shndërrohet në një jehonë kumbuese të qëndrimit e të disponimit poetik, prandaj dhe në një qendër semantike e estetike të njësisë së poemës.

Poema tjetër lirike e Ndre Mjedjes, I tretuni, në aspektin e kombinimeve të rimave është më pak e pasur. Në njësinë e parë të saj, që është në varg tetërrokësh e strofa katërshe, rima është e alternuar, pra: abab, cdcd, etj., që d.m.th. se në këtë aspekt përafrohet me njësinë e tretë të poemës Vaji i bylbylit.

Në katër njësitë e tjera, që janë në strofa gjashtëshe po gjatësish të ndryshme rrokjesore, rimat kanë këto kombinime: në të dytën dhe në të katërtën; ababcc, në të tretën; ababcd – ku vargu i parafundit e i fundit, rimojnë me vargjet përkatëse të strofës që pason, kurse në të pestën, ababccb, etj., po sipas kësaj skeme. Përderisa në njësinë e parë të poemës I tretuni, rima është në pajtim të natyrshëm me vargun tetërrokësh, i cili ka një shkallë më të lartë afrie me vargun popullor shqiptar, prandaj dhe është më efektive, në njësinë e dytë që është në gjashtërrokësh, ajo disi është më e rëndë, më pak kumbuese. Këtu, në pozicion rimash, dalin fjalë si: t’shterngueshme/ t’shemtueshme, shpelles/ t’kthelles, s’ndihni/ shkrihni, i pelqyeshem/ rrmyeshem, etj. që kanë më shumë inercion gjatë shqiptimit, sepse duke qenë të natyrës mbiemërore e parafundore, nuk mund ta arrijnë efektivitetin kumbues e as semantik të rimave – folje e fundore.

Sikundër që leksiku i kësaj njësie të poemës sugjeron një shkallë të çekuilibruar të raportit midis gjendjes së heroit lirik dhe të dëshirës së tij, pra duke e sublimuar atë çekuilibrim në vetë shprehjen poetike, edhe rimat parafundore, me mundësi të zvogëluar kumbimi, e sugjerojnë po atë mungesë harmonie, po atë çekuilibrim tingullor e ritmik duke u bërë ashtu përbërës aktiv i mendimit poetik dhe i strukturës në të cilën ai është formësuar.

Njësia e tretë dhe e katërt e poemës, të shkruara në tetërrokësh, përafrohen me njësinë e parë edhe në aspektin e natyrshmërisë së rimave sikundër që janë edhe në planin semantik më të afërta. E katërta, ku del tetërrokëshi i kombinuar me katërrokësh, ligjërimisht është një monolog i mpleksur me ëndrrën, apo më mirë të themi, një vetërrëfim i ëndrrës. Heroi lirik, në pamundësi që të realizojë dëshirën për kthim në gjirin e familjes, në Vendlindje, e realizon kthimin imagjinar dhe dialogun po ashtu imagjinar me të vetët. Rima e puthur midis tetë e katërrokëshit, në pajtim me shpejtësinë ligjërimore, sikur kumbon si rimë e brendshme edhe pse s’është e tillë, dhe ashtu vargut i jep ritëm e kuptim të veçantë:

Ndejun m’duket prep te votra,

Ku me motra

N’dritë t’kandilit qepte e arnote,

Por njat gaz nuk ka qi i shndritte,

Kur gaditte

Petkat djalit e shendote.

Edhe në këtë strofë vërehet qartë forcimi i linjës narrative, e cila zotëron në gjithë këtë njësi. Është pra një nevojë për t’u rrëfyer para vetes, për të konfirmuar arsyeshmërinë e sprovave morale e kombëtare të individit, për të kërkuar shtigje e forma të reja të realizimit. Ky vizion për fatin e njeriut që thuret nëpër vuajtje e dhembje, por që vetëm i atillë është njerëzor dhe i takon të ardhmes, është strukturuar në një ligjëratë poetike që aktivizon mundësitë e përjetimit estetik edhe nga ritmi plot batica e zbatica edhe nga rimat, herë të puthura, herë të alternuara, midis vargjeve me gjatësi të ndryshme rrokjesore. Me një fjalë, realizimi artistik i njësisë së poemës, është i tillë që mund të bartë e të përçojë idetë poetike që burojnë nga ai vizion për jetën. Ky pohim vlen për pjesën dërrmuese të krijimeve poetike të Ndre Mjedjes.

Në poemën Andra e jetës, Ndre Mjedja e vazhdon dhe e pasuron edhe më shumë pasurinë e kombinimeve të rimave dhe e konfirmon funksionin eufonik, metrik e semantik të tyre në vargun poetik të tij. Kështu, në pjesën Trina, përkatësisht në njësinë e parë të saj, përdor rima të alternuara, pra: abab, cdcd, etj., kurse në njësinë e dytë të kësaj pjese, vargun e parë e lë të bardhë, të dytin e rimon me të tretin, ndërsa të katërtin, me vargun e katërt të strofës pasuese. Në njësinë e tretë, përdor këtë skemë: vargu i parë bardh, pastaj aab, në strofën e parë, bardh e ccb, në strofën e dytë, e kështu me radhë. Ndërrimet e kombinimeve të rimave, sikundër edhe ndërrimi i tetërrokëshit të njësisë së parë me shtatërrokëshin në dy të tjerat, si edhe shpërndarja e ndryshme e theksave ritmikë, janë në pajtim me ndërrimet e lëndës së transponuar dhe përfundimin tragjik të fatit të heroinës së poemës.

Në të katër njësitë e pjesës Zoga, paraqiten këto skema të rimave: në të parën dhe në të tretën, që janë në tetërrokësh dhe srofa katërshe, abab, cdcd, etj.; në të dytën që është në dhjetë e pesërrokësh; të strofës safike, aabb, pra rima të puthura, ndërsa në të katërtën, që është një kombinim i pesë e shtatërrokëshit, në strofë gjashtëshe; aabccb.

Në njësinë e parë të pjesës Lokja, Ndre Mjedja përdor skemën e njësisë së dytë të pjesës Trina, pra, vargu i parë i bardhë, i dyti e i treti rimojnë, kurse i katërti rimon me vargun përkatës të strofës që pason. Kjo skemë, nuk mund të jetë pa domethënie semantike, veçanërisht kur është fjala për poetin Ndre Mjedja, te i cili sikur nuk pati vend rastësia. Në njësinë e dytë, në Trina, paralajmërohet përfundimi tragjik i heroinës së poemës, e cila është e sëmurë dhe nuk ha kurrgjë. Po ai fat paralajmërohet për Loken në njësinë e parë që, sikundër thamë, ka dhe po atë skemë rimash. Qoftë dhe nga ky plan i strukturës së vargut, fatet e këtyre heroinave të poemës bashkohen në një përfundim të njëjtë e kjo është në rrjedhë të planit semantik të gjithë poemës.

Njësia e dytë, po ashtu në tetërrokësh dhe në strofa katërshe, si finale e gjithë poemës, në punë të skemës së rimave, sikur i rikthehet fillimit të vet, për t’i dhënë nga ky aspekt, strukturë unazore.

Meqë poemat që u analizuan deri këtu nga aspekti i kombinimeve të rimave, janë të krijuara në polimetër, po shfrytëzojmë rastin të bëjmë një digresion të vogël për të shqyrtuar premisën estetike të poetit që të krijojë mbi këtë mundësi strukturore poetike.

Çka e shtyri, vërtet, poetin që të përdorë polimetrin në këto krijime poetike, pa dyshim nga më të mirat të tij? Me përdorimin e polimetrit në poema të veçanta, siç janë Vaji i bylbylit, I tretuni dhe Andra e jetës, Ndre Mjedja sikur arsyetoi dukjen fragmentare të këtyre krijimeve. Është e vërtetë se pas leximit të secilës nga këto poema, lexuesi merr informacion të mirë për botën dhe realitetin poetik që është transponuar aty, për idetë poetike dhe fatet e përmbaruara apo vetëm të sugjeruara të heronjve të këtyre poemave. Ai informacion nuk është rezultat i një rrëfimi poetik të shtruar që ndjek një linjë fabulare si më të ngjeshur. Përkundrazi. Sikundër thamë, poemat kanë dukje fragmentare. Mirëpo, këtë fragmentaritet e mbulon fortmirë lidhja asociative midis njësive dhe midis pjesëve të poemës. Nëse në njësinë e tretë të Trinës, fjala vjen, përmes dialogut të thurur në mënyrë mjaft simbolike midis Lokes e Zoges, paraqitet vdekja e Trinës, pamjet poetike në njësinë pasuese të pjesës Zoga janë krejtësisht të tjera përnga përshkrimi dhe disponimi i subjektit poetik. Fati i Trinës përvijohet edhe njëherë, në mënyrë krejtësisht asociative, në vargun e fundit të strofës së tretë. Ky përvijim që bëhet në planin përshkrues dhe nga subjekti poetik, hedh dritë edhe në botën emocionale të Zogës, në atë botë të qetë në dukje po që është e ngarkuar nga dhembjet shpirtërore e vuajtjet fizike, në njërën anë, por e cila edhe zë të shpaloset para shqetësimesh të reja të tundimit rinor. Ky procedim është karakteristik për të tri poemat në fjalë dhe mund të thuhet se është funksional. Në anën tjetër, përmes polimetrit që përdori, poeti arriti që strukturën ritmiko-metrike të vargut ta bëjë e ta afirmojë si bartës të përmbajtjes poetike. Ai, pra, nuk deshi që ndjenjat dhe mendimet e heronjve të poemave të veta dhe as ndjenjat dhe mendimet e tij, t’i kufizojë benda një skeme të caktuar, e cila, sado idale që do të mund të ishte, nuk do ta shprehte aq funksionalisht shkallëzimin e tyre. Ritmi i ndryshuar bashkë me perspektivën e ndryshuar të fateve të heronjve të poemave, kështu, bëhet faktor i ndryshueshmërisë së vazhdueshme, e cila shpie drejt një finaleje të përmbyllur. Asociacionet dhe ritmi i këtillë dinamik, poemave u japin një koherencë të brendshme dhe strukturë unike.

Këtij uniteti strukturor, pa dyshim, i jep krah edhe përdorimi aq mjeshtëror i rimave dhe kombinimi i tyre i larmishëm pozicional.

Nga ky kënd vështrimi, veçse, do të duket paksa paradoksal orientimi i mëvonshëm i Ndre Mjedjes drejt formës fikse, siç është tingëllima ku as do të arrihet ndërlidhja asociative midis nëntemave e motiveve si më parë dhe as do të jetë ritmi bartës i përmbajtjes poetike. Ky paradoks shtohet aq më shumë kur dihet se formën fikse të tingëllimës e përdori në poema, pra në një lloj të përzier lirko-epik. Mirëpo, duhet të themi se evoluimi i këtillë kërkimtar, preku edhe fondin tematiko-motivor dhe shprehjen poetike në përgjithësi, prandaj është një kaptinë më vete diskutimi i së cilës do të na largonte edhe më shumë nga aspektet që duam t’i shqyrtojmë këtë herë.

Në baladat I mbetuni dhe Shtegtari dhe në poezitë Malli për atdhe, Gjuha shqype, Vera, Mustafa Pasha në Babune, Miku tem Pal Moretit, etj., Ndre Mjedja përdori skemën e rimës së alternuar, pra si edhe në disa njësi të poemave polimetrike. Kjo do të thotë se kjo skemë është zotëruese në poezinë e tij.

Epërsia e kësaj skeme nuk na duket se ka ndonjë motiv psikologjik të subjektit poetik. Përkundrazi. Kjo skemë sikur është më funksionale për shtrirjen e ligjërimit poetik në një hapësirë më të madhe sintaksore, prandaj edhe për shtrirjen e mendimeve dhe ideve poetike ashtu që të realizohet ndërlidhja më e tërthortë e njësive ritmike. Pasi dihet se kjo skemë është më e rrallë në poezinë gojore nga skema e rimës  së puthur dhe asaj monokolone, mendojmë se kjo dëfton një fakt: Ndre Mjedja nuk e ndërtoi modelin  e vet poetik mbi modelin e poezisë gojore.

Çështje më vete, përsa u takon kombinimeve të rimave, paraqesin poemat Lirija, Lissus, Scodra dhe tingëllima Andërr. Edhe në këto krijime poeti përdori skemat që i konsideroi funksionale për të shprehur sa më mirë botën e transponuar në to dhe idetë poetike. Kështu, në katrena ai përdori dy skema: skemën abba, abba, pra me rimë të kryqëzuar dhe skemën abab, abab, pra me rimë të alternuar; skema e parë është përdorur gjashtëmbëdhjetë herë, ndërsa e dyta katërmbëdhejtë herë. Po sjellim nga një shembull për secilën:

1) abba, abba:

Deh! ç’u perhap rreth maleve kushtrimi,

Qi nder lugje ma të mbshehuna persritte.

Hova hova tu’e shtue jehona, e thritte

Kombin e Ilirvet ne fushatë nderimi.

 

Grishte prei majesh ku fillon agimi,

Ku vala e Drini neper lugje rrshitte,

Ku në borë t’amshueshme bukuri pershndritte,

Tui u zhdukun nen det qetas, prendimi. 35

 

2) abab, abab:

Këtu, Amazone ilire e bind natyret,

Fis i Hyjvet të Dodonës, Teuta mbretnote,

Kur Pinës ferishte, per hiti detyret,

Jeten mbretnore e rregjinin e shtote.

E të nji mendes kreshnike të gjitha zyret

Adrijatikut me kujdes ja trote,

E pa leje t”Ilirse o ‘j shej pagtyret,

Dëtin shqyptar i hueji s e kalote.

 

Mendojmë se numri gati i barabartë i rasteve ku përdori njërën dhe tjetrën skemë, nuk është ndonjë rastësi. Ndre Mjedja u kushtoi kujdesin e vet të gjithë përbërësve të shprehjes poetike dhe të formës si artikulim sintetizues të tyre. Nëse në poemën Lirija, fjala vjen, skemën e rimës së kryqëzuar e përdori në katër njësi tingëllimore, kurse skemën e rimës së alternuar vetëm në dy, në poemën Lissus, të dyja i përdori me nga gjashtë njësi tingëllimore, kurse në poemën Scodra, skemën abba, abba e përdori në pesë njësi e skemën abab, abab, në gjashtë të tjera. Ky barazim i kërkuar dhe i sendërtuar, dëfton se Ndre Mjedja, nga fundi i krijimtarisë, e theksoi, më shumë, artizmin si synim dhe gjest krijues.

Në tercetat, poeti përdori katër skema, që d.m.th. se shfrytëzoi mundësinë për të përdorur skemat më të përhapura të tingëllimës. Skemat e përdorura, janë këto:

1) cde, cde:

Kersitt kemi mbrenda kup’s s’prrarueme:

E shkul tu’u çuemun, neper qiell t’faltores

Tymi i erkandshem fjolla fjolla hypë.

 

Gjimoi moti ne e rrmaktç, e zane t’mblueme

Shungulluene prei s’neltit t’nji dritores:

“Aferdita per fli Rozafen lypë”.

 

 

2) cdc, dcd:

Lirim, lirim bertet gjithëkah Malcija,

a ka lirim ky dhe qi na shklet kamba,

A veç të mjerin e mblonanë robnija?

 

Flutro, shqype, flutro, kah çilet lama,

Siellju malevet per rreth qi ka Shqipnija,

E veshtrojë ku i del lirimit ama. 38

 

3) cde, edc:

E ndjeu toka njatë shend e u gëzue si fëmija

Qi i qeshet lokes kur ja reshë krahnorit;

E shpirt e zemer neper buz’i shpraze.

 

Me nji te ngjyeme ma të bukur, pa tallaze

Shndriti deti njatë herë: prei katundorit

nder fush’ e male mungullon: Lirija. 39

 

4) cdc, ede:

E kur, nderkrye per ushtrija e mndore

E mbretnina të grabituna me dhune,

Ju turr roma me e trembë me fjalë madhshtore,

 

Rebtas gjegji: “Jo, mos prit shka lype!”

E at-herna së parit kaperthyeshem xune

luftime e gjaqe Shqypetarët me shqype.

 

Sikundër shihet, 41 kombinimet e skemave të ndryshme në tercetat, dëftojnë manirin e poetit për të eksperimentuar, për ta sprovuar shprehjen poetike përmes përthyerjesh në të  gjitha nivelet. Periudhat e gjata që, në disa raste shtrihen gati në gjithë një njësi tingëllimore, sikur ua zvogëlojnë rimave mundësinë e kumbimit dhe të bartjes së një ngarkese më të madhe semantike. Në këto raste vërehet prirja drejt prozaizimit të shprehjes poetike, që mund të quhet cilësi e re e poezisë së Ndre Mjedjes.

  1. Llojet e rimave

Raporti midis rimave femrërore dhe rimave mashkullore, numerikisht duket kështu. a; 252+72, e; 300+132, i; 512+146, o; 346+140, y; 62+10 dhe u; 242+16. Sikundër shihet, rima femërore, është për disa herë më e shpeshtë nga ajo mashkullore.

Po t’i vështrojmë shtrirjet e këtyre dy llojeve nëpër krijime të veçanta poetike të Ndre Mjedjes, do të vërejmë lëkundje të ndjeshme në raportet midis tyre. Kështu, në krijimet e hershme, këto dy lloje rimash dalin të kombinuara më me rregullsi brenda strofave të vjershave dhe të poemave. Ka raste, por, si në njësinë e parë të peomës Vaji i bylbylit, ku rima mashkullore shfaqet si rimë e vetme, fillim e mbarim. Duket se edhe kjo dukuri është në funksion të ritmit të shpejtuar të pesërrokëshit të kësaj njësie. Duke u gjendur në pozicion rimash fjalë fundore një apo dyrrokëshe, ato sikur ia zvogëlojnë kumbimin ligjërimit poetik, sikur e bëjnë më të prerë e më të vendosur. Kjo njësi, veçse, është një përjashtim në fillimet krijuese të poetit, ku kombinimet e këtyre dy llojeve të rimave janë gati të rregullta. Sa për ilustrim, po vjelim një shembull nga balada I mbetuni, një krijim i hershëm i Ndre Mjedjes

Bab’oh! babë! sa herë ndo’j trimit

Do me i thanë tui dredhun lot;

Por per tene a fjalë trishtimit,

A nji fjalë qi permendë kot.

Ne na duket se në kombinimin e tillë të rregullt të rimës femërore me rimën mashkullore, poeti kërkon një baraspeshë ligjërimore midis gjuhës emocionale dhe gjuhës meditative poetike.

Në rastin e shqyrtimit ë kombinimeve të rimave, vërejtëm se ekzistonin skema të njëjta te pjesa Trina dhe të pjesa Lokja. Afri të mëdha midis këtyre dy pjesësh të poemës Andra e jetës, hetohen edhe në numrin e përdorur të llojeve të rimave që d.m.th. edhe kjo përkatësi llojore e rimave, ndihmon përafrimin e tyre.

Zotërimi i rimës femërore që do të bëhet i plotë në poemat tingëllimore Lirija, Lissus dhe Scodra, fillon me poezitë: Shqypes arbnore, Per nji shkollë shqype mbyllun prej qeveris otomane, Mikut p. Moretit, Në dekë të shoqit tem Gj.S., Një mikut qi kthehet në Shqypni, e në ndonjë tjetër.

Poemat e përmendura më sipër, paraqesin shembuj mbase të rrallë, të përdorimit vetëm të rimës femërore. Ne poemën Lirija, fjala vjen, midis gjashtëdhjetë e katër vargjesh, janë vetëm dy që krijojnë rimë mashkullore. Në dy të tjerat; Lisus dhe Scodra, që kanë njëqind e gjashtëdhjetë e tetë, përkatësisht njëqind e pesëdhjetë e katër vargje, nuk gjendet asnjë rimë mashkullore. Ç’mund të thuhet për motivet krijuese që do ta kenë shtyrë Ndre Mjedjen që ta eliminojë plotësisht rimën mashkullore në poemat tingëllimore të tij? për t’i dhënë përgjigje si më të pranueshme kësaj pyetjeje, çështjen duhet ta vështrojmë në një kuadër më të gjerë.

Ndre Mjedja e filloi krijimtarinë letrare po edhe e përmbylli si poet romantik, edhe pse bëri transformime të ndjeshme të shprehjes e të formës. Siç pati pikënisje romantike në pemën lirike Vaji i bylbylit, pikënisje të tillë, romantike, pati edhe në poemën e fundit, Scodra. Nëse në të parën, madje, tema e poemës lë mundësi që të bëhet fjalë edhe për projektimin e fatit personal, d.m.th. edhe aktual, në poemën e fundit, të lënë në dorëshkrim, tema është marrë nga lashtësia dhe përjetimi imagjinar ka hapësirë më të madhe, pra është një përjetim romantik. Dhe, për ndryshim nga krijimet e tjera, në të cilat transponoi aspekte e gjendje të veçanta të jetës njerëzore apo dhe historike, të cilat mund të përmblidhen në një kuadër konkret, si, bie fjala, mërgimi në poemën I treuni, gjendja sociale në poemën Andra e jetës dhe në baladat uzdaja pa dobi, I mbetuni, dhuna e ushtruar nga pushtuesi, në poezinë Per nji shkolë shqype mbyllun prej qeveris otomane, etj.në poemat tingëllimore, ai përpunoi tema më të përgjithshme. Kjo linjë e re tematiko-motivore sikur kërkonte një shprehje të skalitur e lapidare. Ishte e kaluara e lashtë ilire, e mbushur përplot lavdi e krenari. Ishin mitet, gojëdhënat e heronjtë e antikës ilire që shpërthenin cipën e fantazisë poetike dhe merrnin formë në poezi. Dhe, për ta realizuar sa më mirë këtë projekt të idealizuar të të kaluarës ilire, Ndre Mjedja  parapëlqeu njëmbëdhjetërrokëshin dhe rimën femërore si një përfundim kumbues të tij. Në shembujt që kemi dhënë më parë për llojet e kombinimeve të rimave, mund të shihen po ashtu rimat femërore në dritën e këtij parapëlqimi krijues të poetit. Shihet se vargjet janë të një intonimi mjaft emocional e mjaft solemn. Nuk mungojnë as apelacionet e subjektit poetik që merr e njësohet me rrjedhën e narracionit poetik. Si kualitet i këtij transformimi, prandaj, edhe rima femërore, vjen e bëhet zotëruese, duke kryer funksionin e një jehone të ligjërimit poetik të tij.

Në vijim po prekim edhe çështjen e përkatësisë gramatikore të fjalëve të vëna në pozicion rime, sepse llogarisim se ky aspekt i analizës e pasuron të vështruarit e strukturës së vargut në mënyrë sa më të nuancuar.

Edhe pa bërë ndonjë statistikë të posaçme, mund të  vërehet e në vargun poetik të Ndre Mjedjes, është mjaft e pranishme rima-emër. Ajo del si përfundim i natyrshëm i vargut, meqë burimin e ka në inverzonin e përdorur aq dendurisht. Me këtë procedurë, Ndre Mjedja e nxjerr në pozicion më të dukshëm, më të dallueshëm, fjalën që dëshiron ta theksojë më tepër, prandaj dhe që t’i japë një ngarkesë më të shumtë semantike. Në rastet e rimës-emër, fjalë të tilla janë emrat e personave të ndryshëm historikë e mitologjik, emrat e lumenjve e të qyteteve të gjeografisë kombëtare, si: Skanderbegu, Arjaniti, Amurati, Bardili, Shtrashimiri, Labeati, Autariati, Drini, Shkodra, Meduni, Peshtriku, Adriatiku, Shqypnija, Anadolli, Stambolli, Greqijet, Roma, Labradori, Amerika, Inglizit,  Misisipija, Filadelfië, Baltikut, etj. që d.m.th. se e zgjeron leksikun poetik në mënyrë të ndjeshme dhe kreative. Këtu po sjellim një shembull ku të gjitha rimat, sipas përkatësisë gramatikore-morfologjike, janë emra:

Prej krahinet ku i mujshem Labeati

Banon me shqype, e ku, perte, e Parthinit

Kullot’ grigja e mrizon Autarijati

Berret e lame neper ujna t’Drinit:

 

Porsi çuna t’nji shpis qi fton i jati,

Avulluesa sinjoreve t’Shkodrinit

Ju veshne Ilirsit me hiti, ku fati

I atmes ma t’lergun ja perkrahte fqinit.

Shihet se subjekti poetik, duke dashur ta lartësojë të kaluarën e paraardhësve ilirë, përdor inverzionin në mënyrë që emrat e fiseve të tyre dhe emrat gjeografik ku ata jetojnë,  të vijnë në pozicion rime. Këta emra, në kontekstin gramatikor, janë në rasën emërore (në vargjet një e me të të dy katrenave) dhe në gjinore (vargjet dy e katër) përveç në vargun e fundit ku kemi të bëjmë me rasën dhanore. Emrat, që të gjithë janë në numrin njëjës dhe i përkasin gjinisë mashkullore. Ruajtja kaq me përpikëri e rasave, e numrit dhe e gjinisë, sigurisht që është si rezultat i kërkimit të ngulmët të rimës që do të thotë se ajo, edhe nga aspekti i përzgjedhimit të fjalëve, paraqitet si faktor me rëndësi. Mbase këtu ka nevojë të shtrohet pyetja se a mos është rima procedurë me rol kufizues në procesin krijues?

Duke vështruar traditën më të mirë poetike evropiane dhe kombëtare, shohim se kjo gjë nuk mund të pohohet në mënyrë përgjithësuese. Sa do të ketë rima rol kufizues apo kreativ në praktikën krijuese të poetëve të veçantë, do të varet, në rend të parë, nga talenti, nga prirja dhe nga dija e secilit prej tyre. Diletantët dhe mediokërt, sikundër që do të përsërisin temat, motivet, idetë dhe format mbi të cilat të tjerët kanë krijuar vlera të mirëfillta artistike, po ashtu do të përsërisin po atë fond rimash që kanë përdorur të tjerët, dhe do t’i përçudnojnë e banalizojnë. Krijuesit e vërtetë, ndërkaq, sikundër që përherë kërkojnë e gjejnë tema, motive, ide dhe forma të reja të shprehjes artistike, po ashtu kërkojnë e krijojnë kombinime pozicionale e llojore nga më të ndryshme të rimave dhe u japin atyre funksione të caktuara në veprën poetike. Në shembullin e përdorimit të rimës, pra, nuk është vështirë të dallohet krijuesi i vërtetë nga gjysmëkrijuesi, sepse, përderisa prapa vargut të lirë mund të krijohen disa paravanë për të fshehur diletantizmin, qoftë dhe vetëm përkohësisht, te vargu që përfill rregullsinë metrike në kuptim të gjerë, pandaj edhe rimën si një aspekt të saj, nuk mund të krijohen paravanë të atillë.

Në poezinë e Ndre Mjedjes, me denduri të madhe paraqitet rima-folje. Folja në pozicon rime, sikundër konstaton R. Qosja, “shënon procesin, lëvizjen, ndryshimin apo gjendjen, që në esencë nuk mund të jetë kurrë e përhershme, e përjetshme, statike, pandaj, me funksionet e veta semantike i përgjigjet botës së tij (të Naim Frashërit – nënv. yni) romantike.” 44 Konstatim i dhënë për rimën-folje në poezinë e poetit tonë më të madh romantik, Naim Frashërit, vlen plotësisht edhe për rimën-folje në poezinë e Ndre Mjedjes.

Ndre Mjedja, duke qenë poet me prirje që të hetojë nuancat dhe detajet e ndryshimeve, në pajtim me lëndën poetike gjithnjë, arriti që të krijojë pamje poetike mbresëlënëse dhe të papërsëritshme. Vargu i tij doli i përpunuar dhe i aftë që të përçojë ndjenja dhe mendime poetike nga më delikatet. Fjala vjen, në vargjet:

Edhe ti prei asaj qi t’rriti

Daju, vash’e mos vajto;

Me nji veshë, qi kurr st’a shndriti

Paras, shtatin hijesho,

ai krijon një baraspeshë midis gjendjes së heroinës së poemës Zogës, dhe mjeteve me të cilat realizohet ajo. Sipas një logjike të rëndomtë, pas jetës së rëndë dhe fatkeqësisë që përjetuan me vdekjen e Trinës, Zoga e Lokja do të jenë bërë edhe më të afërta nga ç’janë një nënë e një bijë. Fatet e këtyre, në këtë kuadër poetik dalin të mpleksura shumë sado që te Zoga parqiten shenjat e një jete emocionale të pavarur (në njësinë e dytë). Dhe, momenti kur këto dy fate duhet të ndahen përfundimisht, kur duhet të marrin udhë të veçanta e konstrastive realizimi, perspektivat e të cilave mund të parakuptohen, është moment i prekshëm dhe dramatik. Poeti, duke e ndjerë këtë tendosje të linjës fabulare të poemës, ligjërimin e bën më dramatik, duke e kthyer në vetën e dytë. Dhe jo vetëm kaq. Për ndryshim nga tri strofat e mëparshme, ku përshkruhet natyra e përtëritur nga stina e pranverës, e ku në pozicion rime vijnë kryesisht fjalë-emra, në strofën që cituam më lart, pra në pikën më neuralgjike të kësaj njësie, përveç ndërrimit të vetës ligjërimore, ndërron plotësisht edhe repertori i fjalëve në pozitë rimash. Ato, që të gjitha janë rima-folje (t’rriti, vajto, shndriti, hijesho). Subjekti poetik, pra, i drejtohet heroinës së poemës me kërkesën për ndërrim të menjëhershëm të gjendjes; që të lërë nënën e shtëpinë e lindjes e të marrë udhën e fatit e të lumturisë së vet. Rimat foljore, në këtë mes, e bëjnë më të zëshme këtë kërkesë dhe, ashtu, bëhen përbërës të kuptimit poetik.

Në poezinë e Ndre Mjedjes nuk janë të rralla as rimat mbiemërore. Ne na duket e në rastet ku janë përdorur ato, sikur është synuar një retardim i rrëfimit poetik, përkatësisht një shtrirje më e gjerë e deskripcionit.

Duhet të thuhet me këtë rast se rastet e përdorimit të vetëm njërës nga këto pjesë të ligjëratës në pozicion rimash, në një strofë apo në disa sosh, është dukuri e rrallë në krahasim me përdorimin e tyre të kombinuar. Kombinohen kryesisht rimat foljore me rimat emërore po edhe me ato mbiemërore. Edhe në këtë kombinatorikë shihet mjeshtria poetike e Ndre Mjedjes, i cili rimën nuk e vështroi si dukuri përcjellëse të vargut, po e vështroi si element të strukturës dhe kuptimit të tij.

Për sa i përket sferës semantike të fjalëve të vëna në vende rimash, mund të zhvillohet një analizë mjaft e gjerë. Ne as në këtë pikë nuk do të bëjmë ndonjë analizë statistikore, sepse jemi të bindur se poezia, megjithatë, është një shumësi shtresash e përbërësish eufonikë, stilistikë, ritmikë, metrikë, etj., që në instancën e fundit, janë në funksion të kuptimit që tekst poetik ka dhe u kumtohet lexuesve të mundshëm.

Një gjë bie në sy menjëherë në rastin e poezisë së Ndre Mjedjes, fjalët e vëna në pozicion rimash në kuadër të një strofe, të disa strofave apo edhe të gjithë vjershës a njësisë së poemës, janë mjaft konvergjente në planin semantik. Ndre Mjedja është poet që krijon pamje e situata të sakta dhe unike. Nëse bën përshkrimin e natyrës apo të dukurive të saj, atë përshkrim e zhvillon në disa strofa dhe pastaj krijon relacionet e tij me botën emocionale të heronjve të poemës apo dhe të vetë subjektit poetik. Krijimi i relacioneve të këtilla, është e ditur se kërkon leksik që është konvergjent për nga gjeneza semantike apo, të paktën, asociative. Kështu, në njësinë e dytë të pjesës Zoga të poemës Andra e jetës, fjala vjen, fjalët që janë në pozicione rimash, janë të zonave të afërta semantike midis tyre. Ato dëftojnë disponimin, harenë, ringjalljen e natyrës e të jetës njerëzore. Ja cilat janë: era/ e vet/ prandvera/ i thrret/ lulet/ blerim/ ulet/ ushqim/ fushore/ gjithvend/ mizore/ e shnd/ t’rriti/ mos vajto/ shndriti/ hijesho/ dashtnija/ galdon/ bukurija/ zgjon/ etj. Të gjitha këto fjalë, që kuptimisht mbulojnë dukuri, gjendje e situata natyrore e njerëzore, janë konvergjente në kuadër të vargjeve të kësaj njësie. Përjashtim bën vetëm fjala mizore, po të merret në kuptim të parë, se po të vështrohet në kuadër të rimave të tjera dhe të vargjeve, edhe ajo del konvergjente me të tjerat, sepse i referohet një gjendjeje të kaluar që ishte e përkundërt me atë që transponohet në këtë njësi të poemës.

Shembulli që sollëm ëshë ilustrues e kurrsesi përgjithësues. Në poezinë e Ndre Mjedjes mund të gjenden edhe rima që për nga semantika janë mjaft divergjente. Shembuj të kësaj natyre mund të gjenden më së shumti në poezitë me motiv patriotik, në ato vargje ku poeti përshkruan gjendjen e vështirë të popullit e të atdheut nën pushtuesit e huaj në njërën anë, dhe ku ose përkujton të kaluarën e lavdishme kombëtae ose apelon për zgjim nga kllapia e për shtimin e përpjekjeve për fitimin e lirisë. Rima të këtilla, divergjente për nga semantika apo fusha asociative janë, fjala bie, rimat: gjumin/ lumin, t’pafajvet/ t’mëdhajvet, t’kqija/ Shqypnija, në poezinë Per nji shkollë shqype mbyllun prej qeveris otomane, fusha/ vejusha, otomani/ fshani, e Shqyptarit/ barbarit, halldupi/ hupi, në Bashkon’ju, etj. Këto janë raste, megjithatë. Konvergjenca mbetet veçori e rimave të poetit Ndre Mjedja.

  1. Përsëritja e rimave

 

Edhe pse krijoi një rimar të pasur, veçanërisht kur ai krahasohet me numrin dhe jo aq të madh të krijimeve poetike të tij, poeti Ndre Mjedja, përsëriti herë pas herësh, të njëjtat rima nga një poezi në një tjetër. Këtu po paraqesim disa që i përsëriti më shumë dhe, natyrisht, në kontekste të ndryshme ose të njëjta poetike. Kështu, çiftin rimues: t’and/kand, e përsëriti gjashtë herë, çiftin: t’veta /zhgjeta, pesë herë, Skanderbegu/ shtegu përkatësisht begu/ Skanderbegu, tri përkatësisht dy herë, fusha/ harusha, dy herë, fjalën flutrim, të rimuar me fjalë të ndryshme, e ndeshim pesë herë, si edhe fjalën shkretë, etj. Ç’mund të thuhet për këtë gjest krijues të poetit? Ne këtu e shohim një veçori të poetikës së Ndre Mjedjes. Ai gjithë godinën e poezisë së vet e ngriti mbi kërkimin gjithë durim po forttë vendosur të formave dhe mundësive të shprehjes së saktë dhe elegante. Përsëriti skemat metrike nga një poezi në një tjetër, përsëriti, skemat e rimave, figurat, emrat e personave historikë. Kjo përsëritje nuk është pasojë e ndonjë plogështie apo paaftësie për të krijuar përherë diçka të re. Përkundrazi. Përsëritjet e këtilla, të bëra me masë të caktuar dhe në të gjitha nivelet, e ndërlidhin shumë më tepër veprën poetike të tij, e bëjnë tërësore, unike. Në shembullin e rimave të përsëritura, si edhe të një dore të fjalëve të përdorura në funksion figurativ, shihet elementi esencial i gjuhës poetike të tij, pra poetizmat. Fjalët: murlani, zdapa, ograja, travajë, bershanat, gemb, pullali, acarija, çetinat, duhija, e shumë të tjera, janë tipike për leksikun poetik të Ndre Mjedjes aq sa edhe kur i lexojmë apo i dëgjojmë në kontekste të tjera, ato na përtërijnë asociacione nga poezia e këtij poeti. Kjo ndodh për arsye se në to, poeti ka fiksuar pamje, ide e mesazhe që janë qenësore për dukuri e gjendje të jetës së njeriut e me theks të veçantë në dukuritë dhe gjendjet e ambientit e të jetës kombëtare.

Nga analizat e derikëtushme besojmë se na janë krijuar mundësitë që të përfundojmë se poeti Ndre Mjedja, e përdori fjalën e vet poetike në përgjithësi, e rimën si procedurë poetike në veçanti, me ndjenjë e mprehtësi të rrallë. Në punën me rimën ai anonte drejt një artizmi specifik, mjedian, themi ne. Rëndësia që i kushtonte rimës ai, mund të shihet më së miri në fjalët që, për hir të rimës, ndonjëherë i shkruante me ndryshime të formave ortografike si: flamori për flamuri, Bardili për Bardhyli, katundorit për katundarit, t’ Shkodrinit për t’Shkodranit, etj.

Thënë me një fjalë, veçoritë e rimës së poezisë së Ndre Mjedjes janë të shumta dhe nisen që nga niveli eufonik e ngriten deri te ai semantik e estetik.

(Fragment nga një studim më i gjerë e i pabotuar mbi strukturën e poezisë së Ndre Mjedjes. Fusnotat për këtë rast u hoqën).

 

Please follow and like us: