Mimoza Bici: Strukur diku vetmisë së pritjes…
Ti më shkatërron
aq shumë dridhem frymës tënde strukur diku
vetmisë së pritjes.
Ti më shkatërron gjithë qenien time
elektrizon çdo qelizë
Çdo nerv më tërheq e më vjen kaq pranë
sa zhvesh kohën pa turp
e bëj dashuri më shumë se me një trup të mishtë.
Ti më shkatërron çdo ëndërr
më zgjon.
Aq shumë të ndjej
sa kam frikë mos thyhesh si kristal
e të turren kush e kush të marrë një grimcë.
Nuk dua të shoh të zbehesh kësaj jete të errët
gjithçka që bën
për t’i dhënë shkëlqim
lodhur harresës.
Tek unë je një ndalesë e shpejtë
pakëz dritë
sa udhës time mos humb.
Kam kaq ëndrra të vrara e të bukura kësaj jete
E di
Do shuhem si çdo trup errësirës pafund
Por unë nuk pres ëndrrat të bëjnë mrekulli gjumi jete
ku gjithkush pretendon se po jeton lindur.
Shpesh gënjehem se dikush ka dritë nga dritëzat e mia,
por tek eci është shuar
Kjo nuk më ka dhembur
Nuk ia le trupin mëshirës
boll shoh sesi kalbet, tretet…
Jam një qenie tek
tek hidhem hop-hop
të prek të ardhmen e të kaluarën në një pikë
pa të tashmen që rrin veç fjetur.
Nëse e prek
shpirti im do jetë me ty
E nëse nuk je ti
do hidhem hop-hop
me një litar më të gjatë dhe pse
kemi të njëjtën drejtim
mbuluar frikës.
Litarët e mi zgjaten
duke elektrizuar më shumë grimcën time
joshur mosbesimit tënd
se vërtet ekzistoj
duke zvogëluar
rrethin e lojës mes dritës, errësirës.
Po paguan keq tek mbetesh pas meje
nuk ndalon
e më len të shkoj.
Po paguan keq
apo unë vuaj kaq shumë
se ti ndez qenien time
duke ndejtur pas
e udhën time ndriçon.
Për ku?!
Ti më shkatërron çdo qelizë
Më zgjon.
Maj 2024.
Please follow and like us: