Albspirit

Media/News/Publishing

Itali/Irma Kurti vlerësohet me “Çmimin e Kulturës”

 

 

 

Një vlerësim i ri për poeten dhe shkrimtaren shqiptare Irma Kurti: i akordohet “Premio alla Cultura” (Çmimi i Kulturës) në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Aidonë Coccaglio, Brescia. Ky çmim i jepet për objektivat e realizuara në udhëtimin e saj letrar, për kontributin e çmuar që ka dhënë në fushën e letrave dhe të përkthimit. Konkursi u organizua me rastin e 50 – vjetorit të themelimit të Shoqatës Aido (Shoqata Italiane për Dhurimin e Organeve) drejtuar nga presidenti dhe themeluesi Cav. Lino Lovo në bashkëpunim me presidentin e Shoqatës Kulturore Montorfano Franciacorta, Valter Ferrari.

Irma Kurti u nderua gjithashtu edhe për poezinë e paraqitur në konkurs të titulluar “Arrabbiata con la vita” (E zemëruar me jetën), me motivacionin “Jeta shpesh paraqet vështirësi – përmes njerëzve që na lëndojnë, duke na hequr gëzimin e ndarjes së udhëtimit të jetës. Çaste mosbesimi pa përgjigje, paskëtaj forca për të reaguar në vuajtje. Gjetja e guximit për të rënë përsëri në dashuri, duke i hequr zemërimit fuqinë për të gërvishtur çdo buzëqeshje”.

Konkursi letrar ndërkombëtar u bazua mbi vlerat e dhurimit me temën “Jeta është përgjithmonë”. Juria përbëhej nga zv. presidenti Flavio Minelli, Dr. Manuela Costa, Dr. Laura Ghidini dhe Dr. Francesco Buffoli. Puna e jurisë ishte e madhe duke pasur parasysh cilësinë e teksteve të paraqitura. Pas tre muajve për vlerësimin e veprave të autorëve nga e gjithë Italia u arrit tek lista e ngushtë e finalistëve dhe e fituesve.

Poetja Irma Kurti është fituese e shumë çmimeve prestigjoze. Në vitin 2022 ajo u nderua me çmimin “Ambasadore Europiane” si dhe “Poetja më  e mirë  e vitit” për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin ndërkombëtar “Naji Naaman’s Literary Prize” 2023 në Liban për veprën e saj të plotë në gjuhën angleze .

Irma Kurti ka botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 26 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 20 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar në 16 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi dhe Kolumbi

Please follow and like us: