Zana Tako: Në botën ku jetoja me dashurinë
Po shfletoja faqet e një libri të vjetër… kur papritur, mes rreshtave ndesha atë fjalë që më zgjoi kujtime të cilat i ruaja jo për t’i harruar. Ajo fjalë u shndërrua në dallgë deti, e më rrëmbeu papritmas me fuqi stuhie. Ndeshesha me dallgë, por nuk i mundja dot. Lëshohesha brenda stuhisë me krahë të këputur e nuk mbytesha. E lëshova veten të përpihesha prej tyre, e pa bërë zë mbylla sytë, por përsëri pranë meje u gjend ajo fjalë që kishte ngritur tallaz, e përsëri e kishte pushuar atë. Më tërhiqte lehtë drejt bregut si të isha një degëz peme…
Hapa sytë… rrotull meje gjendeshin të njëjtat objekte të dhomës-bibliotekë. E vendosa përsëri librin në raft e bëra të kthehesha, por ndjesia për të kërkuar ende mes faqeve të atij libri më bëri ta tërheq përsëri pranë vetes, e tek prekja fletët e buta me aromë libri të vjetër, mu shfaq përsëri ajo fjalë, por tashmë mes të tjerë rreshtave, e zbukuruar me kurorë trëndafilash, gjethet e të cilave binin mbi mua me aromë dehëse. Mbushesha me aromë, e shndërrohesha në trëndafil plot petale që kundërmonin dhe flakëronin nga dashuria, ndjenjë e brishtë, e ëmbël, e pafaj, e përplotë, e fuqishme, dehëse, e magjishme, veshur me yje që rrëzëllinin nga drita… brishtësi mendimi që merr forma me produkt dashurie…
Befas, dera e dhomës u hap ngadalë, e një zë i paqtë mbushi dhomën ku qëndroja me libër në dorë, mbërthyer nga ajo ndjenjë mrekullie. Ktheva kokën dhe ndesha në dy sy, ngjyrën e të cilëve e krahasoja me zemrën e një ylli. Me libër në dorë pëshpërita atë fjalë që fluturoi prej buzëve të mia dhe si një flutur krahëshkruar qëndroi mbi buzën e tij. Flutura qëndroi vetëm për pak, aq sa iu afrova fare pranë, e nuk ndjeva se si libri ra nga duart e mia prej të ëmblit përqafim, që më kish rrëmbyer në botën ku jetoja me dashurinë…
Please follow and like us: