Abetarja e Petrit Halilajt në Nju Jork, e lexueshme për të gjithë
Rafaela Prifti
Vargu i vizitorëve në hapësirën e tarracës së hapur të muzeut prestigjioz të artit The Metropolitan Museum of Art (MET) në Nju Jork herë shtohej, herë pakësohej, por nuk ndalej. Titulli i koleksionit tredimensional “Abetare” nga Petrit Halilaj ndërtuar nga vizatime të zmadhuara të gjetura në bankat e shkollave fillore të fëmijëve në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit përcjell simbolikën e fillesës, atëherë kur të mësuarit fillon nga ABC-ja për një njeri a për një komb. Artisti ka shpjeguar se në ato vizatime, të cilat i zmadhoi në instilacione çeliku dhe bronzi, ai pa ndikimin e luftës tek fëmijët në kohën ku dominon teknologjia e internetit. Në të vërtetë, në sajë të internetit u bë zbulimi rastësor i instilacionit të Halilajt nga ekspertët përzgjedhës të galerive të MET-it.
Emri i Petrit Halilajt dhe titulli i galerisë projektohen në të dy krahët e hyrjes së muzeut sapo kalon pragun kryesor në Avenjunë Pesë të kompleksit më të madh të artit të gjithë kontinentit amerikan. Të bien në sy vizitorët që janë ulur në stolat e hyrjes me harta në duar për të zgjedhur ekspozitat që do shohin, të tjerë me kombësi nga më të ndryshme, që kalojnë nga njëra anë në tjetrin të gjejnë grupet me të cilat kanë ardhur këtu.
Ndërsa një grup hyn në ashensorin që të çon në tarracë, disa lexojnë të dhënat biografike të Halilajt, dhe të profilit të tij, ku thuhet midis të tjerave, se përpara Nju Jorkut, ai e ka hapur ekspozitën në Prishtinë me temën “Kur dielli ikën, Ne pikturojmë qiellin” pjesë e ekspozitës “Manifesta 14” – një instilacioni i vendosur mbi ndërtesën e hotelit Grand në Prishtinë.
Një treshe me studentë dalin të parët jashtë dhe hapin dyert prej xhami të tarracës, teksa njëri prej tyre thotë me zë të lartë anglisht: “Dua ta shoh se për çfarë bëhet gjithë kjo bujë!” Ndërkohë, në mes të sheshit në krah të djathtë, disa turistë aziatikë po fotografohen nën merimangën gjigante prej çeliku inox dhe pastaj bëjnë pak hapa dhe bëjnë foto me instilacionin masiv të shtëpisë me çati. Një vajzë e vogël luan me hijen që lëshon merimanga ndërsa të rriturit vërejnë me kureshtje akronimin KFOR. Një grua e moshuar me shkop i tregon shoqërueses së saj zogun e paqes ulur në një nga këmbët e merimangës, duke i thënë: “Ja ku është!”
Nëse shkon ta shikosh vetëm, siç isha unë, apo në grup, instalimet e Halilajt të tërheqin në një lojë zbulimi të siluetave lineare, karikaturave në bordurën e murit, një anagram në një qoshe, lule apo një yll mbi tarracë prej nga vështrimi kalon lehtë tek parku i madh Central Park. Secili prej punimeve është krijuar si ilustrim alfabetik nga artisti kosovar 38 vjeçar, që ka personalizuar artistikisht përjetimin e luftës së Kosovës si fëmijë refugjatë në kampin e qytetit të Kukësit.
Një mësuese e artit vizatimor, e cila kishte ardhur nga Bostoni për ta parë instalacionin pyeti rojën e galerisë për të kuptuar instalimin që përngjan me një tabelë komunikacioni. Ai ngriti supet. Duke u ndjerë pak si fëmijë, nuk e përmbajta dëshirën për të thënë se unë e dija përgjigjen – Runik është emri i qytezës në Kosovë dhe vendlindja e autorit. Në intervistat me mediat, Petriti ka treguar se ai u largua nga Runiku në moshën 12 vjeçare kur shtëpia u dogj gjatë luftërave në Kosovë dhe jetoi për më shumë se një vit në kampin e refugjatëve në Kukës – ku nisi zanafilla e karrierës së tij artistike. Pas kthimit në Runik, ai ndoqi studimet e artit në Itali, më pas u vendos në Berlin, ku jeton edhe sot.
“Instilacioni gjigand është projekti i parë madhor i Halilajt në Amerikë. Arti i tij është thellësisht i lidhur me historinë e re të vendit të tij të lindjes, Kosovës dhe pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon,” thuhet në tekstin shoqërues të ekspozitës së Halilajt në MET.
Inicialet e NATO-s, akronimi KFOR, shtëpia me çati, shigjeta për Runik janë disa nga faqet e Abetares sonë me të cilën arti i Halilajt arrin të komunikojë me publikun nga e gjithë bota.
Për gjashtë muaj me radhë, nga fundi i prillit në fund të tetorit, ekspozita me instilacionet e tij do shikohet nga numër rekord i njerëzve.
“Vizitorët mund të mos arrijnë të shohin një galeri nga mesjeta apo një tjetër nga periudha moderniste, por në tarracë vijnë thuajse të gjithë vizitorët e sezonit turistik në MET,” thonë çifti Ornela dhe Fredi Cukalla, punonjës të sigurisë në MET.
Duke bërë një llogaritje të shpejtë të numrave të publikuar në faqen e MET-it, del se në fund të tetorit Abetaren do ta kenë parë përafërsisht shtatë milionë njerëz nga çdo anë e globit.
Rrugës duke dalë nga tarraca, kthej edhe një herë kokën pas, dhe, papritur më zë syri “firmën” e autorit të Abetares – siluetë e portretit të tij – dhe një batman që shfaqet tek trarët prej nga derdhen jargavanët që bëjnë hije në tarracën e MET.
Petrit Halilaj ka krijuar një Abetare me simbolikë, ndjenja dhe fantazi të lexueshme për të gjithë.