Artan Xh. Duka: Rrëfimi është shpëtimi!
Një me bukë e tjetri me gurë!
Ka një dallim të madh mes miqësisë e vëllazërisë mijravjeçare mes të parëve të shqiptarit e grekut që i bashkon në masë edhe gjaku arbëror dhe “akullnajës” qindravjeçare të sajuar nga politika e shteti grek që nëpërkëmb harmoninë në Gadishullin Ilirik.
Popujt tanë meritojnë më shumë dhe politika ka përgjegjësi por në retrospektivë, “qyrku” I përgjegjësisë mbetet tek politika e shteti grek. E nisën mbrapsht dy shekuj më parë, tjetërsuan prej tjetrit një shekull më pas, kanë marrë peng vetveten me justifikimin e së pamundurës duke qorrollepsur e nëpërkëmbur miqësinë e vëllazërinë mijravjeçare në Gadishullin e lashtë.
Shqipëria nga ana tjetër, ndonse e humbura e madhe pas tjetërsimit të trojeve e popullsisë prej padrejtësive historike (me bekim europian), vetëm ka zgjatur degën e ullirit drejt fqinjit jugor. Nga të drejtat e minoriteteve (ndonse pa reciprocitet), edhe gjatë monizmit që nuk para pyeste për botën (libri “Dy popuj miq”), heshtja për të mos i hedhur benzinë zjarrit(!), lëshimet pas 90 që nxitën oreksin grek (varrezat, debati i stisur rreth Himarës, shmangja e Çamërisë etj).
Agonia e trillimit!
Apeli i Ramës në Athinë ishte reciprociteti, premisë ky i fqinjësisë së mirë që popujt meritojnë por që ka kuptim pasi korrigjohen padrejtësitë më parë. Greqia duhet të pranojë realitetin e dalë nga “hipnoza” kolektive që politika e shteti grek ka kultivuar dy shekuj me rradhë. E tashmja e bazuar në premisa të rreme është e pavlerë dhe shoqëria greke meriton dinjitetin që ofron lënia pas e së shkuarës që njollos. Mosdija, justifikimi apo fshehja e së vërtetës vetëm sa zgjat agoninë e gjakngrirjen sepse e vërteta, shkon e vjen si kometa!
Ligji i Luftës, masakrat ndaj Çamërisë, identitetit arbëror etj, janë “elefanti” në dhomë për shoqërinë greke e tani që u deklaruan haptazi nga Rama në Athinë, duhet të hapin debat në Greqi nëse qëndrojnë apo jo.
Politika e qytetaria greke duhet të shihen në “pasqyrë”. Qytetaria atje duhet të ndjehet ligsht e kokëulur nëse kupton se plot gjëra janë trillime e plot të tjera janë fshehur gjatë. Ligji i Luftës me Shqipërinë, mohimi i minoriteteve, origjina e heronjve të revolucionit, genocidi zervist etj, nuk janë llafe xhepi por “minare” që nuk ka thes që i nxë dhe qytetaria greke meriton shpjegim.
Dinjiteti e trillimi nuk ulen dot bashkë dhe “topi” është sot tek politika greke që prej dy shekujsh ka ngritur “pezhiska” trillimesh e mure mërish mes nesh. Tezat e Ramës janë letra “lakmuesi” për ndërgjegjen qytetare e politikën greke dhe kjo e fundit ka shansin të tregojë se është aq e madhe sa pretendon nëse sheh me realizëm historinë e të vërtetën që të ngre kokën lart.
Reagimet e para nuk janë shumë shpresëdhënëse por ndonjëherë, që gjërat të shkojnë për së mbari, duhet cekur fundi së pari! Të vërtetën Greqia ia ka borxh vetes, brezave e rajonit dhe si vënd “veteran” në BE, duhet të japë shëmbull për të tjerë!
Xixat e politikës
Popujt nuk ia kanë borxh politikës arkaike apo edhe kulisave ndërkombëtare stisjen e sherreve që mbjellin steriotipe e stigmatizim, tensione, mosbesim, racizëm, paragjykime e deri armiqësira mes tyre që më pas u lihen brezave si trashëgimi! Kjo nuk ndodh vetëm tek ne në Gadishullin Ilirik. por kudo në botë sikundër tani me Ukrainën e Rusinë, Gazën e Izraelin, Gjeorgji, Sllovaki etj.
Mosmarrëveshjet mes qeverive, politikës, që pasi përdorin tjetrin “mish për top” përfundojnë tryezave të “paqes”, nuk kanë pse të turbullojnë e nxisin frymë e lëvizje ektremiste (qoftë dhe për “mirë” kur intimidojnë mendimin ndryshe apo që nuk mban anë) apo krijojnë ndasira mes popujve e brënda shoqërive që shndërrohen në rrathë vicioz krizash që ri-ushqejnë retorikën e mbrapshtë politike që e provokoi dikur atë.
Politika duhet t’i lërë popuj e qytetarët rehat të ndajnë e gëzojnë së bashku ato të mira që munden. Miqësia mes popujve nuk duhet të varet nga “humori” i politikës e retorika e nacionalizmit arkaik. Jeta është e shtrënjtë e jetohet njëherë dhe fqinjët e planetin nuk e ndërrojmë dot. Nuk ngjitëm me jugosllavë e kinezë dikur por ndërsa me rusët ishte tjetër gjë, u desh politika që të ndaheshin familje e miqësi dhe papritur miqtë për kokë të djeshëm u bënë armiqtë e përjetshëm!
Politizimi ndarës nuk kursen sot as artin, sportin etj që supozohet të bëjnë popujt bashkë! Nga përjashtimi i atletëve rusë nga aktivitetet sportive e artistike, zhvillimet së fundi në Eurovizion (këngëtari hollandez, ajo izraelite, irlandeze etj) ironikisht nën apelin Muzika “bashkon” etj.
Dinjiteti kalon nga e vërteta
Greqia i fryu boll borisë së luftës me Ligjin e Luftës në fuqi. Këtë skandal Shqipëria duhet t’a ngrejë në BE e NATO pasi Greqia pati 7 dekada kohë të veprojë. Nëse dikush duhet të ketë pretendime në rajon, e vetmja që është sakatuar e sabotuar gjatë si shtet prej Greqisë e Sërbisë është Shqipëria që, për ironi, i mbeti krahu zgjatur me degën e ullirit në dorë.
Popujt nuk kanë pse prishen me njëri-tjetrin se fut xixa politika, njëlloj si ato grindjet mes të rriturve që ndajnë edhe të vegjlit që lodrojnë bashkë. Politika është e lirë të ligjërojë e veprojë por jo të ndërsejë ata poshtë, aq më keq në emër të tyre me kuturisjet e saj.
Në Athinë Edi Rama bëri thirrje për koka të ftohta lart për të lënë të qetë popujt në miqësinë e tyre mijravjeçare pa futur spica në mes. E tani që e nisi, ta bitisi. Ligji Luftës, Çamëria, arvanitasit dhe emigrantët duhet të jenë kryefjala e çdo tryeze me Greqinë. Pas ka dy popuj, këtej e andej kufirit dhe botën arbëreshe matanë.
Serbia llap për veriun se nuk flasim sa e si duhet për Luginën e Sanxhakun, Greqia kuturiset tani me Himarën se i dhamë Dropullin e varreza e nuk bëzajmë për Çamëri e arvanitasit atje se të
nisemi nga gjuha, shqipen e re e të vjetër e flet shumica në Greqi dhe gjuha shqipe duhet të jetë gjithë zyrtare në Greqi sikurse është në Maqedoninë e Veriut!
Nuk e dimë nëse rruga e Shqipërisë drejt BE kalon nga Athina por ajo që dihet është se rruga e Greqisë drejt dinjitetit e respektit që ajo synon në Gadishullin Ilirik e botë, kalon nga e vërteta e kjo i bie nga Tirana. E si fetarë që janë, politika greke e di se rrëfimi është shpëtimi!