Albspirit

Media/News/Publishing

Ina Arapi: Çfarë ishte dhe çfarë u bë një epirot?

Ka të dhëna të shumta që vërtetojnë se në Mesjetë epiroti ishte një shqipfolës. Këto të dhëna janë të brendshme dhe të jashtme, domethënë prej vetë shqipfolësve dhe prej të huajve. Megjithëse e përmendur shpesh, ia vlen të shënohet dëshmia e Gjergj Kastriotit në letrën e tij drejtuar princit të Tarantos, ku ai pohon se „Nëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë“. Edhe Marin Barleti e quan Skënderbeun princ të epirotëve (Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis (1508-1510 në Romë).
Por ka edhe dëshmi të jashtme. Tommaso de Mezzo, dramaturg venedikas i shek. XV, ka vënë në qendër të komedisë së tij “Epiroti“, shkruar në latinisht në vitin 1483 (ribotuar në vitin 1516), epirotin Damascenus, i cili thotë bile edhe një frazë shqip, të cilën ende nuk po arrijmë ta zbërthejmë siç duhet: dramburi te clofto goglies. Pra, ky epirot flet shqip në mes të Venedikut.
Peshkopi Pjetër Budi nga Hasi përdor emërtimin lingua Albanese në veprën e tij Dottrina Christiana të botuar më 1618 në Romë. Por te vepra tjetër me titullin latinisht “Rituale Romanum et Speculum Confessionis“ (Romë 1621) shkruan: In Epyroticam linguam à Petro Budi. Te vepra e tretë “Pasqyra e të rrëfyemit“, pra me titull shqip, shkruan: për ndihmë të gjuhësë Arbëneshe. Këtu duket qartë se emërtimi epirot dhe epirotica lidhen me latinishten, ndërsa albanese me italishten e gjuha arbëneshe me shqipen.
Kjo traditë vazhdon edhe te peshkopi Fran Bardhi nga Lezha, i cili fjalorin e tij latinisht-shqip e quan “Dictionarium latino epiroticum“ (Romë 1635). Në këtë fjalor gjenden të dhëna të shumta për emërtimin e shqipes si epirotica. Kështu, në folie IIIr thuhet fare qartë: Hoc est ad Epirotas, seù Albanenses lectores (kjo është për epirotët ose lexuesit shqiptarë). Në folie VIv: Annotationes de lingua, & litteris Epirotarum, seù Albanesiorum (Shënime për gjuhën dhe shkronjat e epirotishtes apo shqipes). Kur flet për Gjergj Kastriotin e quan atë Kulshedra e Arbenit, id est Epiri Draco etj.
Sipas latinistit austriak S. Zathammer “ishte adhurimi i humanistëve për antikitetin që çoi në rigjallërimin e termit Epir, i cili përcaktonte hapësirën deri në qendër të Shqipërisë“ (Die Antikenbegeisterung des Humanismus führte zur Neubelebung der Bezeichnung Epirus für den Raum bis nach Kernalbanien). Nga kjo kuptojmë se emërtimi Epir dhe epirot, gjuha epirote kanë qenë emërtime savante, të stilit të lartë, për të emërtuar shqipfolësit, gjuhën dhe vendin e tyre dhe kjo traditë ka vazhduar me shekuj. Në këtë qerthull përfshihet edhe emërtimi maqedon që i vë vetes kryepeshkopi Pjetër Bogdani nga Kosova në veprën e tij me titull: Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi et eius evangelica veritate, italice, et epirotice contexta, Et in duas Partes diuisa a Petro Bogdano Macedone“ (Padova 1685).
Do të ishte me interes të hulumtohej se deri kur këto emërtime vazhdojnë të përdoren si sinonime për emërtimet mbi bazë e rrënjës arbër ose shqip në shkrimet e ndryshme. Kam përshtypjen se edhe në shek. XVIII duhet të kenë qenë ende të gjalla. Në çdo gjuhë ka lëvizje të kuptimeve. P. sh. fjala e verdhë vjen nga latinishtja verdis me kuptimin e gjelbër. Por lëvizja që ka pësuar fjala Epir dhe fjalët e prejardhura prej saj nuk lidhen me gjuhën. Ato janë pasojë e ndryshimeve politike në rajon pas shek. XVIII. Do të ishte me interes shkencor dhe për kureshtje ndjekja e këtij procesi. Përndryshe, në çdo aspekt tjetër ky proces përfaqëson sot vetëm një fakt historik.
Please follow and like us: