Mbresa nga libri “Vjedhësi i librave” i Shpëtim Alizot Emirit
Tonine Hido
Referuar kryesisht tregimeve:
Krisja e imazhit për jetën
Me një këmbë tek dera e burgut
Dhe vetë fati varur në një gozhdë
Tregimet shumëvëllimshe në një libër
Lexova dhe rilexova tregimet e inxhinier Shpëtim Alizot Emirit në vëllimin “Vjedhësi i librave”. Pa mëtuar të përcaktoj se në ç’gjini letrare mund të përkufizohet vëllimi, thjesht dua të them pak fjalë përqasjeje rreth përjetimit që ndjeva në mrekullinë e temave që trajton; në thjeshtësinë e vetrrëfimit të çiltër para pasqyrës së të vërtetave; në kujdesin e modestisë për të mos dalë protagonist i ngjarjeve, rrethanave, përplasjeve kundërthënëse që dikton vetë koha, ndonëse roli i tij parësor ndjehet, kuptohet, vlerësohet edhe për ata që s’e kanë njohur e takuar asnjëherë autorin e vëllimit me tregime; për dashurinë njerëzore si frymë që ndjehet lehtësisht; për frymën e punës kolegjiale në vendimmarrje dhe angazhimin e çdo individi sipas vendit, rolit, detyrës, duke qenë model përgjegjshmërie në çdo hap, për nivelin e lartë shkencor, si bazë e njohjes dhe zbatimit praktik të planeve në ndërtimin e veprave vërtetë madhështore në themelet e industrisë së ndërtimit, për përjashtimin pa sforco të traditës në ndërtimet e hershme, qoftë të reja privatisht në qytetin e lindjes Gjirokastër, me kërkesat e një kohe të re, së cilës po i bëheshin krah; për nivelin e arsimit politeknik në Shqipëri, qartas në degët e inxhinierisë; për rolin e të rinjve të diplomuar në shkollat tona nga pedagogë shumë të përkushtuar në nivelin e mësimdhënies, aplikimit në fushat përkatëse, me përgjegjësi prindërore, njerëzore dhe profesionale, si në vendet e Perëndimit a Lindjes ku qenë arsimuar vetëm për kurajon e njerëzve të ndershëm, të çiltër, punëtorë të palodhur, që të përballen me “elitat”, drejtuar nga vendas apo specialistë të huaj…; për të provuar për rolin e drejtuesve të fushës, por edhe me hierarkinë e atyre të kreut shtetëror e partiak; për një krenari kombëtare e profesionale, që të mos pranojë humbjen ekonomike, por sidomos të raportit ndërshtetëror të lidhur me kontratat e bashkëpunimit në fushat përkatëse; për etikën dhe integritetin e plotë që peshojnë shumë në ballafaqime të tilla, jo vetëm profesionale…; për durimin e gjetjes së provave dhe gjuhën e komunikimit, të cilat siç dihet kishin prapavija të shumta mes përgjigjeve teknike, diplomatike; përgjegjësi personale e kolektive, pritur e mëkuar vazhdueshëm në bashkëjetesën me personelin inxhiniero-teknik, me ndërtuesit e thjeshtë, por edhe me titullarët e lartë në Ministrinë e Ndërtimit, që fillonte me kuadrin drejtues të vetë ndërmarrjes dhe ato ideale.
Këto dhe shumë të tjera që do t’u takojnë lexuesve dhe studiuesve të fushës, shpresoj të pasurohen me ç’thotë “Vjedhësi i librave”, i japin një dimension monumenti shumëplanësh në vlerat që përcillen përmes një stili kaq elegant, thjeshtësie, pasurie gjuhësore; gërshetimit të dramacitetit të ngjethshëm, vërtet që përjetohet nga personeli inxhiniero- teknik i kësaj industrie në vitet ‘70-‘89 me situata komike.
Fjalë e shpehje popullore veçmas të Gjirokastrës: etj, etj, sepse në fund të fundit, mendoj se stili i të shkruarit i vetë mënyrës së jetesës për personin, është vetëm konstrukti njerëzor, portreti i secilit prej nesh.
Them se gërshetohet “dramaciteti me komiken”, ngaqë vetë koha e diktaturës mbështetej në “Frikën paraprake” që i kishte rrënjët në ideologjinë e kohës: “Diktatura e proletariatit-shtyp, dënon, kërcënon këdo”, që guxon t’i thotë lirshëm mendimet, propozimet, rrugëdaljet nga situata të vështira. Të gjitha i di dhe i drejton Partia, Njëshi, rrethuar nga “Njëshat e vegjël”, me diplomë të shkollës së Partisë “Vladimir Iliç Lenini” në Tiranë.
Siç ndjehet në të gjitha tregimet shumvëllimshme të librit, ashpërsia e luftës së klasave, sidomos kur gjendja vështirësohej” lart”, dajaku kërciste poshtë.
Në të gjetja e mençur e titujve si: “Në zgrip të jetës”, “Kur vetë jeta varej në gozhdë”, “Me një këmbë në burg” etj shprehin realitetin e kohës së viteve të Diktaturës më të egër në Europë. Gjithkush në një mënyrë a në një tjetër, me litarin në grykë, ndjehej i kërcënuar, thjesht vetë jeta e secilit ishte burgim.
Duke mos patur njohuri për fushën e ndërtimit, unë personalisht, shpreh një vlerësim të epërm për ndjeshmërinë që provon çdo lexues, nga situatat që trajtojnë punëtorin në moment të veçanta; si mbulesa e dhëmbëzuar, ku çdonjëra prej tyre ka 8 m gjatësi etj.
Me zemër të ngrirë, duke mbajtur frymën e pritjes së akullt, që të mos bjerë mbulesa, që anonte, sikur provonte durimin e gjithë njerëzimit, përjeton edhe çdo lexues. Mjeshtërisht autori nxjerr frymën e “shenjtë” mrekullinë e zgjidhjes në bashkimin e dijeve shkencore, përvojës të stafit të mëparshëm, praktikën e ndërtuesve të thjeshtë në fshatra e qytete dhe kjo shkrirje, pa zvarritje pelivanësh politikë, pa synimin e të dukurit si shpëtimtarë i jep autorit meritën e vet emrit që mban Shpëtim.
Rrallë kam provuar një tension pritjeje, një lutje të brendshme që “të mos bjerë ajo mbulesë nga temperaturat e larta të verës” (në fakt “lepuri” fshihej në gurë të errët)…
Shtendosje e këtij makthi të ekipit ndërtues, përcillet me kaq mjeshtëri sipërore, që bën një tryezë të fitores së përbashkët të të gjithë njerëzve të ndershëm, të të gjithë lexuesve. Them të lexuesve, duke mos dashur të marr përfaqësimin e ndjeshmërisë së tyre, por jam e sinqertë, se ata vetë do të shprehin shumë e më shumë përfitime të tjera nga ky vëllim i ri i jetës, në shumëngjyrëshmërinë e prizmit të problemeve që trajtohen mjeshtërisht nga autori.
Kam pranuar se merita e cilitdo shkrimtari është që të përcjellë njohje, probleme të caktuara që lexuesi i beson, i përjeton, i merr si mesazhe të vlerta për jetën, këto mesazhe jetësore përmes krijimtarisë letrare i provon secili në përjetimin personal, por edhe kolektiv në historinë e një familjeje të një qyteti,një kombi, mbarë njerëzimit.
Vetë titujt (e çdo tregimi) provokojnë ngjethjen e gjithë shoqërisë në atë kohë: një burg, me hekurat e nënshtrimit, dyzimit, varfërisë shpirtërore, ekonomike; mos realitetit e shpresës, kjo e dyta ndjehet e mjegullt.
Mendoj se Shpëtim A. Emiri del mbi vijën e ndarjes së realitetit e shpresës me paraqitjen e njeriut të ri.
“Të rinj” në kuptimin e thelbit të përmbajtjes së tij. Thjesht, për çdo hap të natyrshëm, të ndershëm për nga detyra e një kuadri të ri ndërtues, i cili përkushtohet tërësisht në plotësimin e synimeve për të dhënë më të mirën që shërben për të gjithë shoqërinë.
Sipas meje tregimi “Në zgrip të jetës” i përmban të gjitha çka shpreha më sipër. Baza e çdo kuadri në misionin e tij është integriteti moral, trashëgimia e traditës familjare dhe shoqërore, për ta bërë çdo punë me ndershmëri, me sakrifica, me durim… Kjo kërkon përgatitje të mire (shumë të mirë), shkon vonë, kur di që ti pasurohesh dita-ditës…
Raporti me eprorët dhe vartësit është dhe mbetet kyçi, që hap shumë dyer. Siç kuptohet, njeriu s’jeton i vetëm në profesionin e përditshmërinë e tij. Veçmas për “biografinë” e autorit, rri ndezur “vigjilenca” për t’i studiuar mirë ata që e rrethojnë dhe, falë zgjuarsisë në shkallën “sipërore”, personazhi i tregimit di t’u japë secilit sipas meritave shpërblimin e duhur, bile më te tepërt, sepse ai (autori vetë), di të falë, po nuk harron.
Përmend me nderim e përfitim, inxhinierë të zotë, kopje inxhinierësh nga Korça, punëtorë të thjeshtë në sheshin e ndërtimit, të Ballshit, pa xhelozi, pa fodullëk, kur dihet që shumë vlera i ka dhënë vetë në këto marrëdhënie.
Ndjen dhembje për të burgosurit në kampin e punës, duke llogaritur me hollësi ç’u leverdiste më mirë: pagesa minimale për orë pune, apo “zbritje dënimi” (që përsëritej me të kundërtën). E ka nga përvoja e hidhur, se vetë inxhinier Shpëtimi ka lindur, kur i ati qe në burg… Ndaj ka përgjegjësi për familjen, ku çdo muaj dërgon rregullisht një pjesë të rrogës, bile dhe kur e dërgon për “një vit” me postën shtetërore nga paga e tij…
Hakmarrja e të paaftëve, që kanë vetëm “çekiçin e kuadrit partiak”, bëhet ndjeshmëri për kolegët deri te punonjësit e postës… Të gjitha këto veç ia rrit autoritetin njerëzor heroit në tregime, që përpiqet ta kalojë me “të qeshur” vetë jetën, për të cilin s’qan dot me zë kurrkush.
Raporti mes drejtuesve partiakë dhe kuadrove shtyn autorin të nxjerrë dukuritë faktike të kohës…
Do ta titulloja shkrimin tim modest” Njeriu, vërtet i ri”, por s’mund ta fyeja inxhinierin e ndërtimit para pasqyrës. Kur trupi i dobësuar, i nxirë pjesë-pjesë, ngjante më tepër me një montim pjesësh metalike; ngjante me pikturën e Kol Idromenos etj, etj. S’mund ta fyeja ngaqë vetë ai, do ta refuzonte poezinë apo romanet, intervistat me “Njeriun e ri”, kryeveprën e Partisë…
Është vlerë shumëfishe për historinë e ndërtimit sipas etapave dhe dukurive të kohëve… Është vlerë e shtuar për të sotmen, kur ne si lexues, kalimtarë në rrugët e sotme, shohim rajonet që vajtojnë “të ndryshkura”; sheshet e ndërtimit në Ballsh e Fier e që gëlojnë nga “ndërtues” privatë… Kemi nevojë për libra të tillë, që shprehin tiparet e pastra të një të shkume që përjetuam të gjithë, hidhshëm, apo me poste të pamerituara të të paaftëve, servilëve-ballafaqim me situata të ngjashme të së sotmes; mëson qartë se me njerëz të ndershëm, të aftë, të vërtetë n’ato që thonë dhe bëjnë shumë gjëra do të ishin ndryshe… Pa marrë “poza” përfaqësimi partiak, autori ndan ”shapin nga sheqeri” me vlerësimin objektiv të kohëve, situatave, shoqërisë…
Përmes shembullit që “s’i ngjit qimja” me këtë libër të rrugëtimit të ndërtuesve të një kalimi nga “një kohë në tjetrën”, autori fton njerëzit e thjeshtë, gjen në rangjet më të larta të kuptojnë e veprojnë si “njerëz të rinj” në “një shoqëri të re”, nëse duan vërtet mbarësinë e familjes dhe të vendit tonë.
Pa dashur të hyj në çështje që s’më takojnë, po them që libra të tillë, për nga problematikat që trajtohen për rrafshin personal dhe shtetëror, për thjeshtësinë e përcjelljes së mesazheve që përcillen, meritojnë të zënë vendin ”e bisedave dhe analizave” në mediat vizive, pa devijuar formimin e “njerëzve të rinj” me programe të stisura reklamash boshe, që vetëm kulturë për jetën nuk kanë si të përcjellin, veç kotësisë, rendjes pas fitimeve të padjersa, ku në portretin e Abetares mbarëkombëtare emri shkollë, sa keq, mungon…
Falenderoj autorin me gjithë zemër për vlerat që na fali me këtë vëllim, i cili padyshim do të pasohet me krijime të tjera shumëvëllimshe.