Zana Tako: NJË PIKË LOT
Një pikë lot
…formohet si piklat e shiut që rrjedhin prej qielli, e shumohen brenda shpirtit ku ruhen të pathënat, brengat, lëndimet, të trajtëzuara tashmë në mendime e fjalë që mbushin atë pikë lot që lëngëzon sytë. Nuk është veç një pikë loti, por është çast jete, e njeriu është kaq i vogël për të kuptuar rëndesën e një pike loti!
Nuk ndihet zhurma e tij tek rrëshqet ëmbël nëpër faqe… është kalvari i mendimit tek përshkon udhën e dhimbjes…
Një pikë lot mund të të ulë në gjunjë, por të dhuron edhe forcën e malit.
Një pikë lot mund të lagë e pastrojë shpirtin, jo për mëshirë, por me ndërgjegje, e ndërgjegja e njeriut nuk pastrohet me dorë, se rëndesa e dorës e vret shpirtin dhe e lë të papastër.
Një pikë lot që rrëshqet ngadalë… e njeriu nuk e njeh ende burimin e tij, nuk di as ta ndalojë. Fuqia e lotit shprehet, ndihet shpërthyese, melankolike, mjaltëzuese, por jo e pashpresë për të ndryshuar deformimin e shpirtit njerëzor.
Një pikë lot e shpreh fuqinë edhe kur nuk shihet, por mençuria e njeriut është e vakët për të kuptuar, se njeriu është njeri kur sheh lotin në sytë e tij, se thërret ndjenja, se përqafon dashuria, se përulet zemërimi, e krenaria shkon kokëulur….
Një pikë lot rrëshqet ngadalë… pa zhurmë, e bisedon shtruar me shpirtin…. përshkon udhë të pashkelura duke kërkuar dashurinë, nevojën për t’u bashkuar me të.
Një pikë lot e ngjit njeriun në shkallë ku nuk rrëzohet, se e mban përdore dhe e udhëheq dashuria, ekzistenca e saj.
Misteri i një pike loti nuk i fshihet njeriut, është i gjallë përpara tij. Katarakti që shkakton një pikë lot mund të përmbytë të vjetrën, për të çelur filiza të rinj që lajmërojnë ardhjen e pranverës shpirtërore.
Një pikë lot rëndesën e ka të madhe sa shpirti, i cili nuk mbahet dot me duar njeriu.
Buzëqeshja e dashurisë e than lotin, përqafimi i dashurisë e fshin lotin, puthja e dashurisë e puth atë pikë lot që rrjedh ngadalë dhe lag shpirtin…
19 Maj 2024.
Please follow and like us: