Çerçiz Loloçi: Rei Hodo dhe libri poetik “Apricus”
Kushdo që e ka lexuar librin e fundit poetik “Apricus” të Rei F. Hodos, me parathënie të shkrimtarit Bashkim Hoxha, Botimet Jozef ka vënë re se kemi të bëjmë me një zë të veçantë, që mundohet të sjellë diçka të re në letërsinë shqipe dhe të shprehur mjeshtërisht në një formë të pazakontë.
Ai e ka formësuar librin me vetëm tetë poezi dhe konkretisht: “Thellë”, “Tej thellësisë”, “Dashurisë, një port i heshtur”, “Një shpirti tjetër”, “Cogitatio”, “Eros”, “Rrudhë qytetesh” dhe “Mëkatit”, por secili titull ka brenda tij një cikël poetik, shkruar me varg të lirë dhe që bart mendim, ndjejë dhe që e fton lexuesin për të marrë përjetimet e veta.
Ai nuk përkujdeset shumë që secila poezi të ketë një numër harmonik dhe të barabartë strofash, (ka syresh me 24 të tilla, me 15, me 10, me 9, me 3 e deri me 1), por ndërkaq secila prej tyre është e pangjashme, e ndjerë, emocionuese ku autori dëshiron të jetë vetvetja.
Rei Hodo ka një njohje të gjerë të letërsisë vendase dhe asaj të huaj, teksa preferon që para çdo poezi-cikli të risjellë Fatos Arapin dhe Lasgush Poradecin, Alen Bosquet dhe Giuseppe Ungaretin, Martin Camaj dhe Visar Zhitin, Enton Bidon dhe Edmond Tupjen.
Po kështu në poezinë e katërt ai risjell njeri pas tjetrit Bertoluccin, Xh. Spahiun, S. Hamitin, L. Lleshanakun, A. Samarakis, F. Arapi, F. Kraja, N. Kazanzakis e P. Rilken, jo thjesht e vetëm për t’i përmendur, por edhe për të skicuar gjendje të ndryshme të shpirtit njerëzor.
Rei Hodo nuk shquhet për shumëllojshmëri temash, por për të hyrë në botën njerëzore, në skutat më të thella, për të gjetur poezi edhe atje ku një sy i zakoshëm nuk mund të shkojë dhe në këtë mënyrë ai dialogon vazhdimisht me lexuesin.
Një inkursion i shpejtë, në krijimin e parë, me vargjet poetike më të bukura të Rei Hodos mund të shfaqej edhe në këtë mënyrë:
atdheun e vramë të gjithë
unë e vrava
e vave dhe ti aq fare pak
duart… i gjakosëm të gjithë në gjak…
prej Penelopës u qëndisën galaktika
në fron
mbretëron hëna
në tokë
njerëzit
gërryejnë njeri-tjetrin si acid nga e pathëna…
në s’më gjen askund në qytet
dhe as në pa pavionin e të vdekurve
nuk gjendet emri im
kërkomë në manastirin e poezisë
atje do të jem bërë murg…
hijet u zhveshën trupash
shpirti mbeti qënie pa emër
shpina e dorës tënde
rrok
buzët e Ferrit
Purgatori mbeti në ëndërr
Parajsa pamundësi…
fundi i vjeshtës
zverdhen jo
gjethet
ndjenjat bien rrugëve…
Vargje nga poezia ‘Thellë’.
Kurora e vëllimit poetik është krijimi “Dashurisë, një port i heshtur”, që fare mirë mund të ishte edhe titulli i librit; autori zbulon këtu stinën e pestë për një nga ndjenjat më të bukura njerëzore që janë thurur miliona e miliona vargje e megjithatë ajo është e denjë për çdo antologji poetike të autorëve shqiptarë, ballkanikë dhe europianë.
https://gazetadielli.com/rei-hodo-dhe-libri-poetik-apricus/