Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Dëshmorët e Brigadës XII Sulmuese

 

Më 20 maj 1944 u përurua Brigada XII Sulmuese (BrXIIS) në fshatin Sukë të Përmetit. Brigada kishte komandant Refat Bajrami dhe komisar Qamil Klosi, si dhe anëtarë të shtabit e të seksionit politik Mehmet Jaho, Vasil Nathanaili, Veiz Gjebero, Viez Pipa dhe Vangjelo Sotiriadhi etj. Nga BrXIIS në fushën e luftës ranë mbi 108 dëshmorë, të cilët kanë mbetur yje të pashuar në altarin e lirisë të Atdheut: Qeriba Koka, Shefit Hekali, Braho Sako, Osman Beshiri, Sinan Rexho Ballaci, Abdyl Kuka, Maliq Fejzi Metushi, Baxhul Duro Nora, Rait Veip Toto, Laze Birbil Muzhai, etj.

Më 20 maj 2024 BrXIIS përkujtoi 80 vjetorin e formimit dhe rrugën luftarake të saj në Sukë të Përmetit. Bashkë me rrugën luftarake të saj, u përkujtuan dhe dëshmorët që ranë për lirinë e Atdheut. Po sjellim në vëmendje disa nga dëshmorët e rënë 80 vite më parë…

Komisarja që frymëzoi të rinjtë…

Qeriba Shaqo Koka lindi në Nivicë në vitin1926, një një familje të thjeshtë, por atdhetare. U rrit duke dëgjuar këngë nga zemra e goja e popullit luftëtar shqiptar. U frymëzua nga bëmat e të parëve të vendit të ahqiponjave, që sa herë i është kanosur e pushtuar vendin, kanë rrëmbyer armët me burra e me gra e vajza. Gjatë luftës për çlirimin e Atdheut, sokolesha Qeriba luftoi me armë në dorë duke qënë në detyrën e komisares së kompanisë të tretë të batalionit të dytë të Brigadës XII Sulmuese. Në Operacionin e Qershorit 1944, Qeribaja ra dëshmore më 20 qershor 1944, në malet e Kurveleshit heroik, në fshatin Luzat, duke çarë rrethimin e nazistëve. Ra si heroinë, duke thirrur: “Përpara, përpara partizanë!… Në organin “Flaka” të BrXIIS u shkrua për Qeribanë ku thuhej se “Jeta e saj qe jetë lufte. Ajo, ligjëroi, organizoi, ndezi zemra të shumta, mbolli në farë që mbiu dhe do të mbetet për jetë… Ajo lajmëroi çlirimin, se armiku i urryer ishte i destinuar të zhdukej…”. Për Qeriba Koka u thurën këngë dhe ngeli në vjershërimin popullor: Atje sipër përmbi fshat/ buzë bredhit në Luzat/ kishin parë Qeribanë/ kur sulmoi te një majë/ Qeribanë kur e vranë/ la amanetim mbi armë: -Nëna, baba të mos qajë…

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 44, datë 3. 8. 1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar për të në “Yje të Pashuar”, vëll. 2, Tiranë, 1971, f. 159; Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 185-186; Zagoll Skëndo, 325 yje të Kurveleshit, Tiranë, 1996, f. 137.

Ranë në Operacionin e Qershorit 1944…

-Divit Sali Gërbi lindi në vitin 1926 në Bënçë, në një familje me tradita luftarake. Që i vogël njohu shkollën e mjerimit. Me fillimin e lëvizjës ishte një aktivist dhe anëtar i grupit edukativ të fshatit. U organizua në çetën territoriale, duke kryer detyra të për luftën. Në maj 1944 radhitet partizan në Brigadën XII Sulmuese. Në Operacionin e Qershorit 1944, ra heroikisht më 20 qershor 1944 në Kuç të Kurveleshit, Vlorë në luftime që brigada zhvillonte kundër forcave gjermano-balliste. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 44, datë 3. 8. 1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 86.

-Bajram Veli Ramaj lindi në Levan të Fierit në vitin 1924, në një derë, pragun e së cilës e kapërcenin vetëm trimat. Në mars 1943 përkrahu Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u lidh vendosmërisht me të. Ka kryer detyra të rëndësishme për luftën. Ka marrë pjesë në grupin edukativ dhe në çetën territoriale të fshatit Levan. Në vitin 1944 radhitet partizan në Brigadën XII Sulmuese. Ra heroikisht më 20 qershor 1944 në Kuç të Kurveleshit, Vlorë, në luftimet e zhvilluara kundër forcave gjermano-balliste. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 44, datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 90.

-Ramiz Shaho Çaushaj lindi në fshatin Kalivaç në vitin 1910. Familjarisht u larguan nga vendlindja për shkak të varfërisë. Vendoset për të punuar dhe jetuar në Vllahinë. Në prill 1944 radhitet partizan në Brigadën XII Sulmuese. Ai kontriboi me armë në dorë kundër pushtuesve të huaj. Mbeti përjetë në lavdinë e atdheut më 20 qershor 1944 në Zhur të Kuçit të Kurveleshit. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 3. 8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 134.

-Musa Ramiz Myrtaj lindur në Progonat në vitin 1922, në një familje ekonomikisht të varfër, por edukuar e kalitur në një mjedis atdhetar. Radhitur në rreshtat e Brigadës XII Sulmuese dhe luftoi me trimëri. Bie trimërisht në fushën e nderit në Qafën e Kiçokut të Tepelenës më 28 qershor 1944 gjatë luftimeve kundra forcave gjermano-balliste. Populli i këndoi: Sulmon kaompania e parë/ u vërsul përmbi gjermanë/ Musa Myrtua është vrarë/ mbenë dhe ca tradhëtarë… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 3. 8. 1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 134; Zagoll Skëndo, 325 yje të Kurveleshit, Tiranë, 1996, f. 137.

Ra dhe mitralieri zemërshqiponjë

Avdul Kuka lindi më 1918 në lagjen Çfakë të Gjirokastrës. Shkollën fillore e kreu në Vlorë, të mesmen në Tiranë. Pasi mbaron shkollën, punon kamarier në Tiranë. Avduli, me thirrjen e Partisë, dezerton nga ushtria dhe bashkohet me njësitin guerril të Vlorës. Më pas u bë shembull guximi e vetemohimi në radhët e çetës “Kastriot Muço” edhe në batalionin “Halim Xhelo”. Me krijimin e BrXIIS, u inkuadrua në radhët e saj, efektiv në batalionin e dytë. Pranë grykës së Komarit zhvilloi përleshjet e para batalioni i dytë, i cili sulmoi me trimëri armikun. Hitlerianët, të armatosur gjer në dhëmbë, organizuan sulme të fuqishme që partizanët të shkuleshin nga pozicionet, por këta qëndruan të pathyer. Skuadra, që udhëhiqej nga Avduli, luftoi me trimëri. Ajo u ndodh më pranë armikut se forcat e tjera partizane. Gryka e Komarit (Gllavë) u ndez nga zjarri i luftës. Gjermanët e panë vdekjen me sy. Përmbi shkëmbenj mbeti Avduli, mitralieri zemërshqiponjë. Ra ashtu siç dëshëronte, në ballë të luftës. Shkruar në librin “Yje të Pashuar”, vëll. 2, Tiranë, 1971, f. 157.

Ra për çlirimin e Delvinës

Maliq Fejzi Metushi ka lindur në Navaricë, në vitin 1917, në një familje atdhetare. Me shumë sakrifica mundi të bëjë shkollën fillore dhe më pas nisi të punojë për të mbajtur familje. Me fillimin e Lëvizjes fillimisht ishte një simpatizant i saj dhe më tej nis të aktivizohet me grupet edukative të qytetit. Ka dalë partizan në 31.12.1943. Më tej u rreshtua në BrXIIS, ku u shqua në mjaft luftime. Ishte korrik i vitit 1944. Shtabi i GrIVP ndodhej në fshatin Navaricë ku planëzoi sulmin kundër garnizonit gjermano-ballist, i dislokuar në qytetin e Delvinës. Forcat partizane të GrIVP, pasi kaluan lumin e Bistrices mbi një urë provizore në fshatin Brailat, u dislokuan në formacione luftimi përreth qytetit të Delvinës ishin gati për sulm. Beteja nisi e ashpër. Për një moment forcat partizane u ndodhën para një rrebeshi zjarri të armikut, ku qëllonte me të gjithë arsenalin e armëve që dispononte. Por situata u mor shpejt nën kontroll dhe forcat partizane filluan sulmin e vrullshëm me granata dore dhe me breshëri të pandërprerë mitralozi të rendë dhe me predha mortaje 81 mm, duke marrë në kontroll kuotat e qytetit dhe duke e detyruar armikun të tërhiqen në brendësi të qytetit të Delvinës, në kala. Në këtë situatë luftimet e bënë me të fuqishme, luftohej shtëpi me shtëpi, rrugicë me rrugicë dhe në disa vende trup me trup. Në luftimet që bëheshin përreth zonës së Delvinës, ra dëshmor më 15.07.1944 në Qafën e Skërficës në luftë kundër gjermanëve edhe Maliq Metushi. Pas çlirimit të vendit u shpall dëshmor i Atdheut me vendim nr. 166, datë 27 dhjetor 1977 të Komitetit Ekzekutiv të Sarandës. Varri i tij gjendet në Varrezat e Dëshmorëve të Delvinës.

I pari në sulm dhe i fundit në tërheqje

Shefit Feti Goxhaj (Hekali) lindi në vitin 1915 në një familje patriote nga fisi i Rrapo Hekalit. Ishte fëmijë kur pushtuesit austriakë qëlluan dhe vranë nënën e tij. Shefiti u rrit jetim. Punoi në Vlorë dhe më pas me Dervish Hekalin punoi në minierën e Selenicës. Pas pushtimit të vendit, Shefiti u lidh me lëvizjen. Ai u bë agjitator i flaktë i ideve të lëvizjes u hodh në luftë active, ku kreu disa aksione me njësitin gueril dhe më 27 dhjetor 1942 së bashku me Shyqyri Alimerkon, në aksionin në Ujë të Ftohtë të Vlorës, zunë një komandant fashist. Luftoi në Gjorm dhe më 4 shkurt 1943, u emërua përgjegjës i njësiteve guerile në Ballsh dhe në Fier. Aksionet dhe luftimet pasuan njeri-tjetrin dhe luftoi në Mallakastër, Vlorë, Kurvelesh, Kiçok, Cepo e kudo dha shembullin personal: ishte i pari në sulm dhe i fundit në tërheqje. Më 5 gusht 1943 Shefiti u emërua zëvendëskomandant i batalionit “Ismail Klosi” dhe më 8 tetor 1943 komandant batalioni në Grupin III Partizan të Mallakastrës dhe më pas në Grupin I Partizan të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Më vonë u inkuadrua në BrXIIS si komandant i batalionit të parë. Në Operacionin e Qershorit 1944 Shefiti luftoi në Qafë Shkozë, Kiçok, Cepo e Kurvelesh. Fill pas operacionit BrXIIS kreu një sërë luftimesh si në Sarandë, Himarë, Vlorë, Fier për të spastruar forcat gjermano-balliste. BrXIIS mori urdhër të kalonte Shkumbinin dhe të sulmonte mbi Peqin. “Para partizanë”! – thirri komandanti, që ishte si kurdoherë në vijën e parë të zjarrit. Po, papritur, një predhë e goditi në gjoks. Shefiti ra. Duke u dhënë urdhër shokëve për të fundit herë tha: “Përpara shokë”! Në këto luftime ra dhe zëvendëskomisari i këtij batalioni Braho Sako. Ishte data 12 nëntor 1944. Populli e përjetësoi në këngë komandantin e talentuar të batalionit të parë të BrXIIS: Nëntori më dymbëdhjetë,/ Shefit, o lule,/ Ç’po kërcasin bataretë,/ Gati dy ditë e dy net,/ Në ballë se ç’prije vetë/ Shefit, o lule… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 204/106, datë 6. 11. 1946 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Fierit. Shkruar në librin “Yje të Pashuar”, vëll. 3, Tiranë, 1973, f. 403.

Ra për çlirimin e Delvinës

Maliq Fejzi Metushi ka lindur në Navaricë, në vitin 1917, në një familje atdhetare. Me shumë sakrifica mundi të bëjë shkollën fillore dhe më pas nisi të punojë për të mbajtur familje. Me fillimin e Lëvizjes fillimisht ishte një simpatizant i saj dhe më tej nis të aktivizohet me grupet edukative të qytetit. Ka dalë partizan në 31.12.1943. Më tej u rreshtua në BrXIIS, ku u shqua në mjaft luftime. Ishte korrik i vitit 1944. Shtabi i GrIVP ndodhej në fshatin Navaricë ku planëzoi sulmin kundër garnizonit gjermano-ballist, i dislokuar në qytetin e Delvinës. Forcat partizane të GrIVP, pasi kaluan lumin e Bistrices mbi një urë provizore në fshatin Brailat, u dislokuan në formacione luftimi përreth qytetit të Delvinës ishin gati për sulm. Beteja nisi e ashpër. Për një moment forcat partizane u ndodhën para një rrebeshi zjarri të armikut, ku qëllonte me të gjithë arsenalin e armëve që dispononte. Por situata u mor shpejt nën kontroll dhe forcat partizane filluan sulmin e vrullshëm me granata dore dhe me breshëri të pandërprerë mitralozi të rendë dhe me predha mortaje 81 mm, duke marrë në kontroll kuotat e qytetit dhe duke e detyruar armikun të tërhiqen në brendësi të qytetit të Delvinës, në kala. Në këtë situatë luftimet e bënë me të fuqishme, luftohej shtëpi me shtëpi, rrugicë me rrugicë dhe në disa vende trup me trup. Në luftimet që bëheshin përreth zonës së Delvinës, ra dëshmor më 15.07.1944 në Qafën e Skërficës në luftë kundër gjermanëve edhe Maliq Metushi. Pas çlirimit të vendit u shpall dëshmor i Atdheut me vendim nr. 166, datë 27 dhjetor 1977 të Komitetit Ekzekutiv të Sarandës. Varri i tij gjendet në Varrezat e Dëshmorëve të Delvinës.

Shkruante poezi dhe artikuj

Sinan Rexho Ballaci lindi në Delvinë në vitin 1921, në një familje patriotike. Gjendja e rëndë ekonomike e detyroi familjen ta heq nga bangat e klasës fillore nxënësin e shkëlqyer Sinan Ballaci. Nisi një udhë të vështirë të jetës duke nxjerrë bukën e gojës herë me sopatën e druvarit, herë me kërrabën e bariut, herë me kazmë dhe lopatë të punëtorit. Kështu provoi lloj-lloj punësh duke u burrëruar para kohe. Traktet e para komuniste, që mbritën në qytetin e Delvinës, bënë që Sinani në moshën 15 vjeçare të me Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të qytetit. Ai mori pjesë aktive në punën ilegale. Lexon e studion literaturën revolucionare të kohës. Në janar të vitit 1943 hidhet në radhët e ushtrisë partizane në çetën “Çamëria”, më tej në çetën “Hajredin Tremishti” dhe në batalionin “Thoma Lula”. Në tetor 1943 pranohet në radhët e Partisë dhe u emërua zëvendëskomisar i kompanisë në BrXIIS. Në Luftën e Pandelejmonit, ku nazistë dhe ballistët pësuan disfatë të plotë, ai, në krye të skuadrës së parë, hyri në fshat dhe kapi rob disa ballistë e gjermanë. Më 12 shkurt 1944, në Melcan, duke kryer detyrën e komisarit të kompanisë së parë u shqua në luftime dhe u bë shembull frymëzimi për bashkëluftëtarët e tij. Ai shkruante poezi dhe artikuj për gazetën e xhepit të batalionit, ku lexoheshin me kënaqësi nga partizanët. Më 9 tetor 1944, kompania e tij kishte zënë pozicion luftimi në Qafen e Hamallit, prej nga do të sulmoheshin nazistët për pnguar hyrjen për në Sarandë. Filloi sulmi, por një bunker gjerman ndaloi sulmin e partizanëve të kompanisë. Sinani i ndaloi shokët dhe me zvarritje ju afrua bunkerit, ku hodhi tri bomba dhe zuri pozicion, u godit nga një ushtarë nazist, Ai thirri “Para partizanë!”. Ai ra për Atdheun. Është shpall dëshmor i Atdheut me vendim nr. 166, datë 27 dhjetor 1977 të Komitetit Ekzekutiv të Sarandës. Varri i tij gjendet në Varrezat e Dëshmorëve të Delvinës. Për Sinan Ballacin është shkruar në librin “Yje të pashuar”, vëllim IV, Tiranë 1974, f. 202-205. Në librin “Pena të lirisë”, me krijime të autorëve dëshmorë, janë 4 poezi të bëra nga dëshmori Sinan Ballaci, të botuar nga EMAL, Tiranë, 2019, f. 205-210. Në Delvinë një lagje ka marrë emrin Lagjja “Sinan Ballaci”.

Ranë për çlirimin e Vlorës

-Mehmet Ali Shehu lindi në vitin 1927 në Dukaj të Tepelenës në një familje të varfër fshatare. Në janar 1944 aktivizohet në çetën territorial të fshatit dhe në maj 1944 radhitet partizan në Brigadën XII Sulmuese, ku ka marrë pjesë trimërisht në luftimet e saj. Më 15 tetor 1944 bie heroikisht në Vlorë, në luftimet që zhvilloi brigada për çlirimin e qytetit nga gjermano-ballistet. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 100.

-Lutfi Kazbo Hitaj ka lindur në fshatin Nivicë në vitin 1930. Në korrik 1943 merr pjesë në çetën territoriale të fshatit. Në maj 1944 radhitet luftëtar në Brigadën XII Sulmuese. Luftoi trimërisht në të gjitha përpjekjet e luftimet e zhvilluara nga brigade. Më 15 tetor 1944 përfshihet në panteonin e lavdisë gjatë luftimeve të përgjakshme kundër forcave gjermano-balliste, për çlirimin e Vlorës dhe të rrethinave të saj. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 3. 8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 183.

Dëshmorë për mbrojtjen e lirisë

Baxhul Duro Nora u lind në Fushëbardhë të Gjirokastrës më 13 janar 1919 në një familje të thjeshtë fshatare. Familja ku u lind Baxhuli ishte një familje me tradita luftarake, atdhetare e liridashëse. Baxhul Nora si gjithë moshatarët, jetuan nën peshën e halleve të kohës. Arsimimin fillor e mori në vendlindje. Në Luftën Italo-Greke, nga bombardimet e avionëve ngeli i vdekur vëllai i tij i madh. Baxhul Nora fillimisht u bë pjesë e strukturave partizane të çetës së Fushëbardhës, e krijuar tek Rrapi në Fushëbardhë më 12.12.1942 dhe më pas në batalionin partizan territorial të krahinës së Kardhiqit. Batalioni territorial kishte një aktivitet të gjërë luftarak në Krahinën e Kardhiqit dhe në zonën e Rëzomës e Delvinës. Më 7.8.1943 tek rrepet e Kardhiqit u krijua batalioni panizan “Asim Zeneli”, ku partizan nga Fushëbardha ishte dhe Baxhul Nora. Pas luftimeve që kreu në përbërje të batalionit “Asim Zeneli”, Baxhul Nora ka qenë pjesë e formacionit partizan, në Br. XII S, duke qenë gjithmonë mitralier i formacioneve partizane. Në Përmet partizani Baxhul Nora takoi mjaft bashkëfshatare fushëbardhas, që luftonin në këtë njësi luftarake. Ai mori pjesë në Operacionin armik të Qershorit 1944, përballoi detyra të rëndësishme duke vepruar në Berat e Skrapar, në Tendën e Qypit, Qafës së Kiçokut, në Tepelenë, Kurvelesh, Vlorë, Llogara, Himarë etj. BrXIIS çliroi Sarandën dhe Vlorën, Sazanin dhe vijoi luftimet për çlirimin e Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit e Shijakut. Brigada la në fushën e nderit 105 dëshmorë. Mbas çlirimit Baxhul Nora nuk e hoqi uniformën partizane, por u pranua në forcat e Degës së Brendshme të Gjirokastrës, ku mori pjesë në luftën kundër bandave diversioniste. Baxhul Nora u vra në Malin e Bardhë në vitin 1945. Baxhul Duro Nora është i shpallur dëshmor i atdheut me vendim nr. 65 datë 2 tetor 1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Gjirokastër. Varri i saj gjendet në Varrezat e Dëshmorëve të Delvinës. Për Baxhul Duro Nora është shkruar në librin “Heronj të heshtur” vëllim III, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1976, f. 51-55. Shkruar në gazetën “Ushtria” më 25 tetor 2019 nga Prof. Zaho Golemi.

-Nevruz Ormën Danaj ka lindur në vitin 1926 në një familje me tradita të hershme atdhetare, doli heret në luftën për liri. Ka marrë pjesë në grupin edukativ, në çetën territoriale dhe, më në fund, radhitet në Brigadën XII Sulmuese. Në çdo luftim tregoi guxim e trimëri. Mbas çlirimit ka shërbyer me devotshmëri shembullore në radhët e Ushtrisë Popullore. Merr pjesë në Provokacionet e 2 Gushtit të vitit 1949 dhe bie heroikisht më 2 gusht 1949 në Vidohovë të rrethit të Devollit. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 21, datë 25.5.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 176.

Please follow and like us: