Albspirit

Media/News/Publishing

SHPALLET BIENALJA E TRETË NDËRKOMBËTARE E KARIKATURËS, NIKO NIKOLLA

Tema  e parë: Të bashkëjetosh me botën  dixhitale… 

Tema e dytë: Portret  Dritan Abazovic   

Data e organizimit:  18-20 tetor 2024  

Vendi i organizimit:  Shkodër -Shqipëri

Albanian Excellence  shpall  organizimin e Bienales së Tretë Ndërkombëtare të Karikaturës Niko Nikolla e cila do të finalizohet  në datat  18-20 tetor 2024, në  Shkodër,  qytet simbol  për vlerat e humorit  dhe të satirës të përcjella gjatë të gjithë historisë së tij me  shumë traditë dhe kulturë në Shqipëri .

Këshilli artistik i kësaj Bienaleje, me Drejtor artistik, Andis Gjoni, piktor,  skenograf, producent me banim në Nju Jork -USA,  vendosi që këtë vit temat që do t’u jepen karikaturistëve në botë  të jenë:

Tema e parë: Të bashkëjetosh me botën  dixhitale …

 Tema e dytë: Portret  Dritan Abazovic

Garanci për organizimin e kësaj Bienaleje, është niveli shumë i lartë dhe  shumë   dinjtoz i organizimit multidimensional i Bienales së parë  dhe Bienales së dytë të karikaturës zhvilluar përkatësisht në qytetet Pogradec dhe  Tiranë.

Aktviteti i Bienales  Ndërkombëtare të Karikaturës Niko Nikolla, është  aktiviteti i parë në zhanrin e karikaturës që zhvillohet me këto permasa ne Shqiperi.

Pse u përcaktuan këto tema dhe cilat janë prioritetet:

Eshtë hera e parë në histori që një teknologji  ecën kaq shpejt  sikundër teknologjitë dixhitale: në 20 vitet e fundit këto teknologji,  kanë prekur  50 %  të popullsisë se botës së zhvilluar  dhe kanë transformuar shoqëritë .  Sot, teknologjitë dixhitale, ku hyn dhe inteligjenca artificiale, përdoren për të kapur probleme në të gjitha fushat , si në shëndet, mjedis, por edhe në nevojat e  përditshme.

Kjo botë e re teknologjike, globale, qëndron përballë botës emocionale dhe të vërtetë qe ka njerëzimi. Konfrontimi në përditshmëri, është pasqyrë e realitetit që mund të jetë një pikë reflektimi në karikaturë, nisur nga misioni që kjo gjini e artit ka që përmes hiperbolës në humor të tregojë një realitet të shumëfishtë që jetojmë.

Tema e dytë: Portret Dritan Abazovic

Për të njohur më mirë sensin e botkuptimin e jetën e këtij personaliteti politik të botës shqiptare, po japim më shumë detaje më poshtë

“Ne, Mali i Zi jemi vend i diellit dhe zbavitjes… Shqetësimi ynë sot që po mban kohë e mirë në Bled, është ah sikur sezoni turistik të zgjasë më shumë… Na ftoni në Bashkim Europian, sepse nëse jemi në shoqëri të mirë, atëherë jemi më të suksesshëm”– tha Dritan Abazoviq, në Forumin BE+ Ballkan, në Bled në vjeshtën e 2023.

Atje gjendej në “një shoqëri jo dhe aq të mirë”: me homologët e tjerë ballkanas, që impresiononin sallën me debate të forta me njeri tjetrin, me sfond filozofik, apo historik. Ishte ai samit ku kryeministri i Shqipërisë bënte humorin e zi dilematik- o në autobusin e ngadalshëm europian, ose në aeroplanin rus (ndërsa Prigozhin sapo u rrezua)…

Dritan Abazovic, është 38 vjec, ka qenë kryeministri më i ri i Malit të Zi, një vend i vogël ballkanik me pak më shumë se 600 mijë banorë; pjesë e pakicës shqiptare de jure afro 5%; nga krerët e qeverive-ndoshta më i riu në Europë nga prilli 2022, në shtator 2023. Si politikan, si qytetar, si opozitar, si kryeministër, fundjavave i ka kaluar këtu tek nëna e tij; me shokët e tij; me makinën e tij të vogël; me varkën e tij të vogël në Bunë apo në det. Aq sa kur po votohej rrëzimi i tij në parlament, dikush i tha plot cinizëm: dorëzoje qeverinë dhe shko merru me peshkimin në Bunë, me varkën tënde…

Dritan, vjen nga fjala Dritë, pra njeri i dritës. Fjalë shqipe, por edhe sllavë që bashkëjetojnë me shqiptarët kanë filluar ta përdorin emrin Dritan për ti vendosur emrin fëmijëve të tyre. Madje dhe modeli i flokëve të tij, po përdoret me emrin Dritanka. Dikush në botën sllave, si për të ilustruar ndikimin e tij shoqëror dhe politik flet për procese që quhen Dritanizacija.

Njerëz si Dritani kuptohen më mirë, të zhvendosur në kohë apo në hapësirë.

Dritan Abazovic vjen nga Ulqini, që konsiderohej si Republikë piratësh në shekullin e 18. Me 190 anije në një qytet me 2800 banorë: ku mbivendoset kultura ilire, romake, veneciane, turke, hebreje,shqiptare, sllave, ku madje ka patur dhe skllevër afrikanë, pasardhësit e të cilëve janë larguar para pak vitesh nga jeta.  Sabatia Zevi, mashtruesi hebre mesjetar, mendohet se ka varrin e vet. Ulqinakët, pretendojnë madje se Don Kishoti i Mances u shkrua apo u frymëzua në Ulqin, D’ulcigno, sepse Dolcinea ka jetuar në qytetin e tyre. Servantes sipas disa historianëve lokalë që krijojnë dhe ëndrra, por të bukura ama, u mor peng në Ulqin dhe prej aty u frymëzua për romanin e tij të famshëm.

Diku thuhet se ka njerëz që krijojnë ngjarjet, pra që mundësojnë zhvillimin e tyre.

Ka njerëz që i shikojnë ngjarjet.

Ka njerëz që habiten me zhvillimin e ngjarjeve…

Duam t’ju ndihmojmë të shikoni ngjarjet. Ngjarjet të cilat i ka krijuar, i ka mundësuar Dritan Abazovic në 10 vjetët e fundit në vendin e tij të vogël plot diell, por dhe borë në male.

Ai ka ndikuar fuqishëm, cilësisht në dhënien fund të një qeverisje të gjatë-dikush e konsideron si qeverisje autokratike 30 vjecare, të Presidentit GJukanovic, në goditjen e një sistemi të lidhur me të, në largimin e dinosaurëve si i quante Dritani. Kuptoni: në Mal të Zi që nga 1905, kur u krijua si shtet i pavarur, nuk ka patur rotacion. Me Dritanin u mundësua.

Ai e goditi – në fillim me guximin e opozitarit, dhe më pas si numri dy dhe si kryeministër- trafikun e kontrabandën e cigareve në Mal të Zi. Mali i Zi ishte i famshëm për të, sepse një pjesë e madhe e GDP vinte nga ky biznes.

Me nxitjen dhe krijimin e kushteve nga Dritan Abazovic, u mundësua goditja e aq shumë figurave brenda një kohe aq të shkurtër, kryetarë gjykatash të epërme, prokurorë të përgjithshëm, shefa kompanish publike, etj.

Dritan Abazovic ka gisht në afirmimin e një klase të re politike me teknokratë, të panjohur më parë-nisur që nga qeveria e 2020 me kushtet e tij të famshme, e deri më sot.

Qeveria e tij solli rritje ekonomike të qëndrueshme, ulje të borxhit të jashtëm,rritje të peshës së shtetit në ekonomi-porte, hekurudha,transport detar, metalurgji,  duke kufizuar rolin e oligarkëve.

Qeveria e tij ndikoi në kufizimin e ndikimit rus, ndërsa Dritani ishte inisiatori i parë i udhëtimit të liderëve ballkanikë në Kiev.

Në qeverinë e tij afro 5% e popullsisë janë .. ukrainase. Që megjithatë bashkëjetojnë me pak rusë, që kanë patundshmëritë e tyre atje.

Dritan Abazovic ka ndikuar në rritjen e disponimit pro perëndim, pro BE dhe pro NATO,- brenda dy vjetëve- si tregonin sondazhet e organizuara në vjeshtën e vitit 2023.

Në sondazhin  2023 ishte rritur përqindja e malazezëve që do të votonin propavarësisë, proshkëputjes nga Federata sikur referendumi të bëhej atë ditë.

Cfarë e bën Dritanin të vecantë mes liderëve ballkanikë, shqiptarë dhe jo të tillë, është se ndryshime të tilla epokale janë kryer me një formulë që ka disa elementë suksesi.

Zero konfliktualitet social dhe politik. Zero turbullira në rrugë. Zero konflikt me fqinjët, madje përmirësim i marrëdhënieve me të gjithë fqinjët pa dallim. Zero propagandë përcarëse ndëretnike dhe ndërfetare. Jo me shumica revolucionare. Me 4 deputetë, si game changer absolut. Jo me parti etnike, por me parti qytetare.

Sot një vit më pas botimit në shqip, ai promovon me moskokëcarjen e vet klasike librin për të cilën ka recensa të jashtëzakonshme ndërkombëtare, në Universitetet më të mira të botës-Harvard, Kembrixh, Kolumbia.-Kritika e etikës së globalizmit, botuar fillimisht në serbisht, e më pas në anglisht dhe shqip, si tezë doktorale në Universitetin e Sarajevës. Mbi 10 universitete të tjera mes të cilëve Bocconi në Milano, Universiteti i lirë i Brukselit  apo Universitete jashtë Europës,e kanë promovuar. Politikani i dyte ne historine e Malit te Zi, per te cilin Le Monde, beri profil personal.

Ulqini është qytet i shenjuar nga Zoti dhe kësisoj dhe nga historia. Madhështia e kohëve të lavdishme nuk zhduket. Sepse Dritani bën ngjarjet të ndodhin dhe nuk i vëzhgon ato. As habitet.

Besojmë se keto janë  disa prioritete shumë të rëndësishme që të dy temat  e përzgjedhura nga Këshilli artistik i Biennales të  pëlqehen dhe të mirëpriten nga  artistët e karikaturës në botë , duke menduar, punuar e realizuar  pikërisht mbi këto të dy tema  që jepen nga Shqipëria .

 Organizimi dhe  Juria  Ndërkombëtare  e Bienales së Tretë Ndërkombëtare të Karikaturës

Drejtor artistik i Biennales është Andis Gjoni, piktor,  skenograf, producent me banim në Nju Jork -USA

 Juria ndërkombëtare është e përbërë nga Agim  Krasniqi  Kosovë,  drejtues i Kragi, organizator i Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës  në Kosovë, karikaturisti bullgar, Valentin Georgiev, (fitues i cmimit të familjes Nikolla ne Bienalen e parë të karikaturës), Aristides Esteban  Hernandez  Guerrero  (Ares)-Kuba një nga karikaturistët me të  njohur në botë,  David Vela, spanjë, fitues i cmimit të parë në portret bienalen e dytë të karikaturës, Bujar Kapexhiu, karikaturist i njohur, Shqipëri. 

 Shpallja e Çmimeve  të Bienalës Ndërkombëtare të Karikaturës Niko Nikolla

Çmimet e Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës,  do të shpallen gjatë një mbrëmje Gala që do të zhvillohet në  Teatrin Migjeni. Gjatë kësaj Gala-je, do të marrin pjesë   artistë të njohur nga bota por edhe të artistëve të njohur shqiptarë  duke i dhënë  kështu një prezantim dinjitoz këtij aktiviteti.

Në këtë mbrëmje, që do të prezantohet nga artisti me famë botërore, Frederik Ndoci dhe  Suela Demiri, gazetare e njohur, do të jenë prezentë të gjithë autorët  fitues, të cilat do të vinë nga vendet përkatëse.

Gjatë kësaj mbrëmje, do të përshfaqen karikaturat e prezantuara nëpërmjet spoteve të realizuara që prezantojnë autorët dhe veprat e tyre  duke i njohur kështu më nga afër autorët pjesmarrës.

Në mënyrë ceremoniale, gjatë kësaj Galaj-je, do të  shpallen edhe fituesit si dhe do tu dorëzohen  cmimet, karikaturistëve fitues.

Gjatë kësaj mbrëmje  do të shpallen:

Cmimi  i Parë: 500 Euro

Cmimi i Dytë: 300 euro

Cmimi i Tretë: 200 euro

Cmimi i Familjes Nikolla: 500 euro

Cmimi Tef Palushi:  200 euro

Dhe pesë cmime inkurajuese për karikaturistët e rinj.

Ky aktivitet do të rregjistrohet nga Televizioni  Shqiptar dhe  do të prezantohet nga Televizionet lokale dhe qëndrore dhe nga mediat sociale.

 Cdo artist pjesmarrës lutet të dërgojë deri në 3 punime, teknikë e lirë mbi letër, formati A3 A4.

Afati i dorëzimit të punimeve është 31 gusht  2024.

Adresa e email :albexcellence@gmail.com

Please follow and like us: