Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Xh. Dëshnica: REVOLTA SPAÇ

Burgu i Spaçit

 

 

kujtim  e nderim të Revoltës së Spaçit, 21-22 maj 1973

 

Migjen, Migjen

tek prehesh lart

mes yjeve të artë

a t’shkon kund ndër mend

në meditimin tënd

dhunim e poshtërim,

që ç’mend, si ky mjerim?

 

Ku jeta hiqet zvarrë, pa gjurmë, pa mbresë,

edhe Sizifi do të shembej nën ngarkesë;

ku veç një qen i shoqëron si mik, si qengj

e zogu në frengji, këndon si i shenjtë,

e uji i pakët, qan

e sy e buzë u lan.

 

Mos grisej re e zymtë,

sipër majë më majë e copë e pakët qielli,

zbriste në ferrin Spaç,

me erën dhe mendimin, kalonte hendekë e boka,

përroin–rrjedhë gjaku, ku jeta tretej nëpër gropa;

mbi kulla karakollësh, pushonte e priste në pragje,

trokiste në porta lehtë, nga gjumi zgjonte  të lodhur,

me pak fjalë, të vdekur e të gjallë,

e gjaku vlonte në tru, në zemër e në krah,

ringjallja merrte vendim në muzg e zbardhëllimë.

Dëgjohen zëra: Liri!

Mjaftë më! Në këmbë! Drejtësi!

Sfilitur,skllevër, por djem të mirë,

kur s’dimë u ngrys apo ka gdhirë.

S’durohet më, tmerr, skëterrë-minierë,

vagon mundimesh

qysqi e plagë, kazmë e lopatë,

vare e rëndë, vdekje e mandatë,

afsh vullkanesh në çdo skutë;

në ditë pa dritë, helm e gas i mrytë;

me gjakun tonë-normë mizore,

tunel e terr e shpellë mortore

e jashtë na pret, ndëshkim, kërbaç,

e brenda burgut qeli, litar,

O  Spaç, O Spaç, o Spaç!

 

Më këmbë. Flamurin!

Mjaftë më, gazetë e supë e zezë,

përbindësh apelesh në mëngjes,

pa diell, pa qiell,

pa një livadh e hijeshi

e shtigje qark, për miqësi.

Më këmbë! Lirinë!

Na digjet shpirti  për lule e degë,

na digjet buza për fjalë e këngë;

për dhomë të qetë e ëndërr e shpresë;

për dasmë me valle, me nuse, dhëndër.

Afër nënokes kur gatuan,

për lojë vocërakësh tok me gruan;

për një gotë me babanë,

bisedë me motrën e me vëllanë.

mësime dije, liri!

Na presin drita, era e pastër, qiell  e tokë,

mall, për miq e shokë.

Të dalim rrugësh, në bulevard,

kur moti ngroh a mali zbardh.

Të shkojmë të lahemi në lumë,

në hije manash të bëjmë zhurmë;

O ti, o Orë e malit, pse rri e kqyr më kot,

rrudh ballin e menduar, në faqe rrjedhin lot?

Skënderin, Palin, Dervishin, Hajriun;

s’i preu plumbi,

as vdiqën, as humbën.

si diell zgjohen çdo mëngjes

me kumtin: Për lirinë kujdes! Kujdes!

 

Please follow and like us: