Fritz Radovani: In memoriam, Osman Kazazi!
Tiranë, 1998: Kujtoj si sot…
Më 6 Mars 1998, kur po kalojshe nga Sheshi Avni Rrustemi, në Tiranë, ndigjova se më thirri Tanush Mulleti. Më dha një ftesë për dekorimin “Qytetar Nderi i Tiranës së z. Osman Kazazit”. Më kërkoi me folë dishka per atë Burrë të Paharrueshëm të Shqipnisë! Shkova në shtëpi dhe u përgatita, ndonse, fusha e vuejtjeve të Tij ishte shumë e pakufishme.
Osman Abdullah Kazazi ka lé në Tiranë, me datën 9 Korrik 1917 dhe ishte vllau i pesë motrave, që i shikonin sytë e ballit. Studimet e mesme i vazhdoi në Shkodër në Gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve.
Ishte ndër ma të përgatitunit e asaj shkollë dhe si i tillë, vazhdoi studimet për farmacist në Romë. Mbas tri vjetësh ndërpret studimet nga rrethanat e vështira të luftës atje dhe kthehet pranë familjes në Tiranë. Edukata e marrun nga shkolla Françeskane e Shkodrës, Osmanin e rreshton me atdhetarët demokratë që kishin synime republikane dhe dëshira e Tij për një Shqipni të Lirë dhe Republikë Demokratike, e angazhon aso kohe me organizatën “Ballin Kombtar Shqiptar”.
Në përpjekjet për Liri, Osmani nuk pajtohet me veprat dhe luften civile, që aso kohe po zhvillonte partia komuniste shqiptare, nen kujdesin e jugosllavëve të ardhun me atë detyrë në Tiranë, që në formimin e saj në 1941 gjoja me Everin drejtues. Ato pikpamje ai i shpreh haptas. Vetëm për këtë fakt “se nuk pajtohet me luften civile të PKSh” arrestohet me datën 14 Nandor 1944, nga forcat e sigurimit të komunistëve të Tiranës.
Osman Kazazi asht ndër të parët Atdhetarë Shqiptarë që dënohet me izolim fillimisht e ma vonë, me internim dhe burgosje të vazhdueshme për 43 vjet rresht.
Osmani e njef mirë diktaturën barbare komuniste!
Njeriu i heshtun i burgjeve të mnershme komuniste Osman Kazazi, shikohet dhe trajtohet si nxanës besnik i njenës prej shkollave ma Atdhetare po, edhe antikomuniste, ashtusi ishte në të vërtetë shkolla e Françeskanëve të Shkodrës, per të cilen Osmani pa frikë deklaron në hetuesi: “Nga profesorët e asaj shkollë Etnit Anton Harapi, Çiprian Nikaj, Mati Prennushi etj., mësova me dashtë Atdheun tim”.
Ndër kujtimet e tij, Osmani kujtonte me Tanushin prej kohës shkollës: ”Asht e paharrueshme nga ‘Lahuta e Malësisë’ ajo që na recitonte At Gjergj Fishta, dhe, si “aty mësova se pse unë duhet me vdekë per Atdhé!
Ata ishin antifashistë se ishin Atdhetarë Shqiptar, dhe si veten Ata na edukuen edhe né”!
Tue fillue nga burgu i Burrelit, kampi i shfarosjes së Maliqit dhe Bedenit, e derisa asht lirue në vitin 1987, asht e vështirë me percaktue ku i kaloi jeta Osman Kazazit, po vetëm një gja asht e sigurtë: “Ishte Burrë i matun dhe i pathyeshem nga vuejtja e torturat e mnershme komuniste!”
Mbasdreke u takuem me Tanushin dhe shkueme tek “Teatri i kukllave” ku ishte organizue ceremonia. Kishte shumë qytetarë të Tiranës dhe personalitete politike t’ asaj kohë.
Më erdhi koha me u çue për me ba përshndetjen. Gati askush nuk më njihte dhe nuk besoj se më kujtonte as vetë z. Osman, me të cilin kishe pasë vetëm një takim perpara…
Fillova fjalen time: “I nderuem z. Osman Kazazi, i masakruem nga komunistët vetëm pse ishe nxanës i Françeskanëve Shqiptarë të Shkodrës, po, edhe besnik i atyne bankave ku more nektarin e Atdhedashunisë dhe ndjenjen e vetflijimit per Atdhé e Fé.
Sot prej zemret po ju baj urimet e mia në gjuhën e Profesorëve të nderuem tuej, të cilët nuk rrnojnë asnjë, po ndër 43 vjet vuejtje të Tuat që ke kalue ndër burgjet e diktaturës së Ever Hoxhës, Ata ishin udhrrëfyesit Tuej që të forconin dhe të banin ma optimist për me qëndrue si burrat… Filluen duertrokitjet… Nuk kuptova pse?
Unë nuk e kishe perfundue fjalën dhe salla ishte çue në kambë! Duertrokitjet vazhdonin…
Sesi mu dha me shikue nga drejtuesit e tubimit dhe shoh z. Osman tue fshi lotët me një shami, kishte hjek gjyslykët dhe vazhdonte me lotue… Ndërpreva fjalën dhe iu afrova tek tavolina. U përkul dhe më përqafoi me lot për faqe: “I nderuem z. Radovani, edhe zani yt mu duk si i Atyne Burrave që më edukuen ndër bankat e asaj shkollë, ku unë mësova kujt i thonë Nder, Atdhé e Zot”! I lexova edhe dy rreshtat e fundit dhe në mes turmës që vazhdonte me qendrue në kambë e tue duertrokit shkova tek vendi. Osmani foli dhe u ndalue në një episod të trishtueshëm të rinisë, Njeriu nder ato rasa nuk e sheh veten… Tanushi më tha: “Gja e veçantë”! Dhe, me të vertetë ashtu ishte.
Mbas dy ditësh i shkuem per vizitë bashkë me Tanushin në shtëpi. Një pritje e paharrueshme per mue. U ulëm në një divan, ku me siguri aty asht ulë edhe Burri i Madh i Dardanisë Rrugova. Portreti i qeshun i Osman Kazazit perballë Tij, më futi ndër këta mendime. Osmani më foli gjatë për kohën e rinisë së vet në Shkodër. Osmani tregoi si e pranguen në burgun e Tiranës, me datën 19 Shkurt 1946 dhe tue shkue në ËC, roja e len në korridor dhe ai hyn në një magazinë. Ky dëgjon një za: “Osman! Osman! Jam Pader Antoni!, Osman, a asht kush këtu afer”? – U pergjegja, jo Padër. Nxorri një letër të vogël nga xhepi dhe më tha: “Rueje po, mos ta gjejnë kur të kontrollojnë”! E mora, e futa në gjoks, dhe eca tue e shikue mësuesin tim fort të dashtun, Padër Anton Harapin, që ishte i pranguem duer e kambë nën një shkallë, gjithë Ai Burrë, nuk dukej ma shumë se një grumbull plaçka të hudhuna në çimento, nuk kishte as shtroje, as mbulojë veç një tas alumini pa ujë.
Ishte i rrethuem në hekra ku nuk mujte kurrë me u ngrit në kambë, se ishte vendi i ultë, ndërsa Pader Antoni, ishte i gjatë dhe përsa muej qëndronte aty gjithmonë i krrusun. Të nesërmen e asaj ditë At Anton Harapin e pushkatuen, ishte data 20 Shkurt 1946”.
***
Më tregoi se Osmani e kishte ruejtë letrën dy vjet, po kur ka humbë shpresën se lirohet, atë leter ia kishte dhanë një kushrinit të Lef Nosit, që ishte para lirimit. I vinte keq se nuk dinte gja për fatin e asaj letër, mbasi kur asht lirue Osmani, qytetari Nosi nuk jetonte ma prej sa vitesh.
E koha e pafund e burgut vazhdonte me perpij kujtime!
Osman Kazazi ishte një galeri e pafund ngjarjesh që vetëm ndërpriteshin kur iu ndalonte zani. Ndoshta, gaboj, po kam bindje se vuejtjet e tia ishin të veçanta në krejt Europen ashtu si të mësuesve të Tij Françeskanë!
Osman Kazazi ishte dhe mbetet ndër figurat e Nderueme Shqiptare!
Jam gëzue fort kur mora vesh se Osman Kazazin edhe Vatikani e kishte dekorue me Medaljen e Artë “Joannes Pavlvs PP II”. Ndoshta, për këtë arsye i kanë shemb edhe shtëpinë e tij në Tiranë, ashtusi Luigj Gurakuqit në Shkodër. E tash së fundit po mendojnë me lanë me u shembë edhe shtëpinë ku banonte, kushedi kush nga Shqiptarët!
Burra si Osman Kazazi nuk kanë nevojë per “shtëpija”! Vetëm i kujtoni
ata burra se me vuejtjet, jetën dhe gjakun e tyne, ta kanë ndërtue sa e sa Kështjella të Pamposhtuna!
Pavdeksia e atyne kështjellave asht vdekja e komunizmit!
Ata Kështjella të Pamposhtuna me Emnat e Tyne të Perjetshëm sot janë Shqipnia Europjane!
Pikrisht ajo Shqipni Europiane asht edhe vepra e gjithë jetës së mikut tonë të nderuem dhe shumë të respektuem Tanush Mulleti, i cili gjithë jeten e tij ia kushtoi trojeve tona të Nderueme!
Kujtimet e Tanushit nuk shlyhen kurrë, se i përkasin vetëm Atdheut!
I përjetshem asht kujtimi i tij!
Jetoi për Atdhe dhe ia fali jetën atij!
Melbourne, 25 Maji 2024.