Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Rreth librit “Arsimi në krahinën e Ishmit 1912-1944”
Prurje dhe risi të reja në libër
Ditë më parë ka dalë nga botimi libri studimore i Agim Lika “Arsimi në krahinën e Ishmit 1912-1944”. Historia e arsimit shqiptar, ashu si dhe historia e arsimit në krahinën e Ishmit në këtë libër vjen e bazuar në fakte dhe dokumente, të nxjerra nga literatura dhe nga Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar. Arsimi fillor në Ishëm ka vlerat e veta historike, si një nga shkollat e para, pas formimit të “Shtetit të parë shqiptar”, në rrethin e Durrësit.
Libri na flet me hollësi për gjithë rrugëtimin e arsimit shkollor në Krahinën e Ishmit nga viti 1912-1944. Faktet që jepen në libër nga autori dhe studiuesi ushtarak Agim Lika janë nxjerrë nga qëmtimi i një fondi të madh arkivor, i dokumenteve historike, literaturës së shkruar për arsimin shqiptar dhe, çfarë është më kryesorja, asgjë nuk është e bazuar në gojëdhëna dhe në fantazi.
Për arsimin fillor në Krahinën e Ishmit është folur dhe shkruar, por ky libër është i llojit të veçantë, sepse sjell para publikut të dhëna dhe fakte të cilat janë të dokumentuara. Për mendimin tim, libri ka shumë risi, por unë do të veçoj, në dokumentimin e saktë të datës për hapjen e shkollës shqipe në Krahinën e Ishmit më 4 mars 1913, si dhe për pasqyrimin e dokumentacionit të shkollës sëe Bizës, pa folur këtu për mjaft probleme të cilat na japin një panoramë të plotë të arsimit në krahinë e Ishit në vitet e para të shek. XX.
Shpresoj shumë që, nga leximi i librit mund të merret një mesazh i rëndësishëm, në ditët e sotme, ndërsa flasim e flasim për shkollat e para në Krahinën e Ishmit dhe mendojmë se kemi arritur diçka, ka shumë për të mësuar nga reformat, legjislacioni e nismat, sikundër edhe nga pasioni, përkushtimi i mësuesve që kanë udhëhequr e drejtuar arsimin fillor në këtë periudhë. Si përfundim dua të theksoj se, me botimin e këtij libri autori i ka bërë një shërbim shumë të veçantë dhe të mirë vendlindjes dhe njerëzve në të gjithë Krahinën e Ishmit. Ndaj e përgëzoj dhe e vlerësoj për pasionin me të cilin ai e ka shkruar këtë libër, për gjuhën e përdorur, si dhe për stilin në përcjelljen e një dokumentacioni të bollshëm dhe shterues.
Mbi përmbajtjen e librit
Libri fillon me shkrimet e studieusëve Dr. Shkëlqim Sirika dhe të Kujtim Xhebexhiu, të cilët vlerësojnë përpjekjet dhe punë e bërë për realizimin e librit “Arsimi në krahinën e Ishmit 1912-1944” të autorit Agim Lika.
Në kapitullin e parë autori trajton arsimi në Shqipëri pas shpalljes së Pavarësisë, ku i bën një përmbledhje të shkurtër rrugëtimit të arsimit dhe shkollave shqipe nga shek. XI-XX. Më tej paraqet historinë e arsimit në Shqiperi, pas shpalljes së Pavarësisë, për të vijuar me arsimi fillor në Ishëm, gjatë Luftës së Parë Botërore. Hapja e shkollave fillore në zon dhe përse u zgjodhën Ishmi dhe Biza, si vendet e duhura për hapjen e shkollave fillore, si dhe hapja e shkollës fillore në Ishëm dhe në Bizë.
Në kapitullin e dytë, autori është ndalur në problemet historike të bazuara në fakte dhe në dokumente arkivore, ku një rëndësi të veçantë ka hapja e shkollës fillore në Ishëm 1913-1944 dhe në Bizë, si dhe zhvillimi i procesit mësimor në vitet 1931-1932.
Kapitullin e tretë autori jua ka kushtuar problemeve si: baza ligjore ku u mbështet arsimi në periudhën 1912-1944, një vështrim historik mbi zhvillimin e arsimit në Shqipëri, vendimet e Kongresit të Lushnjes të vitit 1920, si dhe arsimi në vitet e Republikës Shqiptare dhe të Monarkisë 1925-1939.
Kapitulli i fundit na jep disa të dhëna për mësuesit, për programet mësimore, 1913-1944. Më tej autori është ndalur tek mësuesit që kontribuan për zhvillimin e arsimit fillor në Krahinën e Ishmit, mësuesit që dhanë mësim në shkollën fillore të Ishmit…një vëmëndje autori ju ka kushtuar dhe mësuesëve të fees, mësuesit e shkollës fillore në Bizë, trajtimi ekonomik i mësuesve, programet mësimore, gjëndja e ndërtesave shkollore në Ishëm dhe në Bizë…si dhe disa përfundime për arsimin në krahinën e Ishmit.
Libri ka një bibliografi të pasur dhe një fond arkivor të dukshëm. Libri është i pajisur me facsimile dokumentash, foto si dheskica dhe tabela të ndryshme, të cilat e plotësojnë më së miri dokumentacionin për një libër studimor.
…dhe njohje me autorin
Agim H. Lika ka lindur në vitin 1968, në Shetaj, Ishëm (Durrës). Jeton në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës 8 vjeçare të Ishmit, ka vijuar studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, më tej në Akademinë Ushtarake të cilën e ka përfunduar në vitin 1991. Është titulluar oficer në vitin 1991. Ka punuar komandues, pedagog, komandant kursesh në akademitë ushtarake shqiptare, zëvendësshef dhe shef departamenti, komandant batalioni, specialist, shef dege dhe oficer shtabi në Shtabin e Përgjithshëm të FA, deri në vitin 2020.
Deri tani ka botuar në shtypin ushtarak artikuj problemor në revistën “Mbrojtja”, si dhe në organe të ndryshme si në gazeten “Tirana Observer”, në revisten “Liberal.al”, mjaft materiale përmbledhëse për website e OJF “Ishmit” etj.
Agim Lika ka botuar librin: “Maliket e Shetajt dhe pasardhesit e tyre” në Tiranë në vitin 2022, si dhe vëllimet me poezi: “Vendlindja e harruar” dhe “Si hënë e kristaltë”.
Në vitin 2024 del para publikut me librin studimor “Arsimi në krahinë e Ishmit 1912-1944”.