Ambasada e Danimarkës nderon gruan e Mufid Libohovës
Historia e Olgës, gruas së firmëtarit të Pavarësisë që shpëtoi 100 shqiptarë nga pushkatimi por jetën e ngrysi në internim
Danezja Olga Schweizer Libohova, bashkëshortja e Myfid bej Libohovës, firmëtarit të Pavarësisë, ish-ministrit dhe themeluesit të Bankës së Shqipërisë, zgjodhi të qëndronte në Shqipëri, edhe pas largimit të bashkëshortit nga kjo jetë. Ajo thirrej Madamë Ollga dhe nderohej nga gjithë libohovitët, por me vendosjen e regjimit komunist do përjetonte shumë vuajtje shpirtërore dhe mundime fizike. Olga e ngrysi jetën në internim, në varfëri duke përjetuar edhe burgimin mbi dhjetëvjeçar të të birit, Elmasit, historia e të cilit është një dramë më vete e shkruar nga diktatura.
Olga ishte vetëm 22 vjeçe kur erdhi në Shqipëri me bashkëshortin, Myfid bej Libohova, dhjetë vjet më i madh se ajo. Ai kishte studiuar drejtësi në Stamboll dhe më pas, Shkenca Politike në Lozanë, ku kishte marrë edhe gradën doktor. Prej 10 vitesh, ishte diplomat i Perandorisë Osmane. Thuhet se u njohën gjatë kohës që Olga, bijë e një ushtaraku të lartë dhe e një gruaje me origjinë aristokratike, studionte piano në Stamboll. Ajo vinte nga një familje daneze e vendosur në Paris, por vendosi që ta kalonte jetën në atdheun e bashkëshortit. “Ka qenë fundviti 1908 – fillimviti i 1909 kur gjyshi me gjyshen mbërritën në Shqipëri. Që prej asaj kohe madamë Ollga nuk u largua më nga vendi i bashkëshortit të saj”, rrëfen Mufid Libohova (i riu), nipi i Ollgës, në librin “Familja që sundoi Janinën për 200 vjet” me autor Pëllumb Velon.
Myfid bej Libohova pati një aktivitet të ngjeshur politik e patriotik në atdhe. Në vitin 1908, i fali Kazasë së Gjirokastrës sheshin kryesor të qytetit, pronë e familjes, që aty të ndërtohej gjimnazi shtetëror. Nga 1908-1912, ishte deputet i Sanxhakut të Delvinës në Parlamentin Osman dhe në nëntor 1912, përfaqësoi vendlindjen në Kuvendin e Vlorës, duke u bërë një nga firmëtarët e Pavarësisë. Në qeverinë e Vlorës, drejtoi Ministrinë e Punëve të Brendshme. E vazhdoi karrierën politike edhe në qeveritë e mëvonshme, me disa poste ministrore duke u bërë edhe themelues i Bankës së Shqipërisë, por në vitin 1927, Myfid bej Libohova ndërroi jetë. Djali që ai pati me Olgën, Elmasi, sipas datave të lindjes që jepen në burime të ndryshme, nuk ishte më shumë se shtatë vjeç në atë kohë. Ndërkohë Myfid bej Libohova kishte edhe një djalë tjetër nga martesa e parë me Sheref hanëm Pojani-Gjiridli, e cila kishte ndërruar jetë në moshë të re.
E mbetur pa bashkëshortin dhe me një fëmijë të vogël, Olga vendosi të mos largohej nga Shqipëria. “Frerët e shtëpisë i mori në dorë zonja Ollga, të cilën të gjithë ne e donim jo si gruan e Mufidit, por si të ishte libohovite”, thoshin banorët e vjetër të Libohovës – ka thënë Mufid Libohova (i riu). Por respekti dhe nderimi i libohovitëve ndaj saj u rrit veçanërisht nga një ngjarje e vitit 1944, kur kjo grua arriti të shpëtonte 100 burra shqiptarë nga pushkatimi. Historia është aq e njohur sa përmendet nga disa burime, që pavarësisht ndryshimeve në detajet e rrethanave, aktin heroik të danezes e sjellin të njëjtë.
Albina Roshi, në Parler Albania, shkruan se në vitin 1944 një kolonë prej disa automjetesh ushtarake gjermane që po vinin nga Greqia në rrugën midis Kakavijës dhe Libohovës u sulmua nga zjarri i një grupi partizanësh, i cili shkaktoi vrasjen e një ushtari gjerman. Gjermanët mbërritën menjëherë në Libohovë dhe arrestuan 100 burra, duke i kërcënuar se në rast se nuk tregonin ku ishin fshehur partizanët, do të pushkatoheshin që të gjithë. Madamë Olga u informua për ngjarjen dhe shkoi menjëherë në vendin ku ishin vendosur libohovitët për pushkatim, duke iu prezantuar oficerit gjerman si bashkëshortja e Myfid bej Libohovës. “Oficeri gjerman i bëri kërkesë të ndërmjetësonte pranë fshatarëve që t’i tregonin fajtorët që qëlluan po të dëshironin të shpëtonin jetën e tyre. Ajo refuzoi dhe i tha komandantit, se nga Libohova nuk kishte asnjë fshatar që ishte partizan apo komunist dhe prandaj gjithë fshati ishte krejt i pafajshëm. Duke parë se gjermanët kishin ngulur këmbë, i lajmëroi se ajo do të vendosej në krye të 100 burrave të Libohovës për të përballuar pushkatimin. I tronditur, oficeri gjerman mori në telefon komandën e tij në Gjirokastër, duke i shpjeguar situatën e ndërlikuar dhe duke evidentuar, se e shoqja e Mufid Bej Libohovës ofronte jetën e saj që të pushkatohej së bashku me 100 burrat e Libohovës. Atëherë komandanti, si duket për të evituar situatën, dha urdhër që të pezullohej menjëherë pushkatimi i burrave të fshatit. Në shenjë falënderimi dhe mirënjohje, ajo i dhuroi oficerit gjerman një sahat xhepi të florinjtë mjaft të vlefshëm”. Pas kësaj, ajo do thirrej Zonja Libohova.
Por sapo komunistët morën pushtetin, ata filluan të përvetësonin e të shkatërronin pasuritë e bejlerëve, përfshirë dhe ato të familjes së Myfid bej Libohovës, pa e kursyer gruan që me ndërhyrjen e saj u shpëtoi jetën 100 burrave. Nipi i Myfidit, që mban emrin e të gjyshit, tregon se pas çlirimit, pikërisht në vitin 1945, me urdhër të shtetit të sapoformuar, familja e Myfid bej Libohovës u shpërngul nga sarajet në mes të qytetit, në një stallë lopësh, ku ndenjën për 5 muaj. “Në atë kohë librat më me rëndësi të gjyshit i morën, ndërsa gratë e Libohovës i detyruan që t’i nxirrnin kazanët e rrobave në sheshin kryesor dhe zjarrin ta bënin me librat tanë. Biblioteka jonë ka pasur 2500 volume, si dhe dokumente të rëndësishme historike nga koha e marrëdhënieve me Turqinë”. Pasi jetoi për 5 muaj në stallën e lopëve, Ollga u internua në Shijak. Atje, danezja duhej të jetonte e vetme dhe të punonte në fushat e misrit, mundime që u rënduan nga burgosja e të birit. Elmas Libohova në vitin 1945 ishte kthyer nga Parisi, edhe pse diku thuhet Italia, ku kryente studimet për jurisprudencë. Teksa banonte në një prej hoteleve të kryeqytetit, ai u arrestua në vitin 1947, me tri akuza: tentativë për arratisje, agjitacion e propagandë dhe grup armiqësor. Për këto akuza, u dënua me 15 vjet burg.
Pas vitit 1949, Olgën do e largonin nga Shijaku për ta internuar në fshatin Tresh të Lezhës, ku jetoi deri në vitin 1958. Pjesë të publikuara nga libri “Familja që sundoi Janinën për 200 vjet”, bëjnë të ditur se, pasi i biri doli nga burgu, më 1959 ata jetuan bashkë për pak vite në internim deri sa Olga u shua në moshën 77-vjeçare. Nga punët e rënda, edhe i biri i saj, Elmasi, vdiq në vitin 1977. Në atë kohë gruaja e tij ndodhej në hetuesi të Lezhës. “Babai punonte në fushë me tensionin të lartë. Plus sëmundjes, babain e tronditi edhe marrja në hetuesi e nënës sime, e cila u akuzua dhe dënua me 5 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, se gjoja kishte thënë që dikur ka pasur 30 dele”.
Nga martesa e djalit të Ollgës, Elmasit, lindën tre djem: Enveri, Kemali dhe Mufidi (i riu). Persekutimi vazhdoi deri te ata. Mufidi (i riu) tregon se edhe vetë, nga viti 1985 deri në vitin 1987 është ndaluar dy herë. “Në vitin 1990 arriti dhe pika kulminante. U arrestova nga sigurimi dhe për një muaj ndiqesha nga pas. Nuk e dija se ç’do të bëhej me mua, dëgjoja vetëm se e kishin me ne, me atë shtresë e cila për pushtetin e atëhershëm paraqiste probleme. Nuk e di se si kam shpëtuar nga ajo ‘valle e vdekjes’.”
Me gruan e tij, Mufidi (i riu) u martua ditë të premte, ndërsa të hënën, tregon ai, i hipi avionit për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria për në Austri. U rikthye vetëm në vitin 2001, për të bërë të mundur tërheqjen e eshtrave të të afërmve nga Zejmeni i Lezhës. Ollga Libohova dhe djali i saj, Elmasi, sot prehen në kodrat e Tufinës, në Tiranë. Kujto.al