PËRUROHET BUSTI I DËSHMORIT TË ATDHEUT, ALLAMAN DERVISHI
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI & Kujtim BISHAJ
Në ditën symbol të 80 vjetorit të Kongresit të Përmetit, më 24 Maj 2024 u përurua në Komisariatin e Policisë Rrugore në Kinostudjo, Njësia Administrative Nr.4, busti i Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi. Organizimi i ceremonisë u bë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Ky përurim ishte në vijim të veprimtarive përkujtimore që po zhvillohen në mbarë vendin në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80 vjetorit të Çlrimit”. Rasti i dëshmorit të Policisë Rrugore lidhej me 20 vjetorin e rënies në krye të detyrës të Allaman Dervishit, deshmor i atdheut dhe ish punonjës i Policisë së Shtetit, në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, ku ai ishte punonjës policie. Busti u vendosur në oborrin e këtij Komisariati në nderim të tij, në prani të organizatorëve të shumtë të Policisë së Shtetit, Policisë Rrugore, komisariatit të policisë rrugore si dhe Ministrisë së Brendshme. Busti është vepër e artistit nga Puka Ardian Pepa, i cili me veprën tij e ka kthyer si të gjallë Allaman Dervishin. Dëshmori i policisë rrugore është i jetësuar në pavdekësi pranë nesh, por veçanërisht pranë punonjësve të Policisë Rrugore, të cilët duket sigur i vëzhgon dhe i këshillon se si duhet të përmbushin më mirë misionin e tyre fisnik pa rrezikuar jetën e tyre, kur ata nisen për në detyrë.
Ndërtimi i bustit të dëshmorit u mundësua nga kontributi i shoqatës Shqiptaro Amerikane të Zbatimit të Ligjit me president zotin Elton Shametaj dhe disa miqve të familjes Dervishi, që me fisnikërinë e tyre nderuan dëshmorin e atdheut dhe OKDA-në që është struktura solide e mbrojtjes së gjakut të dëshmorëve në Shqipëri. Me këtë rast fjalën e rastit e mbajti shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë kryekomisar Besmir Qibini, që kishte në prezencë gjithë stafin e Komisariatit dhe që u angazhuan maksimalisht në ngritjen e bustit, organizimin e ceremonisë dhe mikpritjen e mysafirëve në ditën e aktivitetit. Prezenca e punonjësve të MB-së ja shtoi vlerat për mbarëvajtjen e aktivitetit, por edhe nga drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Shtetit dhe drejtoria e Policisë Tiranë, përfaqësues të lartë të të cilave morën pjesë dhe përshendetën aktivitetin.
Akti sublim i Dëshmorit të Policisë Allaman Dervishi dhe figura e tij janë lartësuar edhe në librin “Flutura Shpirti i Allamanit” i autorit Sefer Pasha. Detaje mbi jetën, cilësitë dhe virtytet që mbartte Allaman Dervishi janë përshkruar në libër. Të pranishëm në këtë ceremoni sinjifikative ishin familjarë të Dëshmorit të Atdheut, Zv/ministrja e Brendshme, znj. Romina Kuko, e cila edhe përshëndeti në këtë ceremony në emër të Ministërit të Brendshëm; Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues i lartë Sokol Bizhga; zv/drejtori i Policisë së Tiranës, drejtues Luigj Vathi, Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato dhe shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, kryekomisar Besmir Qibini, të cilët përkujtuan dhe vlerësuan figurën e kolegut të tyre. Merrte pjesë edhe kryetari i OKDA-së të Njësisë Administrative nr.3 zoti Kujtim Bishaj, i ftuar në mënyrë të posacme nga vetë familjarët e dëshmorit Allaman Dervishi.
Allaman Dervishi ishte lindur më 20 shtator 1969, në Kryezi të Pukës, ka qenë i martuar dhe ka aktualisht një djalë të rritur. Allamani Dervishi kishte filluar punë në strukturat e Policisë së Shtetit në vitin 1997, në kohën kur rendi e siguria në Shqipëri ishin të tronditura. Ai ishte përfshirë fillimisht në Komisariatin e Policisë së Pukës, për të vazhduar më tej në Durrës e Tiranë. Në shtator të vitit 2003 kur kishte vetëm 6 vite kontribut në radhët e policisë ishte emëruar kontrollor linje në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, ku shërbeu deri në ditën e rënies në krye të detyrës. Më datë 24 maj 2004, duke qenë në shërbim së bashku me kolegun e tij Resmi Hasanpapaj, në hyrje të qytetit të Tiranës, në Laprakë vritet në krye të detyrës gjatë kohës që po tentonin të ndalonin një mjet të dyshuar, ndërkohë kolegu i tij mbeti i plagosur rëndë. Fakt është se Allaman Dervishi edhe pse ishte në momentet më decizive të jetës me ndjenjën e lartë për detyrën në të shuar e sipër në dorën e tij shënoi targën e makinës së dy kriminelëve që qëlluan policët në krye të detyrës. Falë këtij veprimi policia gjeti në një kohë të shkurtër vrasësit që miorën dënimin e merituar sipas ligjeve të shtetit. Detaje mbi jetën, cilësitë dhe virtytet që mbartte Allaman Dervishi, si dhe kujtime sollën në këtë ceremoni edhe vëllai i tij Bilbil Dervishi, i cili e lidhi rënien e të vëllait me gjakun e derdhur nga 288 punonjës të policisë së shtetit (në tre dekada) dhe që të gjithë kanë bërë sakrificën më sublime për një Shqipëri më të sigurt. Allaman Dervishi gjatë gjithë kohës është shquar për devotshmëri, profesionalizëm e korrektësi në përmbushjen e detyrës dhe në marrëdhëniet me kolegët e qytetarët, të cilëve u shërbeu me përkushtim të rrallë. Gjaku i punonjësve të policisë që kanë dhënë jetën në detyrë e për shkak të detyrës është gjaku i shtetit. Kujtimi dhe respekti ndaj tyre na bën që ta vlersojmë e ta mbrojmë jetën po aq sa detyrën. Kujtimi i Allaman Dervishit në përvjetorin e 20-të vjetorit të rënies, është mesazh për të gjith punonjësit e policisë, të bëjnë detyrën sipas ligjit, për ata që e mbrojtën jetën me jetën e tyre, si dhe me jetën e shumë kolegëve. Krimi dhe kriminelët kanë goditur dhe vijojnë të godasin me ashpërsi, nuk kursejnë as jetët e punonjësve të policisë, duke ngritur dorën kundër shtetit. Policia e Shtetit vijon të jetë në gatishmëri dhe ti përgjigjet veprimtarisë kriminale në të gjitha rrethanat me të njëjtën ashpërsi në mbrojte të rendit e të siguris publike në Shqipëri. Nderim dhe mirënjohje në përjetësi dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi dhe dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit.