Fritz Radovani: Erdhën partizanët! Ata janë!
Forcat ushtarake gjermane të fundit që ishin në Shqipni, me 28 Nandor 1944, ishin në konviktet e Kuvendit të Fretenve në Shkodër, ku pritshin urdhnin nga komandanti i tyne për largimin perfundimtar prej aty.
At Anton Harapi u kthue nga Berlini mbas një takimi me Hitlerin, që i pat kerkue “Ju lutem, mos na njollosni Ditën e Flamurit, 28 Nandorin, me hymjen e komunistave në Shkodër, që do të konsiderohet edhe Dita e çlirimit, prandej ju lutem, shtynje të paktën vetem nji ditë daljen e forcave Tueja nga Shkodra”! Dhe Hitleri e pranoi propozimin e tij. Ata u larguen nga Shkodra aty nga ora 2 e mëngjesit të 29 nandorit 1944.
Foto sipër asht ba nga Foto Marubi në Shkodrën e shkelun nga partizanët “çlirimtarë”, të cilët brohoritnin per “druzhe Titon, shokun Stalin e Ever efendinë”, që jo vetem na vorfnuen po, edhe na robnuen përjetsisht!
Atyne rreshtave i prinin partizanët e njoftun Shefqet Peçi, Dul Rrjolli, Fadil Kapisyzi, Xhemal Selimi, Ndreko Rino, Çesk Shoshi e të tjerë, të gjithë të thirrun për rrënimin e sa e sa jetëve të pafajshme njerëzore në qytetin e Shkodres, i quejtun atëherë djepi i kulturës shqiptare!
Pa kalue as 24 orë që kishin ardh në qytetin e Shkodres, këta forca të “pa Atdhe e pa Fe”, fillojnë e i trokasin dyerve të qytetarve të Shkodrës, tue i kerkue familjeve shkodrane dhoma për fjetje. I pari gjyshi em ju tha: “Per pa kalue mbi trupin tem, ju sande nuk hyni me fjetë në shtëpinë teme, mbasi nuk kam askënd përveç vajzës vejë, që i kanë vra burrin”!
Shkodra jo vetem që nuk komunikonte me asnjë qytet tjeter, po as nuk dihej as deri kur mbasi të gjitha urat tue fillue nga ajo e Bunës, Drinit dhe e Kirit, ishin minue dhe hjellë në erë nga forcat gjermane. Forcat e partizanve që ishin ndër kodrat e Tepes dhe pranë Kalasë, mujtën me u lidhë me partizanë që nuk kishin as armë dhe filluen zakonin e tyne, tue ju hy qytetarve ndër dyqanet dhe shtëpijat e tyne dhe tue i marrë mallin.
Kujtoj një rast kur dy partizanë erdhën tek shtëpija dhe pyetën nanën time: “Ku i ke teshat ushtarake të Kolës”? Dhe, nana ju pergjegj se s’kam, mbasi i kam shitë, se nuk kishe as pension me i ble buken tre fëmijve!
Edhe sot e kujtoj frikën e nanës se mos po vijnë me kontrollue shtëpinë!
E kontrollet e tyne jo pak familje shkodrane i kanë nxjerrë prej shtëpisë!
Damet as nuk mund të merreshin me mend, mbasi partizanet barbarë ku venin kamben, plaçkitshin dhe vidhnin mallin e dyqaneve dhe i qitnin në rrugë të madhe pronarët e tyne pa asgja mbas shpirtit. E kjo ngjau edhe nder dyqanet e baballarve të shumë partizanve që nuk i njifnin ata.
Operacioni ushtarak i hapi rrugen operacioneve politike dhe atyne që ma vonë u quejtën operacione policore e, që nuk mund t’i ndalonte askush në veprimet e tyne kriminale dhe terrorizuese të Popullit pafaj Shkodran.
A ka ndonjë studjues shkodranë që ka studjue përafërsisht vjedhjet dhe plaçkitjet e partizanve nder ditët e para të “çlirimit” në dyqanet dhe, sa e sa shtëpijave të tregtarve e qytetarve të qytetit e fshatrave të Shkodres?
Shembulli ma i mnershem ndër fshat asht ai i Prenk Calit, ku forcat e partizanve të drejtueme nga krimineli Mehmet Shehu në marrëveshje me forcat jugosllave të Titos, vrane 118 malsorë dhe, mallin e bagëtitë e tyne ua morën dhe i mbytën me ushqye ushtarët vrastarë ndër ata male.
Atëherë, deri kur do të vazhdohet me u quejtë “hymja e partizanve në disa dyqane të Pazarit të Shkodres dhe të shumë fshatrave rreth qytetit me 29 nandor 1944, dita e çlirimit?! Hajdutët na e sollën lirinë si sot”?!
Kujtoj që pak ditë mbas 29 nandorit, pa i trokitë derës së oborrit hyne në shtëpinë tonë disa partizanë që i drejtonte një Gjovalin… Porsa hyne në dhomen e fjetjes i shkuene sytë tek një akumulator që përdorte baba, kur ishte gjallë per me ndigjue radion. E mori ate dhe mbasi e shikoi a punon dhe e pau se asht në gjendje pune, e futi në një çantë dhe e mori me vete.
Kjo sjellje hajduti ishte shumë e zakonshme nder të gjitha shtëpijat jo vetem të Shkodrës, po në të gjithë Shqipninë e robnueme prej tyne.
Ndër shtetet ku sundojnë komunistët duhet dijtë se nuk ka asgja ma në pronsi i zoti shtëpisë! Gjithçka asht e pushtetarve qeveritarë e hajdutë!
Gjithçka që atyne i duhet në shtëpijat e veta, asht e atyne dhe e marrin pa i kërkue leje askujt. Prona yte asht e të gjithve, ajo asht e kolektivit!
Atë çka ata e marrin asht ba e tyne dhe, as mos e kërkoni kurrma!
Ata kapitalet e veta të paprekshme i kanë në bankat e shteteve të hueja!
Dhe, pronarët e atyne bankave me qeveritarët e vet, bajnë sehir!
Ndërsa, Populli Shqiptar, SOT NUK KA AS BUKËN E GOJËS!
Kjo pra, asht “Rilindja komuniste” në Shqipninë e vorfnueme socialiste!
Shqipninë SOT e sundon vetëm qeveria, skami, vorfnia e shpopullimi!
E kryet e vendit në qeverisje e kanë hajdutët e droguem!
Melbourne, 27 Maji 2024.