VALENTINA HYSI VJEN ME LIBRIN E DYTË “DITËNETËT E MIRELË J.”
Valentina Hysi: Unë dhe libri
Historia e parë e sfidës së rrëfimit, ka qenë libri “Kthesa”, nga botimi i të cilit nuk ka kaluar shumë kohë.
Shpesh jam gjendur diku në kufijtë mes trillimit dhe realitetit. Atëhere mendoja se pas një libri duhej të qëndronte një skuadër gjigante që përpunonte idetë, zgjidhte dinamikën, stilin, por unë pata mbledhur gjithçka të shkruar andej e këndej, copëza dhimbjesh të fshehura pas buzëqeshjeve, pa bërë skica e sinopse.
Shpesh e më shpesh mbyllesha në vetvete, Diku ngjitëte një ëndërritje, një rrethanë, diçka tjetër thellohej vetëm në mendje. Një personazh hynte, ndërsa tjetri dilte.
Sa herë e kam shkruar nga fillimi, shtrihesha dhe për orë të tëra nuk më zinte gjumi. Një mori gjërash, mendime, personazhe, përshkrime, grimca bisedash, përballje, sa shumë kam patur ndër mendje. Personazhet vuanin, qeshnin, gabonin, ëndërronin. U ndodhnin ngjarje të thjeshta të përditshme. I vizatoja një e nga një.
Me pak fjalë këtu zuri të tirrej ai libër. “Kthesa” për mua mbetet magji, një lumturim me shije të pastër.
Tashmë vjen libri i dytë…
Histori dashurie, elegji për dashuri ende të gjalla. Nuk e kam kapërcyer magjinë se sa e rëndësishme mund të jetë një dashuri e madhe dhe brenda jetës së një personi krejtësisht të pavarur. Shpaloset gruaja brenda saj, gruaja pjesë e padukshme, gruaja e fortë dhe e dobët njëkohësisht.
Një dashuri e ndarë oqeanesh, e destinuar të harrohej. Ngelur muzë kujtimesh. Por fatet çuditërisht përsëriten…
Një personazh, një ngjarje e jetuar, zgjoi brenda meje instiktin e rrëfimit. Kujtim që e kam ende në kokë prej shumë kohësh, mund të them, vite më parë para se të nisja librin. Nuk ka të bëjë me të ardhmen e romanit. Është tepër arbitrare, por është pika e zanafillës.
Diku kam lexuar se historitë e vërteta shkruhen në libra.
Dhe, në fund, falenderoj botuesit “Universal” për mbështetjen, veçanërisht, Fatma Xhaferaj dhe Besmira Mino.
Një falenderim i veçantë për regjizorin e mirënjohur, Ylli Pepo, Artist i Merituar, për vlerësimin që i ka bërë librit si lexuesi i parë i tij.
Ylli Pepo
Artist i Merituar
Një histori origjinale e shkruar me një stil tepër vetjak
“Them me bindje se ky libër është krejt i veçantë në letërsinë tonë. Është misteri i një dashurie, sa e hapur aq dhe e fshehtë, plot të papritura dramatike që mbajnë gjallë kureshtjen deri në faqen e fundit.
Personazhe te ditëve tona, por edhe të një kohë të shkuar, që vijnë të gjallë me dritëhijet e dilemat e tyre të mëdha. Ata jetojnë e veprojnë në një sfond gjeografik që shtrihet që nga fshatrat e thella të Shqipërisë Alpine, në Tiranën moderne e deri në Nju- Jorkun e sotëm.
Është një histori origjinale e shkruar me një stil tepër vetjak, që rrjedh natyrshëm, pa sforcime e ngërçe, me një thjeshtësi e strukturë të gjetur, falë talentit të lindur.
Si filmbërës i hershëm më duket sikur jam para ekranit, ku sekuencat me vërtetësinë e tyre më futin në një botë magjike plot ngjarje e të papritura.
Ndersa, si lexues, i pandarë kurrë nga librat, më pëlqen ky krijim i ri i Valentina Hysit, sepse është shkruar me mjeshtëri, lirshëm dhe plot trope letrare, ku gjen një pjesë të jetës, me gëzimet, humbjet, terrin e dritën e saj… “.
Valentina Hysi
Ka lindur në Tiranë më 11 janar 1958. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë – Letërsi, me një karrierë të gjatë pune në menaxhimin e burimeve njerëzore në institucione të larta të Administratës Shtetërore.
Në një moment të jetës, pas humbjes së njeriut të saj më të shtrenjtë, bashkëshortit Vladimir Hysi, i kthehet me brishtësi “ëndrrës së fjetur”, letërsisë, duke botuar në vitin 2020 librin e parë, “Kthesa”.
Është autore dhe skenariste e filmave dokumentarë: “Misioni i pamundur”, “Mes tallazeve të kohës…”, “6 personazhe kanë gjetur atorin” (Ali Asllani). Producente e filmit dokumentar “J. X. 100”, kushtuar shkrimtarit të madh, Jakov Xoxa.
Redaktore në filmat dokumentarë:
“Një shqiptar i madh” (Ndre Mjeda)
“Kolosi i historiografisë shqiptare” (Kristo Frashëri)
“Kujtesë e gurëveve” (Andrea Aleksi – Epirotasi i Durrësit)
“Shkëndia, një histori tiranase”
Një lowe story shqiptar” (Tefta Tashko Koço & Kristaq Koço)
Valentina Hysi vjen me librin e dytë, “Ditënetët e Mirelë J.”