Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta njerëzore është luftë e pandërprerë ndërmjet instiktit të jetës dhe atij të vdekjes!

Dr. Iris Halili

Gjithmonë kam menduar që psikoanaliza e çon njeriun në interpretime origjinale. Një ndër shpjegimet më interesante frojdike ka qënë përcaktimi i instiktit të vdekjes, Thanos dhe atij të jetës, Eros. Të dy termat janë të huazuara nga antikiteti Grek, për të cilin Dr. Freud ishte tërësisht i apasionuar dhe nga ku mendohet se ka ardhur edhe vetë prirja e tij ndaj psikoanalizës. Ai shprehej se: “Qëllimi i gjithë jetës është vdekja dhe duke vështruar prapa, jo i gjalli ka ekzistuar para të gjallit”. Njeriu lind me instiktin e vdekjes dhe më pas takon instiktin e jetës që gjendet jashtë tij. Sipas Dr. Freud, baza e ekzistencës tek çdo qënie e gjallë është pikërisht opozita dhe antagonizmi i pandalur i këtyre dy instikteve. Përpjekja për jetën apo instikti i jetës tek qenia njerzore përcaktohet nga plotësimi i çdo nevoje apo dëshire të tilla si nevoja për ushqim, miqësi, komunikim, dije, pushtet, të ardhura, informim, marrëdhënie seksuale, lavdi, sukses etj etj. Në opozitë me instiktin e jetës, instikti i vdekjes shfaqet tek arroganca njerzore, krimet, vetvrasjet apo tentativat për vetvrasje, sadizmi, mazokizmi,luftrat, terrorizmi apo çdo makabritet që godet jetën dhe vazhdimësinë e saj.

Reagimi njerëzor në kohën e Novela Kovid 19 është ndoshta dëshmia më e gjallë dhe bashkëkohore e luftës midis instiktit të jetës me atë të vdekjes, konflikt ky i nisur nga i njëjti faktor i jashtëm njëherazi tek i gjithë njerzimi. Në qoftëse në kushtet normale të ekzistencës jeta e çdo njeriu është dëshmi e luftes së vazhdueshme e të brëndshme midis këtyre dy instikteve, në kohen e Kovid 19 instikti i jetës apo ai i vdekjes ndeshën në një konflikt të njëllojtë dhe me shtrirje universale.

Në fillim pranverën e vitit 2020të, papritur njerzit në të gjithë botën u njoftuan për pandeminë dhe karantinën që do e shoqëronte atë. Nga ana tjetër thirrja masive për ndalimin e aktiviteteve të përditshme, ishte një shprehje e shumë mundësive, nevojave dhe dëshirave njerzore dhe sa më shumë që rritej kjo shtypje aq më shumë rritej si kundërveprim instikti i jetës apo ai i vdekjes. Sipas Dr. Freud baza e analizës psikoanalitike fillon tek shtypja. Kështu që paniku dhe frika ndaj armikut të padukshëm e të panjohur padyshim që do sillte histeri kolektive tek njerëzimi i cili u sul t’ë sigurojë çdo mjet që do i jepte mundësi të mbijetonte dhe plotësonte nevojat. Po të ishte gjallë Dr. Freud do ta quante proçesin psiqik të njerzimit në atë moment si një frenim traumatik që është baza e çdo histerie, ku në këtë rast kishim një histeri kolektive. Gjatë kohës së kovidit njerzimi u ndesh para frikës që sipas frojdizmit përcakton një gjendje të karakterizuar nga forca e rrezikut dhe përgatitja për të. Në fakt ajo që ndodhi, më shumë mund të shpjegohet si një tmerr. Dr. Freud e shpjegon tmerrin si një gjëndje kur bie në një situatë befasuese e të rrezikshme pa qenë aspak i parapërgatitur për të. I lindur me instiktin e vdekjes, por edhe i mësuar për të luftuar deri në fund për jeten, njeriu përpiqet dhe shfaq në kushtet e tmerrit luftën midis këtyre dy instikteve. Herë fiton jeta e herë vdekja. Kjo u duk më së miri tek forma si njerzimi e jetoi karantinën duke bërë humor, kënduar, krijuar, gatuar, komunikuar, etj etj. Nga ana tjetër, çdo vetvrasje apo tentativë vetvrasjeje, çdo lloj formë agresioni personal apo social ka qenë në atë kohë një shfaqje e instiktit të vdekjes.

Psikoanaliza frojdike gjithmonë i ka dhënë peshë interpretimit të simboleve, dhe mes tyre ka shpjeguar rrethanat dhe bërë analizat përkatëse. Në fillimet e Novelës Kovid 19, e në mes të gjithë atyre që u bënë apo thanë, mes gjithë kërkesave apo mohimeve dy reagime kolektive duket sikur u kthyen në simbolika: Akoma pyesim si shpjegohet histeria kolektive e blerjeve në masë të letrave higjenike apo hapjes së menjëhershme të salloneve të bukurisë? Ndonëse letra higjenike në ditët e sotme nuk konsiderohet aspak një luks, histeria në blerjen e saj qe më shumë një simbol i aktit të instiktit të jetës për të triumfuar duke treguar se individi po “luftonte” të siguronte edhe ato lehtësira që quhen minimale për jetën e përditshme. Më pas efekti i teorisë së gjykimit në turmë u aplikua më së miri: “Përderisa e blejnë të gjithë duhet t’a blej edhe unë”. Psikologët e cilësuan këtë dukuri si “bandwagon effect”që shqipëruar apo saktësisht përshtatur do të ishte “efekti i turmave”, apo veprim kolektiv i mbështetur jo në llogjikën personale por në atë kolektive: “Perderisa e bën ti atëherë po e bëj edhe unë”, një tjetër teori edhe kjo frojdike.

Një histeri tjeter kolektive ishte kërkesa masive për të hapur sallonet e flokëve, a thua se ky shërbim ishte një domosdoshmëri tjetër për të mbijetuar. Besoj se sërisht frojdizmi do e interpretonte këtë impuls njerzor si një përpjekeje tjetër e instiktit të jetës për të mundur vdekjen. Të kërkosh medoemos hapjen e salloneve të flokëve është kërkesë natyrale për ti thënë pro jetës, më sakte t’i thuash po vanitet të saj, është si të insistosh pasjen e mëtejshme të luksit që jeta të ka ofruar deri më tani, është thjesht një formë simbolike dhe e pavetëdijshme e luftës që bën instikti i jetës për të fituar.

Përpjekja e vazhdueshme për të luftuar shtypjen dhe sjell normalitetin, apo dhe durimi për të jetuar karantinën me gjithë pengesat mbeten demonstrim i shkëlqyer i instiktit të jetës që vepron brenda nesh në forma nga më të shumëllojshmet, herë gati unikale e herë krejt origjinale. Edhe lidhja organike me natyrën është një vetëaprovim i pavetëdijshm se jeta vazhdon dhe natyra është dëshmia më e gjallë e saj. Është një ngushëllim për të mos u mposhtur dhe duruar sikur vetë natyra ka berë në mijra vjet shtrëngata e katastrofa nga më të rëndat. Natyra na shfaq shëmbullin më virtuoz si të presim apo të jemi të durueshëm, pasi sikur thote Dr. Freud: “Ajo që nuk arrihet duke dëshiruar, duhet pritur duke çaluar. Të çalosh, thonë shkrimet e vjetra, nuk është mëkat”.

Please follow and like us: