Marrëveshje për forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku dhe ambasadorët e Zvicrës dhe Suedisës nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të projektit ‘Bashki të Forta II’.
Me nënshkrimin e marrëveshjes mundësohet që një grant prej rreth 12 milion Euro nga qeveritë e Zvicrës dhe Suedisë t’i bashkohet kontritubit prej rreth 2 milion Euro nga qeveria e Shqipërisë për të mbështetur reforma të mëtejshme dhe rritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore.
‘Kjo marrëveshje shënon një vazhdimësi të bashkëpunimit të frytshëm që po kontribuon në forcimin e autonomisë vendore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Fokusimi ynë mbetet në ndihmën për bashkitë në rritjen e të ardhurave të tyre, vendimmarrjet e bazuara në të dhëna dhe aftësimin e kuadrove vendore’, tha Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.
‘Ne po kërkojmë të krijojmë një model qeverisjeje që i përgjigjet nevojave të njerëzve. Qëllimi është shërbime më efektive dhe më efikase për qytetarët dhe veprime të bashkërenduara mes administratës dhe këshillave bashkiake’, tha ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber.
Ndërsa ambasadori suedez Niklas Ström shpjegoi përfshirjen e Suedisë në këtë projekt: ‘Ne iu bashkuam projektit sepse besojmë në qasjen e tij dhe se ai po përpiqet të adresojë nevojat reale të bashkive në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe forcimin e demokracisë vendore. Demokracia dhe autonomia vendore, dhe hapja dhe llogaridhënia e administratës publike janë vlerat që do të donim t’i shihnim të materializuara për qytetarët shqiptarë, përmes këtij projekti, ‘Bashki të Forta’.
Projekti ‘Bashki të Forta’ mbështet që prej vitit 2019 strategjinë e decentralizimit dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive dhe të këshillave bashkiake. Në fazën e parë kontributi përfshin rritjen ei transparencës së bashkive dhe këshillave bashkiakë përmes transmetimeve live të mbledhjeve të këshillave bashkiakë si dhe futjen e mekanizmave të kërkesave dhe ankesave. Projekti ngriti për herë të parë një aleancë të grave në këshillat bashkiake e cila tejkalon ndasitë politike dhe punon për përparimin e barazisë gjinore në qeverisjen vendore.
Në këtë fazë të re, projekti do të punojë ngushtë me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor si dhe me 61 bashkitë në vend, për të rritur kapacitetet për shërbime si arsimi parashkollor, menaxhimi i mbetjeve, funksionet e këshillave bashkiakë, dhe matja e performancës së bashkive. Projekti do të përforcojë gjithashtu rolin mbikqyrës dhe këshillave mbi administratën e bashkisë, si dhe komunikimin me qytetarët.
‘Bashki të Forta’ nisi si një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe tani ka dhe mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar SIDA, dhe të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.