Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Shënime për librin “Dashuritë e jetës sime”
Një libër për dashuritë e jetës
Kohët e fundit ish ushtaraku Mehmet Deliu botoi librin “Dashuritë e jetës sime” me mbresa dhe kujtime nga jeta e mbushur plot episode dhe ngjarje të shumta, me mjedise shkollore, pune dhe ushtarake të përshkruara plot jetë, gjallëri e bukuri. Libri portretizon me ngjyra të ndezura dhe realiste jetëshkrimin dhe personalitetin e nënkolonel Mehmet Deliut, ushtarak i aviacionit shqiptar, si dhe kuadër aktiv dhe i suksesshëm në bashkitë Fushë-Krujë e Krujë. Në libër mësojmë se Mehmet Deliu ka lindur në një familje të thjeshtë, në Valias të Tiranës. Shkollën 8-vjeçare e ka filluar në shkollën “Rexhë Deliu”, Rinas dhe e ka mbaruar në shkollën “Korb Muça”, Qerekë, Tiranë, për të vijuar studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Ka kryer studimet e larta në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë; Shkollën e Lartë të Partisë dhe Akademinë e Diplomacisë Shqiptare, në Tiranë. Libri përqëndrohet në jetën dhe veprimtarinë si nxënës dhe student të Mehmet Deliut, në episode e ngjarje që shprehin karakterin dhe formimin e tij kulturor e human. Nga libri dalin mësime të vlefshme për jetën, për rëndësinë dhe vlerat që ka kultura dhe dija, shkollimi dhe kualifikimi, e veçanërisht edukata prindërore, përvoja në përballimin e punëve të vështira, si dhe në zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara që i shfaqen shpeshherë njeriut në jetë. Formimin e tij Mehmet Deliu në libër ia dedikon shkollës, mësuesve e pedagogëve, familjes, babait të tij.
U formua në “fidanishten” e ushtrisë
Autori vlerëson shkollën e mesme “Skënderbej” dhe shfaq respekt për nxënësit e saj të parë që ishin partizanët e vegjël, djemtë e dëshmorëve të luftës, fëmijë në nevojë dhe pa prindër nga të gjithë krahinat e vendit. Në “bankat” e shkollës u ulën fillimisht mjaft partizanë pionier të vegjël, që kishin luftuar e që nisën studimet në “Shkollën e Pionierëve të Luftës”. Më pas me vendim të posaçëm, do të quhej Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe u bë “fidanishtja” e Ushtrisë, e cila kishte mbi 2 mijë nxënës në katër vite së bashku. Në bankat e kësaj shkolle Mehmet Deliu mori mesazhe të rëndësishme për jetën, e cila, siç shprehet “nuk është fushë me lule, por është një fushë betejë plot sfida, që në mënyrë figurative do ta krahasoja me një det të turbullt, me dallgë të fuqishme, që doemos duhet vozitur fort për t’i kapërcyer”.
Nga faqet e librit mësojmë se në shkollë kërkohej seriozitet, përkushtim dhe përgatitje e lartë, karakter të fortë, disiplinë, qëndrueshmëri dhe motive nxitëse e frymëzuese, si dhe aftësi, që skenderbegasi i mori dhe i fitoi gjatë kryerjes të punëve të vështira. Gjithashtu Mehmet Deliu na paraqitet nxënës e student, drejtues rinie i zgjedhur nga të rinjtë, duke u formatuar një kuadër dhe njeri plot kulturë, që me kurajo civile dhe ushtarake flet dhe mobilizon ushtarë, shokë dhe kolegë. Kudo në repartet e ushtrisë shfaqi aftësi të dukshme dhe kulturë, në mbledhje e kuvende të mëdha e të rëndësishme të kohës, në kongrese rinie, në aktive, në seminare edukative e profesionale, në takime e mbledhje shoqërore, kulturore, letrare, etj. Tek figura e ushtarakut Mehmet Deliu u bënë bashkë vlera dhe cilësi të rralla, që e portretizojnë atë nga veçoritë dhe karakteristikat e oficerit model në ushtri dhe në armën e aviacionit. Ai shfaqi kudo përgatitje teknike e profesionale, sociale e kulturore, i përkushtuar dhe serioz, me karakter të palëkundur, me virtyte dhe aftësi dhe përballoi me sukses detyrat e ngarkuara në jetë.
Për figurën e pilotëve shqiptarë
Në jetë ushtarake Mehmet Deliu ka mbajtur gjithmonë qëndrim të kujdesshëm, të ekuilibruar, njerëzor, me synimin për të ndihmuar shokun, kolegun, vartësin dhe eprorin në punë. Ai shpreh falënderim dhe mirënjohje për shokët, kolegët dhe eprorët, të cilët i kanë qëndruar në krah, e kanë mbështetur për të ecur në jetë, për ushtarakët Sali Dibra, Klement Aliko, Ilo Marjani, Kristaq Burda, Seit Vuçaj, Kristofor Peçi, Astrit Jaupi, etj. Si ushtarak i armës së aviacionit luftarak, autori ndalet më gjerë tek kjo armë, te fuqia e saj luftarake e mbrojtëse, modernizimi i vazhdueshëm, arsimimi dhe kualifikimet e pandërprera të pilotëve dhe të trupës përgatitore në shërbimin e fluturimeve, duke përcjell te lexuesi njohuri për ushtrinë dhe fuqinë luftarake të aviacionit. Në qendër ai vendos figurën e pilotëve shqiptarë, të ushtarakëve të rinj, energjikë dhe atdhetarë, të shkolluar, të përgatitur dhe të kualifikuar, duke u përqëndruar në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë. Në libër autori shpalos disa karakteristika të veçanta dhe të qenësishme të efektivave mësimorë e trajnues dhe të ushtarakëve e drejtuesëve të Shkollës së Lartë të Aviacionit. Përpara lexuesit shfaqen njerëz me botë të pasur shpirtërore, të aftë dhe të përgatitur, seriozë dhe të përkushtuar, të vetëdijshëm për detyrat e vështira që kryenin.
Në libër njihesh me emra të nderuar dhe të pavdekshëm pilotë heroikë, që kanë dhënë jetën në kryerjen e detyrës duke ngelur përjetësisht në Panteonin e Nderit të Atdheut, si Niko Hoxha, Luto Sadikaj, Idriz Hoxha, Jani Tarifa, etj. Libri jep informacion për fuqinë e armës së aviacionit luftarak shqiptar, lexuesi njihet me aerodromet ushtarake, me vendstrehimet, me pistat ku avionët ngriheshin e uleshin vazhdimisht, ku kuadrot dhe pilotët shfaqnin aftësi dhe profesionalizëm, si dhe për teknikë që kujdeseshin për mirëmbajtjen dhe gatishmërinë e avionëve supersonikë. Në bazën e Gjadrit, ku krahas detyrave me karakter edukativ e politik, ai kreu edhe detyrat ushtarake si shef në radio-stacion, komandant grupi i radio-dritës dhe shef Operacional. Ndërsa në bazën e Rinasit, kreu detyrën shefit të shtabi bazë. Në Komandën e Forcave Ajrore kreu detyrën shefit të syrës së Komandantit të Forcave Ajrore etj. Në të gjithë detyrat e kryera nënkolonel Deliu, u shqua për korrektësi, maturi, për cilësi e aftësi të larta ushtarake e profesionale, për seriozitetin dhe përkushtimin, duke bërë që t’i dëgjohej fjala dhe mendimi.
Ndërsa shkrimtari Viron Kona në parathënie të librit shprehet se “e mbaj mend Metin, që kur ishte oficer i ri, me ëndrra dhe pasione, i përkushtuar plotësisht rreth aviacionit, por dhe i aktivizuar në rrethin e Vlorës sa herë ndihej nevoja për punën, energjitë dhe përvojën e tij… Meti e mendonte dhe e vlerësonte detyrën që merrte përsipër dhe s`thoshte kurrë jo, teksa të gjithë ne ishim të sigurt që askush tjetër nuk mund ta kryente më mirë detyrën sesa Mehmet Deliu. Libri është mësimdhënës dhe bien në sy vlerat edukative, informacion i hollësishme për probleme që kanë të bëjnë me anën psikologjike dhe karakterin njerëzor të ushtarakut, motivet e fuqishme shpirtërore dhe atdhetare nga të cilat udhëhiqeshin. Mehmet Deliu bën përshkrime për tërmetin e 15 prillit 1979, tërmetin e 26 nëntorit 2019, pandemisë COVID 19, opinione për luftën në Ukrainë etj. Të gjitha këto flasin për punë studiuese të tij, për nivel shkrimor, por tregojnë se ushtarakët, oficerë apo ushtarë, ishin të lidhur ngushtë me popullin.
Autori dhe lexuesi trishtohen dhe dëshpërohen për shkatërrimin e ushtrisë, të reparteve të rëndësisë së veçantë, siç ishin aerodromet, vendstrehimet e avionëve, që u shkatërruan “sa hap e mbyllë sytë”. Kështu avionë dhe vendstrehime e pista u shndërruan në grumbuj hekurishte, gërmadha e mbeturina pa vlerë. Autori shpreh dëshpërimin e dhimbjen e tij, mban qëndrim ndaj shkatërrimtarëve të ushtrisë në tërësi dhe atyre që shkatërruan armën e aviacionit. Të gjitha armatimet e ushtrisë, kanë qenë djersa dhe mundi i një populli të tërë, që ka sakrifikuar shumë për modernizimin e ushtrisë, por që në një periudhë fare të shkurtër u shkatërrua plotësisht, duke e lënë krejt të zbuluar mbrojtjen e atdheut. Me këto shigjeta demaskuese e kritike autori përshkruan dhe analizon në përgjithësi e veçanërisht ngjarjet e vitit 1997.
Viti 2006 ishte viti i fundit i shërbimit të ushtarakut Mehmet Deliu në Forcat e Armatosura. Në datën 1 shtator 2006, në moshën 52-vjeç, pas 4 vite shkollë të mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, 3 vite shkollë të Lartë të Aviacionit në Vlorë, pas 30 vite karrierë si oficer, në moshën e pjekurisë, me energji e përvojë, me shumë dëshirë dhe nevojë për t`i shërbyer familjes dhe shoqërisë, për shkak të reformës, doli në rezervë.
Aftësia për t’u përshtatur e “komandantit”
Intelektuali Mehmet Deliu e kishte përgatitjen, formimin dhe aftësitë e duhura që të vetorientohej. Ai u aktivizua në Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it dhe me Organizatën e Dëshmorëve të Atdheut. Me meritë u punësua në Bashkinë Fushë-Krujë dhe më pas në Bashkinë e Krujë, në detyrën e drejtorit të Burimeve Njerëzore. Edhe në sektorët e bashkive, në punët e pushtetit lokal ne shohim protagonistin Mehmet Deliu një luftëtar të jetës, një kuadër të përgatitur dhe të aftë për t`i shërbyer popullit, halleve dhe shqetësimeve, zgjidhjes së problemeve që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë njerëzit në këtë periudhë të tranzicionit demokratik. Në këto organe pushteti, u shqua si kuadër i denjë dhe organizator, njohës dhe interpretues i drejtë i ligjeve dhe këmbëngulës në zbatimin e tyre. Mehmet Deliu ka nderuar gjithnjë dëshmorët dhe heronjtë e luftërave për liri e demokraci, kurdoherë ka qenë në krye të organizimit të festave të mëdha historike, të 28 dhe 29 Nëntorit, të 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve, por ai ka treguar kujdes dhe ka këmbëngulur për riparimin, mirëmbajtjen dhe pamjen e simboleve të LANÇ-it, për riparimin dhe mirëmbajtjen e varrezave dhe Muzeut të Dëshmorëve të Atdheut, të cilat ishin thyer e shkatërruar pothuajse tërësisht. Një punë të veçantë bëri për restaurimin e lapidarëve të çetës, të batalionit, të brigadës dhe të Dëshmorëve të Atdheut, për përkujtimin dhe festimin e përvjetorëve të krijimit të BrXXIII Sulmuese dhe të çlirimit të Krujës.
Ai u gjend në krye të organizimit të veprimtarive për Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke shfrytëzuar mundësitë reale që jep Fushë-Kruja dhe Kruja, pasi në trojet e tyre, kryetrimi shqiptar ka zhvilluar beteja të shumta sulmuese e mbrojtëse, duke dalë gjithnjë fitimtar kundër hordhive të panumërta të ushtrive shumëkombëshe osmane. Në Fushë-Krujë kaloi vitet e fundit të jetës së saj edhe heroina e rezistencës kosovare, legjendarja Shote Galica, ndaj, në respekt të emrit dhe të veprës së saj heroike, veteranët e Fushë-Krujës dhe të Krujës nën kujdesin e tij janë përkujtuar vazhdimisht me nderim emrin dhe veprën e saj heroike.
Në libër spikat në mënyrë të veçantë mbështetja që ka pasur Mehmet Deliu nga familja e tij, e veçanërisht nga bashkëshortja, Deshira, e cila i ka qëndruar vazhdimisht pranë, i është gjendur dhe e ka mbështetur sa herë që atij i duhej të ishte në krye të detyrave të rëndësishme, sidomos në bazat ushtarake të Rinasit dhe të Gjadrit, por edhe në shumë momente të tjera kur Metin e kërkonin me urgjencë detyrat apo ngjarjet e papritura që ndodhnin në repartet e aviacionit ku ai shërbente. Vend të veçantë në libër zë dhe deputeti i Kuvendit Popullor, djali të madh Denisi, ushtarak si babai, i shkolluar, i aftë dhe i përgatitur fizikisht dhe ushtarakisht. Denisi si ushtarak me përvojë ka kryer detyra si komandant grupi i Forcave Speciale të Ushtrisë, oficer i misioneve luftarake në mbështetje të paqes dhe luftës kundër terrorizmit, në përbërje të ushtrisë amerikane, me mision në Afganistan, komandant grupi i Njësisë Speciale të Gardës dhe shefi i Sigurisë së Vetingut. Sot është deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Libri “Dashuritë e jetës sime” të Mehmet Deliut nga përmbajtja, tematika, forma dhe vlerat artistike të tij, përcjell mesazhe që na vlejnë në jetë, të tërheqës për çiltërsinë e shprehjes dhe të prezanton me tipa dhe karaktere. Libri ka përshkrime të mjediseve ku vepronin repartet ushtarake, përshkruan aerodrome dhe pista moderne të aviacionit. Në libër tërheqin vëmendje portretizim i figurave dhe karaktereve njerëzore, që i japin vlerë personazhit, ku gjen përcaktime të figurshme mjaft të goditura si “burrë i gjatë”, “qitës i talentuar”, “qëllonte cigaren 25 m larg”, etj. Në përfundim mund të them se autori dhe protagonisti i këtij libri. Ushtaraku Mehmet Deliu, ka qenë dhe mbetet modeli i ushtarakut të karrierës: serioz, i aftë, i përgatitur fizikisht dhe profesionalisht, i përkushtuar, zemërgjerë e miqësor, korrekt dhe i përpiktë deri në detaje. Kryeministri Edi Rama, duke ia njohur vlerat dhe aftësitë drejtuese e organizuese… i është drejtuar me respekt me emrin “komandant”.