Albspirit

Media/News/Publishing

SKËNDER PEPIAJ, DËSHMORI I PAVDEKSHËM I PROGONATIT

Skënder Pepiaj

 

 (Në kuadër të 80 vjetorit të rënies së pesë dëshmorëve të atdheut Skënder Pepiaj (1925–14.3.1944), Karafil Bello, Sami Golemi, Sefer Meta, Hasan Çerepi pranë fshatit Senicë të Delvinës)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Palcë e pashuar atdhetarie shekujve

Emri “Skënder” është pjesë e trashëgimisë shekullore jo vetëm të Labërisë por të mbarë shqiptarisë. Ky emër paraskënderbejan gjendet në çdo hapësirë shqiptare brenda dhe jashtë hapësirës administrative të Shqipërisë londineze, edhe në diasporë. Emri “Skënder/ Aleksandër”, që për nga zotësitë ishte krahasimi i heroit tonë kombëtar me Aleksandrin e Madh, është rrënjosur fuqishëm dhe çimentuar në çdo trevë arbërore, edhe në Progonat të Labërisë, “Skënder Pepiaj” është një emër i çimentuar në rrënjët e lirisë shqiptare. Ai ishte lindur në truallin e pallëlarëve, jataganëve, burrave-male, në Labërinë kreshnike që “…zinin dyfek dhe me mbrenë”, që dinin ballazi të keqes dhe “..e merrnin plumbin në sisë”, ata që atdheun dhe flamurin e kanë familje, ata që s’i harrojnë kurrë rrënjët, që tejshquajnë përtej honeve të harresës, që varrin e kanë brenda ndërgjegjes së kombit dhe të ardhmen në valët e flamurit dhe që janë mbështetur shekujve në supet e maleve, në gryka e shrepa shkëmborë, ku kanë larë gjakun e plagëve dhe kanë gjetur melhem për plagët e Mëmëdheut. Shqiptarët kanë luftuar në treva të ndryshme të botës, kudo ku i thirri historia, edhe nën perandori, mbretëri e sulltanate, ashtu sikurse i njeh historia, ku në rrugëtimin e ngritjes së kombit, por dhe mbijetesës shqiptare ndonjë trim arbëror ka edhe varre bosh ose varre simbolikë “kenotafe”, edhe kjo traditë e njerëzimit, edhe pse për të rënët dikur ka pasur një postulat mbarëpopullor që varroseshin aty ky binin, “ku i zninte balta”. Prandaj dhe emërtime “varret e të rënëve” ka në çdo cep të Arbërisë. Këto ishin të vërtetat e mëdha të mbijetesës shqiptare që edhe Skënder Mato Pepiaj do t’i mësonte që në vegjëli në vatrën e atdhetarisë progonatase, në Labëri. Në këngët popullore heronjtë e dëshmorët janë të lartë sa malet. Për shqiptarinë edhe kur kanë qenë nën pushtime, flaka dhe prushi atdhetar nuk u shua kurrë. Edhe nën Osmanët lufta e kaonëve/Labërisë sot ishte mjaft e ndezuar, edhe kur ndërmjet 27 kombesh që ishin nën osmanët në krye të tyre me statusin më të lartë ishin shqiptarët, kombi “nexhip”, që po ta shqipërojmë do të thotë “kombi fisnik”, edhe pse që në rrënjë të emrit kanë qenë dhe mbetur të pamposhtur, rezistues, të pathyeshëm, të pakthyeshëm. Thjesht “arnaut”. “Bota e vjetër” dhe “bota e re” është në dorë të idealistëve, edhe kur janë “kurbetçinj” janë idealistë. Idealizmi shqiptar u shpalos edhe në kohën e luftrave antitanzimat më 1847, LSHP më 1878-1881, edhe në katër luftrat për Janinën, edhe më 1912-tën e Ismail Qemalit, edhe në Lisat e Kadhe në Progonat më 20 qershor 1911 kur Shaqo Buxo drejtonte komitetin e fshehtë për Kurveleshin, por dhe në mjaft kuvënde ku diskutoheshin hallet e rënda të shqiptarëve. Sa herë kërcënohej liria gjaku i dëshmorëve vadiste pemën e madhe të lirisë së kombit, prandaj dhe dëshmorët si Skënder Pepiaj kanë shkruar pavdekësinë.

Dëshmori Skënder Pepiaj: “Besën dhe gjakun për lirinë e Atdheut”

Skënder Pepiaj dëshmori nga Progonati që derdhi gjakun për lirinë e Atdheut

Skënder Mato Pepiaj përkujtohet e do të përkujtohet gjithmonë edhe në këtë vit të 80 vjetor të çlirimit, për besën dhe gjakun që e dha për Atdheun. Skënder Pepiaj ishte lindur në prillin e vitit 1925 në Progonat të Kurveleshit. Fëmijërinë e tij e kaloi në fshatin e lindjes në Progonat, ku mësoi edhe të shkruajë e të lexojë, mësoi këngët e bukura të Labërisë. Në mes të halleve dhe varfërisë kaloi fëmiljërinë dhe u burrërua para kohe djaloshi që ëndërronte për një jetë më të mirë edhe pse kur ishte i vogël nuk e kuptonte nga vinte i gjithë ky mjerim. Trualli ku u lind dhe u rrit krahas qumështit të gjirit të nënë Sheros i mëkonte trimërinë, dashurinë për vendin, atdheun. Matua, babai i tij rrezatonte mirësi, ruante e zbatonte zakonet e traditat e të parëve. Një nga traditat që në Labëri nuk humbiste kurrë është ajo e mësimit të pushkës, sepse ishte sinonim i lirisë, dhe i traditave për të qenë gjithmonë të gatshëm kundër çdo shkelësi të truallit e sinoreve stërgjyshore. Familja ku u lind Skënderi ishte patriotike e atdhetare e njohur dhe e respektuar në mbarë krahinën. Vitet kaluan. Dita e pushtimit të 7 prillit 1939, e gjeti djaloshin progonatas në radhën e parë të antifashistëve. Pushtimi pasi shtriu kthetrat gjerësisht mbi atdheun tonë të drobitur nga pushtimet. Pushtuesit italianë e arrestojnë dhe persekutojnë si kundërshtar dhe rrebel ndaj fshaizmit. Djaloshi 17 vjeçar si shumë djem e burra të tjerë antifashistë dërgohet për interrnim në ishullin e Sazanit, në grykën e Xhenemit. Ishte i njëjti vend ku italianët e 20-tës dërguan atje rreth 1500 patriotë shqiptarë. Por rrethanat u krijuan dhe shpejt u arratais nga burgu-ishull dhe u gjend i lirë në lartësitë labe, atje ku çetat e lirisë dhe batalionet kishin ndezur flakë vendin në luftën e madhe antifashiste kundër nazifashizmit.

Skënderi i ri dhe energjik hodhi shtat në luftime. Fillimisht si korier dhe më tej në zonan e parë operative me qendër në Kuç, në batalione e brigadë partizane emri i tij u bë i njohur. I ra kryq e tërthor trevës labe, mori pjesë në dhjetra luftime. Progonati, Lekdushi, Golemi, Kaparieli, Zhulati, Fushëbardha, Tatzati, Kalasa, Fushëvërria, etj., u bënë streha e tij përgjatë luftës çlirimtare. U njoh me shokë e miq dhe la emër të mirë, emrin e luftëtarit sypatrembur në betejat partizane. Ish-partizanët që e njohën Skënderin treguan brez pas brezi trimëritë e tij gjatë LANÇ-it. Nga “Yjet e pashuar”, kësaj serie të mirënjohur shkëputëm disa pasazhe që flasin e tregojnë për atë epope që ka qenë dhe mbetet më e madhja e historisë së shqiptarëve:

“Një ditë marsi të vitit 1944, në mëngjes herët forcat partizane kishin zënë kodrat përmbi Senicë, në mes të një ftohtit të hidhur. Partizanët kishin disa orë që prosnin shenjën për sulm kundër gjermanëve por dhe bashkëpuntorëve të tyre që ishin tok. Urdhëri ishte të merreshin kodrat dhe gërxhet pastaj do të sulmohej dhe çlirohej qyteti i Delvinës. Skënderi që ishte rritur në beteja kishte me vete një mortajë të vogël si dhe pushkën e tij, që nga dita e parë kur doli partizan. Pushkët filluan të “villnin” zjarr. Skënderi qëllonte me mortajën e vogël, por kur ju maruan predhat e mortajës filloi të qëllonte me pushkë, por në betejë e sipër plagoset në kofshën e majtë. Shokët kërkonin ta mënjanonin nga luftimet për plagën e rëndë që kishte marrë por ai me kokëfortësi qëndronte, luftonte, rezistonte. Do të luftoj deri në fishekun e fundit, ishte betuar. Lufta ishte e gjatë atë ditë deri në mbrëmje, ndërkohë që 14 partizanë ranë në rrethim së bashku dhe me Skënderin. Me shpejtësi krijuan grupin e mbështetjes së luftimit për dalje nga rrethimi në të cilin bënte pjesë tre partizanë përfshi dhe Skënderin. Rrethimi u ça me sukses, partizanët e tjerë shpëtuan por Skënderin e humbën atë ditë të 14 marsit të vitit 1944, duke ngelur përjetësisht në piedestalin e dëshmorëve të kombit, në piedestalin e nderit dhe krenarisë kombëtare. Bashkë me Skënderin ra dhe trimi nga Fushëbardha Sami Golemi. Në xhepin e Skënderit pas vrasjes i gjetën një letër që e kishte shkruar në interrnim, kur ishte në ishullin e Sazanit, por që nuk kishte mundur ta dërgonte ende për prindërit e tij në Progonat: “Të dashur prindër! Jam shumë mirë. Ne do të fitojmë, sepse s’mbyllet zemra në kafaz. Prandaj mos u habitni si dola nga burgu (kafazi) i Sazanit. Ju përqafoj me mall. Biri juaj Skënderi”. Skënder Mato Pepiaj është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 44 datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Tepelenë. Skënder Pepiaj ka hyrë në memorien e fshatit Progonat, krahinës, Labërisë dhe kombit shqiptar si dëshmori që lartësoi emrin e kombit shqiptar në sytë e aleatëve strategjikë bashkë me armatën e luftëtarëve partizanë të më shumë se 70 mijë luftëtarëve në frontin për çlirimin e atdheut. Eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve. Emri i tij valëvitet në valët e flamurit kombëtar dhe është rrënjosur në zemër të mbarë shqiptarisë.

Pesë dëshmorë, që ranë në Senicë të Delvinës

Djemtë, vajzat e Labërisë i dolën zot atdheut në kohët më të vështira. Ata ishin djem, që koha i kishte burrëruar para kohe. Ata ishin burra që i dolën zot vatanit dhe u bashkuan me formacionet luftarake partizane për lirinë e atdheut. Lufta Nacionalçlirimtare e shqiptarëve parë në thellësinë e veprimeve të saj, ishte luftë s kundër pushtuesve, luftë politike, revolucion çlirimtar. Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar në Shqipëri dokumenton krijimin e 288 çeta, 96 batalione, 24 brigada, 8 divizione, 3 korparmata, një forcë njerëzore rreth 70 mijë luftëtarë. Ky ishte fronti, i cili ka meritën se më 29 Nëntor 1944 i solli lirinë përfundimisht Shqipërisë së robëruar dhe rimëkëmbi pavarësinë e Atdheut. Gjatë LANÇ-it, që tani përkon me vitin e 80 vjetorit të çlirimit Shqipëria me luftën e saj hyri në histori. Kanë ndryshuar rrënjësisht faktorët historikë që vepronin në rrafshin kombëtar. Shqiptarët sipas rrethanave historike para 80 vjetësh kishin detyrën patriotike për çlirimin e Atdheut nga okupatori i huaj. Shqipëria u ndodh pa vullnetin e saj në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore, e detyruar nga pushtuesit. Përballë këtyre fakteve forcat patriotike shqiptare, u takoi detyra madhore të luftonin për çlirimin dhe pavarësinë e vendit. Në këtë kuadër në Shqipëri lëvizja nacionalçlirimtare u rrit bindshëm dhe dukshëm, fillimisht në njësite guerrile dhe më tej në çeta partizane, batalione, Brigada, Divizione e Korparmata, që ishin organizma të mëdha operativo-strategjike, që realizuan kthesën e madhe për luftën çlirimtare. Forcat partizane antifashiste u bënë një ortek i madh luftëtarësh, që bënë që lufta e shqiptarëve të njihej edhe nga fuqitë e mëdha të kohës Rusia, SHBA dhe Anglia. Toka u mbrujt me gjakun e çlirimtarëve, prandaj dhe vendi u mbush me lapidar lavdie, të shkruar e treguar brez pas brezi në “Yje të pashuar”, “Kronikë e ditëve të stuhishme”, historikët e brigadave sumuese, ditare e kujtime, në ditarë gjaku të derdhur nga një popull luftëtar, besnik i idealeve stërgjyshore. Trualli arbëror ishte dhe mbeti i shenjtë, se gjithë populli i madh e i vogël janë trashëgimtarët e heronjve dhe dëshmorëve në shekuj që nuk u dhimbsej jeta e as gjaku përpara shënjtërisë së mbijetesës së kombit. Këta djem e burra, por edhe gra e vajza trimëresha sakrifikuan rininë në emër të lirisë dhe përjetësia do t’i shoqërojë në të gjitha kohët me refrenin e njohur: “nëna ju kish rritur,/për një botë të re,/lule more trima,/që ratë për atdhe”. Flakadani i atdhetarisë në gjithë truallin tonë ka qenë gjithmonë i ndezur dhe prushi i patriotizmit gjithmonë i nxehtë. Dëshmia më e madhe është gjaku i dëshmorëve, sikurse është edhe gjaku i Skënder Pepisë nga Progonati. Ata ranë që të pestë në një copëz toke arbënore në shkurt-marsin e vitit 1944, pranë Senicës historike të nderit e lavdisë, të mençurisë e punës, të pushkës dhe të diturisë. Ishin një grusht burrash të një ideali, djem stërralli siç i thonë në Labëri, ishin produkt i njësiteve e çetave të para antifashiste që “mbinë” anë e mbanë truallit shqiptar me një ideal madhor: “lirinë”.

Ata u rregjistruan vullnetarisht dhe dolën e mbushën çetat partizane vullnetarisht, sepse “thirrja e gjakut të të parëve” është më e madhja thirrje që përjetonin brezat në veri dhe jug të vendit.  Kurrë shqiptari nuk e ndau sofrën dhe shtëpinë me armikun e shkelësin e lirisë, por veç me mikun e miqtë me ata që ofronin dhe ofrojnë e shtrijnë dorën e miqësisë e vëllazërisë. Kështu është provuar shqiptari në luftra e beteja shekujve. E tillë ishte sprova e madhe edhe përgjatë LANÇ-it. Pluhuri i harresës nuk mund të mbulojë dhe as të fshihet nga kujtesa e kombit shqiptar, ajo lavdi që u shkrua me gjakun e dëshmorëve. Prandaj liria i ka rrënjët thellë në gjakun e të rënëve. Poeti përcakton qartë idealin atdhetar në vargje: “..duhet të ngrenë nga balta e të rivrasin të rënët”. Memoria e kombit shqiptar qëndron thellë tek të rënët. Gjaku i të rënëve nuk matet, “as me numra, as me kile, as me okë e as me kokë”. Gjaku është shpagimtari solemn i lirisë, themeli i së vërtetës, ideali i trupëzuar në panteonin e jetës prandaj burrat që i dolën zot vatanit meritojnë vetëm nderim. Bijtë e kombit shqiptar, të mëdhenj e të vegjël vaditën me gjak tokën arbërore në mbrojtje të vatrave të tyre. Pesë trima do të përjetësohen në një memorial lavdie në portën e parë të Labërisë, në drejtimin Fushëvërri-Senicë-Qafa e Luvadhit –Skërficë në afërsi të zonës së Senicës. Pesë dëshmorët do të jenë roje të lirisë, të tokës arbërore, buzë rrugës së re Kardhiq – Delvinë. Ata do të trupëzohen njësh me tokën e gurtë dhe të sertë, shpirtërisht të lidhur besa-besë si një gjerdan në kalanë natyrore, por edhe përjetësisht në memorien e brezave. Aktet e mëdha njerëzore i japin kuptim historisë. Historia e shqiptarëve është histori mbijetese, përpjekje titanike për të ruajtuar dhe zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificave të mëdha për liri dhe mëvetësi, është historia e vërtetë e këtij kombi, është historia e dëshmorëve të tij. Dhe më mirë, më drejtë, më bindshëm se gjithçka flet gjaku i dëshmorëve të kombit shqiptar, flet historia.

Këngë për trimat që ranë në Senicë

Edhe këngët e thjeshta, por që ju kushtohen trimave mbajnë në vargjet e tyre madhështi pasi ju kushtohet dëshmorëve të Fushëbardhës Sami Sejdi Golemi të lindur më 15.7.1907 në Fushëbardhë dhe rënë më 14.3.1944 në Senicë të Delvinës, dëshmorit Hasan Salih Çerepi 1927-14.3.1944 nga Zhulati (edhe babai i tij Salih Çerepin është dëshmor); dëshmorit Sefer Ramo Meta 1916-14.3.1944 nga Golemi dhe dëshmorit Skënder Mato Pepiaj 1925–14.3.1944, nga Progonati; ndërkohë që Karafil Vehip Bello 1902-3.2.1944, kishte rënë në qafën e Ujkut, pranë bokërrimës së kuqe në zonën e Senicës më 3 shkurt 1944. Është një këngë e thjeshtë që nuk është shkruar, por është kënduar së pari nga Shefqet Golemi në Fushëbardhë, menjëherë pas rënies së dëshmorëve në Senicë, këngë që këndohej në çdo familje dhe davet në Fushëbardhë, Zhulat, Golem, Progonat dhe në të gjithë Labërinë. Kënga mbart thjeshtësi, kuptim dhe mesazh labçe-vëndçe. Dikur në pesëdhjetë vite tingëllonte si homazh dhe nderim për të rënët për liri. Fakt është se ashtu tingëllon edhe sot e kësaj dite: “Pranvera që hyri, me heronj të ri,/ Refreni: Flini shokë flini, qëllimit ju mbri! Shkolë kur më thanë, për shokun Sami,/…Shumë keq më erdhi, Për djaloshin e ri,/…Dhe Hasan Çerepi, Bir prej Zhulati,/…Vetëm ish i shkreti, Prapa s’la njeri,/…Sefer Ramo Meta, Bir prej Golëmi,/… Dhe Skënder Pepiaj, shokë që s’bëhej dy/ Refreni: Flini shokë flini, Ratë për Shqipëri”.

Bibliografia/Burimet e studimit për hartimin e këtij shkrimi: Seria e librit, “Yje të pashuar”, Tiranë, 1968 e deri më 2016; Historikët e Brigadave sulmuese (sipas origjinalit që gjenden në Dep. Historisë, FSM, AFA); Dokumente nga DPASH dhe AQFA-së, Fonde dokumentare të LANÇ-it, 1943-1944; Georges Castellan, “Historia e Ballkanit”, Tiranë, 1991; Rinald Hibbert, “Fitorja e Hidhur”, Tiranë, 1999; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012; Zaho Golemi, Buletini arkivor ushtarak, Botim i AQFA-së, Tiranë, 2011; dëshmi që e kanë burimin në Muzeumet e fshatrave Fushëbardhë, Zhulat, Golem, Progonat 1969 deri më 1992; Historikët që gjenden në Muzeun kombëtar të luftës në qytetin e Tepelenës por edhe të Gjirokastrës; Të dhëna të publikuara nga ish-partizanë të formacioneve luftarake ku bënin pjesë dëshmorët; Të dhëna të shtypit periodik dhe organe të shtypit të përditshëm; Gazetat “Luftëtari”, Revista “Mbrojtja”, “Për mbrojtjen e Atdheut”, “Revista Ushtarake”; Të dhëna dokumentare nga Organizata e Dëshmorëve të LANÇ, Tiranë, 2018.

Please follow and like us: