Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Personifikimi i Zotit

Edhe pse ishin dymbëdhjetë Titanë, trembëdhjetë sipas disave, Kroni u bë sundimtari më i ri i Kohës; dhe Rea, gruaja e tij e ardhshme, u quajt “nëna e perëndive”. Nga këta të dy doli pjesa më e njohur dhe e pavdekshme e fesë së lashtë; perënditë dhe perëndeshat, që jetojnë sot si subjekte fisnike të letërsisë dhe artit.
Kroni, ashtu si nëna e tij Gaia, kanë mbijetuar konceptualisht gjatë shekujve. Kroni përshkruhet dhe interpretohet në mënyra të ndryshme; si festë e veçantë e vitit, (Klaus?!), deri te fantazma me kosë (Kozmos, Kohë, Kos, Korrës, Kosovë?!).
Kroni është, në një farë kuptimi, i vetmi mjeshtër i vërtetë i mbetur nga sundimi i lashtë, si më i riu nga të dymbëdhjetë Titanët. Kozmosi u nda sipas hapësirave dhe objekteve hyjnore; oqeanet, hëna dhe dielli kishin të gjithë sunduesit e tyre, por deri në ardhjen e Kronit, gjithçka ishte statike. Si më i riu i Titanëve, ai përfaqësonte veprimin, energjinë rinore, ndryshimin dhe përzierjen e vazhdueshme. Është një simbol, sipas shumë burimeve të lashta dhe moderne, i plotësimit të boshllëqeve, i lëvizjes drejt objektivit dhe qëllimit; Nuk është për t’u habitur, pra, që me zhvillimin e mitologjisë, pamja dhe qëllimet e saj ndryshuan ndjeshëm, dhe kaluan në kulte, u bënë pjesë e kulturës.
Rea, zë vend shumë më pak konkret. Përveç rolit të saj si nëna e perëndive, ajo vetë ishte e përjashtuar, por jo plotësisht; përmendet në debatet e lashta në lidhje me origjinën, si një lumë ose rrymë ere a reje, dhe në tekstet e mëvonshme, përcaktohet të jetë “Nëna e Madhe”, nga e cila varen, sipas Apollodorus, “erërat, oqeani, dhe gjithë toka”. Pra, nuk është një kërcim shumë larg, të imagjinosh Rean duke pushtuar botën e cila është gjithnjë në ndryshim me kalimin e Kronit (kohës).
Rea nga Gaia janë përfaqësime femërore të planetit. Është në manifestimet e ndryshimit në botën fizike që e dallon Renë nga Dheu.
Kjo e fundit mbetet përfaqësimi hyjnor i tokës statike. Pa dyshim mund të thuhet se perëndite e lashta patriarkale; më i fuqishmi nga të gjithë hyjnorët ishte mashkull, siç ishte pothuajse çdo gjysmëperëndi.
Rea gëzonte një nivel aktiviteti kulti. Në të gjithë botën e lashtë mesdhetare, ekzistojnë rrënoja tempujsh që supozohet se i janë kushtuar Reas, ndërsa monumentet dhe përkushtimet ndaj Kronit janë të kufizuara me një ditë të vetme feste (Santa Klaus?!). Për shkak të roleve individuale që ata luajtën gjatë historisë së mitologjisë; Kroni, i përshtatej personalitetit të tij të veshur me rrobë dhe skelet (me kosë në dorë). Ndërsa Rea ishte e prekshme, e dukshme, dhe adhurohej.
Bota e lashtë është plot me të panjohura. Ajo që ishte përtej, u la në imagjinatën e mendjes, si ajri në hapësirën ​​e pafundme mbetet i padukshëm. Të dy fushat ishin të dominuara nga meshkujt për sa i përket mitologjisë. Megjithatë, jo vetëm që Toka dhe personifikimi i saj ishte femër, por  kështu ishin edhe mbretëria e Tokës, ku njerëzit jetonin; merrnin frymë, luftonin dhe vdisnin.
Përpara Kronit, Reas dhe çifteve të tjerë, bota ishte thjesht e palëvizshme. Të lashtët futën elemente njerëzore në fe dhe nuk i lanë praktikat fetare të qeverisnin apo të justifikonin homologët njerëzorë. Mençuria e tyre (për mirë a keq) vendosi kontrollin, personifikoi Zotin për t’iu përshtatur qëllimeve, dhe kjo praktikë e lashtë vazhdon.

Please follow and like us: