Fatmir Terziu: Në fokusin e diplomatit Shaban Murati
Diskursi i Bashkëpunimit Rajonal të Aleancës Strategjike Shqipëri-Turqi në fokusin e Diplomatit Shaban Murati
Nga Fatmir Terziu
Studiuesi Shaban Murati në një kontekst më të gjerë narrativ ka prurë për lexuesit fokusin e aleancës strategjike Shqipëri-Turqi, parë dhe analizuar diplomatikisht, në një diapazon më të gjerë dhe kompleks, sa rajonal dhe global, po aq dhe të analizuar e përqëndruar në pika nevralgjike për kohën që jetojmë dhe tërësinë e gjendjes aktuale të Europës së sotme politike. Të gjithë këtë Diplomati e shikon me një sy real, të mirëinformuar, strategjik dhe të konsoliduar. Ai ndalet dhe shtjellon në detaje pikat që variojnë tek konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi, analizon diksursin mes pikëpyetjeve turke të BE-së: nga feja te demografia. Më tej ndalet tek Qiproja, të cilën e sheh si „dy herë kundër shqiptarëve“, trajton një nismë pozitive të Turqisë dhe e zgjeron vëmendjen diplomatike tek dalja e papritur e Izraelit në Ballkan. Një vëmendje të rrëndësishme në këtë libër studimor zënë materiale të tilla si Turqia dhe gjeneralët, tematika Francë-Turqi, një krizë e evitueshme, apo dhe shakaja diplomatike e kryeministrit turk dhe BE.
Në këtë libër të shtjelluar në rreth dyqind e dyzepesë faqe e drejta e Turqisë për vetëmbrojtje parapërcillet si një prognozë rreth pyetjes së ndjeshme „a duhet të pranohet Izraeli në Nato?“, ku më pas e shikon mjaft të rëndësishme kthesën e nevojshme Turqi-Izrael. Në një kontekst mjaft interesant trajtohet Qipro, të cilin autori e etiketon „një shtet te semafori“. Të një rëndësie të veçantë janë dhe temat e tjera në këtë studim si Turqia, e panjohura e ekuacionit tap, mercenarët ortodoksë të Asadit, xhihadi ortodoks i kishës ruse, gabimi i Rusisë me Turqinë, Një autogol energjetik rus me turqinë, ripajtimi Turqi-Izrael, një nevojë gjeopolitike, ku bie në sy pikëpamja diskursive që analizohet në mënyrën më të thukur diplomatike e që përqëndrohet tek aleanca Greqi-Qipro-Izrael dhe pika ku qëndron në këtë kënd Turqia.
Në këtë libër mjaft interesant e shumë të domosdoshëm që nga trajtesa e pikës nevralgjike „Turqia si nevojë gjeopolitike e Europës e deri tek „Gabimi gjeopolitik i Austrisë dhe i BE-së me Turqinë“, autori sheh një diskurs më vete edhe tek BREXIT. Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE (BREXIT), situatat rajonale janë bërë një element kritik në praktikën e marrëdhënieve europiane, ndërsa autori e shikon këtë jo thjesht si një „gabim“ por si një problem mjaft të mprehtë të situatës së Brexit, por dhe një problem mjaft delikat të hezitimit të Europës në rastin konkret të pranimit të Turqisë në gjirin e Europës. Ndërsa institucionet e Brukselit janë të mandatuara për të promovuar një botë pa konflikte, fokusi i problematikave rajonale, nga ana tjetër, është në çështjet rajonale. Bashkëpunimi rajonal buron nga perceptimi se përpjekjet individuale të shtetit nuk janë mjaftueshëm të mira për të nxitur rritjen dhe zhvillimin, kjo është më mirë e mundur përmes përpjekjeve kolektive. Megjithatë, suksesi i një klime rajonale varet nga shkalla e sigurisë së përbashkët dhe nga interesat ekonomike dhe ideologjike të shteteve ndërangazhuese. Bashkëpunimi rajonal është një qasje alternative ndaj përpjekjes së vetme kombëtare, e cila është veçanërisht e pamjaftueshme për shtetet e vogla në zhvillim, por që në plan-kontekstin e autorit, shihet si një domosdoshmëri të lidhur edhe me marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë. Për këtë autori thekson se „periudha postkomuniste ka provuar domosdoshmërinë e
përfshirjes së Turqisë në planifikimin strategjik të kapacitetit shqiptar për përballimin e ekuilibrave rajonalë dhe të rreziqeve rajonale ndaj kombit shqiptar.“ Sipas Muratit, „janë disa elemente, që i krijojnë Turqisë një profil më të favorshëm, në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit kontinental, në përcaktimin si aleat strategjik i Shqipërisë në politikën e jashtme dhe në veprimin tonë rajonal.“ Duke vënë theksin në themeloren, se „Turqia është shteti më i madh ballkanik“, ai trajton me pika të ndjeshme, të arsyeshme dhe mjaft të sqarueshme këtë në funksion të tematikës që shtron dhe trajton, ku pikësëpari ai e sheh dhe e analizon atë si pjesë të historisë, një nga anëtarët më të rëndësishëm të NATO-s, e mjaft të tjera, duke shkuar tek rrethanat e shekullit që jetojmë.
Pavarësisht pranisë së faktorëve pozitivë për bashkëpunimin rajonal, siç është historia e përbashkët, ekonomia dhe trashëgimia kulturore e shteteve të rajonit, kjo që po ndodh sot, duket se ishte vonë në inicimin e një strukture formale për bashkëpunim adekuat rajonal. Dhe kjo po ndodh sot vetëm në një situatë krejt ndryshe, pas gati tre dekadash pluralizmi dhe pas një situate poltike në të cilën ndodhej Shqipëria gjatë sistemit njëpartiak. Duke ndjekur modelin evropian të funksionalizmit, kushtet e sotme duket se identifikuan disa fusha për bashkëpunim në kohën e fillimit të këtij bashkëpunimi, duke lënë mënjanë çështjet e diskutueshme historikisht dhe strategjikisht. Fusha të reja të bashkëpunimit u shtuan në axhendën e bashkëpunimit në vitet në vijim. Pavarësisht rritjes së madhe në fushat e bashkëpunimit, pas 28 vitesh është evidente se kjo marëdhënie ka tentuar për të ndërtuar një themel të fortë të rajonalizmit dhe ka sjellë përfitime të prekshme për njerëzit e rajonit.
Fundi i Luftës së Ftohtë nuk pati shumë ndikim në promovimin e bashkëpunimit rajonal në këtë kontekst. Në të vërtetë, versioni i vetë rajonit i Luftës së Ftohtë vazhdon ende dhe sindroma tradicionale e mosbesimit, e cila ka prishur disa nga marrëdhëniet ndërshtetërore në rajon, vazhdon me një mëdyshje, që ghera-herës shkon përtej asaj që thueht publikisht, e asaj që komentohet politikisht. Në sfondin e mësipërm, ky studim i Shaban Muratit, vlerëson pse, pavarësisht potencialit të madh, kjo srategji synon për të arritur të ndërtojë një themel të fortë dhe të promovojë bashkëpunimin rajonal. Ai analizon kufizimet dhe sfidat e bashkëpunimit rajonal në këtë kontekst dhe zgjeron mendimin etij prej Diplomati të mirëfilltë në themelin e gjërave që variojnë dhe shtjellohen në detaje dhe pika të rëndëishme në këtë libër. Së fundi, ai jep disa rekomandime dhe rregullime për ta bërë bashkëpunimin rajonal një vërtetësi të prekshme rajonale efektive.
Duke u ndalur në rajon, ku Murati sheh grupe e grupime të veçuara, thekson se „Veçori dhe emërues i përbashkët i gjithë këtyre grupeve e grupimeve të veçuara ballkanike rreth e rrotull nesh është fakti se të gjitha ato e kanë përjashtuar Shqipërinë dhe nuk e kanë thirrur të bëjë pjesë në asnjë grup, megjithëse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe disa shtete të këtyre grupeve e grupimeve janë gjithashtu anëtarë të NATO-s.“ Sipas Muratit „Veçori tjetër e përbashkët, jorastësore, është se të gjitha grupimet e mësipërme janë krijuar vetëm me shtete ortodokse.“
Autori ndalet dhe tek arsyeja e një përparimi mjaft të ngadalshëm në rajon. Për të arsyeja kryesore për përparimin e ngadalshëm të bashkëpunimit rajonal në rajon është njohur tashmë në nivele të ndryshme, duke përfshirë edhe në nivelin e takimeve të ndryshme. Gjatë leximit dhe asaj që del nga nëntekstet kuptojmë se nuk duhet të lejohet të krijohet asnjë hendek midis marrëdhënieve dypalëshe dhe nismave të shumta për të promovuar bashkëpunimin rajonal. Duhet të pranohet sinqerisht se këmbëngulja e irrituesve dhe problemeve dypalëshe të diskutueshme shpesh ndikojnë negativisht në përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin rajonal.
Siç është përmendur tashmë, pengesa kryesore për përparimin është mungesa e besimit të ndërsjellë midis shteteve të rajonit që rezulton nga mosmarrëveshjet e tyre politike bilaterale. Prandaj, është e diskutueshme që barriera kryesore duhet të adresohet kokë më kokë nëse lidhja reciproke e bashkëpunimit do të mbetet relevante. Funksionalizmi duke se ka dështuar, kështu që mekanizmi i tij duhet të rimendohet. Pa adresuar çështjet politike, ky bashkëpunim do të vazhdojë të mbetet në margjina.
Për të gjitha këto e mjaft të tjera që përfshihen në këtë libër studimor dhe mjaft diskursiv mjafton të citohet se autori konkludon „Nëse BE-ja shkon në drejtimin e kundërt, duke ndjekur një gjeopolitikë sektariste, plot paragjykime dhe izolacioniste, kjo nuk është rruga e duhur e fuqisë as për BE-në, as për NATO-n, dhe as për shtetet anëtare të tyre, përfshirë Shqipërinë.“