Zana Tako: FAMILJA DHE ORIGJINA E SAJ
Familja, vatër e shpirtit, përcjell qetësinë dhe rehatinë shpirtërore, sepse dashuria mbjell rrënjën e saj për t’u rritur dhe forcuar, për të çelur e lulëzuar. Kjo rrënjë mbillet për të marrë kuptim jeta njerëzore, për t’u shtuar e shumuar në emër të dashurisë, sepse dashuria i ka rrënjët e forta, sa vetë jeta, e njeriu mund të mbështetet pa frikë te dashuria, e cila të jep identitet dhe prejardhje gjinore.
Nëse një familje ka në përbërjen e saj babë dhe nënë, (domethënë burrë dhe grua), do të thotë, se burri ka nevojë për gruan dhe gruaja ka nevojë për burrin, e së bashku ndërtojnë atë që e quajmë familje, e cila prodhon dashuri, e nga dashuria çelin filiza të rinj, fëmijë të shëndetshëm djalë apo vajzë qofshin, të cilët ndjekin po rrugën e dashurisë, për t’u shtuar e shumuar, mbështetur dhe ushqyer nga rrënja e fortë e dashurisë.
Nëse e mohojmë dashurinë kemi mohuar jetën, e nëse mohojmë jetën kemi mohuar dashurinë. Por dashuria nuk vishet me stoli të rreme për t’u dukur e bukur. Stolitë e rreme janë ato që pjell mendja e shitur që e lufton hapur dhe fshehur dashurinë.
Armiku i dashurisë tashmë dihet, është ai që lufton çdo qelizë dhe embrion të saj. Por nëse luftojmë dashurinë, kemi humbur identitetin tonë si njerëz të lindur nga dashuria.
Dashuria nuk është trill njerëzor, e si pasojë gjithçka që nuk përputhet me ligjin e krijimit, është trill korruptiv që lufton dashurinë dhe krijesën njerëzore të lindur nga dashuria.
Fjalët janë të tepërta kur shohim veprën e dashurisë, e cila ka shpalosur gjithçka përmban krijimi me mrekullitë e tij, e kjo mrekulli e ka Zotin e vet, i cili sundon e do të sundojë në jetë të jetëve.
Por i pamendi me pamendësinë e tij, kërkon të krijojë (po në emër të dashurisë) një familje të re, kundër ligjit të Zotit krijues, e në këtë mënyrë i thonë Zotit, se nuk i ka kryer mirë punët e Tij kur nuk mendoi se mund të krijonte edhe familje burrë me burrë dhe grua me grua. E kështu, Zoti qesh dhe i lejon ta demonstrojnë këtë shpikje dhe fallsitet rrënjëshkulur, që as nuk mbillet e as nuk korret, sepse shterpësia është mëma e paditurisë dhe e padenjësisë njerëzore.
Burrë me burrë nuk mund të prodhojnë jetë, ashtu sikurse grua me grua askurrë nuk mund të prodhojnë jetë. Prodhimi i stisur nga këto gjini të njëjta, është fallsitet i pastër që nuk i shërben jetës njerëzore, përkundrazi, shton shterpësinë duke shmangur origjinën dhe identitetin njerëzor. Kjo luftë e hapur e shpallur sot në krijim, e ka autorin e saj, i cili kërkon të gllabërojë mendje dhe shpirtra njerëzorë.
Në vargjet e Biblës Zoti ka shpallur nëpërmjet ligjit të Tij, se do të vijnë ditë të errëta, ku shpirti njerëzor do të sprovohet nga i ligu, ku të marrët do të përqeshin të mençurit e do të thonë: “Po ky, përse nuk është i marrë si ne”? Këto ditë do të shpallin Lavdinë e Zotit dhe humbjen e të marrëve!
Besoni në ligjin e krijimit që të shpëtoni shpirtin dhe familjen tuaj! Besojini Zotit dhe fuqisë së Tij të përballoni vuajtjet dhe provat e jetës dhe do të kuptoni, se jeta është e sigurt kur mbështetet në themele të forta e të sigurta, sado e fuqishme të jetë stuhia e jetës! Amen!
31 Maj 2024.