Albspirit

Media/News/Publishing

Balonat, dy Koretë dhe furtuna që mund të sjellin ato

Rafaela Prifti

Aktivistët e Koresë së Jugut kanë dërguar balona me 200,000 pamflete dhe 5,000 USB me regjistrime të video-klipeve muzikore, seriale televizive si edhe 2,000 kartëmonedha një dollarëshe, njofton grupi i Luftëtarëve për Çlirimin e Koresë së Veriut (FFNK). Lëshimi i tyre është incizuar me video dhe vjen disa ditë pasi balonat nga Koreja Veriore fluturuan për në drejtimin e kundërt. Acarimi i marrëdhënieve midis Koresë së Jugut dhe Veriut ka arritur nivele kutërbuese që nga incidenti i javës së kaluar kur Veriu i dërgoi Jugut balona të mbushura me fëlliqësira.

Javën e kaluar agjencitë e lajmeve njoftuan se Koreja e Veriut i çoi Jugut qindra balona të mëdha që mbartnin pleh organik, jashtëqitje, bishta cigaresh, plaçka, bateri të përdorura madje edhe jashtëqitje e pelena të ndotura. Koreja e Jugut u zotua se do t’i jepte hakën e merituar Veriut dhe shpalli pezullimin e provave të përbashkëta ushtarake, të cilat ishin pjesë e politikës së uljes së tensionit me fqinjin e veriut.

Sipas një marrëveshje të vitit 2018 midis dy Koreve do kryheshin manovra ushtarake për të rritur gatishmërinë kufitare, sipas komunikatës për shtyp. Traktati, i arritur gjatë një periudhe të shkurtër të zbutjes së tensionit – supozonte se të dy fqinjët do ndalonin çdo aktivitet armiqësor ndaj njëri-tjetrit bashkë me survejimin nga ajri dhe taktika të tjera të natyrës psikologjike.

Kushtet e marrëveshjes u shkelën në një formë a në një tjetër nga të dyja vendet pasi Koreja e Veriut lëshoi një satelit spiunazhi nëntorin e kaluar, bën të ditur agjencitë e lajmeve.

Për rastin e fundit, kundërpërgjigja që do ta tërbonte Korenë Veriore dhe që, shumë shpejt, thonë ekspertët, mund të çojë në provokime më të rënda përgjatë kufirit, është rifillimi i transmetimeve anti-penian në zonën kufitare.

Balonat e lëshuara nga Koreja e Veriut

Duke filluar nga data 28 maj Koreja e Veriut ka dërguar rreth 1,000 balona me fëlliqësira në anën tjetër të kufirit. Ndonëse ato nuk kanë pasur lëndë/materiale me rrezik për shëndetin, platformat mediale kanë shprehur shqetësime se regjimi diktatorial i Koresë së Veriut mund të dërgoj balona me lëndë kimike, biologjike apo të tjera.

Pas dërgimit të kontingjentit të parë, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un deklaroi se “kjo ishte pjesë e zotimit për të çuar kosha letrash dhe bërllok si kundërpërgjigje ndaj balonave të dërguara në Korenë e Veriut nga shtetasit dhe aktivistët e Koresë Jugore me artikuj të ndryshëm, midis tyre edhe pamflete, lajme nga bota etj. Ndërsa Koreja Veriore i ka qëlluar balonat e dërguara nga jugu, forcat ushtarake koreano-jugore nuk hapën zjarr për të mbrojtur popullsinë, shmangur ndotje më të madhe dhe kryesorja, për të ulur rrezikun e përshkallëzimit të incidentit me Veriun.

Reagimi i Koresë së Jugut ndaj incidentit të fundit është në qendër te vëmendjes. Transmetimet nga altoparlantët e njoftimeve kundra Penianit, lajmet e jashtme dhe këngët e bandave K-Pop konsiderohen shumë të rrezikshme nga autoritet për shkak se demoralizojnë trupat në kufi dhe banorët e zonës kufitare, gjë që dobëson pushtetin e Kim Jong Un, thonë analistët.

Çfarë vjen pas balonave?

Dërgimi i balonave ishte një nga provokimet e fqinjit të veriut ndaj Koresë se Jugut. Disa prej tyre janë provat me arme te kapacitet bërthamor ne manovrat e fundit ushtarake si edhe bllokimin e sinjaleve të sistemit të navigimit krahas përshkallëzimit të një retorike luftarake për të fituar pikë në diplomacinë botërore, thonë ekspertët ndërkombëtarë.

Balonat kanë trazuar politikën e brendshme të Koresë së Jugut. Qeveria konservatore e vendit është angazhuar për një qëndrim të rreptë ndaj Koresë së Veriut, vijë e cila kritikohet nga opozita dhe aktivistët që dëshirojnë të shohin marrëdhënie më të mira me fqinjët në veri. Por dërgimi i balonave duket se i ka thartuar më shumë ndjenjat e popullatës ndaj Koresë së Veriut dhe i ka zemëruar banorët.

A mund të ndalohen qytetarët korean-jugorë të dërgojnë balona në Veri? Vendimi i gjykatës kushtetuese lidhur me projekt-ligjin për kriminalizimin e balonave anti-penian e hodhi poshtë atë si “kufizim i tepruar i lirisë së shprehjes.”

Të arratisurit dhe azilantët nga Koreja e Veriut thanë se nuk frikësohen prej kërcënimeve, ndërkohë që Veriu zotohet se do rifillojë aktivitetin nëse aktivistët e Koresë së Jugut dërgojnë balona përsëri.

Në konferencën e shtypit këtë javë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller, tha se “duhet t’i jepet fund kësaj taktike të ndyrë – të papërgjegjshme dhe fëminore”.

Njoftime të agjencisë AP News, VOA

Please follow and like us: