Dritan Demiraj: Mirënjohje për prof. dr. Pajtim Ribaj
Në shumë raste më pyesin për pasionin e madh, studimin e përditshëm, përfundimin e katër programeve më të avancuara në këtë drejtim dhe botimet e shumta në fushën e gjeopolitikës.
Me shumë sinqeritet ju përgjigjem që një rol të veçantë në këtë drejtim, përveç pasionit dhe mundësisë së pafundme për të studiuar këtu në Amerikë, e ka Prof. Dr. Pajtim Ribaj.
Të gjithë ne ushtarakët e Forcave të Armatosura, të cilët kemi studiuar në Akademitë Ushtarake në të gjithë nivelet e studimit, kemi mësuar shumë nga leksionet dhe këshillat e tij të shumta.
Sigurisht si në çdo fushë tjetër, edhe në studimin e gjeopolitikës në Shqipëri ka njerëz të cilët dinë gjithçka, por unë nuk bëj pjesë tek kjo kategori, pasi vazhdoj të jem student i përjetshëm. Për rrjedhojë i shpreh mirënjohjen më të thellë profesor Ribajt që më futi në këtë larmi, në të cilën nuk mund të dalësh më asnjëherë prej saj.
Thënë kjo nuk mund të lë pa përmendur edhe shumë e shumë ikona të gjeopolitikës amerikane: Prof. Angela Stent, Fiona Hill, Mark Galeotti, Malcolm, Nance, Rebekah Koffler, Jonathan Hillman, Elizabeth Economy, Elbridge Coldy, Seth Jones, Owen Sirrs, Bruce Bechtol, etj, por në të njëjtën kohë edhe ekspertët tanë të shkëlqyer si psh miqtë e mi ambasadori Shaban Murati dhe Kreshnik Osmani nga Lëvizja Atdheu.
Pas pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia, por edhe nga konfliktet e tjera që po vazhdojnë dhe disa të reja të cilat priten të aktivizohen, me keqardhje mund të them se asnjëherë më parë bota nuk ka qenë kaq pranë fillimit të një Lufte III Botërore, për të cilën duhet të lutemi të gjithë që të mos fillojë pasi askush nuk do të dilte fitimtar.