Ismail Kadare: DON KISHOTI NË BALLKAN
1.
Në një konferencë, që më pas u bë e famshme, në vitin 1939 në Nju-Jork, Tomas Mani, duke përmendur grindjen, gjithashtu të famshme, midis poetit të madh, Firdusit, autorit të “Shah-namesë”, (Librit të mbretërve) dhe Shahut të Persisë, për punë honorari, thotë se ngjarje të përmasave të tilla mund t’u ndodhin vetëm poetëve të mëdhenj epikë.
Në të vërtetë e dimë, madje është një nga kureshtitë e para që mësojnë nxënësit e botës mbarë në lëndën e letërsisë, grindjen e shtatë qyteteve greke, për t’u shpallur si vendlindja e Homerit. Është e njohur, madje aq banalisht e njohur, saqë rrezikon të tingëllojë turpëruese për atë që e përmend, hamendja nëse ka qenë Shekspiri apo shumë i dijshmi Bejkon, autori i vërtetë i dramave të famshme. E kështu me radhë. Mikelanxhelo, që i ra me çekiç shtatores, për t’i thënë: pse s’flet, gjer te shpjegimi i prerjes së veshit prej Van Gogut etj., etj.
E vërteta është që bota ka qenë dhe mbetet tepër e kursyer për rrëfime apo, më saktë, mite të tilla, një arsye më tepër kjo që ato, ashtu si gërmadhat e tempujve, të ngjajnë edhe më të çmuar.
E parë në një kënd më të gjerë, dukuria s’është aspak e rastësishme. Ashtu si folklori botëror është shpjeguar me të drejtë si një vizion artistik i botës, që i kundërvihet atij që krijon letërsia, artet, shkollat, akademitë, duke përfshirë këtu edhe famëkeqen propagandë zyrtare, ashtu edhe këto gojëdhëna për shkrimtarët, në dukje naive, janë një përpjekje, natyrisht e druajtur, e një pjese të njerëzimit për ndërhyrje në atë tryezë, në dukje solemne e të largët për të, ku flitet për letërsinë dhe artet.
Kjo është, për fat të keq, shumica e njerëzimit. Ajo nuk ka mundësi të shkollohet e të kuptojë në thellësi librat dhe artet. Madje, një pjesë e saj ende nuk di as shkrim e këndim. Ndërkaq, këta njerëz e dinë se kolosët për të cilët flitet kudo, kanë qenë ose janë banorë të këtij planeti që quhet Tokë. Pra, në njëfarë mënyre, kanë qenë ose janë bashkëvendës me ata. Nga ana tjetër, ata kanë dëgjuar diçka për librat e këtyre kolosëve e, natyrisht, për personazhet e këtyre librave. Ata nuk e kuptojnë mirë gjuhën e tryezës së madhe solemne, por, ndërkaq, disa personazhe që kolosët kanë krijuar, për çudi, i ndiejnë të afërt. Ata e kuptojnë mirë marrëzinë e Don Kishotit, ngaqë diçka u kujton nga dalldisjet e tyre. Tremben nga fisi i Agamemnonit, ngaqë në fisin e tyre, diçka e turbullt gjithashtu ka qenë afruar. Dhe, dëshirën për hakmarrje të princit Hamlet, e kapin pothuajse plotësisht.
Është e mjaftueshme kjo që, ndonëse nuk i kuptojnë shprehjet, të ndjekin nga larg fjalët, zhurmën dhe dritat e tryezës së madhe të artit.
Festa, për fat të mirë, vazhdon. Pak vite më parë kishim shtatëqindvjetorin e Dantes, tani katërqindvjetorin e Don Kishotit, së shpejti, më 16 prill 2016, një katërqindvjetor tjetër, i dyfishtë, kur brenda së njëjtës ditë e braktisën këtë tokë Shekspiri dhe Servantesi.
E druajtur si më parë, pjesa e pashkollë apo gjysmë e shkolluar e njerëzimit, rri në gjysmë hije, me tundimin e hershëm të thotë edhe ajo një fjalë në këtë trazim. E ngaqë kjo u duket e pamundur, në heshtje e në gjysmëterr bluan mendimet e saj. Dhe përfytyron kështu karvanin me mushka të ngarkuara me flori, domethënë honorarin e poetit Firdusi, që u grind me mbretin, honorar i cili, pas pendimit të këtij të fundit, mbërriti, më në fund, në njërën portë të qytetit, në kohën që nga porta tjetër po dilte tabuti i poetit.
Kështu ndodh ky proces ende i pastudiuar mirë, i ndërhyrjes anonime të njerëzimit, në aventurën e madhe të letërsisë dhe të arteve. Sado naive të duket, kërkesa për ndërhyrje vjen nga thellësitë, ndaj ajo duhet të ketë një shkak. Dhe s’janë të rralla rastet kur ajo ofshamë e thellë qëllon të jetë më e saktë se shpjegimet e lodhshme të librave të tërë.
Një dëshirë e turbullt për kthim në zanafillë, atje ku trazimet artistike të njerëzimit ishin ende të ndryra në mitrën e errët të kaosit? Nuk e besoj. Është më tepër një dëshirë për mirëkuptim ndërnjerëzor.
2.
Nganjëherë qëllon që gojëdhënat për shkrimtarët e pazakonshëm lindin larg, madje tepër larg vendeve dhe popujve të tyre. Një gjë e tillë është edhe më prekëse. Një tjetër truall e një tjetër gjuhë, njerëz që s’kanë pasur asnjë lidhje me atdheun e shkrimtarit, vrasin mendjen e fantazojnë për të. Kështu ka ndodhur me Migel Servantesin. Jo në gadishullin e tij Iberik, por në një tjetër gadishull, fare pak të ngjashëm me të, më tepër me nam të keq se të mirë, në malet e Ballkanit.
Ka kohë që në këto male të largëta e me borë ka lindur e vazhdon ende sot një gojëdhënë e ngjashme me atë që përmend Tomas Mani. Është njëfarë polemike apo grindjeje që s’ka të bëjë me vendlindjen e gjeniut spanjoll, as me autorësinë e veprës së tij, por me tjetër gjë: me vendin ku e ka bërë burgun disavjeçar Servantesi, në Algjeri apo në një skutë të Ballkanit.
Siç shihet, puna e burgimit të shkrimtarëve vazhdon të trazojë fantazinë e popujve, ndonëse dy shekuj më parë, kur gojëdhëna ka zënë fill, këta popuj ishin ende analfabetë. Shkrimi i gjuhëve të tyre ishte i ndaluar nga Perandoria Otomane, kështu që ata, jo vetëm s’kishin lexuar asnjë faqe të Servantesit, por as emrin e tij nuk e shqiptonin të saktë. Por kjo nuk i ka penguar aspak të thurnin një legjendë për të, një polemikë për burgosjen e tij, pavarësisht se atë e trajtonin ndryshe nga studiuesit, akademikët apo Amnesty International e sotme.
Para disa vitesh, një folklorist shqiptar, qëmtues gojëdhënash dhe kronikash mesjetare, botoi në shtypin shqiptar të Kosovës disa historiza që lidheshin me Migel Servantesin, histori të kaluara gojë më gojë dhe që ende rrëfeheshin nga pleqtë e moçëm. Në bazë të këtyre rrëfimeve, studiuesi ka hedhur tezën se ka gjasë që Servantesi nuk ka qenë i burgosur në Algjeri, siç besohet, por në një limer midis bregdetit shqiptar dhe atij malazez. Në rrëfimet e moçme tregohet se shumë kohë më parë, në këtë vend, ka qenë burgosur një rob spanjoll i ditur, madje fort i ditur, nga ata që shkruajnë libra. Ngaqë ishte i tillë, kishte shumë miq atje në Spanjën e largët, dhe këta miq dërgonin herë pas here njerëz dhe flori për ta liruar. Emri i robit herë shqiptohet Servat, herë Servet, e herë midis të dyjave. Të gjitha rrëfenjat përkiten në një pikë: që robi ishte i ditur fort, dhe që miqtë e tij rrekeshin ta lironin me çdo kusht.
Studiuesi beson se ka gjasë që Servantesi, ndoshta pa e ditur as vetë, të ketë qenë rob në Ballkan, sepse bregdeti shqiptaro-malazez është plot guva e shpella të përshtatshme për piratët.
Kjo zonë ka qenë gjithmonë e dëgjuar për pirateri të madhe, dhe skafistët e sotëm, qoftë shqiptarë, qoftë malazez, që merren me trafik droge, njerëzish apo prostitutash, nuk janë veç pasardhës të një armate të pafund piratësh, që kanë bërë pak a shumë këtë gjë qysh nga koha e romakëve.
Në gojëdhënat e pleqve shqiptarë nuk përmendet Arnaut Mami, pirati që, siç thotë vetë Servantesi në “Don Kishotin” e tij, e zuri rob shkrimtarin. Emri Arnaut (Arnaute në tekst), do të thotë shqiptar, por pleqtë, me sa duket, nuk e dinë këtë fakt. Në një tjetër episod, një rob spanjoll rrëfen se si mund të arratisej i veshur si shqiptar (arnaute në tekst). Por pleqtë, ngaqë nuk e kanë lexuar kurrë “Don Kishotin”, nuk mund ta dinë as këtë. Mosdija e tekstit vërteton se dëshmia e pleqve lidhur me vendburgimin e shkrimtarit është e pavarur, po të përdornim një shprehje të kohës sonë.
Në zanafillën e polemikës, nëse do ta quanim kështu për t’i dhënë një emër më të fismë gojëdhënës, ka gjasë që Servantesi vetë të ketë gisht. Në tekstin e “Don Kishotit”, duke rikujtuar burgimin e tij, ai përmend edhe Algjerinë, edhe emrin e komandantit të piratëve që e zuri rob, Arnaut Mamit, pra Shqiptar Mamit. Është ky një mjegullim i njohur i pistave, që shkrimtarët e bëjnë shpesh, apo, ashtu siç u tha më lart, Servantesi vetë nuk e ka ditur ku ka qenë i burgosur? Në rast të kësaj hamendjeje të fundit, nuk përjashtohet që piratët, të cilët kanë qenë të shquar për mbajtje të të fshehtave, sidomos ato që lidheshin me thesaret e groposur dhe me limeret ku mbanin pengjet, nuk përjashtohet. Pra, ka gjasë që piratët ta kenë mashtruar shkrimtarin, duke i thënë se ndodhej në Algjeri dhe jo në burg shqiptar. Kështu që, edhe kur e kanë sjellë të lidhur në guvën buzë Adriatikut, edhe kur e kanë nxjerrë andej për ta liruar, Servantesi ka kujtuar, ashtu si personazhi i tij i ardhshëm, Don Kishot, se ndodhej tjetërkund.
Sidoqoftë, dhe këtë fjalë mund ta shkruajnë me shkronja të mëdha, sidoqoftë, edhe nëse kjo histori është pjesërisht e vërtetë, ose aspak e tillë, thelbi i saj është mallëngjyes, për të mos thënë i madhërishëm. Sepse është vërtet një gjë e rrallë për një shkrimtar, që, në një truall mijëra kilometra larg vendit të tij, pleqtë analfabetë ballkanas, të mbajnë në kujtesë emrin dhe fatin e tij.
3.
Kjo zhvendosje në Ballkanin e largët e fantazisë për Servantesin, në pamje të parë mund të duket një trill rrethanash. Një nga ato trillet e shumta që shoqërojnë aventurën njerëzore. Ngjan vërtet tejet e çuditshme që njerëzit e sertë të këtij gadishulli, të prirur më shumë për kacafytje e më pak për meditime të stërholla filozofike, të drejtonin vëmendjen ndaj fatit të pikëllueshëm të një shkrimtari spanjoll. Mirëpo, nga një tjetër pikëshikim ka gjasë të ndodhë e kundërta, dhe ajo që na u duk paradoksale, të na shfaqet tani si diçka e logjikshme, e natyrshme, gati fatalisht e pritur.
Midis tre gadishujve jugorë të kontinentit evropian, Ballkanikut, Apeninit dhe Iberikut, prej shekujsh gjëllon një marrëdhënie e fshehtë. Në rrafshin e gjenisë, që lidhet me letrat, këta tre gadishuj kanë prodhuar së paku një të tretën e thesarit botëror. Është fjala për poemat homerike, tragjedinë greke, poetët latinë, Dante Aligierin, dhe së fundi Servantesin. Bashkë me Anglinë dhe Irlandën, nëse do t’i merrnim për një gadishull të katërt, të munguar, do të kapej, ndoshta, gjysma e thesarit.
Përkime të tjera, që s’kanë të bëjnë me artin, i lidhin këta gadishuj. Secili prej tyre ka pasur punë me ngrehina perandorake, ato që për disa shfaqen madhështore, e për të tjerë të lemerishme. Në krye të listës qëndron Ballkani. Ai ka pasur punë me pesë perandori: persianen, romaken, bizantinen, otomanen, së fundi sovjetiken. Duke hyrë në makinat e rrotat e tyre monstruoze, këta popuj kanë dalë prej tyre të trandur, disa herë aq fort, saqë ende sot nuk çlirohen dot prej maktheve. Gadishulli Apenin polli Perandorinë Romake dhe qytetërimin latin, që e vuri atë në marrëdhënie të ndërlikuara me krejt Europën dhe pellgun e Mesdheut. Së fundi, gadishulli Iberik, pas aventurës ushtarako-fetare-kulturore me arabët, polli edhe ai perandorinë e vet, bashkë me problemet që shoqërojnë një perandori (shemra angleze, holandeze etj.), gjersa u tundua prej diçkaje të papritur: zbulimit të Amerikës.
Është e vështirë, gati e pamundur në këtë botë që një hapësirë të përfytyrohet e pakërcënuar nga pushtimi. E, në qoftë se kjo është e vështirë të mendohet për hapësirat në përgjithësi, ajo është dhjetë herë më e papërfytyrueshme për Europën, kontinentin sa të bukur e të lulëzuar, aq edhe të përkorë.
Nëse Europa, pra, do të sulmohej, siç kanë qenë e vazhdojnë të jenë zakonet e botës sonë, ishte e kuptueshme nga do të vinte ky sulm: nga Lindja ose nga gadishujt e jugut. Mësymja mongole e Lindjes u shpërbë e u tret prej hapësirës ruse, kurse nga Jugu ai ngadhënjeu. Gadishulli Iberik ra i pari, por sulmi arab nuk e tronditi dot kontinentin. Një tjetër sulm, këtë herë nga Ballkani, do të ishte shumë herë më i tmerrshëm: marshimi otoman. Për një kohë të gjatë, në fillim me dëbimin e arabëve, e më pas me zbulimin e Amerikës, dukej sikur Europa, çka fitonte në Perëndim, në gadishullin Iberik dhe në oqean, e humbte në Lindje, në malet e Ballkanit. Ose, çka humbte në Lindje, përpiqej ta vinte në vend në Perëndim.
Për popujt që u gjendën midis kësaj dehjeje e këtij rrebeshi ka qenë vështirë të mos e humbnin toruan. Ballkanasit u sulmuan vërtet mizorisht prej osmanëve, por ata vetë, disa shekuj më parë, ishin vërsulur si të marrë për të pushtuar ato treva, prej të cilave tani iu vinte gjëma. Shumë herë këta popuj gadishujsh u kanë bërë të tjerëve atë që kanë pësuar vetë. Shumë herë kanë kujtuar se janë rrëzuar, në kohën kur s’ka qenë ashtu, dhe e kundërta, kanë besuar se janë fitimtarë kur, në të vërtetë, kanë qenë të rënë në gjunjë.
Në gjithë këtë katrahurë, në këtë dehje e në këtë shajni të sëmurë, ka gjasë që një hije të ketë qenë e pranishme aty-këtu, një shestim i turbullt, që priste dikë që ta nxirrte nga mjegulla. Kjo hije ishte tharmi i një mysafiri të ardhshëm, e atij që do të quhej Don Kishot i Mançës.
4.
Udhëtimi i Don Kishotit, kronikën e të cilit na e jep Servantesi, duket se s’ka të bëjë fare me rrëmujën e luftërave dhe zbulimeve që përmendëm më lart. Ndërkaq, ai udhëtim ndodhte mu në mes të katrahurës. Askush s’mund të thotë se autori i kronikës, Servantesi, nuk e dinte apo ishte shpërfillës ndaj kacafytjes. Pikërisht midis saj ai e kishte humbur njërën dorë dhe çdo adhuruesi të tij ende sot i shkojnë dridhje në shpinë kur mendon se dora e gjymtuar në luftë mund të ishte tjetra, e djathta, ajo që e shkroi “Don Kishotin”.
Shpjegimi përse kronika e Don Kishotit është kaq larg qoftë nga marshimet ushtarake, qoftë nga zbulimet e mëdha të kohës, ku Spanja ishte zhytur kokë e këmbë, e ka shpjegimin e thjeshtë se kjo aventurë afron më tepër me ato që quhen udhëtime të brendshme të njerëzimit.
Kjo lagje e botës është mësuar ndërkaq me udhëtime të tilla, ato që ndodhin jo në sipërfaqen e saj, por brenda trurit të njeriut. I tillë ishte rrugëtimi i Odiseut në botën e poshtme. Më pas, ai i Eneut, siç na e jep Virgjili. Pastaj, më i famshmi i të gjithëve, ai i Dantes.
Nuk mund të thuhet se letërsia është shpërfillëse për ngjarjet që ndodhin në sipërfaqen e globit. Megjithatë, tërheqja e saj nga një hapësirë tjetër e fshehtë dhe nga një kalendar tjetër, po aq i fshehtë, bie menjëherë në sy. Vetë fjala “i sipërfaqshëm” e jep gjuhësisht qartë parapëlqimin e artit.
Udhëtimi i Don Kishotit bën pjesë në të dyja përmasat. Ndërkaq, pjesa e jashtme, sipërfaqësore e aventurës, endja nëpër katundet e Mançës, është fare e papeshë me atë tjetrën, dyzimin e saj në trurin e tij.
Se sa rëndësi u jep, se sa nderim ka letërsia për këto të fundit, mjafton të krahasojmë dy udhëtime, njërin të jashtëm, tjetrin të brendshëm, të dy të kryer prej gadishullit Iberik. Aventurën e Kristofor Kolombit, që zbuloi Amerikën dhe atë të Don Kishotit, që nuk zbuloi asgjë, veç ca ëndrrave të marra.
Të dyja këto aventura ndodhën afërsisht në kohën e zbulimeve të mëdha. Udhëtimi zbulues i Kolombit është, pa dyshim, më i bujshmi, më i dobishmi, shkurt, më i madhi në historinë e njerëzimit. Planeti ynë, globi tokësor, bota jonë u dyfishua. Ndërsa udhëtimi tjetër, ai i Don Kishotit, jo vetëm nga ana e dobisë nuk mund t’i sillte askujt asgjë, por ishte, pa dyshim, më i koti ndër sorollatjet e kohës.
Ndërkaq, ka ndodhur diçka e habitshme. Ndërsa udhëtimi i madhërishëm për nga pasojat i Kolombit, nuk ka lënë ndonjë gjurmë në letërsinë e madhe botërore, rrugëtimi tjetër, ai i një marroku nga një katund i Spanjës në një tjetër katund të Spanjës, rrugëtim i kotë, pa pikë rëndësie për askënd dhe që ndoshta s’ka ndodhur fare, i jep njerëzimit një nga kryeveprat më të madhërishme të tij.
Duket si paradoks, madje një paradoks i përsëritur, çka, ndoshta, e vë në pikëpyetje emërtimin e tij.
Sa herë që në botë kanë ndodhur zbulime të mëdha, për çudi, ato janë shoqëruar shpesh me idenë se falë tyre letërsia do të ndryshojë. Për mirë ose për keq, por më shumë për keq.
Ne e dimë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur dhe s’kishte si të ndodhte. Ashtu siç nuk ka ndodhur kur është shpikur avlëmendi, armët e zjarrit, shtypshkronja, lokomotiva me avull, rrufepritësi, kinemaja, krediti bankar, televizioni e gjer tek interneti.
Shekuj më parë, letërsia i ka marrë masat për t’u mbrojtur nga stuhi të tilla. Ajo ka krijuar rrafshin e saj të fshehtë, bashkë me kalendarin po aq të fshehtë, të dyja të paarritshme nga asnjë ushtri, regjim apo shpikje. Hapësirën dhe kohën, dy torturat më të mëdha për mendjen tonë (torturë që ato e ushtrojnë nëpërmjet idesë së pafundësisë, atë që ne, krijesa të fundshme, nuk e kapim dot), letërsia është rrekur t’i përshtatë sipas ligjeve të saj.
Falë kësaj dhe në këtë rrafsh të ri e në këtë kalendar tjetër, ndodhin gjëra të paparashikueshme. Gjithmonë falë kësaj, Don Kishoti i hallakatur e mundi në dyluftim admiralin Kolomb.
5.
Ndërsa aventura e Odiseut ndodh në tokë në nëntokë, ajo e Dantes kryesisht në botën e përtejme, rrugëtimi i Don Kishotit ndodh në një zonë të ndërmjetme, një zonë e turbullt, e krijuar prej marrëzisë, që nuk është as e këndejme, as e andejme.
Shkrimtarët e mëdhenj, si të shtyrë nga thirrja e vjetër, i janë kthyer shpesh këtij itinerari. Jo vetëm Uliksi i Xhojsit, irlandezi i rëndomtë Leopold Blum, e përjeton aventurën dhjetëvjeçare të Odiseut brenda një dite qershori të vitit 1904, në qytetin e Dublinit, por, sipas një interpretimi të ri, kryevepra e Nikolaj Gogolit “Shpirtra të vdekur” nuk është veçse një motërzim i ngjashëm i poemës danteske, me ndryshimin e vetëm se, ndërsa heroi i saj zbret nga bota e të gjallëve në Ferr, ai i Gogolit del nga Ferri mbështjellë me qyrk, për të mbledhur shpirtra në stepat e ngrira ruse. E meqenëse Rusia e Gogolit është krejtësisht groteske, shtegtimi i djallit të kujton njëherazi atë të hidalgos spanjoll.
Një zbërthim i tillë, që e vë “Shpirtrat e vdekur” midis Dantes dhe Servantesit, ende i papranuar nga kritika ruse, ka gjasë të mbetet një fantazim i bukur i Nabokovit, fantazim që Nabokovi vetë duhet ta ketë nxjerrë nga një letër e famshme e Pushkinit. Megjithatë, edhe si i tillë, si fantazim ai do të ketë jetë. Ashtu si fantazimi i pleqve ballkanas për vendin e burgimit të Servantesit. Ashtu si shumë gjëra në botën e letrave. Në shkëndijime të tilla të mendimit, a në gojëdhëna të tilla janë të ndryra shpesh të vërteta të habitshme, nga ato që kapërcejnë rendin e vendosur të gjërave.
Duke krijuar gojëdhënën për gjeniun e largët e të panjohur, pleqtë ballkanas kapën thelbin e personazhit: burgimin e tij. Të shumtë janë ata që ngulin këmbë se pikërisht në burg, në atë mjedis anormal të jetës, u tharmëtua së pari “Don Kishoti”.
Gjysmë shekulli më parë, spanjolli Salvador de Madariaga, shkroi se në burg Servantesi përjetoi thellë se ç’do të thotë që “nën petkat e skllavit mund të jesh mbret”. Madariaga shtron pyetjen nëse “kyçi i biografisë së tij intime, a nuk është fakti që ditën kur e nxorën nga burgu, ai fitoi lirinë, por humbi ndjesinë prej sovrani?”.
Madariaga është i besueshëm kur thotë se dyzimi i Servantesit në burg është zanafilla e dyzimit të Don Kishotit, por vështirë të jetë i tillë kur shkruan se me daljen nga burgu gjeniu ra në skllavëri morale. Në fund të fundit, Don Kishotin, lirinë e tij, të Spanjës dhe të botës, ai nuk e shkroi në burg, por jashtë tij.
Kur pleqtë analfabetë ballkanas këmbëngulnin për të bërë një qortim në biografinë e Servantesit, ka rrezik që, për shkak të namit të keq të ballkanasve të sotëm, kjo të merrej si një marrëzi e tyre e radhës. Në këtë gadishull, po aq sa rrëmbimet e deleve e të livadheve, janë të njohura përvetësimet e epeve, të heronjve apo shkrimtarëve. Për t’i çliruar pleqtë nga një fajësim i tillë duhet të kujtohemi se, sidoqoftë, tundimi i tyre nuk ka të bëjë me një përpjekje të ngjashme. Këtu është fjala për një burg. Pra, për një krim.
Pyetjes tjetër, përse kjo këmbëngulje për të marrë mbi vete një turp, nuk mund t’i jepet veç një përgjigje e tërthortë.
Pleqtë ballkanas, ndonëse analfabetë, kanë ditur gjithmonë dhe ende dinë diçka për atë që mund të quhet paraletërsi. Ata i dinë mirë rrugëtimet në botën tjetër, punët e marrëzisë, lumenjtë nga hyhet ose dilet nga skëterra, së fundi Greqinë, që nuk është veç njëqind milje larg. Mbindjesia u thotë se ai shkrimtar i largët, i lidhur me vargonj ka qenë në brigjet e Ballkanit e jo të Afrikës. Në trevat ballkanike ka pasur shumë histori të ngjashme. Në shekullin e njëzetë historitë me burgje dhe internime u përsëritën me shumicën e shkrimtarëve të Ballkanit: kroatë, serbë, shqiptarë, malazez, sllovenë, bullgarë, maqedonas, grekë e rumunë. Dhe s’ishte e rastit që, në gjithë këtë hapësirë totalitare komuniste, gojëdhëna e vjetër e gjeniut të lidhur me pranga u kujtua përsëri.
6.
Rrugëtimi i Don Kishotit u cilësua më lart si një ndodhi që i përket, në radhë të parë, kronikës së fshehtë të njerëzimit. Për të qenë më të saktë, duhet thënë se, nga dy përmasat e personazhit, ajo e rrokshmja, ajo që lidhet me udhëtimin e tij nëpër katundet e varfra e plot zheg të Mançës, është fare e rëndomtë, në krahasim me hapësirën e pafundme që marrëzia ka krijuar në trurin e tij. Endjet e tij janë quajtur me ironi “dalje e parë” ose “dalje e dytë”, çka thekson edhe më fort pikëllimin e tyre në krahasim me renditjen e bujshme të emrave mbretërorë, të fushatave apo të dinastive.
Ndërkaq, një dalje e një natyre tjetër, një aventurë vërtet madhështore, por edhe tejet e rrezikshme i ka ndodhur Don Kishotit: kalimi i tij nga letërsia në jetë. Në një kohë të shkurtër, emri i tij kapërceu shtete dhe kontinente, duke fituar vërtet atë nam të dyfishtë, si libër dhe si personazh, një nam, që aq shumë e kishte ëndërruar truri i tij i çakërdisur.
Përpara se të ndalesha te kjo dalje e fundit, më e ndërlikuara e të gjithave, do të desha në trajtë paranteze të flisja për një ngjarje që, gjithsesi, lidhet me të: përkthimin e “Don Kishotit” në një nga vendet ballkanike, në Shqipëri.
“Don Kishoti” u përkthye e u botua në Shqipëri së paku një shekull pas gojëdhënës për vendburgimin e Servantesit. Mendimi i Tomas Manit për ndodhitë e mëdha të poetëve epikë, mund t’i përshtatet disa herë edhe përkthimeve të mëdha.
“Don Kishoti” u përkthye e u botua në Shqipëri nga kryepeshkopi i vendit, Fan Noli. Përveç peshkop i kishës shqiptare, ai njihet si poet, dramaturg dhe kryeministër i shtetit republikan, në fillim të shekullit XIX. Peshkopi ishte në luftë të vazhdueshme politike me mbretin e ardhshëm të Shqipërisë. Ai u përpoq ta përmbyste monarkun dhe për këtë u përgatit gjatë. Për t’u dhënë guxim njerëzve e, ndoshta, në radhë të parë vetvetes, në fillim përktheu e botoi “Jul Cezarin”, “Makbethin” e “Hamletin” e Shekspirit. Pas kësaj e përmbysi vërtet mbretin, por më pas mbreti e rrëzoi përsëri. I dëbuar nga vendi, i zhgënjyer, peshkopi i Shqipërisë, tashmë në mërgim, iu vu përkthimit të Don Kishotit.
Në një parathënie që ka mbetur e famshme, peshkopi thotë se “Don Kishoti” do të kuptohet në Shqipëri më mirë se në çdo vend tjetër.
Nuk është vështirë të gjendet një analogji midis marrëdhënieve që u krijuan në shekullin XVI mes Spanjës dhe hapësirave amerikane të porsazbuluara dhe marrëdhënieve që u krijuan në të njëjtën kohë midis Gadishullit Ballkanik dhe Perandorisë Otomane. Mirëpo gjithçka në këtë rast është në një kah të kundërt. Ndërsa Spanja i pushtoi hapësirat amerikane, Ballkani u pushtua nga një perandori me hapësira të mëdha. Do të ishte pak a shumë e njëjta gjë sikur Spanja të pushtohej nga indianët e Amerikës.
Perandoria Otomane krijoi raporte aventureske me popujt ballkanikë. Ajo kishte qindra-mijëra ushtarë të mirë (domethënë të bindur, madje tepër të bindur), por i mungonin oficerët e nivelit të lartë. Kishte nevojë, me sa dukej, për çmendurinë ballkanase. Kështu shpjegohet që ushtria otomane e krijoi elitën e saj kryesisht me oficerë të lartë ballkanas. Tradita vazhdon deri në ditët tona, dhe ndoshta është pikërisht ajo që shpjegon ende sot frymën laike në ushtrinë turke.
Kur perandoria kolosale u shpërbë, të gjithë këta oficerë dhe mercenarë, bashkë me shqytarët e tyre mbetën pa punë. Këtu e gjen peshkopi paralelizmin midis këtyre bjerrakohësve ballkanas dhe Don Kishotit e Sanço Pançës, që s’kanë shkuar në Amerikë, por bredhin poshtë e përpjetë, duke ëndërruar kthimin e së kaluarës.
Kur peshkopi shqiptar thotë se Gadishulli Ballkanik ka qenë e vazhdon të jetë i mbushur me Don Kishotë, kjo është e kuptueshme. Në çdo trevë ku ka gërmadha perandorish a epokash të përmbysura, mbijnë gjithmonë personazhe të tilla. Ballkani është i pasur në kësi gërmadhash. Të fundit prej tyre, atë të perandorisë komuniste, ende e ka nëpër këmbë sot, në vitin 2005! Ndaj tani për tani nuk ka ndonjë shpresë që figura e Don Kishotit t’i ndahet gadishullit.
Siç e pamë më lart, vetë peshkopi shqiptar e ka përkthyer “Don Kishotin”, duke qenë dashur pa dashur i identifikuar me të. Kaq fort ndihet kjo, saqë në përkthimin e tij ka ndodhur diçka që nuk besoj se gjendet në ndonjë tjetër. Në tekstin e Servantesit qëllon që ndonjë emër fshati i humbur i Mançës zëvendësohet befas natyrshëm e si në ëndërr me emër katundi shqiptar.
Në këtë kah, s’do të tingëllonte si trill a si diçka e kërkuar që, në faqen e parë të botimit shqip, të shkruhej: “Don Kishoti i Mançës” i përkthyer nga një Don Kishot shqiptar.
Identifikimi i peshkopit përkthyes me heroin e vrerosur, nuk kishte si t’u shpëtonte armiqve të tij të shumtë. Ishte një rast i mirë që kundërshtari i parë i mbretit të quhej me përçmim Don Kishot!
Por ky nuk ishte as rasti i parë e as i fundit. Nis këtu një histori tjetër: ajo e abuzimit me emrin e personazhit të famshëm. Jo vetëm në Ballkan, por kudo. Jo veç në shekujt e shkuar, por në ditët tona.
Është vështirë që të gjendet sot një klan, një forcë politike, një prijs, një shtet a një doktrinar, që të mos jetë tunduar ta shpallë kundërshtarin e vet si një Don Kishot. Komunistët, për shtatëdhjetë vite me radhë, i kanë akuzuar liderët perëndimorë si të tillë, e të njëjtën gjë kanë bërë këta të fundit me komunistët. E kështu me radhë, e kështu të gjithë.
Don Kishoti, jo më libri, por heroi i tij, vazhdon të gjendet kështu midis vringëllimës së shpatave dhe zhurmës së marrëzisë. Përfundimi i kësaj “daljeje të fundit” të Don Kishotit, është më se i pikëllueshëm. Ashtu si më parë, ndonëse në kulmin e namit të tij, Don Kishoti del përsëri i humbur. Të gjithë ata personazhe që krahasohen me të, e sidomos politikanët, nuk janë veç njerëz të vesit e të krimit, thënë shkurt, ca horra që nuk kanë asnjë grimë nga fisnikëria e hidalgos spanjoll.
Duke u përdorur si sharje apo përçmim donkishotizmi dhe Don Kishoti vetë pësuan dhunimin më të madh të mundshëm. Një nga kulmet e këtij paroksizmi ishte kur një shtet i tërë, një shtet ballkanas, i egër e i prapambetur e që mëtonte, ashtu me rrecka, siç ishte, të mbronte nderin e humbur të marksizëm-leninizmit në shkallë planetare, u krahasua me Don Kishotin. Ky shtet ndodhet në Ballkan dhe është atdheu i shkruesit të këtyre radhëve, Shqipëria.
Gojëdhëna e pleqve analfabetë ballkanas ngjan vërtet një shenjë profetike.
7.
Keqpërdorimi i figurës së Don Kishotit na rikthen te një dukuri e njohur, por ende pak e studiuar, ajo e marrëdhënieve jetë-letërsi. Klisheja e vjetër populiste, e përqafuar më pas me aq zell nga marksizëm-leninizmi se “letërsinë e pjell jeta” ose “letërsia pasqyron jetën”, duket se ka mbyllur tani për tani dyert për shqyrtimin kritik të saj.
Mjafton të bëjmë disa pyetje, në dukje të thjeshta, që klisheja të tronditet, për të mos thënë të bjerë. Në qoftë se do të pranojmë se letërsinë e pjell jeta, atëherë kemi të drejtë të kërkojmë disa saktësime. Dhe saktësimi i parë është se ç’kuptojmë në këtë rast me fjalën “jetë” (ose “jetë e popullit”, siç është përdorur zakonisht nga populizmi). A e pranojmë se është “jetë” – kronika e gjerë e një epoke, me ngjarjet themelore dhe ato të përditshme, qofshin ekonomike, ushtarake, politike, kulturore, fetare, zakonore etj., etj. – po aq sa ç’është “jetë” ajo që ndodh në trurin e një njeriu? Pranimi i kësaj e bën të pranueshme tezën e jetës si amë të letërsisë. Mospranimi e hedh poshtë.
Në rastin e Migel Servantesit ne pamë vetëm një shembull se si në trurin e tij, në rivalitetin midis rropamës së epokës dhe një ngjarjeje të paqenë, njëfarë shajnie (halucinacioni), fitoi kjo e fundit, dhe, falë kësaj fitoreje, ne patëm “Don Kishotin”. Shembuj të tjerë dëshmojnë se një pjesë, madje një pjesë tepër e fisme e thesarit botëror të letërsisë, s’ka të bëjë me atë “jetë” që kuptojmë ne. Ajo është një jetë e ndryshme, shpeshherë janë zona të errëta e shpesh zona qiellore të saj, disa herë pjesë të ndërmjetme, e disa herë ato treva ku jeta u afrohet kufijve të vdekjes.
Për t’u kthyer te një çështje më e rrokshme: kalimi i personazheve nga jeta në letërsi dhe nga letërsia në jetë, falë përvojës sonë në këtë botë plot vendkalime kufitare, porta doganore e kontrolle pasaportash, ne e kemi lehtë të përfytyrojmë këmbimin e dyanshëm të personazheve, si një vendkalim me dy porta. Në të parën, personazhet që hyjnë nga jeta në letërsi. Në të dytën, rrjedha e kundërt, personazhet që dalin nga letërsia për të hyrë në jetë. Porta e parë, si porta më normale, është mjaft e gjerë dhe qëndron natë e ditë e hapur. Porta e dytë, përkundrazi, jo vetëm që është e ngushtë, por hapet rrallë, shumë rrallë.
Nëpër këtë portë të dytë të ngushtë ka dalë Don Kishoti, për të hyrë në botën e madhe plot zhurmë.
Dukuria, ndonëse e rrallë, është e njohur tashmë. Jeta vërtet i jep personazhe pa fund letërsisë, por edhe letërsia, gjithashtu, i jep jetës.
Ndërsa dukuria është e njohur, mbetet ende i pashpjegueshëm kriteri që përdor njerëzimi për të pranuar këta bujtës të pazakonshëm, pjella të poetëve dhe të shkrimtarëve. Ai i pranon ata, i bën të vetët (i integron, po të përdorim një shprehje moderne), por, siç janë shpesh zakonet e kësaj bote, kërkon një taksë për këtë integrim. Dhe taksa është ndërhyrja e njerëzimit për retushimin e personazhit.
Në pamje të parë duket si një nder i madh për çdo autor që njerëzimi mbarë, madje njerëzimi nëpër shekuj, merr pjesë në modelimin e personazhit. Në këtë rast, autori dhe njerëzimi mbarë vihen në raporte bashkautorësie.
Por jo të gjithë mendojnë se ky është një nder. Gati dy shekuj më parë Frederik Shiler thoshte të kundërtën.
Siç u tha më lart, është vështirë të përcaktohen “kriteret e pranimit” të personazheve të letërsisë në jetën e madhe. Përse Fausti, Makbethi, vëllezërit Karamazov, Edipi, Ajaksi, Agamemnoni, Jozef K., Leopold Blum etj., ndonëse personazhe të mëdha në letërsi, nuk kanë hyrë dot në jetë? Në rastin e Faustit, përse ai jo, kurse Mefistofeli po? E përse s’është pranuar kurrsesi Makbethi, në kohën që gruaja e tij, Ledi Makbeth, ka hyrë me të dyja këmbët? Vitet e fundit, sidomos në vendet e ish-perandorisë komuniste, ajo pati një rikthim të bujshëm, duke shërbyer si figurë krahasuese me disa nga gratë e tiranëve komunistë, sidomos me kinezen Çian Çin, gruan e Maos, me rumunen Elena, gruan e Çausheskut dhe me shqiptaren Nexhmije Hoxha, gruan e diktatorit shqiptar.
Pyetjet mund të vazhdojnë me arsyet e hyrjes së druajtur të personazheve të tilla, si: Akili, Odiseu, Beatriçe e Dantes, Hamleti, Ema Bovari, Ana Karenina etj., në kundërti të plotë me hyrjen ngadhënjyese të Jagos e të dyshes Romeo e Zhulieta. E po ashtu, me statusin disi të çuditshëm të Faustit e të Don Zhuanit, të cilët, të ardhur nga jeta, pas shtegtimit në letërsi, i pari mbeti rob i letërsisë, i dyti, me gjithë përpjekjet e Bajronit, të Molierit e të Moxartit, për ta mbajtur në art, u rikthye në jetë, ku është shumë më popullor se në zonën tjetër.
Lidhur me raportet jetë-letërsi mund të thuhet se dy personazhet më të famshme që, ndonëse të ndryshëm, kanë pasur fatin e mirë ose të keq të bëhen më popullorë, janë Prometheu dhe Don Kishoti. Të dy janë përpunuar prej njerëzimit mbarë, të dy janë rimodeluar dhe, me sa duket, historia ende s’ka marrë fund.
Përkitja e njerëzimit mbarë është tepër e fuqishme. Për të mirë ose për të keq. Prej kësaj përkitjeje Prometheu ka fituar. Don Kishoti, siç u tha më lart, ka humbur.
Shpjegimi është i thjeshtë: Prometheu u ngjiz prej legjendës e më pas prej “atit të tragjedisë”, Eskilit, jo i tillë, ashtu siç e njohim ne sot. Figura e tij nga shekulli në shekull u pasurua prej njerëzimit. Doza e heroizmit të tij u shtua, kurse lëkundjet, dyshimet, kompromiset u zbehën. Me këtë njerëzimi mbarë kërkoi rishikimin, qortimin e figurës. Dhe mund të themi se ia arriti. Në jetën e tij të dytë, në jetën e përditshme, Prometheu nuk është i njëjti si në art.
Me Don Kishotin, siç u shpjegua më lart, ndodhi e kundërta.
Ne e pamë se si emri i tij është marrë nëpër këmbë dhe si nderi i tij është cenuar zuzarisht, më keq se në hanet e Spanjës.
Fati i Don Kishotit na bën të ndërgjegjshëm për një të vërtetë të madhe: klima e planetit tonë është tepër e egër për personazhe të tillë, kaq të fismë e të brishtë si Don Kishoti. Ndaj, kur ata dalin nga zgrofi i letërsisë, ashtu si foshnja nga mitra e nënës, kjo dalje mund të ketë rrjedhoja dramatike.
Ne duhet ta mbrojmë këtë personazh të madh të njerëzimit. Ende nuk është gjetur mekanizmi i nevojshëm për kësi rastesh. Madje, ndërgjegjja jonë ende nuk është përgatitur për bëma të tilla. Një propozim i tillë mund të tingëllojë i parrokshëm, ashtu si vite më parë kushtrimi për mbrojtjen e hapësirës. Ashtu si idetë për të drejtat e njeriut, në ndonjë fjalim të vetë Don Kishotit, katërqind vite më parë. Në qoftë kështu, aq më mirë!
Paris, 7 mars 2005
(Në zanafillë të kësaj sprove janë shënimet për një konferencë, mbajtur në Bibliotekën Kombë-tare të Spanjës, në Madrid, më 1994.
Një version i parë i sprovës, përkthyer prej spanjishtes nga Mira Meksi, sipas pasqyrimit të konferencës në shtypin spanjoll, u botua më pas në Tiranë, në përmbledhjen “Unaza në kthetra”.
Ky tekst përfundimtar i sprovës është plotësuar prej autorit në vitin 2005. Botohet për herë të parë në Shqipëri në vëllimin XVII të veprës së I. Kadaresë, Onufri, Tiranë, 2009)./exlibris.al