Antifashisti Vasil Murati, shembull për minoritetin
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Familja Murati në Memoraq
Familja Murati historikisht ka qenë një familje me tradita luftarake. Ndonëse me gjendje jo të mirë ekonomike, Muratajt financonin ndërtime të tilla me vlerë shoqërore dhe kulturore afër vendbanimeve të tyre. Ata qenë nikoqirë të zot, bujarë, mikpritës, punëtorë të mirë, blegtorë dhe bujq të shquar. Muratajt pas disa lëvizjeve të diktura nga kushte e kohëve, u vendosën përfundimisht në Memoraq të Finiqit.
Kiço Murati, i biri i Stavros dhe i Lenës, ishte një burrë i rrallë në krahinë. Ishte i pashëm, serioz, i sinqertë, i ndershëm dhe besnik. Ishte i pashkollë, sa rrokjëzonte dhe hidhte ndonjë firmë. Megjithatë, veç greqishtes, fliste turqisht dhe në mënyrë të përsosur shqip. Ishte mjaft i zgjuar dhe nikoqir. Donte shumë prindërit dhe gjyshërit e tij. Ai merrej me bagëti dhe pemtari, se tokë buke nuk kishin.
Memoraqi kishte fare pak toka, pa ujë për vaditje. Kiço ishte mjeshtër në pemetari, në krasitje dhe shartime. Nga duart e tij të arta është bërë blloku i ullinjve rrëzë kodrës ku ishin shtëpitë e para të Muratajve. Fillimisht, kur erdhën nga Palo-Memoraqi, por të detyruar nga çifligarët u ngjitën 200-250 m më lart. Kiço Murati u nda nga jeta në prill 1936, kur ishte 65 vjeç. Familja e tij, si gjithë familjet e Memoraqit, ishte e varfër. Muratajt jetonim nga halli të tërë bashkë, tri familje, njëzet e nëntë frym. Shtëpia ku banonin në fshat ishte shumë e vogël, 3.5 m x 3.5 m plus një kuzhinë-furrë me hyrje nga jashtë. Flinin përdhe në rogoz gjineshtre njëfillëshe, mbuluar me velenxa.
Pak para që kishte mbledhur Kiço me kursime dhe sakrifica të mëdha në llogarinë e përbashkët të familjes, për të ngritur të paktën dy shtëpi të reja, i humbën me falimentimin e bankës së Korfuzit, kur plasi kriza ekonomike botërore e viteve 1929, 1939-1940. Në të tilla kushte fukarallëku u rrit dhe u edukua Vasili, në varfëri të plotë dhe të padurueshme. Nëna Zoica, ishte njeriu që ndikoi më shumë në formimin e karakterit burrëror të Vasilit. Ajo ishte kurdoherë pranë fëmijëve.
Që në rini shkëlqeu guximi i Vasilit
Vasil Murati lindi më 10 tetor 1922 në Memoraq. Ndoqi shkolëm me shumë sakrifica të mëdha. Në vjeshtë të vitit 1940, një akt kurajimi i dha emër djaloshit të ri, Vasil Muratit. Bejlerët e livadheve dhe qehallarët e tyre, u kërkonin në vjeshtë blegtorëve për së dyti taksa për livadhet. Pas shumë presionesh, një pasdite vjeshte, ata me sejmen vërkollakun nga pas, shkuan që të përzënë kopenë me armë nga kullota barinjve pleq, se kishin gjetur një vllah mushteri që u jipte më shumë para. Me të dëgjuar pushkët, Vasili rrëmbeu armën dhe u doli në krahë barinjve të fshatit. Për pak minuta, aty vrapuan edhe papo Nashua me papo Kostën, Jorgo Murati, Koçi Baxhaqi, Migo Baxhaqi, Panajot Vaso, Miço Karadano, Jori Miho dhe gjithë burrat që mbanin armë në fshat, u bënë mbështetje e djaloshit guximtar dhe të plakut trim Nasho Murati. Qehallarët ia mbathën vrapit dhe nuk u dukën më në këto anë. Pas këtij akti i gjithë fshati u bë njësh, grusht bashkuar, siç qe edhe para disa viteve në rastin kur Memoraqi, i pari në Vurg protestoi kundër grabitjes së tokave të tyre. Ky akt i djaloshit trim e guximtar bëri që fshatarët të bashkohen dhe të reagonin kundër së keqes së përbashkët. Burrat e fshatit për herë të parë u bënë bashkë dhe e kuptuan të mirën që sjell reagimi i përbashkët si në grevat e kohës së Zogut, dy herë në Sopik gjithë fshati i Memoraqit i përkrahu.
Me pak para dhe shumë punë për mbledhjen e materialeve të ndërtimit, gurit, rërës trarëve, gëlqeres, etj., u bë e mundur të ndërtohej një shtëpi e re e vogël, pa mur ndarës në mes, e cila iu dha papo Nashos se kishte familjen me fëmijë të vegjël. Kështu propozoi Vasili dhe këtë e pranuan të gjithë. Fjala e tij kishte peshë në familjen Muratajt. Vasili ishte dhe njeri i sakrificës dhe i punës. Një të diel, dite pazari, një grup fshatarë nga Memoraqi shkuan në Delvinë, për të shitur prodhimet e tyre. Lumi i Bistricës kalonte poshtë Velahovës, ku kalon Urë-kanali i vijës ujitëse “Thoma Filipeu”. Lumi kishte shumë ujë dhe urë nuk kishte. E gjora Vasillo, ngarkuar me 30 kg grurë e mori vala e lumit dhe rrezikohej të mbytej. Vasili 15-16 vjeçar hodhi mallin e vet në lumë dhe u lëshua me not dhe e shpëtoi…
Fillimi i lëvizjes antifashiste
Pushtimi fashist e preku thellë në shpirt Vasil Muratin, djaloshin e ri 17 vjeçar. Dëgjoi dhe lexoi në shtyp e trakte për qëndresën heroike të Mujo Ulqinakut me shokë, në Durrës, apo të Mitro Dhimërtikës me shokë në Sarandë. Në çështjen atdhetare Vasili kishte pjekuri. Urrejtje të veçante kishte për ata që regjistroheshin në organizatën e Balilasve. Gjendja e mjerueshme e detyroi të futej punëtor në Botore për hapje rrugësh dhe ndërtim urash për automjetet e fashizmit. Një punë pa dëshirë, por tjetër zgjidhje nuk kishte. Rrugët në vetvete i shihte si një zhvillim e përparim për vendin, paçka se ato për momentin ndërtoheshin për t’i shërbyer fashizmit. Punoi në Delvinë, Muzinë, Bogaz e Konispol, në Qafëbotë e Sarandë.
Mes vështirësish dhe sakrificash po rritej dhe burrërohej përditë. Vasili u formua e u kalit si i ri patriot e revolucionar e më pas, nën ndikimin e Lefter Talos, edhe si komunist. Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Lefteri ishte transferuar si mësues në fshatrat e Dropullit. Aty e zuri pushtimi dhe aty u lidh me lëvizjen. Për rrjedhojë, andej qenë edhe njohjet e para me aktivistë të Lëvizjes. Kur e arrestuan fashistët dhe e burgosën në kalanë e Gjirokastrës, shokë burgu Lefteri kishte Rita Markon dhe Shefqet Peçin, të lidhur me lëvizjen çlirimtare. Këto kontakte Lefteri ia bëri të njohura dhe Vasil Muratit, i cili pas pune lexonte çdo ditë me orë të tëra. Lexonte libra e broshura të ndryshme që i gjente nga shokët më të shkolluar e më të pëparuar në lëvizjen antifashiste. Kishte etje të madhe për dije. Duke u rritur filloi të lexojë edhe më shumë libra historike, politikë, broshura ideologjike mbi njohuritë fillestare për Marksin dhe Leninin, për Bashkimin Sovjetik të Stalinit të madh, dhe mendja e tij ëndërrimtare fluturonte në të ardhmen e lumtur të vendit te tij, por, para së gjithash, duhej dëbuar bisha fashiste nga Atdheu.
Këtë frymë të re, Vasili e solli edhe në fshat, i kultivoi atij frymën e klasës punëtore, solidaritetin, internacionalizmin, humanizmin, unitetin. Shokët më të avancuar në lëvizjen e Rinisë Komuniste vunë re besnikërinë e tij, dashurinë për shokët, frymën e kolektivitetit, përpjekjet për dije e kulturë më të gjërë, trimërinë, guximin etj. Për këto e të tjera cilësi e tërhoqën në grupin e Rinisë Komuniste të portit, në qytetin e Sarandës. Thirrej në takime e biseda, merrte pjesë në aksionet fillestare, dhe, gradualisht u organizua në njerin nga më të përparuarit e këtij grupi. Por puna nuk qe e përhershme dhe shpesh këto celula shpërbëheshin. Lidhjet e reja bëheshin me vështirësi. Këtu ai punoi nga fillimi i verës së vitit 1939 deri në fund të tetorit 1940. Në portin e Limjonit punoi për 18 muaj, ku mësoi dhe italishte e u njohë me shokë punëtorë nga Saranda, Muzina, Grazhdani, Bregdeti, Çamëria, Labëria etj. Ai njoh dhe bashkëpunoi me të rinj komunistë si Mitro Xhani, Mitrojorgjët, Javer Malon, B. Sinoimerin, si dhe me shokë Myslim Mamacen, Thoma Lulon, Ballacët, K. Haxhiun, Çuçajt, etj. Vasili u arrestua dhe u dënua me burg nga gjyqi fashist për marrje armësh dhe municioni. Në port njohu dhe dy komunistë italianë të cilët krijuan lidhje dhe kur kapitulloi Italia, Domeniko doli partizan dhe u bë komandant i batalionit vullnetar italian “Mateoti”.
Kur u krijua partia Vasili ishte 19 vjeçar. Shpresa e shpëtimit nga fashizmi dhe nga bejlerët e agallarët iu shumëfishua. Delvina, kur u themelua PKSH, kishte një bërthamë prej trembëdhjetë komunistë, por edhe mjaft të rinj komunistë ilegal, një ndër të cilët ishte dhe Vasili. Ndjekjet e vazhdueshme për një kohë të gjatë, e bënë atë më të fortë e më të vendosur. Ndërkohë Vasil Murati, propagandonte programin e PKSH, thirrjet e proklamatat e saj, për të ndërgjegjësuar e ngritur të gjithë popullin në luftë për liri e për një pushtet të ri popullor. Ai njohu dhe mbante kontakte me Mihal Bishën, B. Sinoimerin, Fejzo Mehmetin, M. Mamacën, me Malot, Ballacët, Çuçajt, Mitrojorgjët, K. Haxhiun, S. Lenkon, V. Pandon, Lefter Talon, Mitro Xhanin, Q. Dhroson, (Kasiani) Talon, Vaso Zhupën, Ilia Skaperën etj. Vasili kontakte partie kishte me Muzafer Asqeriun, Lenka Vasin, Jorgo Zhupën, Miho Xhanin, Jorgo Ferron, etj. Mbante lidhje edhe me mësuesit Miltjadh Apostolidhi, Minella Polo, Minella Dalanin, etj.
Familja Murati dhe Vasili në luftë
Qysh në fillim të Luftës Antifashiste familja Murati u lidh me Luftën Nacionalçlirimtare, duke i dhënë përkrahjen e plotë Lëvizjes Antifashiste dhe Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar të udhëhequr nga PKSh. Për këtë qëndrim mbi familjen Murati, ballistët dhe zervistët shkarkuan gjithë egërsinë ndaj tyre dhe gjithë fshatit Memoraq. Thoma Murati, vëllai i madh i Vasilit, kryente detyrën e përgjegjesit politik të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit, anëtar i Krahinorit e më pas nënkryetar i tij. Mihali, vëllai i vogël i Vasilt, ishte ngarkuar me detyrën e përgjegjësit të celulës së organizatës së rinisë komuniste, të përbashkët për fshatrat Memoraq, Dermish, Rumanxa e Ymerafend (sot Fitore). Motra e Vasilit, Alekso Rubati, e kishe burrin, Foto Rubati, me çetën partizane të Rrëzës. Ndërsa i kunati Jorgo ishte kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Mesopotamit.
Gjatë viteve 1942-1943 Vasili mundohej t’i bindte njerëzit dhe t’i tërhqte në luftë në krahun e Frontit. Mbledhja e Çakallos e fillim shtatorit 1943, pas mbledhejs së 8 gushtit në Vigëll dhe asaj të Konispolit të 10 gushtit, ishte e treta e radhës, po aq të rëndësishme sa ato të parat. Këtu përfundimisht u vendos triumfi i vijës së Partisë në minoritet. Mjaft nga pjesëmarrësit u bindën dhe u rreshtuan në anën e Frontit Nacionalçlirimtar, disa dolën partizanë, luftuan trimërisht dhe marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe minoritetit ishin raporte miqësie, respekti reciprok kombëtar e fetar, shkëmbim vlerash kulturore e shpirtërore.
Vasili punoi në Sarandë, Delvinë dhe në Dhrovjan-Muzinë-Leshnicë-Theollogo-Vurg si aktivist i rinisë dhe mori pjesë në takimet e Gjirokastrës dhe të Delvinës me Qemal Stafën në prill 1942. Punoi dhe ngriti celulën e parë komuniste në Dhivrit dhe në Delvinë. Vasil Murati mori pjesë në aksionet e njësiteve gurerile në rreth për prerjen e linjave telefonike, në pritën e parë në Qafë Muzinë, në ngritjen e organizatës së rinisë dhe të komitetit antifashist në Delvinë në dhjetor 1942-shkurt 1943. Me njësitin gueril dhe me çetën “Çamëria” më 12 shkurt 1943 mori pjesë në operacionin për çarmatosjen e postave të financës në Zimnec, Leshnicë dhe Karroq.
Për dy muaj Vasili ishte në ndihmë të çetës partizane të Lunxhit, qëndroi me Themo Vasin dhe ngrtën në zonë këshillat antifashiste, organizatën e frontit, të rinisë dhe të gruas. Mori pjesë në formimin e çetës “Çamëria” më 2 shkurt 2914 dhe ju bashkua kësaj me njësitin e tij. Më 19 mars 1943 ngarkohet nga qarkori i partisë në Gjirokastër, prej Haki Toskës për ngritjen e organeve të informmimit partizan, si dhe u caktua përgjegjës për marrdhëniet me PK Greke, pasi njihnte mjaft nga luftëtarët dhe drejtuesit e ELLAS-it.
Vasili mori pjesë në betejën 55 ditore të luftës së Konispolit, duke qenë dhe kuadër i informacionit partizan dhe të shtabit të Grupit të IV Partizan. Në betejën e Qafës së Gjashtës më 20-22 shkurt 1944, Vasili me një togë partizane luftoi me mjaft forca të armatosura gjermane-balliste, u plagos, por nuk e lëshoi pozicionin. Vasili u plagos përsëri kur luftonte me batalioni “Pandeli Boçari”, si dhe më 29 mars 1944 në Dhivër nga një predhë mortaje. Vasil Murati mori pjesë në luftën për çlirimin e Delvinës në korrik 1944, aty pa të plagosura rëndë partizanet Lejla Malo dhe Urani Bari. Me organizimin e batalionit “Lefter Talo” u ngarkua me detyrën e komisarit të kompanisë, ndërsa me formimin e BrXIVS, nga detyra e komisarit, pas çlirimit të Spilesë kaloi në aparatin politik të komandës së përkohshme të Jugut me qendër në Vlorë.
I palodhur në detyrat e ngarkuara…
Në nëntor të vitit 1944, Vasil Muratin e caktojnë përgjegjës politik të komandës së vendit Aliko dhe komandant mësuesin Jorgo Stamati, duke punuar për zgjidhjen e mjaft problemeve dhe detyrave të mëdha të pasluftës. Ai drejtoi punimet në rrugën e re automobilistike me t rinjtë vullnetar në Vurg e Theollogo. Pastaj u dërgua për studime në shkollën e Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe pas përfundimit të saj u emëruar në komandën e brigadës së Kufirit në Jurgucat, me shërbim në zonën e Theollogos, zbulues. Ai kishte detyrë vendosjen e kontakteve me Ushtrinë Demokratike Greke. Në qershor të vitit 1948, Vasli ishte me detyrë hetues në degën e Brendshme në Delvinë. Më datë 29 qershor 1948, në ambjentet e brendshme të hetuesisë u prenë dritat dhe u thirr Vasili për rregullimin e tyre, pasi kishte njohur në punën e elektricistit, se kishte mësuar në nga italianët në bazën e Limjonit dhe në Tiranë, gjatë studimeve në shkollën e Ministrisë e Punëve të Brendshme. Kontrolloi linjën, siguresat dhe shkoi drejt motorrit të dritave, afër përroit, por u qëllua befasisht pas shpine…
Të gjitha ditaret, blloqet, fletore shënimesh, emra të dëshmorëve dhe material të tjera të Vasil Muratit u morën në vitin 1948 nga familja për t’u vendosur në muzeun e Delivnës, por deri në vitin 1997 këto ishin të ekspozuara si “trofe” në një muze në Janinë, të çuar prej Panajot Çamatit kur u arratis…
Vasil Kristo Murati është dekoruar me Medaljen e Kujtimit, Medaljen e Çlirimit, Medaljen e Tirmërisë dhe Medaljen e 10 korrikut. Vasil Murati është përkujtuar në përvjetorët e BrXIVS dhe të BrXIXS. Atij ju ngrit lapidari i parë në Delvinë. Në muze të Delvinës, Sarandës dhe të MPB kishte stendë dhe relike të tij. Ai është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 166, datë 27.12.1977 të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Sarandë, si dhe me vendim nr. 13, datë 2.9.2003 të Komisonit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”. Në qytetin e Delvinës një rrugë mban emrin e tij, si dhe Qendra Shëndetësore e Memoraqit. Varri i tij gjendet në varrezat e dëshmorëve të bashkisë Delvinë.
Për jetën dhe veprimtarinë e dëshmorit Vasil Murati është shkruar në organet e Punëve të Brendshme, në gazetat “Llaiko Vima”, “Fitore”, “Bashkimi” dhe në revistën “Në shërbim të popullit”, në librin “Heronj të heshtur”, vëllim IV, etj. Për Vasilin është shkruar monografia “Vasil Murati, luftëtari i idealeve të mëdha” nga Kiço Murati dhe botuar në vitin 2023.