Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Ruzhdi Gole

 

Mbihermetizëm

… Fjala…

 

Ndonjëherë, ju duket, plot gjurmë të truara

fllad mendjelehtë, llambë syerrët, çehre thëllimtë,

 

Himn humbarak

gjumëson guguftuja

“Të brohoras, më brohorit”.

 

…Fjala…

e kthjellët

lutje përhumbje

ngroh veten, ngroh dhe të tjerët,

Për të gjithë shkruaj

asnjëherë për të gjithë,

…qartë edhe në të terrët…

 

 

Endja … kallëz zani.

 

* * *

 

Majat vezullojnë kryet, mund të ngjitemi të gjithë,

Jeta buzët fërfëllon, mirëkeq ngjizen brumërat,

Sot, mund të na dalë më i panjohur

 

Shpirti

ose

vrikth

Artist grunjërash.

 

Majat vezullojnë kryet, s’ngjitemi të gjithë.

 

 

Lexime vere

(poe-prozë)

 

– 1 –

 

Ajri, më vrapon çiltër përkrah

plot kallëza zani, plot frymime

Rendja grindet me frikën

rrëmujë e drithshme, trime.

Dora dorën nuk ma zë në ajër,

njëra gazmon kall’zat,

tjetra braktis ngahera pllajën.

Herazi kallëza, pllaja i mbusha

pëllëmbët dhe thonjtë,

Brenga me re në rrashtë,

vrajë-vrajë, mollëzat shojtë.

Luspat e Frikës në kurriz të peshkut…

Njeriu mëditës lexon letrën e gjethes

në gaz e në fërfëllizë.

– 2 –

Kjo çiltërsi e freskët dhe kjo rendje hop

hopthi kërcejnë mbi brengën far fat,

Fati – blojë e pablojë

i pangopur qëmoti

zgërbonjë me peshkun jeton në bark.

Nga rrëngjethja e re e Frikës

tremben sybuzë

veshë e vetull, hundë e gojë,

Pranvera lexon letrat e gjethes

pas dimrit squllur ndër thonj.

Patetika, njërën këmbë e ngre n’ajër

tjetrën brof mbi ca, plot të liga,

Frika na shan, e shajmë, po ne e shijojmë

si kurvat, si vet kripërat.

Kripa e Frikës hidhnon lastarët.

Me çajin e erës ëmbëltoj buzët

shkërmoqem ca, i gjithi –

Rroj e rrënoj frikën

përkrah me të mbarë e të marrë

tej thonjve t’unshëm

ngopjes e shterrjes – vorr t’gishtit.

 

Lumni Ajri

 

Frika duket mace e mugët ose si një kukull,

grisur breçkat prej luleje, prej fluturash,

e turbullt, e ngathët, më e rrëmujshmja.

Frika, bukur e rrëmujshme, del prej nate

me pupla, me fustan letre e tis çupe,

Flutura trembet më shpejt prej frike,

Ajri lumnohet me krahë fluture?

Ndihem i fajshëm.

I pafajshëm

zhdukem…

 

Kahera, krejt

 

Gjithçkaje ose pak, fare pak shenjë Shembulli,

pak, fare pak o gjithçkaje shembull shëmbja,

tek trallisja, tek i eturi t’çon veç Hamendja.

Jeta vrapimthi lulëzon tek nektari i ujërave,

Hamëndja mëkëmbet plasakrisje,

Era gurrave qendis, qendiset.

Shenjë Shembulli, shembull Shëmbja –

Njeriu me këmbë fluturimi e luleje

më i treturi e sheh kahera krejt

veten tek Hamëndja e mençur

më e mençura.

 

Kurora, masakra

 

Drithërimat plot kallëza, plehërat masakër

skile mashtrimet tona dhe marionetat,

të pashëm dukemi, më t’afërm tallur

njeri – tjetrin me rrecka sentencash.

Durimi rri mënjanë plot farëra gruri

larg nga bisha, bishtuku e bashka,

Dikush, njerëzorin, këtu, e përzuri

gjersa frika, plehnat e marionetat

kallëzojnë nure të reja qivuresh

plot kurora dhe plot masakra.

 

Pellgje rakitikë

 

Pellgu, nëpërkëmbet dhe hov përpjetë,

këmishën e ka hënëzë ngrënë, sytë

perëndim glaukome, të pasinqertë.

Ajri plot kallëza, Hapat plot trajta, hoka.

Hapësira më ka bind’ në çdo dekikë

se Dita nga gurrat flatron ndër më

të guximshmet e më të joshurat

ndër më të dëlirat mbi gjithë

pellgjet e vyshkur rakitikë.

Pellgu hënëz, shputë këmbësh…

 

Të Vërtetat vesë

 

Diku shkelmohem nga Frika për harresa të shpikura,

të grisur zarfat, shqyer dhe përlyer çdo tablo adresë

duke roitur nga bindja se të vërtetat brofin, s’brofin

përherë dhe më tepër të pabindura, për të rrëfyer

gënjeshtrën, që ne e rrëkëllejnë qymyr plot xixa

të vërtetat përherë jetime, vetëm, vetëm vesë.

Diku po iki, nga thelbi tek grimi, nga feta

e flakës tek turiri i tymit, nga buka squll

tek thërrmimi, nga vjollca

tek vyshkja, nga yshtja

tek ymri.

Zarfat grisur, aty – këtu, xixat në thes,

Frikërat buisin, të Vërtetat veç vesë.

 

Marrë nga libri i autorit “Ajër plot kallëza”.

Please follow and like us: