Albspirit

Media/News/Publishing

Fuat Memelli: NJË LIBËR QË TË MBETET NË KUJTESË


Mbresa nga libri me tregime e novela “Shtegtimi i fundit” i shkrimtarit, Avdulla Kënaçi

Sapo kam mbaruar së lexuari librin me tregime e novela “Shtegtimi i fundit” i gazetarit e shkrimtarit, Avdulla Kënaçi. Në gazetari na kanë mesuar se “nuk duhen lënë mbresat të ftohen”. Vërtet kjo thënie është me vlerë, pasi ndryshe të rrëmben rutina e përditshme dhe mbresat “ftohen”. Kështu edhe unë po përcjell për tek lexuesi mendimet dhe opinionin tim që më frymëzoi ky libër i ri. Një ndër veçoritë e para që bie në sy tek vellimi “Shtegtimi i fundit”  është se gjithë tregimet e novelat janë bazuar në ngjarje reale të marra nga përvoja në vendlindje dhe emigracion. Më pas autori i ka “gatuar” e stolisur në “laboratorin” e tij krijues. Dhe i ka “gatuar” bukur duke derdhur në secilën prej tyre shpirtin e tij artistik. Mbaron së lexuari dhe bie në mendime, diku gëzohesh e diku trishtohesh për fatin e personazheve që ka vizatuar me aq talent dhe mjeshtëri.  Të vjen keq kur mbërrin në faqen e fundit dhe thua me vete: sa shpejt u mbarua libri me rreth 300 faqe! Ky është “magneti” i krijimtarisë së bukur që nuk të lëshon kollaj. Përvoja e gjatë e punës në shtyp dhe televizion, duke biseduar me qindra njerëz (ndoshta edhe me mijera) ka qenë një përvojë e pasur për autorin dhe ai me shumë mjeshtëri  na rrëfehet dhe di t’i hapë “portat e zemrës” mbarë lexuesve. Kështu ndodh te tregimi “Vështrimi që më ndoqi pas”, i cili rrëfen dashurinë e një emigranti të arratisur nga diktatura me njëmijë e një aventura, i dashuruar marrëzisht me një vajzë të ish nën kryetarit të Degës së Brendshme, por që nuk përfundoi pasi djaloshi nuk mundi të durojë presionin dhe u arratis. Siç thotë autori ”Sado të fshehtë ta mbajë dashurinë një njeri, ka nevojë që një ditë t’ja hapë zemrën dikujt”. Dhe personazhi i tij e bën këtë në botën e lirë.
Në çdo krijim të këtij libri ka një lirizëm të bukur në përshkrimin e natyrës ku zhvillohen ngjarjet, duke nënvizuar bukur anën psikologjike të personazheve. Fjalët rrjedhin si ujvarat e bukura të Atdheut tonë. Nuhatjen prej krijuesi të këtij  autori e kanë tërhequr ngjarje të veçanta në Atdheun e parë, në Shqipërinë tonë aq të dashur, si dhe në Atdheun e dytë, Kanada ku ai jeton prej 15 e ca vjetësh, por edhe në vende të tjera ku ka qenë me shërbim si gazetar i diasporës në RTSH ku jemi njohur sëbashku. Shpirti i krjuesit, talenti i tij nuk njeh shtete e kontinente. Ai vlon brenda tij dhe vjen një ditë qe ai e nxjerr për të shprehur “dufin” krijues si dhe për t’ia përcjellë atë gjithë lexuesve dhe dashamirësve të letërsisë artistike. “Udhëtoj” nëpër faqet e këtij libri dhe nuk di kë të veçoj se kush është krijimi më i bukur, mbasi secili ka bukurinë e tij të veçantë. Në tregimin dramatik  “Kujdestarja e kojotave” çuditesh se ku e gjen forcën kjo vajzë e re, gjimnaziste kanadeze që shkon në mes të acarit për t’u çuar ushqim, kojotave, një lloj çakalli i kontinentit amerikan? Ishte dashuria dhe keqardhja e saj për kafshët e uritura që e çon në atë udhë pa kthim. Por, qëlloi që njëra prej tyre ishte shumë e egër, i vërsulet dhe e plagos për vdekje. Mbyllja e tregimit ka një paralelizëm të bukur: requiemin që ajo luajti në violinë kur babai ndërroi  jetë, u luajt në kishë në ceremoninë e saj mortore!

Disa tregime dhe një novelë, trajtojnë fate emigrantësh shqiptarë dhe jo vetëm, të shpërndarë nëpër botë, siç janë tregimet “Qilimi persian me thekë”, “Kozmos”, “Biznes në Tun”, “Shpirti i arvanitasit”, novelat ”Përtej oqeanit”, “Vështrimi që më ndoqi pas”, etj. Ndoshta sepse vetë autori është emigrant, e ka tërhequr kjo temë dhe e ka shtjelluar me pasion.
Peripecitë e emigrantëve, dështimet, por edhe sukseset e tyre (rrallë ka emigrantë që nuk i ka provuar ato) në Atdheun e dytë ku i kanë hedhur dallgët e jetës, shpalosen në faqet e këtyre tregimeve me nje realizëm e bukuri të rrallë. Disa vende i urrejnë të sapoardhurit, siç ka ndodhur edhe me emigrantët shqiptarë. I kanë përbuzur, u  kanë bërë padrejtësira, u kanë ngritur kurthe, siç ka ndodhur edhe me Isuf Pezën, personazh i tregimit “Mumuja”. Por, siç thotë populli “e vërteta vonon, por nuk mënon”. Kurthi që i ngriti pronari emigranitit shqiptar duke e përplasur  edhe në burg, u shkoq, doli bllof. Drejtësia e vonuar u vendos dhe shqiptari u lirua nga hekurat dhe mori dëmshpërblimin e merituar për të gjitha padrejtësitë.
Disa tregime të tjera e kanë “brumin” prej ngjarjeve te ndodhura në Shqipëri, siç është ai me titull “Sevda e gremisur”, bazuar në një tregim të gjyshes së autorit kur ai ishte fëmijë shkolle, por që ngjarja e treguar prej saj, nipit i ishte gdhendur në kujtesë. Pas shumë vitesh ai e nxjerr në dritë prej “arkivit” te kujtesës dhe “qindis”  një nga tregimet më të bukur, megjithëse me një fund tragjik. Keqardhjes së nipit të vogël, gjyshja i përgjigjet: ”Ashtu kanë qënë kohrat, xhan i gjyshes, sevda e gremisur, nuk kanë faj njerëzit por koha”.

Novela “Shtegtimi i fundit” që mbyll librin dhe që është “qershia mbi tortë”, tregon lidhjen e ngushtë gjysh-nip. E tillë ka qënë kjo lidhje ndaj nuk ka dalë kot shprehja, se nipat e mbesat janë “mjalti i mjaltit”. Gjyshi jetonte në një fshat të Labërisë, ndërsa nipi ishte student në Amerikë. Gjyshit po i afron koha për t’u larguar nga kjo jetë, por shpirti nuk i del pa e takuar edhe një herë nipin e tij të dashur, krenarinë e shtepisë.  Ai vjen, kthehet pas sezonit të provimeve në Atdhe dhe një ditë gjyshi e fton të shkojnë në stanin ku ai kishte qenë me bagëti . Aty i jep dhuratën që e kishte mbajtur të fshehur për vite me rradhë. Ishte një dhuratë e habitshme, me forinj të varrosur nën dhe‘ për një ditë të zezë,  por gjyshi i kishte ruajtur me fanatizëm për dekada të tëra, pikërisht për ëndrrën e tij të madhe, shkollimin e nipit në Amerikë. Pasi i plotësohet dëshira, atë natë gjyshi vdes i lumtur. Duket si përallë, por është ngjarje e vërtetë, e denjë për t’u realizuar një film artistik i bukur.
Kam bindjen se për  ata  që do të lexojnë këtë libër, do ndjejnë të njëjtën kënaqësi që përjetova unë. Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesve, është stili. Dhe Avdullai, ish kolegu im, me stilin e tij origjinal ka “goditur” në shenjë. Siç ka thënë Truman Capote: ”Kënaqësia më e madhe e shkrimit, nuk është shkrimi në vetvete, por muzika e brendëshme që bëjnë fjalët”. Dhe… në faqet e këtij libri, ndihet kjo “muzikë”. Presim nga ky autor vepra të tjera. Urime mik i dashur, me kryet në kontinentin amerikan dhe shpirtin në vendlindje.

Boston, 8 qershor 2024.

Please follow and like us: