Albspirit

Media/News/Publishing

VOA/Macron shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas humbjes në zgjedhjet e BE

Presidenti francez Emanuel Macron vendosi shpërndarjen e parlamentit të Francës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në vend pasi partia e tij pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Në një fjalim drejtuar kombit nga pallati presidencial Elysee, presidenti Macron tha se “kam vendosur t’ua kthej zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare përmes votimit. Prandaj po shpërndaj Asamblenë Kombëtare”.

Votimet do të zhvillohen në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, tha ai.

Vendimi pasoi rezultatet e para të zgjedhjeve të së dielës për Parlamentin Evropian, që flasin për një përparësi të partisë së ekstremit të djathtë, e cila mposhti pro evropianët e presidentit Macron, sipas anketave franceze.

Udhëheqësja e së djathtës së skajshme, Marine Le Pen, mirëpriti vendimin e presidentit Macron.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pushtetin nëse populli francez na jep besimin në zgjedhjet e ardhshme legjislative. Jemi të gatshëm ta ngremë vendin përsëri në këmbë. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat e popullit francez, jemi të gatshëm t’i japim fund emigracionit masiv Ne jemi të gatshëm ta bëjmë përparësi fuqinë blerëse të popullit francez, jemi gati të fillojmë ri-industrializimin e vendit”, tha zonja Le Pen.

Please follow and like us: