PLAGËT E ÇAMËRISË NUK JANË MBYLLUR
Veprimtari e degës së Shoqatës “Vatra” të Bostonit, kushtuar 80-vjetorit të genocidit ndaj popullsisë çame
Nga Fuat Memelli
Sivjet më 27 qershor, mbushen 80 vjet nga genocidi grek ndaj popullsisë myslimane çame në vitet 1944-1945. Është një nga genocidet më të egër ndaj kësaj popullsise të pafajshme shqiptare që jetonte prej shekujsh në trojet e saj në zonën e Çamërisë.
Në përkujtim të kësaj masakre, dega e Shoqatës “Vatra” në Boston , organizoi një veprimtari përkujtimore në bibliotekën e qytetit Quincy afër Bostonit. Pas himnit shqiptar dhe amerikan, mbajti fjalën e hapjes kryetari i degës së Vatrës në Boston, Mentor Maksutaj. Më pas u shfaq një vidjo ku recitonte aktori i shquar Mirush Kabashi, poezinë e bukur “Trëndafili Çamërisë” të Fatmir Mujës, ku ndër të tjera thuhet: “Te qafa e Botës u nda bota jonë” dhe vazhdon… ”Mbase nuk di të shkruaj, por dhimbja më bëri poet”. I riu çam, Klajdi Haruni, i emocionuar tha në fillim :” As nuk e kisha ëndërruar që të flisja një ditë në Amerikë për genocidin ndaj Çamërisë.” Pastaj si të ishte një historian, ai solli një mori faktesh për krimet e bëra ndaj popullsisë çame, ku janë vrarë rreth 2300 veta, u dogjën 61 fshatra, kanë humbur jetën gjatë kthimit në Shqipëri e zona të tjera, 2400 veta, ndërsa 25.000 veta u deportuan në Shqipëri.
Emocione të veçanta ngjalli për të pranishmit , dëshmitarja e këtyre masakrave, 88 vjeçarja, Ruke Klefti, lindur në Çamëri. Ajo tregoi edhe rrugëtimin e vështirë deri sa mbritën në Shqipëri.
Studjuesi Agron Alibali, ndër të tjera theksoi se për mos zgjidhjen e problemit çam, një nga pengesat është ligji i luftës që Greqia mban ende me Shqipërinë. Pasi solli fakte të genocidit grek ndaj popullsisë çame, ai theksoi se duhen intervistuar burrat dhe gratë e vjetra çame që janë ende gjallë për të dëshmuar tmeret e asaj masakre. Krahas të tjerave, duhen bërë hapa pajtimi me Greqinë, pasi sot ajo nuk është Greqia e Napolon Zervas. Të krijohen lidhje edhe me komunitetin grek në Shqipëri. Vetëm me sharje të ndërsjellta, nuk zgjidhet ky problem.
Vatrani Artur Vrekaj bëri një sintezë të masakrave greke ndaj popullsisë së pambrojtur çame në Paramithi dhe pjesë të tjera të Çamërisë. Kisha greke dhe nazistët gjermanë ishin bashkëpunëtorë të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë theksoi ai. Më pas sugjeroi që me Vatrën dhe kryetarin e saj Elmi Berisha, duhet të punojmë që të arijmë të bëjmë një seancë dëgjimore në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të Kongresit Amerikan me dëshmitarë të gjallë të genocidit. Gjithashtu të përgatitet një dokumentar me dëshmitarë të këtij genocidi, për t’u arshivuar në librarinë e Kongresit dhe në universitetet amerikane, që këto dëshmi të bëhen pjesë e studimeve.
Disa prej folësve ishin bij e e bija Çamërie. Dhe i takonte ky nder atyre. Poeti e shkrimtari Namik Selmani, përshëndeti me një poezi të bukur për Çamërinë. Ai “foli” edhe me librat që kishte sjellë aty, ku një pjesë e mirë ishin për Çammërinë dhe bijtë e bijat e saj. Eva Hysi, recitoi një baladë për vendin e të parëve të saj, ndërsa Olta Muharremi solli kujtimet e përmallëshme të gjyshes.
Folën edhe të tjerë si historiani Thanas Gjika, Pashko Camaj, sekretar i përgjithshëm i Vatrës i ardhur nga New Yorku, Rudina Bardhi, kryetare e degës së Shoqatës “Labëria” në Boston, Artan Rrëza nga grupimi “Çunat e Bostonit”, Roberta Nashi në emër të “Albanian’s Fighting Cancer”, ndërsa poeti e shkrimtari Mëhill Velaj recitoi një poezi të poetes çame, Arjana Fetahu Gaba. U lexuan edhe përshëndetje të ardhura nga bij Çamërie, etj.
Plagët e genocidit grek ndaj bijve e bijave të Çamërisë, megjithëse kanë kaluar 80 vjet, nuk janë mbyllur. Ato do të mbyllen kur shteti grek të kërkojë falje për këtë masakër, kur bijtë e bijat çame të shkojnë lirisht në vendin e të parëve, kur ata të marrin shtëpitë dhe pronat e tjera që kanë patur ndër shekuj. Duke mbyllur këto rradhë dua të them se nga fjalët që u thanë në këtë veprimtari, emocionet që përcollën folësit, na u duk sikur kjo sallë ishte një “copëz” Çamërie, ku ndihej zëri i bijve dhe bijave të saj, ku ndihej kënga dhe vallja çame si dhe flladi i ullinjve të Çamërisë.